OPINION

Ekonomia, shkenca që u shërben të gjithëve

07:30 - 14.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Zija Lika




 

Ekonomia është shkenca që studion mënyrën sesi shoqëria organizon burimet ekonomike relativisht të kufizuara, për të prodhuar mallra dhe shërbime në funksion të maksimizimit të mirëqenies së njerëzve.

Duke pasur në qendër të vëmendjes së saj problemin ekonomik themelor, që ka të bëjë me përndarjen optimale të burimeve të kufizuara prodhuese ndaj nevojave konkurruese të pakufizuara, është njëkohësisht edhe shkenca e zgjedhjeve optimale, përmes përgjigjeve efiçente që u jep tri pyetjeve themelore të ekonomisë se çfarë, sa, si dhe për kë të prodhohet. Këto përgjigje përcaktojnë qartë se në ekonominë e tregut duhet të prodhohet gjithçka ligjërisht e lejueshme, që maksimizon fitimin e firmave të biznesit, duke zgjedhur kombinimin më produktiv të përdorimit burimeve ekonomike, që sjell minimizimin e kostos për njësi produkti apo shërbimi të prodhuar dhe respektuar këndvështrimin marketing të tregut, ku në qendër të të cilit qëndrojnë konsumatorët e gatshëm e të aftë për të paguar me çmimin e tregut, blerjen e mallrave e shërbimeve të prodhuara e ofruara në tregje, në përputhje me parapëlqimet, shijet dhe preferencat e tyre. Kurrë asnjëherë dhe në asnjë kohë nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk do të ketë burime ekonomike të mjaftueshme për të realizuar të gjitha nevojat dhe dëshirat e aktorëve të ekonomisë (individët, familjet, firmat e biznesit dhe qeveria).

Në kushtet mungesës, rrallësisë apo pamjaftueshmërisë së burimeve ekonomike, del nevoja që ne të zgjedhim midis mundësive që kemi. Kjo shkencë na jep mënyrat, modelet, sesi të alokojmë (shpërndajmë) burimet prodhuese të pamjaftueshme apo të kufizuara që disponojmë. Është kjo arsyeja që ekonomiksi, si një degë shumë e rëndësishme e shkencës së ekonomisë, përcaktohet si shkencë e zgjedhjes, që ka në qendër rrallësinë, fatkeqësinë, apo mungesën dhe që tenton të zgjidhë  problemin ekonomik themelor të shoqërisë njerëzore, atë midis nevojave e dëshirave materiale të pakufizuara dhe burimeve ekonomike të kufizuara të nevojshme për realizimin e tyre. Sipas parimit numër një të kësaj shkence: “Të gjithë njerëzit bëjnë zgjedhje, pa llogaritur dobinë e zgjedhjeve”, ndërsa sipas njërit prej parimeve të tjera: “Njerëzit e shkolluar (inteligjentë) bëjnë zgjedhje të zgjuar, sepse ata studiojnë marxhinat, pra shtesat e funksionit për një njësi shtesë të përcaktorit (variablit) të tij pavarur.

Kufizueshmëria e burimeve përballë pakufizueshmërisë së nevojave, domosdoshmëria e zgjedhjes dhe kostoja oportune që shoqëron zgjedhjen e bërë prej aktorëve përkatës të ekonomisë janë koncepte fondamentale të shkencës së ekonomisë. Problemi i përcaktimit të zgjedhjes më të mirë të mundshme (zgjedhjes optimale), përbën boshtin rreth të cilit e gjithë shkenca e ekonomisë mbështjell objektin e studimit të saj. Në lidhje me atë çka themi, jo më kot ekonomia ndryshe quhet “shkenca e ekonomizimit” (kursimit), pra shkenca e marrjes së rezultatit maksimal nga përdorimi i një burimi ekonomik të dhënë. Për realizimin e këtij misioni shumë të rëndësishëm, shkenca e ekonomisë përveç arsenalit të fuqishëm të njohurive përkatëse që zotëron, mbështet fort edhe nga një sërë shkencash të tjera, ku si më të rëndësishme vlen të veçojmë ato matematike dhe kompjuterike. Tashmë dihet se shumë zbulime, koncepte, rrjedhime, teorema, aksioma, formula e të tjera matematikore japin një kontribut të çmuar në zgjidhjen e saktë dhe efiçente të shumë e shumë problematikave të ndryshme ekonomike, me të cilat përballen shpesh në jetën e përditshme të gjithë aktorët përkatës të ekonomisë.

