MILOSAO

Patriotët në dy fytyra

14:30 - 21.01.18 Rexhep Ferri
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Autori në formën e krijimit eseistik na sjell përditmërinë shqiptare, realizuar në një lloj narracioni që i ngjan më shumë esesë poetike. Autori e përdor krijimin e tij dhe si stacion të përfytyrimeve dhe mesazheve që i mblidhen nga rrahja e mendimeve dhe përcjellja e realitetit ku jeton…




1. Jeta është një teatër ku edhe të varfrit mendojnë se janë të pasur.
Me vija, me shenja e me ngjyra mbi sipërfaqe të tokës.
Me shkëlqimin e monedhës së humbur.
Dyfytyrësia e patriotëve sojli u kthye nga lufta.
Ndërgjegjes nuk i beson më askush.
Çka humbim e çka fitojmë, nesër e shohim më mirë.
Tani koha nuk ka më kohë për të menduar.
Kujt ia rrok jeton nga humbja e kohës kot.
Çmenduria nuk e ndryshon as të shkuarën e as të ardhmen.
Me një klan mafioz shumë patriotë sojli krimi i bën të fuqishëm.
Në të gjitha drejtimet.
Jo për interesa kombëtare, por për interesa personale.
Me katër tela me tela, përtej tregimit…
Populli nuk ka se kah të lëvizë.
Hapësirën e ka sa për të marrë frymë e sa për të parë se është duke jetuar sot për sot.

2. Një zotëri i nderuar më tha:
– Për ta fshehur vetveten historia qenka e tmerrshme.
Kur kalojë afër varrezave të qytetit të vdekur, ku ende i kemi të zbrazëta varret e të pagjeturve.
Pak a shumë harrojmë se kush jemi:
Çka kemi humbur?
Çka kemi fituar?
Atyre që na besojnë duhet t’u themi që të mos na besojnë më.
Hapësirë për humbje ka gjithmonë.
Përpiquni ta befasoni historinë e pashkruar.
Në teatrin tonë kombëtar, nga historia e hijeve pas çdo lufte lind edhe një çmenduri e papritur. Për kohën e humbur a ka mbetur edhe diçka tjetër për ta harruar.
Pse kemi folur?
Pse nuk kemi heshtur?
– O njeri që more vdekjen në sy:
Sa është ora?
Ku po shkon?
Një shekull më parë si një ditë më parë.
Ndoshta është çmenduri edhe për ta thënë.
Pse me rrejtë?
Historia e pashkruar ka më shumë çka të flet për çmendurinë e pas luftës se atë të gjatë luftës. – tha një nënë që shkonte për të blerë lule. E kishte përvjetorin e vrasjes së djalit.

3. Patriotët me dy fytyra, si me magji po na bindin se janë atdhetarë.
Unë e pata fatin ta shoh vetëm një.
Pas tri ditësh e vranë.
A ka edhe një të dytë, një të tretë, nuk po shoh.
A dihet se ku po gabojmë.
Nuk e di kurrkush.
A kemi më shumë viktima se njerëz dhe çfarë mallkimi na ka zënë, po ashtu nuk e di kurrkush.
Nga e kaluara në harresë pse jemi kaq të pafat?
Ngushëllimi na u bë shprehi.
Sa jemi duke e përdorur mendjen ende nuk po ma rrok.
E keqja te njeriu vazhdon të jetë e njëjtë.
Ka njëzet vite që pres lajmin kush po e merr çmimin Nobël për letërsi.
Ismail Kadare që është Kombi derën e kishte të hapur dhe thirrjen e merituar në xhep.
Por gjatë udhëtimit, nga vetë shqiptarët është penguar.
Nga ky turp pakkush nga ne edhe sot shqetësohet.
Aq më pak presidenti që e kishte emëruar një ambasador të tillë që bënte edhe këso horllëqesh.

4. Ky rast për të zënë vendin në kujtesën time flet për Gegët e Maleve, të Maleve, për Toskët e Detit, të Detit sa shtrenjtë e kanë paguar historinë e pashkruar. Mjerisht po ashtu ka gojëdhëna që janë duke zbuluar edhe shumë gjëra me gabime që nuk i dinin.
Tani mendoni cila është fjala që e kërkon njeriu, kur na vë përpara inati i vetullave të kalit qorr.
Kjo e vërtetë është e pabesueshme, por e vërtetë.
Me një të shkuar e me një të ardhme arrin deri te piktura që nuk harrohet kurrë.
Kur na rrokë mashtrimi dhe kur loja e ikjes dhe loja e kthimit na qesin në mal.
E ardhmja është kohë e gjatë. Ndoshta më e gjatë se e kaluara.
Pritja e një populli është humbje e madhe.
Duke prekur kufijtë e ëndrrave kalon edhe një shekull.
Për ne shqiptarët, pa shkëlqimin e famës, çka na duhet fama.
Ndoshta më ka zënë magjia që po flas kështu, por nuk dua t’ua mbushi mendjen të tjerëve.
As nuk dua të luaj me rolin kombëtar.
Kur na jepet mundësia për diçka, te ne lind dyshimi.
Vjen ligësia dhe harrojmë se nga lind dielli.

