Nostalgji

Elia Zaharia/ Më në fund pranon të rrëfehet

14:00 - 18.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në lajmet tona të “show-bizz”-it, në rubrikën “nostalgji” mund të gjeni fotografi, lajme apo intervista të veçanta, të publikuara gjatë viteve në suplementin “Bluetooth” të “Gazetës Shqiptare”. Në GSH.al, sot po ju sjellim: Elia Zaharia Më në fund pranon të rrëfehet




Kjo verë nuk ka qenë si gjithmonë. Dy muaj sa në Tiranë me familjen, në bregdet me miqtë, e në Kosovë për të realizuar këngën e saj të re. Pas suksesit të “October 31”, e cila u vlerësua edhe me dy çmime në Kosovë, tashmë një tjetër këngë. Po jo vetëm kaq… Elia Zaharia, këngëtarja e ish-grupit “Spirit Voice”, njëkohësiht e dashura e Princit Leka vjen në këtë intervistë për “Bluetooth” duke ndarë me ne jo vetëm projektet e reja që e presin, por edhe këtë verë plot emocione…

Pas kaq vitesh mungese në skenë je shfaqur me një këngë…

Po, është kënga e parë pas një bashkëpunimi katërvjeçar me një kompozitor shumë të përshtatshëm për zërin tim, Morgan Emmry. E kemi quajtur projektin tonë Ilir, dhe nëse bëhet një album do të quhet po kështu. Klipi i këngës “Octobre 31” është realizuar në Kosovë dhe me të kemi marrë pjesë në Festivalin “Videofest”, ku kemi fituar dy çmime, për Montazhin më të Mirë dhe Konkurrenca më e mirë femër.

Ç’do të thonë këto çmime për ty?
Mua mu bë qejfi për Montazhin edhe për grupin e xhirimit, pasi klipi ishte punuar me përkushtim dhe cilësor, kështu që e meritonte.

Përmendët që do të jetë një album me emrin ‘Ilir’. A keni ndonjë plan konkret për të?
Projekte ka shumë, po nëse bëhet një album do të quhet ‘Ilir’. Ne jemi një grup muzikantësh që bëjmë muzikë rock. “October 31” është baladë, sikurse edhe një baladë tjetër dhe të gjitha këngët e tjera janë të rrymës rock.

Çfarë është për ju kjo rrymë muzikore? Sa e gjeni veten në të?
Më pëlqen kjo rrymë. Nuk e di nëse po të punoja solo do të këndoja në këtë lloj muzike, po grupi është i tillë dhe këndojmë në këtë rrymë. Muzika rock është një univers i paeksploruar për mua dhe më duket një eksperimentim i këndshëm.

Tani jeni pjesë e një grupi të ri. Po me “Spirit Voice”, keni në plan ndonjë ribashkim?
E ëndërroj një rikthim. Plane kemi, por do të përpiqemi nëse do të ketë një rikthim të jetë cilësor dhe sa më i denjë për të katërta ne. Planet ndryshojnë dhe është ende herët për të folur për gjëra konkrete, por s’e besoj se do të vonojë.

Keni gati dy muaj në Shqipëri. Si ka qenë kjo verë për ju?
Shumë e këndshme, ka kaluar shpejt dhe pak ditë do të jem e nuk e di si do t’i bëj valixhet gati.

Çfarë e ka bërë të këndshme këtë verë?
Vizita e shoqes sime të ngushtë franceze dhe u kënaq që ndava me të gjëra shqiptare. Ajo u mahnit me Shqipërinë. Mora kohën për të takuar gjithë njerëzit që kisha afër, shoqen time Sonin. Sapo kam mbaruar klipin e këngës së re me të njëjtët producentë në Kosovë. Po tani është më i vështirë postproduksioni dhe ndoshta në fund të tetorit ose në fillim të nëntorit do të dalë kënga e re e quajtur “Confession”.

Përse titujt e këngëve tuaja janë në anglisht?
Mund të ishte edhe frëngjisht, por duke qenë se jemi një grup me kombësi të ndryshme kemi gjetur një emërues të përbashkët dhe që është anglishtja. Nga ana tjetër, kjo gjuhë i shkon shumë për shtat rrymës.

Po në lidhje me filmin, a keni ndonjë projekt konkret?
Kam projekte, por është ende herët për të folur. Është një projekt në Shqipëri dhe një në Francë.

Cili është idhulli yt mes aktorëve shqiptarë?
Mami im dhe padyshim më pëlqen edhe Luiza Xhuvani.

Cilin personazh pëlqen më shumë nga rolet e nënës tënde?
Kam shumë luhatje mes personazheve të saj, por Julia tek “Fernando Krafi më ka shkruar një letër” është i pakrahasueshëm. Ëndërroj që një ditë të kem fatin të luaj dhe unë atë rol, nëse do të rivihet.

Po në muzikën shqiptarë kë veçoni?
Soni Malaj dhe Aurela Gaçe.

Si ndiheni tani që u erdhi fundi pushimeve e do të largoheni?
Pak a shumë si para ikjeve, si gjithmonë sa herë që jam atje jam me mendje këtu dhe sa herë jam këtu, mendoj për gjërat e lëna atje. Më duket shtëpia ime avion, pasi kam gjashtë vjet kështu, e më duket gjendje e gjithë studentëve që jetojnë jashtë Shqipërisë.

E mendon një kthim të përhershëm në Tiranë?
Për mua, në momentin e parë që hapet një mundësi do të vija në Shqipëri, se bota jashtë s’është turizëm dhe pallate me ngjyra. Po në Shqipëri ka pak vende pune. Është vend i vogël, ka mjaft klane dhe është e vështirë për të ecur me drejtësi. Ky vend ka shumë probleme ekonomike e sociale dhe sa të vijë momenti i kulturës më duket larg. Muzika është ndryshe këtu, flas për teatrin.

Çfarë ju pret në Francë?
Shkolla është e para, e cila sa vjen dhe vështirësohet, pastaj janë projektet e teatrit, e kinemasë me shfaqjen “Lady M”, e cila është dhënë disa herë e mendojmë ta shfaqim në teatro të tjerë.

Ky shkrim u botua më 6 shtator 2008

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.