Shkencat natyrore dhe ato ekonomike nuk janë vetëm sisteme të përsosura dijesh, por edhe mjete të pazëvendësueshme për të hulumtuar, eksploruar e depërtuar ne të fshehtat e natyrës dhe ekonomisë, për të ndërtuar saktë çdo sistem dijesh, si dhe për të arritur në përfundime të sakta për çdo sistem e studim të dhënash. Përveç ekonomistëve më me influencë në historinë e njerëzimit si: Adam Smith,  David Ricardo, Alfred Marshall, John Maynard Keynes dhe Joan Robinson, janë një plejadë e tërë matematikanësh, që me zbulimet e tyre kanë kontribuar dhe kontribuojnë fuqishëm në zgjidhjen efiçente të shumë problematikave të ndë rlikuara dhe komplekse, me të cilat përballet shpesh dhe sistematikisht ekonomia.

Ndër ta vlen të përmendim matematikanin e madh francez, Joseph Louis Lagrange (1738 – 1813), ku ndër të tjera në historikun e matematikës thuhet: “Matematika e sotme i detyrohet Lagranzhit, për disa suksese të veçanta si e ashtuquajtura teorema e Lagranzhit, që shërben si bazë për gjetjen e ekstremeve të funksioneve me një, dy dhe shumë variabla, të apo pa kushtëzuara, metoda e variacionit të konstantes për zgjidhjen e ekuacioneve diferenciale, teoria e integraleve të trefishta e të tjera, të cilat kanë rëndësi të veçantë në zgjidhjen e problematikave të ndryshme ekonomike, por jo vetëm sikurse citohet më sipër”.

Në mënyrë që të gjithë aktorët e ekonomisë, në rolet përkatëse të tyre si konsumatorë, prodhues, kursimtarë, investitorë e të tjera të mund të optimizojnë (maksimizojnë apo minimizojnë) sipas rastit konkret, funksionin e rezultatit ekonomik (fitim apo humbje), të dobisë apo kënaqësisë nga blerja dhe konsumi i mallrave dhe shërbimeve të blera në kushtet e një buxheti të limituar financiar, ose të minimizojnë kostot e prodhimit apo të konsumit individual, familjar e të tjera, nevojitet që ata të kenë minimalisht njohuritë bazë të shkencës së ekonomisë. Koncepte të tilla si: tregu, strukturë tregu, kërkesa, oferta, çmimi, kostoja, konkurrenca, paraja, banka, letra me vlerë, buxheti, taksat, rritje/rënie ekonomike, cikël biznesi, politika monetare, fiskale, përparësi absolute, krahasuese (relative), bilanc tregtar, pagesash e të tjera, si dhe parimet e ligjësitë bazë ekonomike janë shumë të rëndësishme për t’u përvetësuar dhe vepruar në përputhje me to, në mënyrë që çdo aktor ekonomie, të mund të realizojë sjellje ekonomike racionale (efiçente), në funksion të maksimizimit të pëfitueshmërisë apo minimizimit të kostos. Nëse të gjithë aktorët e ekonomisë do mund të silleshin në mënyrë efiçente, atëherë  do mund të kishim një efiçencë ekonomike në tërësi, ose e thënë ndryshe një gjendje të ekonomisë, në të cilën askush nuk mund të rritë mirëqenien e tij, pa cenuar mirëqenien e dikujt tjetër, ndërkohë që kjo situatë kërkon padyshim një sistem efikas drejtësie në veprim, për të eliminuar dhe ndëshkuar të gjitha padrejtësitë e mundshme.