5. Edhe para tre netësh, në Televizionin tonë kombëtar doli njëfarë shkrimtari, që i thotë vetes shkrimtar pa keqardhje e nxiu edhe veten duke thënë se Ismail Kadare nuk e meriton Nobelin si shkrimtar.
Po kush është ai redaktor e gazetar shqiptar që lejon të publikohen vlerësime të tilla në Televizion Kombëtar?!
Po shihet se ne shqiptarët qenkemi si uji që nuk e rrit peshkun.
Mjerisht e paharrueshme dhe e pabesueshme.
Prandaj më janë dashur shumë vite që të kalojnë për ta kuptuar e për t’u bindur se ende jemi edhe ata që nuk duhej të ishim.
Goja e së vërtetës është e mbyllur.
Kjo ligësi publike dhe e ardhmja e shqiptarëve janë bërë vetëm vlerë për interesa personale “me një nofull në qiell e me tjetrën në tokë”.
Kemi harruar se deri ku janë kufijtë e mirësjelljes.
Kur pamjet tona mund t’i kapë pasqyra dhe kur na mbetet t’i kujtojmë e t’i parafrazojmë vetëm fjalët e Krishtit: “O zot, faljau mëkatet se nuk janë duke ditur se ç’bëjnë!”

6. As para flijimit as pas flijimit nuk kemi asgjë në dorë.
Në anën tjetër luhet loja.
Frika për të falur nuk vjen kot.
Duke lënë shumë pyetje pa përgjigje e humbëm edhe shenjën për t’u njohur.
Sot çmenduria është mendje normale.
S’ka nevojë të shtrohemi në spital.
Kur gjithçka ndodhë nuk jemi të rrezikshëm.
Ndoshta po tallemi.

7. Zogu ynë i shenjtë, Lejleku i Bardhë, vonë na solli daljen nga robëria.
Prandaj nuk po na rrokë a është më e shtrenjtë fitorja apo humbja e lirisë.
E lirisë së humbur pas çdo lufte.
Të shitur për shtatë grosh.
Për psehun nuk po flitet as në Pazar.
Deri më sot nuk më ka ndodhur ta shoh një film shqiptar pa lot në sy.
Nga patriotizmi i rrejshëm shumë kufoma na mbetën mbi dhe.
Kur edhe të varfrit shohin ëndrra se janë të pasur.
Në Teatrin tonë Kombëtar bie perdja.
Nga jeta dhe nga pasqyra me dy fytyra, për zemrën e Ballkanit që është e gjithkujt dhe e askujt, çka janë tre mijë vjet për tre mijë vjet.
Ai kalë Troje…
Për jetën tonë të lindur nga guri.

8. Nuk po ankohem, por po më vjen të çmendem.
Po cili njeri nuk është i çmendur?
Është një kohë e gjatë që nuk po di a jemi të humbur apo kurkushi.
Dita e njëjtë.
Vetmia e njëjtë.
Deri ku do të shkojmë nuk ka pikë kufiri.
Udhëtimin nëpër kohë po e vazhdojmë duke mos ditur se në ç’kohë po jetojmë.
Tani kanë humbur edhe lidhjet mes njerëzve.
Kur e shtrembërojmë të vërtetën për interesa personale, ndryshe flasim e ndryshe veprojmë.
Edhe kur na jepet shansi ta gjejmë rrugën, ia huqim.
Nuk është për t’u çuditur.
Asgjë nuk janë këto gjëra që shihen çka janë ato që nuk i shohim.
Ky qëndrim nuk ka punë as me bizantizëm, as me fashizëm, as me komunizëm, por me çmendurinë e njeriut për të jetuar “Me një nofull në qiell e me tjetrën në tokë”.

9. Një ditë, kur do të fluturojë edhe bualli, nga ironia e fatit do të kuptojmë si ruhet Atdheu.
Kjo vetmi nga harresa, gjithmonë na ka kushtuar shumë më shtrenjtë se shtrenjtë.
Ndoshta është karakteristikë e njerëzve që kurrë nuk ngopen.
Jo falë Zotit, por falë durimit me të cilin mbetëm gjallë, deri në paragjykim të pakuptueshëm e të pangopur.
Çudia e Zotit brira nuk ka.
Ata që nuk e kuptojnë këtë histori, le ta shkurtojnë pak bishtin e historisë së vet.
Edhe kur e mbyllin veten në një pikë, në një fjalë, armiku për ta meriton lëvdata.
Nuk po mund të ndalem pa gabuar.
Mrekullia e botës është edhe për të mos me u pëlqyer çdo gjë.
Për të ikur nga çmenduria nuk dihet se deri ku mund të shkohet.
A humbim.
Shumë lehtë humbim.
Shkurt: shumë shkurt.
Të bëhet ç’të bëhet.
Dua të them edhe diçka:
Patriotët me dy fytyra po i durojmë.
I kemi shpallur edhe heronj.
Ideja për të kaluar çdo kufi po na pëlqen.
Vlen për të parë, vlen për të harruar.
Si fole si nuk fole, njësoj të shkruhet.
Derisa të mbyllet edhe ky shekull…

Tetor, 2017


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.