EKONOMI

Kartoni jeshil/ Kompanitë e sigurimit, marrëveshje me njëra-tjetrën

10:27 - 14.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ornela Manjani




Autoriteti i Konkurrencës do të hetojë sërish tregun e sigurimeve. Kompanitë e sigurimit të ‘jojetës’ kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për shitjen dhe administrimin e kartonit jeshil. Kartoni jeshil është produkt sigurimi për dëmet që drejtuesit e mjeteve mund të shkaktojnë në lëvizjet e tyre jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë.

MARRËVESHJA

Marrëveshja është paraqitur pranë Autoritetit të Konkurrencës, për të kërkuar përjashtimin e saj nga ndalimi, në kuptimin ligjit për mbrojtjen e konkurrencës. Ndonëse përmbajtja e marrëveshjes nuk është bërë e ditur, pakti mes kompanive tregon edhe njëherë se tregu i produkteve të sigurimit të detyrueshëm vazhdon të karakterizohet nga një sjellje e koordinuar.

Që nga viti 2005 e në vazhdim, kompanitë e sigurimeve kanë qenë disa herë objekt i hetimeve të Autoritetit të Konkurrencës, kryesisht për praktikat e ndjekura në tregtimin e policave të sigurimit të detyrueshëm motorik për përgjegjësitë ndaj palëve të treta. Në vitin 2012, të gjitha kompanitë e sigurimit të ‘jojetës’ u gjobitën për marrëveshje të ndaluar në dëm të konsumatorëve dhe konkurrencës në treg, pikërisht për rritjen e çmimit të sigurimit TPL. Dy vjet më vonë, një tjetër hetim i kryer nga Autoriteti i Konkurrencës dha rezultate të ngjashme. Për të shmangur pasojat, këtë herë kompanitë e sigurimeve kanë vendosur të kërkojnë paraprakisht miratimin e Autoritetit të Konkurrencës, që pritet të shprehet për marrëveshjen gjatë muajit shkurt.

TREGU

Në janar-nëntor 2017, tregu i sigurimeve ka pasur një rritje prej 6.85%. Volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 916,255 mijë lekë. Numri i kontratave arriti në 1,136,689 duke shënuar një rritje me 14.06% krahasuar me janar-qershor 2016. Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e ‘jojetës’ ka shënuar një rritje në masën 5.54% krahasuar me janar-nëntor 2016. Numri i kontratave në sigurimin e ‘jojetës’ kapi shifrën 977,680, duke shënuar një rritje në masën 8.65% krahasuar me janar-nëntor 2016. Volumi i primeve të shkruara bruto në veprimtarinë e ‘jetës’ ka shënuar një rritje në masën 28.16% krahasuar me janar-nëntor 2016. Numri i kontratave në sigurimin e ‘jetës’ arriti në 158,967 duke shënuar një rritje në masën 64.43%’ krahasuar me janar-nëntor 2016. Gjatë janar-nëntorit 2017, janë paguar gjithsej 43 milionë dëme ose 16.39% më shumë se gjatë janar-nëntor 2016. Numri i dëmeve të paguara në janar-nëntor 2017 është rritur me 12,074 dhe arriti shifrën 40,477 nga të cilat 39,080 dëme janë paguar nga shoqëritë e sigurimit të ‘jojetës’ dhe 1,397 nga shoqëritë e sigurimit të ‘jetës’.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.