Intervista

Ekskluzive/ Jemin Gjana merr certifikatën e “pastërtisë”: Secili në PD të hapë kutinë e tij

11:00 - 18.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Ish-ministri Jemin Gjana, aktualisht kreu i Departamentit për Kthimin e Figurave Historike në PD, pavarësisht akuzave nga vetë brenda partisë së tij, nuk rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit.




“Gazeta Shqiptare” zbardh dokumentin që zoti Gjana ka marrë nga Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.

Referuar këtij dokumenti, rezulton se Jemin Gjana nuk ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit, nuk është survejuar apo privilegjuar. Dokumenti provon se akuzat në drejtim të ish-ministrit në qeverisjen e PD-së nuk qëndrojnë, ndërsa tregon arsyet se pse iu drejtua institucionit të Autoritetit për Informimin mbi dosjet e ish-Sigurimit.

Ndaj, zoti Gjana përmes “Gazeta Shqiptare” u përgjigjet sulmeve dhe përbaltjes nga brenda PD-së, duke i kërkuar secilit në PD që të hapë kutinë e tij.

Z.Gjana, jeni pajisur me certifikatën e pastërtisë nga Autoriteti i Hapjes së Dosjeve?
Po, e kam marrë certifikatën e pastërtisë.

Autoritetit i jeni drejtuar vullnetarisht dhe për cilat arsye?
Po, kam shkuar në mën-yrë vullnetare. I jam drejtuar këtij institucioni në korrik të vitit të shkuar, kur temperaturat e përplasjeve brenda PD-së njohën nivele të larta. Një portal që hiqet se anon djathtas lëshoi ndaj karrierës sime politike dhe ndaj të shkuarës sime një vulg akuzash thjesht e qartë të sajuara në mënyrë të ulët.

Për çfarë bëhet fjalë…?
Të parat sajime kishin të bënin me mandatin tim si ministër. Në dijeninë time është hera e parë që ndërtohet një blof i tillë. Gjithsesi, letrat janë aty, firmat e mia për çdo vendim janë aty e kësisoj institucionet ligjzbatuese të shtetit kanë në dorë çdo lloj kontrolli. Jam krenar për njerëzit dhe për drejtorët në ministri dhe dy institucionet qendrore të saj me të cilët punova për katër vjet. Kam ende edhe sot, kudo ku janë, vlerësimet më maksimale për punën dhe profesionalizmin e tyre. Mjafton të theksoj se nga 17 drejtorë në nivel qendror me të cilët kam punuar, 10 prej tyre kanë qenë me titujt doktor, as.profesor dhe deri profesor në lëmin e shkencave bujqësore.

Jeni akuzuar nga vetë brenda PD-së për bashkëpunim me ish-Sigurimin e Shtetit. Si është e vërteta?
Një akuzë tjetër, që nuk e prisja nga brenda ishte edhe lidhja ime krejt e sajuar me Sigurimin e Shtetit. Që në momentin që u bëra nënkryetar i PD-së më 1999, në disa raste, media, gazetarë dhe analistë të së majtës e ushqyen publikun me këtë mashtrim të qëllimshëm. Në verën e shkuar këtë e bënë dhe një a disa njerëz me të cilët për dekada kemi qenë në një front politik. Meqë ata që përtypën në verën e vitit të kaluar të njëjtin sajim të ulët dhe më kërkonin publikisht ta sqaroja të kaluarën time, e bëra edhe këtë duke kërkuar përgjigjen zyrtare nga institucionet e shtetit.

Përse ku vendim i juaj pikërisht në këtë periudhë?
Do e bëja që në muajt e fundit të vitit të kaluar, por për arsye personale nuk jam ndodhur në Shqipëri që prej fundit të nëntorit 2017.
Ju i keni kërkuar z.Ba-sha që të hapë “kutinë e zezë” të kritikëve të tij. Kjo është arsyeja që u sulmuat nga brenda PD-së?
Nuk dua ta zgjas më tepër çështjen e hapjes së atyre “kutive të zeza” në të shkuarën e hershme a të vonshme të të gjithkujt që i fut duart në politikë e në shtet. Por, ajo që dua të them është që secili të hapë “kutinë” e tij.

Kujt i drejtoheni konkretisht?
Reagimi im ka të bëjë me faktin se disave në luftën e ethshme brenda PD-së gje-tën mënyrat e tyre përmes një portali për të më sulmuar. Qëndrimet e mia nuk kanë lidhje me askënd individualisht. Jam nga të parët njerëz që i jam bashkuar PD-së. Kam qenë sekretar i degës së PD-së në Pogradec që në muajt e parë në vitin 1991, anëtar i Këshillit Kombëtar të kësaj partie prej 27 vitesh, anëtar i kryesisë qendrore prej 20 vitesh, që nga prilli i ’97-ës nënkryetar dhe kryetar i grupit parlamentar të PD-së për një mandat, sekretar organizativ i PD-së. Kam drejtuar Komisione të rëndësishme parlamentare si ai i Ekonomisë dhe Financave, i Bujqësisë, i Veprimtarive Pro-dhuese e shumë komisione të posaçme si Komisioni bipartizan i Reformës Zgjedhore dhe ndarjes së Zonave Elektorale. Jam një ish-pushtetar i demokratëve që nuk jam përballur me akuza abuzimesh.

Por jeni sulmuar edhe nga brenda PD-së. Për cilat arsye?
Sulmet nga jashtë Partisë Demokratike i kam injoruar, por ato nga brenda saj, nga disa individë donin përgjigje. Jo për hir të tyre, por për hir të opinionit, për mendimet e mia parimore që të mos mund t’i përbaltnin me akuza të paqena. “Palla në thes nuk futet”. Kushdo që merret me politikë, flet për politikën, është marrë a merret me shtet, le ta hapë ‘kutinë’ e tij. Çdo kapje nga pushteti të denatyron, mjerë ai apo ajo që nuk arrin ta lexojë dhe pastaj u vërsulet më shumë kolegëve të kampit të vet se sa kundërshtarëve politikë.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.