OPINION

Kujtesa, e vërteta, manipulimi

07:23 - 21.01.18 Moikom Zeqo
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

(Ese për domethëniet dhe kuptimet)




 Pse njeriu (njerëzimi) ka kujtesë?

“Për shkak të imagjinatës”,-thotë Marksi.

“Koncepti, që kemi ne për një subjekt është çfarë jemi vetë ne”,-ka thënë filozofi Bertrand Rasell, një nga mendimtarët më të qartë të botës.

Ne mund të flasim për kujtesën, sipas njohjes dhe botëkuptimit, prirjes shkencore, apo mistike.

Kujtesa nuk është një unicum.

Ka një pluralitet kujtesash.

“Kur vdes një njeri, varroset një bibliotekë”-ka thënë Borgesi.

Por kujtesa e një njeriu, mund të mos i hyjë në punë askujt.

Tërësia dhe sinteza e kujtesave njerëzore mund të krijojë disa struktura të kujtesave publike apo të vetëdijeve kolektive.

***

Kujtesa edhe në aspektin biokimik, neurologjik dhe si proces fiziologjik është ende e panjohur, apo shumë pak e njohur.

Nëse historia është një lloj kujtese, kemi të bëjmë me kujtesën konvencionale.

Shkolla e Analeve (L’Ecole des Anales) thotë se historia duhet kuptuar si rezultante e proceseve të përfunduara.

Por edhe historitë nacionale (të rrafshit zyrtar, shtetëror) janë të dyzuara.

Midis Francës dhe Gjermanisë, «heronjtë» francezë që kanë luftuar me gjermanët janë «armiq», «heronjtë» gjermanë kundër Francës, janë gjithashtu «armiq». Pra, si figurat në letrat e bixhozit, njëra sipër dhe tjetra poshtë (e përmbysur).

Kujtesa e partizanëve antifashistë është krejt ndryshe nga ”kujtesa” e ballisteve.

Po në këtë kujtese ”bipolare” rezultantja historike ngre lart kujtesën e partizanëve antifashiste.

***

Kujtesat historike të njerëzimit janë të ndryshme, edhe sipas qytetërimeve. «Paradoksi është normaliteti i historisë» është shprehur Pol Valeria.

Historia e njerëzimit ende nuk e ka kapërcyer Rubikonin drejt një historie më humaniste dhe të drejtë përfundimisht.

Historia si kujtesë «edhe e përgjithësuar» prap është një histori e manipuluar dhe e projektuar jo nga substanca historike në vetvete.

***

Historia shpesh shkruhet si variant më i sofistikuar i propagandës ideologjike.

Edhe tezat e Fukajamës dhe Hamingtonit janë teza aprioristike, klisheve të propagandës globale, se sa kërkime shkencore të drejta.

Atëherë si duhet kërkuar e vërteta?

Dysho mbi gjithçka,- thoshte Dekarti.

Frencis Bacon ngrihet kundër idoleve të agorasë, teatrit etj.

***

Kërkimi shkencor bën pyetjen “pse”.

George Steiner i shqetësuar shpall se pyetja “pse” sot ka humbur.

Kujtesa është mrekullia më e madhe e intelektit njerëzor, por edhe e mistifikimit. Vetvetiu kujtesa na subjektivon një optikë filozofike.

***

Po risjell në vëmendje shëmbëlltyrën proverbiale të “anijes së Tezeut“. Tezeu niset për udhëtimin e largët dhe të panjohur, gjatë udhëtimit Tezeu ndërron pjesë të ndryshme të dëmtuara të anijes.

Në fakt, kur vjen fundi, anijes i janë ndërruar velat, direku, litarët, dërrasat. A është e njëjta anije, me të cilën Tezeu bën udhën e kthimit? Në fakt një operacion kujtesor i mbledh tërë pjesët e hequra dhe të humbura të anijes dhe i bashkon, a bëhet kështu anija fillestare?