Përvetësimi i njohurive bazë ekonomike, domosdoshmëri për të gjithë

Njohja dhe përvetësimi njohurive bazë ekonomike nuk është i rëndësishëm vetëm për ata që kanë ndërmend të vazhdojnë studimet në arsimin e lartë për ekonomi, biznes, financë, bankë e të tjera, por edhe për të gjithë të tjerët, për shumë arsye, përderisa në një mënyrë ose në një tjetër janë të lidhur me tregun si konsumatorë, kursimtarë, investitorë e të tjera. Më shumë njohuri ekonomike do të ndihmonin çdo individ jo vetëm për të pasur sjellje ekonomike racionale në funksion të maksimizimit të përfitimeve përkatëse dhe shmangies apo minimizimit të efekteve negative, pasojë e veprimit të rreziqeve të mundshme ekonomiko– financiare, por edhe për të qenë qytetar aktiv dhe më i përgatitur. Nga ana tjetër, njohuritë mbi ekonominë u shërbejnë edhe të gjitha fushave të tjera si: financës, biznesit, qeverisjes, arsimit, drejtësisë, politikës etj.

Për të vënë në dukje rëndësinë e madhe që kanë idetë dhe njohuritë ekonomike, John Maynard Keynes, një prej ekonomistëve më me influencë në historinë e njerëzimit dhe më i madhi i shekullit të XX, ndër të tjera thotë: “Idetë e ekonomistëve dhe filozofëve politikë edhe kur kanë të drejtë, edhe kur e kanë gabim janë më të fuqishëm sesa kuptohet zakonisht. Vërtet bota sundohet nga veç pak”.

Krahas të tjerash, studime të ndryshme ekonomike, që iu referohen periudhave të krizave ekonomiko– financiare, rajonale dhe globale kanë treguar se nëse aktorët ekonomikë të këtyre vendeve sillen në mënyrë efiçente në fushat dhe veprimtaritë e tyre përkatëse ekonomike, atëherë fazat e rënies dhe të depresionit ekonomik të ciklit të biznesit do të zgjasin më pak në kohë, zbuten më lehtë efektet dhe pasojat negative të tyre, si dhe do të përgatiten më shpejt kushtet e kalimit në fazat e tjera të rritjes dhe prosperitetit ekonomik të ciklit të biznesit, ndërkohë që do të ndodhë  e kundërta, në kushte dhe rrethana të tjera të ndryshme.

Konditë e nevojshme për të pasur dhe demonstruar sjellje ekonomike racionale (efiçente) është përvetësimi i njohurive bazë ekonomiko–ligjore, ndërkohë që kjo e fundit në rastin e firmave të biznesit duhet të shoqërohet edhe me aftësinë sipërmarrëse, e cila është një ndër shtyllat kryesore të sipërmarrjes së lirë.

Mbartësit e aftësisë sipërmarrëse ofrojnë energji dhe imagjinatë, të cilat ndihmojnë në ecjen përpara të të gjithë sistemit ekonomik. Përveç sa më sipër, domosdoshmëria e përvetësimit nga të gjithë e njohurive bazë ekonomike lidhet edhe me faktin se ekonomia mbështet dhe u shërben të gjitha shkencave, ndërkohë që këto të fundit janë dhe vendosen në funksion të ekonomisë, pasi në analizë të fundit, tregu është destinacioni i produktit apo shërbimit përfundimtar që ofron çdo lloj shkence.

Edukimi ekonomiko–financiar fillon në shkollë

Krahas njohurive të tjera të shkencave natyrore dhe shoqërore, të përcaktuara në kurrikulat dhe programet përkatëse mësimore, të miratuara prej Ministrisë së Arsimit, është shumë e domosdoshme që nxënësit e arsimit parauniversitar të përvetësojnë njohuritë bazë ekonomike dhe financiare. Me fjalë të tjera, procesi përmes të cilit ata shtojnë njohuritë e tyre në fushën e ekonomisë, produkteve financiare dhe rreziqeve që i shoqërojnë ato, në funksion të aftësimit të tyre për të bërë zgjedhje të zgjuara, bazuar në një informacion të saktë, s’është gjë tjetër përveçse edukimi ekonomiko–financiar i synuar, i cili do t’u shërbejë pozitivisht jo vetëm në periudhën përkatëse të shkollimit, por edhe në  fazat e mëvonshme të jetës.

