MILOSAO

Përkryerja e shiut

13:00 - 21.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Poeti dhe profesori i Universitetit të Prishtinës, Basri Çapriqi vdiq këtë javë në moshën 58-vjeçare. Ai është lindur në Ulqin më 15 janar të vitit 1960, ku edhe mbaroi shkollimin e mesëm.




Në Universitetin e Prishtinës ka studiuar letërsi shqipe, ku ka marrë gradën magjistër i shkencave filologjike në vitin 1988. Ishte themelues dhe pastaj Kryetar i PEN Qendrës së Kosovës prej vitit 2004.

Ka qenë Kryetar i Bordit të Universitetit të Prishtinës, kurse nga viti 2012 ishte edhe anëtar i Akademisë Shqiptare të Arteve dhe Shkencave.

Nga Basri Çapriqi

Guaca
Hapu se
Dua të dal
Të pi ujë drejt nga qielli

Hiqu yjeve
Pi ujë nga goja ime
Mbyllim farën tonë
Në fund të detit

Sa kohë u bë që jemi mbyllur
Humbur Brenda o zot
E s’dëgjojmë zërat e ujit

Të kanë parë tek u lexon vargje atyre në Had

Ali Podrimjes

E kam ditur Ti
S’mund të vësh kokë mbi jastëk
Kur merr rrugë aq të largët
Për me gjetë të bardhën
As një gur nën kokë si suliotët
Nuk vë

Unë e kam ditur
Ti do lidhje duart pas koke
Do e shtrëngoje fort
Fort derisa ushtimë e vargut
Të pëlcasë

Gjithë ata gurë të ngulur brinjave
Deri te Uji i madh Një rrjedhë uji
Pranë një pylli
T’i sjell te koka për me t’ba gjamën

Vetëm yjet do mbajtur në dorë
Asgjë tjetër s’të lënë
Atje në fund të asaj rruge në fund
E rrugë tjetër s’ka me mbajtë dritën ndezur

Të kanë parë
Kah u lexon vargje tash atyre në Had
Ti i njëjti
I ke sharë si mund të nguleni këtu përgjithnjë
Mor të mjerë

E ke vendosur
T’i ngresh ata nga gjumi
Ku kanë rënë
Përulësisht

Te lumi Styks të kanë parë Ti
I njëjti si mbi Dri
Një dallëndyshe ke gjuajtur nga lartësitë
Në atë lumë të fryrë përmbi brigje
Me pa a e kapë flaka
A e lagë uji

Se
Lumë i vështirë ai lumë
E pambërritshmja

Ajo më shpinte diku larg
Ëndrrën mbi krahët e një vale

Heshtja përgjon tingujt që
Zhyten e dalin thërrmijash

Mbi kurriz të ujit
Një kalimere s’më lë të ngrohem

Më zë ëndrrën në grykë të Bunës
Përpëlitet një pulëbardhë

Ikën pastaj
E paarritshme si gjithnjë

Ngul një gjëmë në gjoks
E vdes i lumtur
Se s’di ç’ndodh atje përtej
E as që do të di

Mbi atë mjegull që
Mbulon gjithë brigjet gjithë fushat

E ujin sidomos

Ujin ku Zoti di ç’zihet brenda
Atyre rrjetëve me gogla të

Rrumbullakta si sy të tmerrshëm
Mbetur hapur kah qielli

Përkryerja e shiut

Nuk bie gjë nga lart mbi urën ku rrimë ne
Ulet ngadalë na futet pas qafe çurk teposhtë
Me na dridhë shtatin

Kur të ngrihen sërish ato pika ne s’jemi aty
Se mbyllim sytë me përpi tingujt Nuk shohim
Mjegullën as harbimin e gjetheve

Një herë tjetër na ulen litarët e qullur
Na lidhen për trupi na luhasin na shkundin
Me na ra fara n’atë ujë që zgjon valën

Kaq kohë presim atë ujë të rëndë
Me na shkëput
Përgjithnjë nga tokë e dashur

Kontributi im për
revolucionin është zero

Unë jam frikësuar si qeni
Kur shihja nga dritarja si mprehnin thikat
Si rripnin lepujt

Kur qielli hapej
Dhe dielli zihej
Kam parë Zotin të më pikë në ballë

Kontributi im është zero
Për revolucionin për historinë
Jam frikësuar si mos më keq

Kam ikur larg të strehoj fëmijët

Gruaja më thotë lëri ato tashti
Kush s’u frikësua kur mbulonte terri
Po s’u zë goja gjëra të tilla

Tanimë që mori fund e gjitha

Së paku mund të kemi strehë
Për kalamajt mor aman
Të gjithë pëlcasin fjalë të mëdha

Po unë prandaj e them
t’u jap guxim Atyre


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.