KULTURË

“Toske”, “labe” dhe “gege”, tri melodi në koncertin “TRIAS” të Vaso Toles

10:23 - 14.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

 




Ka shënuar sukses të premten në mbrëmje,”Trias”, koncerti për flaut e orkestër (premierë), dirigjent Noorman Widjaja, Orkestra Simfonike e RTSH, soliste Jonela Golemi (flaut).

I kompozuar nga Vasil Tole, ai sqaron se fjala “Trias” vjen nga greqishtja, në shqip përdorim fjalën “Tre” ose “treshe”. Struktura e saj evidenton prezencën e tre elementëve, të cilët semantika i shndërron realisht në një të vetëm, pra 3=1; ashtu si tek fjala tjetër “TRIDHA”. Në këtë vepër të titulluar “TRIAS”, struktura muzikore përbëhet nga tre elementë bazë që përfaqësojnë tre etnokulturat shqiptare: “toske”, “labe” dhe “gege”, që së bashku përbëjnë etnosin shqiptar.

Ai tha për ‘GSH’ se për kompozimin e kësaj vepre është pasur parasysh ndërtimi i një makrostrukture, e cila të përballonte si diversitetin e lëndës muzikore të pjesëve të veçanta e po aq marrëdhëniet specifike të instrumentit Solo me pjesët. “Përsa i përket gjetjes paraprake të instrumentit solo për veprën, me tendencë zgjodha ata të flautit, i cili në përngjasimet që ka me një shumicë veglash popullore aerofone, të cilat rëndom përdoren në folklorin muzikor shqiptar, do të më jepte mundësinë që ta përdorja atë herë si ‘kavall’ të Toskërisë, si ‘culdyjaren’ e Labërisë apo edhe si ‘fyelli’ karakteristik të malësisë sonë të veriut dmth’, një flaut real të tingëllonte si 3 imagjinarë”.

Tole, përveç ndarjes në tri pjesë sipas parimit “pjesës së veçantë i përkasin instrumente të veçanta”, është munduar që në të njëjtën rrugë të orientojë edhe shkrimin muzikor të perkusionit. “Ndarja e pjesëve në masa u kushtëzua nga një përafërsi e ndarjes territoriale të regjioneve në hartën e Shqipërisë. Kështu regjioni etnomuzikor më i madh do të ketë edhe numrin më të madh të masave muzikore psh., gegëria 33 masa, toskëria rreth 30 dhe labëria 20 prej tyre. Për ndarjen e pjesëve në masa kam përdorur konceptin e serisë së Fibonacit”, tha ai për ‘GSH’.

Sipas tij, kjo mënyrë e ndërtimit të shkallëve muzikore i ka dhënë mundësinë të bashkojë në “Kohën e të Gjithëve”, të gjitha tipat e shkallëve në një reshtim të vetëm. Kjo përbën edhe një nga konceptet muzikore për të synuar realizimin e formulës së titullit “Trias” apo 3=1. f.n


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.