Intervista

Alarmi, mjeku: Ka mungesa të theksuara të herceptinës, ilaçit të kancerit

13:30 - 16.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro –Në vendin tonë, ka mungesa të theksuara të herceptinës, medikamenti që përdoret në trajtimin e pacienteve pas operacioneve të kancerit të gjirit. Gjithashtu, ende nuk është futur si praktikë studimi gjenetik që mund të ndihmojë në verifikimin e elementëve të trashëguar të kësaj sëmundjeje.




Alarmi ngrihet nga doktori me një përvojë prej 49 vitesh në mjekësi, prof. dr. Edmond Kapedani, i cili në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare” tregon të gjitha ngërçet në sistemin shëndetësor në vend.

Mjeku shprehet se prej vitesh ka medikamente që mungojnë në treg, madje edhe më baziket për jetën e pacientëve, si dhe thekson se ka vetëm një aparaturë për bombardimin e tumoreve, çka s’mund të mbulojë kërkesat e pacientëve.

Kapedani gjatë intervistës flet edhe për skandalin e pak ditëve më parë në lidhje me vdekjen e 10 foshnjave në maternitetin “Koço Gliozheni” ku pohon se mungesa e inkubatorëve në këtë spital është fakt për të cilin duhet të vihen në lëvizje instancat përkatëse.

A ka mungesë medikamentesh në tregun shqiptar?
Medikamentet në Shqipëri kanë munguar dhe vazhdojnë të mungojnë. Problemi është që ende nuk po i jepet një zgjidhje mungesës së barnave që janë të domosdoshme. Spitalet dhe ambulancat nuk mund të mbahen me receta të imponuara nga tregu. Sot e gjithë bota, punon me protokolle dhe çdo sëmundje ka të vetin, por jo të ndikuara nga tregu.

Normalisht që ky lloj sistemi kushton, por ama nuk mund të anashkalohet pajisja me barnat e domosdoshme. Nuk mund të mjekojmë pacientët me ilaçe të viteve të mëparshme, por duhen të kohës, që kanë veprimin efikas dhe efektet sekondare të pallogaritshme.

Cilat janë disa prej barnave jetike që nuk arrijnë t’i mbulojnë kërkesat e të sëmurëve?
Mungesa e herceptinës (medikament) për gratë që kanë probleme me kancerin e gjirit paraqet një gjendje alarmante në sistemin shëndetësor në Shqipëri.

Herceptina është medikamenti që barazohet me jetën e ka ciklin e saj të përdorimit, pra çdo 21 ditë, e në mënyrë absolute nuk mund të shtyhet trajtimi për më vonë. Efekti i saj është i përcaktuar. Është jashtë çdo lloj logjike që në treg të mungojë herceptina. Mjekimi onkologjik është kompleks, e nuk përfshin vetëm operacionin që është një prej etapave. Mjekimet ndihmëse që përbëjnë grupin e trajtimit të sëmundjeve kancerogjene kanë një rëndësi tejet të veçantë, jetike.

A ka pasur ankesa nga pacientët për mungesën e herceptinës?
Normalisht që po! Mungesa ka pasur, por si kjo situatë nuk kemi parë asnjë herë. Kohë më parë zëri i doktorëve mbi problematikat që i shqetësonin edhe dëgjohej e madje në shumë raste luanin rolin e konsulentit për ministrin e Shëndetësisë.

Por sot, shumë paciente të sëmura nga kanceri, për shkak edhe të mosinformimit, e marrin të mirëqenë pjesën se nuk ka medikamente e mund ta shtyjnë trajtimin për më vonë. Por kjo është në dëm e vë në rrezik vetë jetët e tyre.

Po pajisjet për trajtimin e kancerit a janë të mjaftueshme?
Në të gjithë vendin ka vetëm një akselerator të rrezatimit (bën bombardimin e tumorit aty ku duhet), i cili nuk është në gjendje të mbulojë fluksin e pacientëve që i drejtohen shtetërorit. E si pasojë të sëmurët janë të detyruar t’i drejtohen spitaleve private, pavarësisht se kjo është një procedurë tepër e kushtueshme që kalon vlerën e 200 mijë lekëve të vjetra vetëm për një terapi.

Por normalisht pacientit nuk i nevojitet vetëm një terapi e trajtimi në spitalet private e rëndon shumë xhepin e tij.

Çfarë duhet të ndryshojë në shërbimin onkologjik në Shqipëri?
Vlen të theksoj se në Shqipëri, shërbimi onkologjik nuk arrin të bëjë studimin gjenetik të pacientëve që kanë kancer. Në shtete të tjera çdo ekzaminim i të sëmurëve me kancer shoqërohet me studim gjenetik, që do të thotë bëhet verifikimi nëse sëmundja ka elemente gjenetike që e shkaktojnë atë apo vjen nga faktorë të tjerë.

Ky studim është i detyruar nga protokolli në të gjithë botën ndërkohë te ne nuk ekziston. Kjo është një praktikë e domosdoshme që do të mund të konstatojë nëse edhe fëmijët mund të preken nga kanceri e të bëhet diagnostikimi në kohë i tyre.

Cili është reagimi juaj në lidhje me vdekjen e 10 foshnjave në maternitetin “Koço Gliozheni” brenda janarit të këtij viti?
Një koleg, një mjek, pavarësisht se çfarë përfaqëson, tha një të vërtetë që kanë vdekur 10 foshnje. Përgjigjja e atyre që punojnë në këtë maternitet, nën trysninë e politikës, arritën t’i kundërviheshin Spahisë për përhapje paniku.

Por mjekët duhet ta kishin sqaruar opinionin publik në lidhje me situatën me fakte, e jo veç me një frazë “janë anomali të papajtueshme me jetën”. Unë si profesionist, nuk mund të kuptoj që një maternitet, që ka nevojë për 30 inkubatorë, ka gjendje vetëm 12 të tillë, e konfirmuar kjo nga burime pranë “Koço Gliozhenit”. Këtu unë i jap të drejtë doktorit që ngriti shqetësimin mbi vdekjen e fëmijëve pasi kjo tregon mangësi në diagnostikim të këtyre malformacioneve.

Rreth një muaj më parë, mjekët e urgjencës së QSUT-së nëpërmjet një peticioni firmosën dorëheqjen kolektive. Sipas jush, çfarë i shtyu ata që të merrnin një vendim të tillë?
Nëse do shkoni në urgjencë do tmerroheni, pasi aty janë 60 pacientë minimalisht në çdo orë të ditës. Çfarë kualiteti pune mund t’iu kërkohet mjekëve të urgjencës që punojnë në këto kushte?

Ky stres psikologjik e ngarkesë fizike si dhe konfrontimet me pacientët që jo në pak raste kanë degjeneruar në dhunë ndaj mjekëve, i kanë detyruar që të largohen nga puna e madje dhe jashtë Shqipërisë.

Cilat janë masat që duhet të marrë shteti për zgjidhjen e këtyre problematikave?
Për zgjidhjen e këtyre problemeve është e nevojshme biseda e dialogimi me profesionistë të fushës. Për uljen e fluksit duhet të ketë mjekë e pajisjet e duhura jo vetëm në QSUT. Asnjë profesionist nuk po pyetet, por vendimet merren nëpër zyra. Duhet patjetër të forcohet roli i mjekut të familjes, gjithashtu.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.