Edukimi ekonomiko-financiar i shërben jo vetëm individit, por edhe mbarë shoqërisë. Ai përmirëson aftësinë e publikut për të vlerësuar drejt ecurinë e zhvillimit ekonomik, politik e social të vendit dhe për pasojë, për të marrë vendime të matura ekonomike, duke ndihmuar dhe lehtësuar në këtë mënyrë, funksionimin më të mirë të shoqërisë ku ne jetojmë. Mendimi ekonomik, ose “mënyra ekonomike e të menduarit” është produkt themelor i studimit të lëndës së ekonomisë. Përvetësimi i parimeve të përgjithshme të mendimit ekonomik synon krijimin tek nxënësit të njohurive, shprehive, qëndrimeve e vlerave ekonomike, që janë në përshtatje me kërkesat e kornizës kurrikulare kombëtare.

Përvetësimi si duhet i bazave të ekonomisë është i rëndësishëm, në mënyrë që nxënësit të marrin vendime ekonomike efiçente gjatë jetës, të jenë pjesëmarrës aktivë të ekonomisë globale, anë tarë produktivë  të forcës së punës e qytetarë të përgjegjshëm, promotorë të sistemit të sipërmarrjes së lirë, si dhe kapacitete të fuqishme intelektuale dhe talente menaxheriale të së ardhmes.

Heqja e ekonomisë nga kurrikula bërthamë e gjimnazit, një gabim i rëndë me pasoja negative për të ardhmen

 Në vitin shkollor 2010–2011, MASH, bazuar në kurrikulat mësimore të vendeve të përparuara europiane dhe amerikane, përfshiu në kurrikulën bërthamë të gjimnazeve lëndën e ekonomisë, e cila është zhvilluar si lëndë e detyrueshme me dy kredite (dy orë mësimore çdo javë, përgjatë gjithë vitit shkollor me kohëzgjatje 34 javë mësimore), për të gjithë nxënësit e klasave të 12-ta, ndërkohë që ata që dëshironin të thellonin më tej njohuritë, mund të zgjidhnin dhe zhvillonin lëndën e ekonomisë së thelluar me dy kredite, si pjesë e kurrikulës me zgjedhje të detyruar. Kjo kurrikul e ka shtrirë kohëzgjatjen e zbatimit të saj deri në vitin shkollor 2017-2018. Sqarojmë se në vitin shkollor 2016-2017, MAS (MASR aktualisht), ka miratuar dhe vënë në zbatim kurrikulën e re të gjimnazit, e cila pritet të implementohet e plotë në vitin e ardhshëm shkollor 2018–2019.

Në bazë të kësaj kurrikule, lënda e ekonomisë nuk do të jetë pjesë e kurrikulës bërthamë, por thjesht pjesë e kurrikulës me zgjedhje. E thënë ndryshe, kjo lëndë do të zhvillohet vetëm për ata nxënës, të cilët do ta zgjedhin atë, me kushtin që kjo gjë të mundësohet nga gjimnazi përkatës ku ata vazhdojnë studimet.

