BLUETOOTH

Sara Kapo: Eros apo vulgaritet? Ja cili është limiti im

11:49 - 13.01.18 Pamela Aliaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të jesh provokuese dhe të guxosh të vish ndryshe nuk është e lehtë, edhe pse ditët e sotme njerëzit “ngatërrojnë” vulgaren me erosin dhe atë që mund të quhet thjesht art. Ajo ka qenë shpeshherë në qendër të mediave rozë duke spikatur nga vajzat e tjera jo për faktin se është e bija e një artisteje, por për stilin e saj të veçantë dhe provokues. Po flasim pikërisht për Sara Kapon, vajzën e aktores Ema Andrea, e cila falë stilit krejt të sajin është vënë në qendër të vëmendjes.




Në një intervistë ekskluzive për “Bluetooth”,“Gazeta Shqiptare”, Sara ka folur për këngën e saj të parë të sjellë në anglisht “Watching you” (Jam duke të parë). Sara ka folur për faktin se pse parapëlqen të vijë e tillë në videoklip e kudo në shfaqet e saj provokuese dhe plot eros.

Gjithashtu ajo ka folur për burimin e frymëzimit të saj. A do të guxojë sërish me eros? Për më tepër në intervistën e mëposhtme.

Jeni një vajzë tepër e veçantë në stilin dhe mënyrën tuaj të të shfaqurit në publik. Cili ka qenë faktori apo personi, i cili ka ndikuar në formimin tuaj?

Më bëhet qejfi që dëgjoj këtë për veten njëherë (qesh). Besoj se komplet mënyra se si më ka ardhur jeta për disa gjëra dhe fakti që kam qenë gjithmonë afër artit edhe në backstage më ka bërë të kem disa shije ndoshta pak më të çuditshme se shumica.

Jeni përfolur shpesh për daljet tuaja ekstravagante e të veçanta si në fotot nudo edhe në puthjet me një femër. Përse një shfaqe e tillë? Çfarë do të përcjellë Sara?

Nuk është se Sara është shfaqur kështu, kam shumë e shumë gjëra të tjera. Janë gazetarët që zgjedhin të shkruajnë vetëm për to. Bëhet lajm një puthje në faqe me një femër, por asnjëherë nuk e kam parë lajmin ku filmi, që kam marrë unë pjesë si aktore kryesore do të shkojë në Paris të përfaqësojë Shqipërinë.

I them gjithmonë, nuk ka problem se bëni skandalet, por ku janë lajmet për punët e mia? Nuk është të paktën një njeri i dedikuar për këto?

Cila është muza juaj?
Është e kotë të them përsëri mami, sepse përveçse është e qartë, e kam thënë sa herë më kanë pyetur. Por çfarë më ka ndodhur së fundmi është që vetja ime ka filluar të më frymëzojë. Shoh prapa dhe ndihem mirë që jam krenare për disa arritje dhe procese të miat.

Kush është kritiku/ja më e madhe e juaja?
Vetja ime. Ndonjëherë jam shumë e ashpër me të.

Sara ka pasur një tip e stil të tillë gjithnjë apo ka pasur një moment në jetë që e ka ndryshuar? Cili ka qenë ai nëse po, dhe pse?
Të them të drejtën stili im ka ndërruar shpesh. Nuk kam qenë gjithmonë kështu, të paktën për sa i përket veshjes ose paraqitjes. Tani që jam më e pjekur, përpiqem të bëj një kombinim të të gjitha fazave që kam kaluar më parë në një.

Keni nxjerrë një videoklip me këngën tuaj të parë “Watching you”. Si lindi gjithçka?

Kisha shumë dëshirë të prodhoja një këngë dhe “Tull Production” kishte disa propozime interesante në kohën që unë doja ta bëja këngën. Duke provuar, duke parë, ramë të gjithë dakord që kjo këngë ishte mënyra më e mirë për të dalë dhe nuk do të doja të kisha bërë me asnjë tjetër. Jam shumë e kënaqur me këtë projekt.

Sërish provokuese Sara në video. Ka një qëllim apo një mesazh në të?

Si provokim? Sepse është diçka e thjeshtë dhe fun? Nuk ka mesazh, duhet të ketë gjithmonë? Është gjendje, flirt, fun, tapë… 23 vjeç jam nuk kam ndonjë mesazh aq të thellë për botën që do i ndihmojë të kalojnë ditë të vështira.

Muzika për Sarën është një “provë” e momentit apo është…
Ka qenë dhe është pasion, por këtë këngë mund ta quaj vetëm 1 për qind provë, sepse mendoj se është punë shumë e mirë për ta quajtur vetëm aq.

Si erdhi ideja e bashkëpunimit me vëllezërit Ramosaj? Si lindi gjithçka?
Me Ramosajt kam pasur më parë një raport shumë miqësor. Për të dy kam pasur një respekt shumë të madh që para se të bashkëpunonim për këngën dhe jam ndjerë me fat të punoja mes miqsh që të duan të mirën.

Çfarë quan të tepruar Sara?
Vallaj vetëm me ushqimin (qesh).

Kush do ishte kulmi i arritjes për Sarën?
Sikur të hapja Biennalen e Venzias dhe të kisha një drejtim muzikor të konsoliduar.(Qesh)

Çfarë do të doje të “guxoje” sërish pas puthjeve me një femër dhe daljeve nudo e provokuese?
Ja të shohim për ndonjë projekt tjetër nga shkurti.

Çfarë i është dukur provokuese apo vulgare Sarës?
Provokuese nuk është kollaj të quaj diçka, nuk impresionohem aq shpejt, por për sa i përket vulgaritetit, thjesht nuk më pëlqen të jem pjesë. Diçka pa shije me duket vulgare, pavarësisht sasisë së erosit të përfshirë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.