AKTUALITET

Arta Marku ndërpret emërimet e komanduara, ja prokurorët që preken

20:28 - 21.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, ka nxjerrë një urdhër të brendshëm, i cili ndërpret të gjitha emërimet e komanduara brenda organit të akuzës.




Ky urdhër vjen pas dy javëve intensive në Prokurori, ku janë shkarkuar krerët e prokurorive në rrethe, që ishin të komanduar nga paraardhësi, Adriatik Llalla. Burimet thonë se, brenda muajit janar nuk do të ketë asnjë prokuror të komanduar brenda organit të akuzës. “Panorama” mëson se argumenti i Markut për ndërprerjen e komandimeve është tejkalimi i afatit katërmujor të tyre.

Janë plot 30 prokurorë të komanduar, që do të preken nga ky urdhër. Ndërkohë, 6 drejtues prokurorish të komanduar janë shkarkuar dhe në vend të tyre janë caktuar emra të tjerë. Në ditët në vazhdim pritet që të ketë lëvizje edhe për 24 prokurorë të tjerë, që mbeten të komanduar në detyrat e tyre, qoftë në Prokurorinë e Përgjithshme dhe qoftë në ato të rretheve.

Ata do t’u rikthehen detyrave që kanë pasur, të përcaktuara sipas Këshillit të Prokurorisë. Vetë Kryeprokurorja, në një takim me gazetarët, pati paralajmëruar se ndryshimet do të vazhdojnë në organin e akuzës, në kuadër të reformimit të institucionit dhe procesit të vetingut. Vetëm dy ditë më parë, Marku firmosi ngritjen e dy sektorëve të tjerë brenda Prokurorisë së Përgjithshme, i pari, ishte Sektori për Hetimin e të Miturve dhe i dyti, Drejtoria e Inspektimit në Prokurorinë e Përgjithshme.

Kjo drejtori kishte një vit që kishte pushuar së punuari. Përmes saj, do të kontrollohet puna e të gjithë prokurorëve gjatë proceseve hetimore. Në total, janë 350 të tillë që punojnë për organin e akuzës në Shqipëri.

LEVIZJET

Saktësisht, 10 ditë pas marrjes së detyrës, Marku shkarkoi drejtuesin e komanduar të Prokurorisë së Tiranës, Petrit Fushën, të cilin e zëvendësoi me Dritan Rreshkën. Më pas, ajo shkarkoi edhe drejtoren e Drejtorisë së Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, Rovena Gashin, duke e kaluar prokurore në Sektorin e Dekriminalizimit brenda së njëjtës drejtori. Vendin e saj e mori Arqile Koça, i cili ishte kandidat për kryeprokuror, së bashku me Markun.

Mirëpo, Gashi ka paditur në Gjykatën Administrative urdhrin e Markut për shkarkimin nga posti që mbante, me pretendimin se është i paligjshëm dhe i paarsyetuar. Këto lëvizje të para u kryen në dhjetor, ndërsa me nisjen e vitit të ri, Marku nisi shkarkimet e të komanduarve nëpër prokuroritë e rretheve. Kështu, Dritan Gina, i cili mbante postin e drejtorit të komanduar të Prokurorisë së Elbasanit kaloi prokuror i thjeshtë brenda atij rrethi dhe u zëvendësua nga Ardjan Nezha.

Të njëjtin fat pati edhe Pali Deçolli i Prokurorisë së Fierit, i cili u zëvendësua nga Fatmir Lushi. Lëvizje pati edhe në Prokurorinë e Kukësit, ku kreu i saj Ismai Lukaj u zëvendësua nga Alketa Nushi. I vetmi kryeprokuror rrethi i emëruar që u shkarkua ishte Agron Gjana i Durrësit, që u caktua në Pukë, ndërsa vendin e tij e zyri Dinika Prela.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.