OPINION

A është e nevojshme një monografi e re për Skënderbeun?

12:30 - 21.01.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Në pak vitet e fundit, Shqipëria ka kërkuar të bëjë dy kremtime të mëdha, që lidhen me emrin e Skënderbeut. Fillimisht, ishte ajo që lidhej me përkujtimin e datë-lindjes së tij dhe ky vit, që do t’i kushtohet 550 vjetorit të vdekjes.




Në një logjikë normale, është e sforcuar për kushtet e Shqipërisë, që një personazhi t’i dedikohen në segmente të ngushta kohore dy kremtime, por ja që figura e Skënderbeut i meriton ato në të gjitha artikulimet.

Thjesht dhe saktë: Për faktin e asaj që na ka dhënë shumë për dinjitetin kombëtar. Dhe, mbi të gjitha mbetet një simbol që është pak i kundërshtueshëm, paçka përpjekjeve të vazhdueshme dhe të arsyeshme për çmitizimin e tij.

Së pari, një fat jo i mirë që na lidh me këtë figurë është fakti se neve sot nuk kemi asnjë objekt, që të na lidhë me heroin kombëtar. Pajimet personale ceremoniale janë në Vjenë në Muzeun e Armëve. “Libri i Uratave” ruhet në fondet e shtëpisë botuese “Shelley House” në Angli. Një vulë e pretenduar si e tij, iu hodh poshtë autenciteti nga specialistët.
Sa i përket studimeve janë disa autorë shqiptarë dhe të huaj si biografë të Skënderbeut përgjatë shekujve duke ardhur deri në ditët tona.

Studimet monografike fillojnë që nga Marin Barleti, Athanas Gega, Fan Noli, Sabri Godo, Kristo Frashëri, Oliver Schmitt, Aurel Plasari dhe shumë të tjerë.

Por nga mënyra sesi duhet të shikohet në kontekstin e shekullit të tij, Skënderbeu lë ende shumë për të shqyrtuar në dritën e materialeve që dalin andej-këndej. Duket se një monografi e mirë mbetet për brezat e ardhshëm kur edhe burimet dokumentare të jenë zbardhur plotësisht.

Në gjykimin tonë ajo që i mungon një trajtese profesionale është vetë figura e Skënderbeut në shekullin ku ka jetuar.

Duhet të kujtojmë se ky është shekulli që përfshin ende periudhën juliane dhe shekulli XV lidh Mesjetën e Vonët, Rilindjen e Hershme dhe periudhën moderne. Që në këtë shekull po shfaqet mrekullia e zbulimeve.

Papati vetë është i ndarë në dy pjesë, kurse afër nesh Kostandinopoja , kryeqyteti zulmëmadh i Perandorisë së Bizantit tashmë ishte kthyer në kryeqytetin e osmanëve.

Evropianët tashmë u duhet të kalkulojnë udhë të tjera tregtie, kurse spanjollët dhe portugezët çajnë detrat në kërkim të alternativave më interesante.

Ndërkohë dinjitarët e Bizantit shpërndahen ngado dhe madje thuhet se një pjesë e tyre ka themeluar dhe Voskopojën tonë, kurse shpikja e Johannes Gutenberg shënon fillimin e shtypit. Kjo e fundit konsiderohet si një nga ngjarjet kyç në zhvillimin e Rilindjes.

Duke ardhur tek studimet, “Histori e Skënderbeut” e Marin Barletit, monografia e parë kushtuar heroit, u shkrua në latinisht dhe e botuar në Romë në 1508 është vepra më shumë e përkthyer e një autori shqiptar. Kjo vepër është përkthyer në 40 gjuhë dhe vetëm pas 500 vjetëve arriti dhe u përkthye në gjuhën shqipe.

Athanas Gega bëri një trajtesë tjetër interesante kurse Noli në njohuritë e kohës bën interpretimin e tij, duke e tepruar me shifrat e fryra, por narracioni i tij i qëndron si pakkush kohës. Kristo Frashëri me sensin e tij të patriotit nxjerr monografinë e tij për Skënderbeun pak para se të ndërrojë jetë, që do të pritet jashtëzakonisht mirë dhe pas shumë botimeve, që ai kishte bërë me kohë. Duke sistemuar të gjitha, vjen koha e monografisë së studiuesit zvicerian Oliver Jens-Schmitt-it “Skënderbeu”, që kërkon ta çmitizojë dhe hapi një debat, ku përfshiu të gjithë shoqërinë shqiptare.

Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu shfaqet në letërsinë shqipe në një tjetër kah, ku shkruesit janë bajagi të shumtë. Dhe, në vitet e fundit, përballemi për herë të parë me studimin e Aurel Plasarit, që e konsideron atë me një fokus si një figurë politike. “Skënderbeu, një histori politike” titullohet studimi voluminoz që përmes dokumenteve arkivor këtë herë e nxjerr kryeheroin si një udhëheqës politik. Libri sjell një optikë të re dhe përshkruhet aftësia e drejtimit në një sistem politik në Shqipërinë e Ballkanin e mesjetës.

Në ditët tona, monografitë kushtuar heroit, kanë krijuar një varg debatesh pro dhe kundra, porse figura e Skënderbeut ka sot nevojë më shumë se kurdoherë për një rishqyrtim interesant me metodika moderne dhe në optika shumë më bashkëkohore. Por, mbi të gjitha i trajtuar në të gjithë fokusin e shekullit XV, kohë e ndryshimeve realisht të mëdha.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.