Intervista

Paloka: Nëse Rama s’largohet, fundi i tij do të jetë i tmerrshëm. LSI-ja është faktor

11:12 - 14.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani




Edi Paloka, nënkryetar i Kuvendit dhe i PD-së u kujton shqiptarëve se më 27 janar janë përballë dy alternativave: ose të ulin kokën si skllevër, ose të përballen për të ndaluar të keqen që u vjen nga qeveria “Rama”. Z.Paloka thotë për “Gazeta Shqiptare” se pjesëmarrja e qytetarëve në protestën e 27 janarit është shumë e rëndësishme për t’i treguar kujtdo se shqiptarët nuk bashkohen me të keqen.

Zyrtari i lartë i PD-së paralajmëron se nëse kryeministri Rama nuk largohet, atëherë do të përballet me protesta të vazhdueshme e nëse përgjigjet me arrogancë, do ta çojë vendin drejt destabilizimit dhe veten drejt një fundi të tmerrshëm. Z.Paloka flet edhe për debatet brenda opozitës lidhur me faktorizimin e LSI-së

Sipas tij, LSI është faktor dhe si të tillë nuk e bëri PD-ja, ndaj u kujton aleatëve se sot opozita duhet të jetë e bashkuar, kurse nesër çdo parti mund të zgjedhë koalicionin që dëshiron.

Z.Paloka, opozita proteston më 27 janar para godinës së Kryeministrisë, por çfarë synoni konkretisht përmes saj? Cilat janë pritshmëritë e PD-së ndaj qytetarëve shqiptarë më 27 janar?

Arsyet dhe qëllimi i protestës së opozitës mendoj se janë bërë të qarta për çdo qytetar shqiptar. Problemet dhe hallet e përditshme të njerëzve, mbrojta e interesave të tyre përballë një qeverie që sheh vetëm interesat e saj, interesa që për fat të keq janë tërësisht të kundërta me ato të qytetarëve të saj. Kjo është arsyeja e protestës. Rrëzimi i kësaj qeverie dhe largimi i Ramës si e keqja më e madhe e këtij vendi është qëllimi i protestës. Ka më shumë se katër vite që Edi Rama pushtetëron në këtë vend dhe pas katër vitesh shohim një Shqipëri, ku mjerimi dhe varfëria kanë arritur në shkallë ekstreme.

Ndërkohë që pak oligarkë të lidhur drejtpërdrejtë me Ramën po pasurohen marramendshëm, qytetarët po varfërohen në mënyrë të frikshme. Një vend ku krimi dhe padrejtësia kanë zëvendësuar shtetin. Një vend që e vetmja rrugë që i ka mbetur drejt Perëndimit është ajo e arratisjes dhe emigrimit. Të gjitha statistikat, por çfarë është më e rëndësishme, realiteti që ne prekim përditë, tregojnë se me këtë qeveri, ky vend po rend gjithnjë e më shumë, gjithnjë e më shpejt drejt së keqes.

Pakënaqësia dhe revolta tek njerëzit është në kulm, por atyre u është hequr e drejta që këtë pakënaqësi ta shprehin në mënyrë demokratike, u është hequr e drejta të zgjedhin me votë të lirë.

Sot ne kemi një parlament të dalë nga zgjedhje të manipuluara e për pasojë, një parlament ilegjitim. Kemi një qeveri të votuar nga ky parlament, pra një qeveri ilegjitime. Por, çfarë është më e rënda, kemi një kryeministër që shkel edhe rregullat që vetë i ka caktuar.

Një mazhorancë që shkel ligjet që vetë ka miratuar dhe Kushtetutën, që vetëm para pak kohësh po vetë ka kërkuar dhe e ka votuar. Në këto kushte, me një qeveri dhe një kryeministër të tillë, shqiptarët kanë dy rruge: ose të ulin kokën e të vazhdojnë të trajtohen si skllevër duke u zhytur gjithnjë e më shumë drejt së keqes, ose përballja me të keqen për ta ndalur atë. Për këtë arsye, pjesëmarrja në protestën e 27 janarit është shumë e rëndësishme.

Është e rëndësishme për t’i treguar kujtdo se shqiptarët nuk bashkohen me të keqen. Prandaj iu bëjmë thirrje të gjithëve: Mjaft hipët majë vinçave e i vutë flakën vetes për të protestuar! Mjaft ndërmorët marshime kilometrike protestë për të shkuar më pas poshtë zyrave të ministrave, që vazhdojnë t’ju mashtrojnë! Mjaft shatë e mallkuat rrugëve me zë të ulët! Mjaft morët rrugën e emigrimit për t’u kthyer prapë edhe më të varfër se më parë!