Fakti që një numër i konsiderueshëm i gjimnazeve publike apo jopublike të vendit tonë kanë  një numër të kufizuar klasash paralele për çdo vit mësimor, gjë e cila vështirëson dhe pamundëson zgjedhjen lëndore mbi bazën e preferencave të nxënësve, mungesa e personelit mësimdhënës të profilit ekonomistë, të cilët nga sa parashikohet nuk do të jenë të interesuar për shkak të kostos së lartë oportune, të ushtrojnë profesionin e tyre në fushën e mësimdhënies vetëm për një numër shumë të vogël orësh mësimore, ndërkohë që edhe në kushtet e mëparshme vetëm një numër relativisht i ulët gjimnazesh e kishin luksin që lëndën e ekonomisë ta zhvillonin me normë të plotë mësimore, profesionistë të profilit ekonomistë; prirja masive e nxënësve e konstatuar nga përvoja e deritanishme, për të zgjedhur kryesisht lëndë në vazhdim të atyre të mëparshme, apo të thjeshta në përvetësim dhe jo ato për të cilat mungojnë njohuritë paraprake, pavarësisht nga vlerat dhe dobia aktuale e perspektive që kanë njohuritë përkatëse lëndore, si dhe të tjerë faktorë ndikues do të bëjnë që lënda e ekonomisë në zbatim dhe implementim të plotë të kurrikulës së re të gjimnazit, duke filluar nga viti shkollor 2018–2019 e në vazhdim të jetë inekzistente, apo në rastin më të mirë një lëndë dytësore dhe jo e rëndësishme e zgjedhur nga një numër shumë i vogël nxënësish në shkallë vendi.

Gjykoj se nisur nga rëndësia dhe dobia shumë e madhe që kanë njohuritë ekonomike për të tashmen dhe formimin e ardhshëm intelektual e menaxherial të nxënësve, të paktën dy kredite të kësaj lënde duhet të ishin detyrimisht pjesë përbërëse të kurrikulës së re bërthamë të gjimnazit, e cila në tërësinë e saj përbëhet nga 69–71 kredite lëndore, ndërkohë që çuditërisht 9 kredite lëndore (të barabarta në madhësi relative me 13% të totalit të krediteve, apo 26% të totalit “orë mësimore-mësues” të kësaj kurrikule) i përkasin vetëm edukimit fizik dhe sporteve, gjë e cila nënkupton faktin se më në fund, vendi ynë ka arritur fazën e lulëzimit dhe begatisë ekonomike dhe shqetësimi apo prioriteti kryesor i tij mbetet të jetë: edukimi fizik dhe sporti për të gjithë. Përderisa ekonomia është baza dhe epiqendra e të gjitha fushave të jetës kudo në botë, apo e thënë ndryshe në kuptimin figurativ konsiderohet “Leva e Arkimedit”, pa të cilën nuk mund të ketë asnjë lloj progresi dhe zhvillimi të shoqërisë njerëzore, ajo duhet të jetë realisht (sidomos në vendin tonë), boshti prioritar i të gjitha politikave qeveritare. Nëse edukimit shkollor të brezit të ri në arsimin e mesëm të përgjithshëm parauniversitar i hiqet ai ekonomiko–financiar, sikurse pritet të ndodhë  realisht me implementimin e plotë të kurrikulës së re të gjimnazit, duke filluar prej vitit shkollor 2018-2019 e në vazhdim, atëherë  kjo gjë do të sjellë pasoja shumë negative në të tashmen dhe të ardhmen, jo vetëm për këtë brez dhe atë që do të vijë, por edhe për zhvillimin ekonomik dhe mbarë shoqërinë në tërësi.

Përvoja e deritanishme ka treguar se marrja gati e skemave, modeleve apo politikave të ashtuquajtura reformatore prej vendeve të ndryshme jo të rëndësishme të botës, përsa i takon zhvillimit ekonomik, arsimor e shkencor dhe implementimi i tyre jo në përshtatje me kushtet e rrethanat vendë se, apo me prirjet përgjithshme bashkëkohore të këtij zhvillimi sjell shpesh problematika, që shoqërohen me pasoja negative në lidhje me frenimin apo ngadalësimin e ritmeve të zhvillimit e integrimit, të cilat jo rrallë herë kërkojnë korrigjime, modifikime dhe ndryshime totale të skemave, modeleve apo politikave të sipërcituara.

MASR është ende në kohë të rishikojë dhe korrigjojë në drejtimin e duhur pozitiv “kurrikulën e re të gjimnazit”, duke përshirë të paktën me dy kredite lëndore në kurrikulën bërthamë lëndën e ekonomisë, njohuritë e së cilës janë tepër të rëndësishme, efektive, dobishme dhe me vlera formuese fondamentale jo vetëm teorike, por edhe praktike jetësore të nevojshme për të gjithë. 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.