OPINION

A ia vlen Vlora 13 milionë?!

07:40 - 14.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Dritan Hila

 

Ardhja e Edi Ramës në pushtet në vitin 2013 u prit me ankth, si gjithë ndërrimet e pushteteve në Shqipëri. Aq më shumë në një vend, që kufirin mes të ligjshmes dhe të paligjshmes e ka evaziv.
Shpërthimet e dinamitit dhe matrapiku në ndërtimet pa leje ngjalli shpresë dhe frikë mes njerëzve. Viktima shpeshherë u bënë hallexhinjtë. Mes tyre kishte edhe të njomë bashkë me të thatët dhe të pafajshmit e varfër vështirë se do dëmshpërblehen, pasi Strasburgu është rrugë e largët. Por, në këndvështrim të gjerë ajo raprezalje ndihmoi të ndërpritej epidemia e ndërtimeve apo shtesave pa leje.
Sa i takon Vlorës, ndihmoi në punën për kthimin e këtij qyteti në normalitet. Në vitin 2013 në qytet hyhej nga një shteg dhish i pamirëmbajtur. Ndërsa bregu i detit ishte një lëmsh, ku fare kollaj ndrydhje këmbën dhe herën ngushtohej, sa të kalonte një person dhe herë mund të bije vetë në gropë. Ujërat e zeza derdheshin hapur.
Pas katër vjetësh, qyteti mund të gjykohet se ka marrë investime të qenësishme. Është i vetmi qytet ku nuk është punuar për fasadë. Kanalizimet janë bërë me perspektivë dhe me themel, duke i çuar në drejtim të detit. Aty do të mblidhen dhe dërgohen në përpunim në zonën e Sodës. Lungomarja është nga të paktat vepra që ka modernizuar vijën bregdetare të qytetit, megjithëse do ende punë. Po vazhdohet në drejtim të plazhit të vjetër rruga dhe shëtitorja. Kjo do rikualifikojë komplet zonën dhe do ta lidhë në mënyrë organike me Skelën dhe Lungomaren.
Rrugët paralele me Lungomaren dhe Bulevardin e Skelës po riparohen dhe asfaltohen të gjitha. A janë kostot e larta? A ka pasur klientelizëm në shpërndarjen e punëve? A e ka qelbur me tejzgjatjen e bypass-it të Fierit dhe Vlorës, ç’ka nuk e lejon qytetin të shfrytëzojë kapacitetet e tij turistike? Këto janë të gjitha pyetje, që vështirë se Rama u përgjigjet për notë kaluese.

Por në Vlorë ka punuar, duke e nxjerrë qytetin nga grija dhe pluhuri 27-vjeçar i tranzicionit.
Tani le të vijmë tek pallati i vjehrrit të Lulzim Bashës dhe dëmshpërblimi i tij 13 milionë. Njerëzve u ka bërë përshtypje. Në ato kohë u fol se ishte një akt edhe politik për t’i treguar kryetarit të opozitës se nuk ishte në gjendje të mbronte as familjen e vet, lëre pastaj demokratët e thjeshtë. Por e keqja e atij pallati nuk ishte se kishte shkelur rregullat dhe as sepse kishte abuzim në dhënien e lejes së tij. Kjo është një aferë më vete, e cila nuk duhet t’i shpëtojë hetimit. Arsyetimet se u bë një shkelje nga Shpëtim Gjika sepse Berisha nuk i jepte fonde, janë mbrojtje e dobët dhe nëse do t’i shkohej kësaj logjike, çdo abuzim justifikohet. Por, ai pallat para së gjithash ishte pionieri sesi do të shkatërrohej vija bregdetare.

Sepse derisa pa u ndërtuar ai, bashkiakë dhe ndërtues kishin abuzuar duke ndërtuar barbarisht, deri edhe duke u qasur me vijën e detit, por kurrë nuk kishin hyrë brenda në det. Nëse ai do mbijetonte, askush nuk do kishte guxim të blinte pallat buzë detit me shpresë se do shikonte agimet dhe perëndimet, pasi një i fortë rruge apo politik një ditë të bukur do hidhte beton brenda në det dhe do të ndërtonte duke zënë pamjen. Ai ishte një shembull sesi do të shkatërrohej natyra. Ndaj, nëse ka disa miliona që shpenzohen me hak, ato janë këto 13 që do paguajë qeveria për të zbatuar vendimin e Strasburgut./dritare.net

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.