Është koha të ndalim të keqen dhe e keqja ndalet vetëm duke dalë në rrugë për të protestuar deri sa shkaktari i së keqes të largohet.

Do të protestoni edhe në seancën e datës 15 janar në Kuvend?

Ne e kemi bërë të qartë që ky parlament tanimë e ka humbur tërësisht legjitimitetin, jo vetëm sepse ka dalë nga zgjedhje të manipuluara e për këtë arsye nuk pasqyron vullnetin e shqiptarëve, por edhe sepse aktet e tij kanë qenë antikushtetuese dhe për më tepër tërësisht në kundërshtim me interesat e qytetarëve të këtij vendi.

Zgjedhja e Prokurorit të Përgjithshëm, tërësisht në kundërshtim me Kushtetutën; përdorimi i Gardës për t’u penguar të drejtën e fjalës deputetëve dhe deri përdorimi i policisë për të ndaluar deputetët e opozitës të hynin në sallë në kohën e votimit ishin vetëm aktet e fundit të Ramës në parlament.

Për këto arsye, ne do të jemi në sallën e parlamentit, por vetëm për të bërë detyrën tonë si përfaqësues të atyre që na kanë zgjedhur dhe për t’i qëndruar besnik betimit që kemi bërë se do të mbrojmë në çdo rast dhe me çdo mënyrë interesat e qytetarëve dhe Kushtetutën e vendit.

A ka një vendimmarrje lidhur me qëndrimin politik që do të mbajë opozita sa u përket dy prej proceseve më të rëndësishme të reformës në drejtësi, ngritjes së Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe atij të gjyqësorit?

Do të jetë qëndrim i kushtëzuar me parlamentin dhe hapat do të jenë njeri pas tjetrit. Vendimet për pjesëmarrjet apo jo në komisione do të merren nga grupi para çdo seance. Vendimet tona do lidhen jo vetëm për një reformën të vërtetë në drejtësi, por edhe me qëndrimet e mazhorancës dhe nga ana tjetër, të shohim që ato shkelen.

Çfarë nënkupton krijimi i një qeverie antimafie?

Krijimi i një qeverie antimafie është tanimë prej disa kohësh objektivi i shpallur i frontit opozitar. Kjo do të thotë në radhë të parë, rrëzimi i qeverisë “Rama” dhe largimi i tij nga qeverisja. Më pas, ngritja e një qeverie (përbërja e së cilës mbetet çështje për t’u vendosur) qëllimet e së cilës janë të përcaktuara qartë dhe më pak fjalë, synojnë shkëputjen e qeverisë nga lidhjet me krimin, apo interesat e oligarkisë si dhe përgatitjen e kushteve dhe standardeve për zhvillimin e zgjedhjeve të lira në Shqipëri.

Si mund t’i shkurtohet man dati qeverisë “Rama”, nëse nuk krijohet qeveria antimafie që kërkon opozita?

E thashë edhe pak më lartë se protestat, reagimi qytetar mbeten e vetmja mënyrë përballe një qeverie dhe kryeministri arrogant dhe frikacak njëkohësisht. Asnjë hap nuk ka ndërmarrë ky kryeministër në interes të qytetarëve edhe kur i është kërkuar prej shumicës së tyre. Asnjëherë nuk është ndalur në akte kundër interesit të qytetarëve, kur kjo i është kërkuar me përulje, përkundrazi vetëm është tallur dhe është bërë me arrogant.

Në të kundërt, kur njerëzit janë bashkuar në protesta me vendosmëri, ka treguar se është vetëm një frikacak, që bën arrogantin më të dobëtit dhe lëpirësin me të fortit. Prandaj, nga një njeri i tillë nuk mund të pritet më asgjë e mirë. Ai duhet të largohet, ndryshe do të përballet me protesta të vazhdueshme e nëse do të vendosë të përgjigjet me arrogancë, do ta çojë vendin drejt destabilizimit dhe veten drejt një fundi të tmerrshëm.

A kanë të drejtë aleatët e PDsë për faktorizimin e LSI? A ka frikë PD se duke bashkëpunuar me LSI-në, mund të humbasë aleatët tradicionalë?