Pra, kujtesa është dhe antikujtesë, ose përherë e zëvendësueshme dhe alternative dhe në përdorim mocione, vërtet deri diku të vijueshme, por edhe konvencionale.

Mendoj se kujtesa alternative e letërsisë dhe arteve bëhet pjesë jo vetëm e krijimit por edhe e trashëgimit të një varianti përfundimtar të kujtesës.

***

Njeriu është gjitari i vetëm, që shpik artificialen, që nuk e ka natyra si natyrë. Pikturat rupestre të paleolitit me kafshët totemike, paleozoologjike, janë kujtesa e vetme alternative, që ka mbetur nga realiteti historik i paleolitit të skajshëm.

Arti prehistorik, ndonëse i bërë, pra artificial, është krejt i pazëvendësueshëm.

Epet legjendare të Gilgameshit, epet e argonautëve, ato të Homerit janë, gjithashtu, kujtesa alternative, kurse kujtesa parësore historike, gati quhet e humbur, ose e përfytyrueshme me një proces rindërtimi konceptual.

Po kështu Virgjili, shpesh ngrihet mbi kronikanët, Dantja zotëron shekujt me monadën e tij poetike dhe teologjike.

Don Kishoti i Servantesit është absolutisht më i njohur se tërë personazhet historikë, realë, të Spanjës.

Shekspiri, akoma më shumë krijoi një Hamlet, krejt të ndryshëm nga kronika e shekullit XII, apo Makbethin dhe Mbretin Lir.

Saga intime e Milosaos së De Radës nuk vihet në dyshim nga askush, kurse malësori i Legjendës së Misrit te Migjeni është një figurë më emblematike se sa studimet historike të epokës.

Kjo kujtesë alternative lidhet dhe me artet figurative.

Skulptura e Da Vinçit të Mikelanxholos është më e famshme se sa narrativa biblike edhe si imazh.

Ikonografitë e artit egjiptian, greko-romak dhe bizantin, janë kujtesa alternative, që s’përputhen s’janë identike me kujtesën historike.

Le të kujtojmë dhe filmat e Çarli Çaplinit që janë tashmë kujtesë vizuale shumë më semantike dhe emblematike se sa studimet shkencore të fakteve.

Ose filmi “Skënderbeu” është relievizuar në kujtesën popullore, më shumë se heroi i historiografisë shkencore.

Po pse mbijeton kjo kujtesë virtuale.

Pse nuk zhduket asnjëherë?

Me një koncept strukturalisht kujtesa është mbivënia e mbishtresave shpesh kontradiktore dhe që hanë njëra tjetrën.

Qyteti arkeologjik i Butrintit, apo edhe Apolonia dhe Bylysi janë imazhe të një urbanistike dhe monumenteve të realitetit adekuat historik.

Durrësi e ka varrosur dhe betonuar vetveten e dikurshme arkeologjike përgjithësisht.

Një lagje antike që u zbulua në ish- lulishten “1 maj” zbuloi mbas kaq shekujsh me realitet, që s’e dinim, diçka e ngjashme me lagjet e Pompeut antik.

Pushtetarët mediokër e mbyllën këtë kujtesë historike duke ndërtuar arkitekturat kitsch-moderne, që janë imitime formale pa asnjë lidhje autentike.

Shikoni Sarandën!

Qyteti i mrekullueshëm bregdetar është tjetërsuar nga një përbindësh betoni, duke dhunuar të tërë kujtesat historike të qytetit perlë të Jugut.

Ky kapitalizëm barbar dhe kanibal i kujtesave sot zotëron gjithçka.

Po pse ndodh kështu?

A është shfaqja pardoksale, antagoniste e progresit teknologjik?

***

Sot kujtesa e njeriut është një kolazh i TV, kompjuterëve, internetit dhe cyborias. Cornucopia, briri i Amalteas që nxjerr thesare në pambarim është pseudosimboli, vetëkrijimi i spektaklit tuaj, tonit, vetiak, postmodern.

