KULTURË

Lamtumirë Rexhep Çeliku! Shqipëria dhe Kosova përcjellin me flamur valltarin

11:11 - 14.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Fatmira Nikolli

Ai ecte me hap të sigurt, të rëndë. Me peshën e valles së Kukësit, me hovin e asaj të Rugovës, me mallin e valles çame, me portretin e Osman Takës. Ai burrë i gjatë, me shpatulla të mëdha, që mbante mbi vete peshën e shqiponjës kur hapte krahët, si ajo.

Rexhep Çeliku dje u përcoll me tingujt që e kishin çuar peshë teksa mijëra duartrokitje e shoqëronin në kalimin e fundit në sheshin “Skënderbej”.

Mes dhimbjes e lotëve, iu dha lamtumira e fundit Rexhep Çelikut. Familjarë, të afërm, miq dhe bashkëpunëtorë qëndruan dy orë në homazhet për nder të “Valltarit Fluturues”, i ndarë nga jeta një ditë më parë pas një sëmundjeje të rëndë. “Mjeshtri i Madh” e “Nderi i Kombit” nga holli i Muzeut Historik Kombëtar shënoi takimin e fundit me ta.

Pas homazheve, kortezhi me trupin e pajetë u drejtua për në varrezat të Sharrës, ku do të prehet përgjithmonë. Korifeu i skenës shqiptare, “Shqiponja e valles”, “Nderi i Kombit”, Rexhep Çeliku humbi betejën pas më shumë se pesë vitesh me sëmundjen e rëndë.

Miqtë thanë se ai e mundi sëmundjen për kaq vite, në vajtje-ardhjet drejt Turqisë, herë me autobus e herë me avion, për kimioterapinë e për operacionet. Ai e mundi pesë vite, duke luftuar me të çdo ditë, nga pak e nga shumë. Derisa në agimin e së premtes, pasi kisha marrë titullin “Nderi i Kombit” dhe i kish takuar së fundmi miq e kolegë, zuri shtratin dhe dha frymën e fundit.

Edhe pse i sëmurë e nën efektin e rrezatimeve, si për ta mposhtur atë, si për ta sfiduar nuk iu nda valles dhe as skenës derisa zuri shtratin.

Më 8 janar, katër ditë më parë se të jepte shpirt u dekorua nga me motivacionin: “Në vlerësim të kontributit të jashtëzakonshëm si solist me nivel të lartë dhe mjeshtëri të veçantë artistike në interpretimin e valleve shqiptare; për promovimin denjësisht të vlerave të mirëfillta të trashëgimisë sonë kulturore kombëtare brenda dhe jashtë vendit, si dhe për pasurimin e fondit të krijimtarisë koreografike dhe përçimin e tij tek brezat e artistëve të rinj”.

Dje, thanë se ai ta çonte shpirtin peshë, se arti i tij përmes tij manifestonte shpirtin shqiptar, historinë tonë të stuhishme e se askush më shumë se ai nuk i ngjante një shqiponje me krahët e hapur e shikimin e mprehtë. Me muzikën e valleve të tij, si tupanat që lajmërojnë një kob, Çeliku la muzeun i mbajtur nga krahët e valltarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës. Arkmorti i tij mbulohej me flamur. Sheshi zezonte nga ata që kishin ardhur ta nderonin. Mes tyre, shumë qytetarë nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, miq, artistë politikanë dhe artdashës.

Miqtë

Valltarja edhe partnerja e tij e skenës Lili Cingu, një prej të parëve që pat mësuar lajmin e zi, e pikëlluar tha dje se Rexhep Çeliku ishte një shqipe që depërtonte me vallen e tij lehtësisht te spektatori vendës dhe i huaj.

Për drejtoreshën e Teatrit të Operas dhe Ansamblit Popullor, Zana Çela kjo është një humbje e madhe për kombin dhe artin. Humbje e cilësoi edhe Gerti Druga, drejtori artistik i Ansamblit. Duke u shprehur me fat që ka bashkëpunuar me Çelikun disa herë, e së fundmi për festimet e 60-vjetorit të Ansamblit.

Kolegët e ngushtë me të cilët ndau skenën dhe miqësinë vlerësonin dëshirën dhe entuziazmin që ai kishte për jetën. “Vallja të mos ndalet e shqipja të fluturojë lart ishte dëshira e Rexhep Çelikut”, tha ata. Valltarët pasardhës, me të cilët punoi një jetë të tërë thanë se janë të bindur se zëvendësimi i tij është i vështirë, por ndihen të frymëzuar që të vazhdojnë me dashuri në rrugën e tij edhe për të.

Mjeshtri i baletit Albert Janku shpreson që vallja shqipe të vazhdojë rrugëtimin vezëllites si dikur. Shpresëplotë që të rinj të talentuar do ketë gjithnjë, Janku kujtoi natyrën modeste e të thjeshtë të tij.

Mjeshtri i madh i valles shqiptare, Rexhep Çeliku humbi betejën me një sëmundje të rëndë që i mori jetën në moshën 63-vjeçare.

Rexhep Çeliku ishte solisti i parë i Ansamblit të Këngëve dhe Valleve në vendin tonë. Gjatë një karriere të gjatë prej 4 dekadash, ai realizoi një numër të madh shfaqjesh brenda dhe jashtë vendit, duke rrëmbyer duartrokitjet e publikut me interpretimet e tij në skenë.

Rexhep Çeliku ka interpretuar solistin e parë në 200 valle, ka marrë pjesë në 500 shfaqje në skena të ndryshme në tri kontinente, në 30 festivale ndërkombëtare dhe ka interpretuar në më shumë se 3000 shfaqje artistike. Figura emblematike dhe e veçantë e tij në skenë, kaq emocionuese sa edhe mbresëlënëse në portretin e tij të hekurt, por edhe në gjithë gjymtyrët e tij, me të drejtë është simbolizuar në thënien tronditëse “Njeriu që vallëzon me shqipet, shënonte Lefter Çipa. Biri i një gjirokastriti, mjeshtër në nxjerren dhe gdhendjen e gurit, e më vonë si restaurator i kishave dhe xhamive në Tiranën e paraçlirimit, vazhdoi traditën shqiptare në gdhendjen e valles popullore në tempullin e kulturës – Ansamblin e Shtetit si ‘Valltari fluturues’”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.