LSI nuk po faktorizohet nga ne, ajo është faktor dhe qëndrimi i kundërt është alogjik. Çështja e diversitetit ideologjik apo fakti që LSI ka bashkëqeverisur katër vitet e shkuara me PS-në nuk janë për mua aspak argumente që të hedhin poshtë bashkëpunimin në një front të përbashkët opozitar kundër atij, që sot konsiderohet me bindje nga të gjithë si e keqja e madhe e këtij vendi.

Ka edhe anëtarë të PD-së që kanë shprehur rezerva në disa raste dhe unë i mirëkuptoj. Ata janë sqaruar dhe kanë dhënë gjithashtu mirëkup timin e tyre.

Por, ka edhe disa gjoja puritanë që bërtasin në emër të “parimeve” e që në fakt shqetësohen vetëm për karrigen e Ramës dhe interesat e tyre. Sa për aleatët tanë, unë nuk di të kenë shprehur ndonjë shqetësim. Sot të gjithë jemi të bindur e të vendosur për një qëllim, rrëzimin e kësaj qeverie dhe për këtë duhet bashkimi i të gjithë faktorëve.

Nesër sigurisht, në kohën e vet, çdo parti do të zgjedhë mënyrën se si do të konkurrojë dhe koalicionin që dëshiron.

A mund të vijë PD-ja në pushtet përmes protestave dhe a ngjall ajo besim tek shqiptarët?

Partia Demokratike nuk i sheh protestat si mënyrën për të ardhur në pushtet. Siç thashë edhe më lart, protestat janë një nga mënyrat për të ndalur të keqen përpara se ajo të thellohet edhe më shumë, sepse kjo gjë të paktën tani është e qartë për shumicën e shqiptarëve, që me Ramën në qeveri gjërat po shkojnë e do të shkojnë gjithnjë e më keq. Për këtë arsye, qëllimi i parë dhe eminent jo vetëm i PD-së, por i çdo partie politike, organizate dhe qytetari të thjeshtë, është ndalja e së keqes, largimi i Edi Ramës.

Pas kësaj, ne synojmë që nëpërmjet qeverisë antimafie t’u japim njerëzve mundësinë të votojnë dhe të zgjedhin të lire ata që dëshirojnë t’i qeverisin. PD do të kërkojë besimin dhe votën e shqiptarëve, duke iu paraqitur një program bindës dhe të argumentuar si dhe individët dhe personalitetet që do të kenë besimin e tyre. Për këtë, mënyra më e mirë është duke u dhënë mundësinë që ata vetë të përcaktojnë e të vendosin se nga kush duan të përfaqë- sohen e kush duan të jenë kandidatët e tyre për parlamentin shqiptar

Tashmë që procesi i analizës së PD-së është mbyllur, për çfarë i shërbeu asaj ky proces dhe si do të procedohet më tutje brenda partisë, a do të ketë zgjedhje në ato degë të PD-së, ku u evidentua humbja më 25 qershor?

Procesi i konsultimeve dhe analizës në strukturë është pothuajse i mbyllur. Jemi në fazën e përpilimit të raporteve, që do të paraqesin në mënyrë të detajuar të gjithë faktorët që ndikuan në rezultatin e zgjedhjeve të fundit. Nga kjo analizë janë evidentuar qartazi si arsyet kryesore të atij rezultati, shitblerja e votës me para dhe nëpërmjet strukturave kriminale, përdorimi i presioneve nga strukturat shtetërore dhe forma të tjera manipulimi, tashmë të evidentuara edhe nga raportet e OSBE-ODHIR-it, apo organizatave të tjera ndërkombëtare.

A prekin zgjedhjet postet drejtuese të PD-së në qendër?

Sa për zgjedhjet në strukturat drejtuese, ato janë në kohën e tyre statutore dhe do të kryhen në të gjithë vendin dhe të gjitha strukturat e Partisë Demokratike

Çfarë do të korrigjojë PD-ja tek vetja dhe nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, a është e gatshme t’i fitojë ato?

Sigurisht, për ne ishte e rëndë- sishme të evidentonim defektet dhe problemet e strukturave tona, duke filluar nga strukturat bazë deri në majë të strukturës së partisë. Pikërisht duke u bazuar tek këto defekte apo gabime do të ngrihet edhe procesi që vjen më pas për korrigjimin e tyre


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.