Kjo çon në Zapingun, ndërgjegjen zero, amnezia e pafund bashkëkohore. Zapingu shkaktohet nga padurimi ritual, pa thellësi, i hiper-realitetit.

***

Eric Habsbawn – (Age of Extremes”) thotë se në këtë mënyrë “rrënimi i së kaluarës është një nga fenomenet më karakteristike dhe të çuditshme të aktualitetit – shumica e njerëzve, të njerëzimit rriten në një lloj të Tashme të pacak, duke i munguar çdo lidhje organike, me të kaluarën publike të kohërave”.

Jean Bandillard, filozofi i fiksuar në idenë e së rremes, kopjes, simulacrumit, me skepticizmin e tij racional thotë se e kundërta e dijes nuk është padituria, por gënjeshtra, mashtrimi universal.

Filozofi tjetër Loytardi – flet për mulisemantikë post-moderniste – si “zbehje dhe humbje e rrëfimeve të mëdha të njerëzimit”.

Kjo ide trajtohet dhe nga sociologu Zygmunt Bauman, i cili e cilëson postmodernizmin si «shoqëri e lëngshme» që është kriza «e rrëfimeve të mëdha» duke bërë interpretime ludike për t’iu mbivendosur realitetit, në një mënyrë të kryqëzuar nihilistike, pa asnjë kauzë, apo qëllim, pa eskatologji.

Njeriu si i tillë është një qenie transhistorike, një njësi metafizike, që kapërcen realitetet e historisë konkrete.

Në epokën post-faktuale nuk kanë rëndësi faktet, por opinionet.

Një qytetërim që nuk bën më pyetjen “pse” për George Steiner, është në agoninë e zhbërjes.

Në këtë laboratorium të krizave vetëpjellëse, kujtesa e letërsisë dhe arteve do të rikthenin vetëdijen tek “rrëfimet e mëdha” të njerëzimit, por edhe të shqiptarëve.

Në fund të fundit jemi në substancën e dialektikës, që është e njëjta gjë me dialektikën e substancës.

Kështu Buzuku, Bogdani, Onufri, Naim Frashëri, Migjeni, e realizojnë përherë Rikthimin e Përjetshëm tek kredencialet e identitetit tonë, dhe në Kujtesën e Rrëfimeve të njohëshmërisë dhe të kuptimshmërisë të vetvetes, për të mos u zhdukur.

***

Kujtesa është mbijetesa e njeriut.

Ja, një subjekt i mitit: Zeusi, kur donte të mposhte një perëndi olimpike (nuk e eliminonte dot me vdekje ata që ishin vetvetiu të pavdekshëm), por u merrte kujtesën dhe kështu cilido perëndi, qe vërtet i pafuqishëm, sepse qe i pavetëdijshëm!

Kujtesa është edhe formë e vetëdijes së një kombi a një populli.

Kujtesa kolektive e shqiptarëve është edhe vetëdija e tyre.

Por kjo kujtesë mund të jetë dhe e brishtë.

Ne jemi shqiptarë, sepse pranojmë gjërat që na bashkojnë, atdheun, gjuhën, Skënderbeun, Naimin, De Radën, Mjedën, Migjenin, Nolin, heronjtë etj., – nëse këto sulmohen atëherë kemi një ikonoklasti rrënuese për kujtesën kolektive, deri në zhbërje të identitetit kombëtar.

***

Kërkimi i së vërtetës është i vetmi kërkim shkencor.

Kur Krishtin e çuan përpara Pons Pilatit, ky i fundit e pyeti se kush qe.

Krishti i tha “Ego sum Veritas” (“Unë jam e vërteta”).

Atëherë Pons Pilati ia ktheu: “Po kush është e vërteta?”.

E vërteta nuk është ajo, që unë them për veten time.

Asnjë epokë, apo sistem, nuk gjykohen nga ato që kanë thënë për veten e tyre. Filozofi Niçe, duke e cituar dialogun e mësipërm biblik, ka shkruar se pyetjen më të madhe në historinë e njerëzimit e ka thënë pikërisht Pons Pilati.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.