AKTUALITET

VIDEO/ Hidhen në gjyq nga kunati, gruaja “sulmon” burrin: S’të dua më

21:46 - 21.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dy  bashkëshortët, Halit dhe Afërdita Koxhai kanë ardhur në rubrikën “Shihemi në gjyq” te “E Diela Shqiptare” për shkak të një konflikti për një pronë, të cilën nuk e duan. Një arsye mjaft e çuditshme kjo, pasi jemi mësuar që në seancat e ndërmjetësimit të trajtohen konflikte për të kërkuar prona dhe jo për t’i refuzuar.




Afërdita ankohet se e kanë akuzuar pa të drejtë për marrjen e tokës së kunatit, vëllait të Halitit, por ajo nuk ka qenë në dijeni të dokumenteve që tregojnë se kjo pronë rezulton në emrin e bashkëshortit të saj.

“Unë kam ardhur këtu për një akuzë të rëndë. Para 3 viteve më është bërë një akuzë që i kam marrë tokën kunatit. Nuk e dinim që e kishin hedhur pronën nga ATP-ja, veçse kur na thonë: ‘Toka është në dorën tuaj’. S’kemi tokë thashë unë, vetëm 10 dynym. Ai tha ka firmosur bashkëshorti. Për këtë kam ardhur sot. E ke firmosur a s’e ke firmosur? Ti më ke shkatërruar jetën mua!”

Haliti refuzon të ketë firmosur për këtë pronë, ndaj kërkon nga drejtësia të gjejë se kush ka firmosur në emrin e tij. Bashkëshortja e tij rrëfen gjithashtu se prej 32 vitesh ndodhen në konflikt për një shtëpi të përbashkët me vëllain e Halitit, në fshatin Gegë.

Afërdita – Më nxorën përjashta, vet i pestë!

Haliti – Unë nuk kisha çfarë t’i bëja se e kisha vëlla mbi të gjitha! Prandaj e mbrojta … Ai ma punoi.

Afërdita – Si ndenja një vit përjashta … Vajta në darkë nuk më hapën derën, kisha tre fëmijë …

Afërdita tregon se kunati i saj, Fetahu, përveçse i ka nxjerrë nga shtëpia, për të cilën kanë kontribuuar të gjithë, i ka akuzuar se i kanë marrë tokën që vazhdon e punon, me pretendimin se e shfrytëzojnë ata prej 24 vitesh.

Afërdita  Nuk e duam se është e atij!

Haliti – Ç’është e drejta, unë nuk kërkoj tokën, por drejtësinë!

E. Çobani – Ke folur ndonjëherë me vëllain?

Afërdita – S’ka folur fare!

Haliti – Unë që prej vitit ’86 nuk flas me atë.

A. Gjebrea – Në qoftë se tokën e kanë vënë në emrin tuaj, merreni …

Haliti – Epo gjykata i dha të drejtë atij, hajdutit! S’ma dha mua.

Juristja Çobani thotë se më 24.04. 2015, Fetahu i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat dhe ka paditur të vëllain, Halitin, në mënyrë që ta njohë si pronar të tokës, pasi sipas dokumenteve rezulton në emrin e këtij të fundit. Por Haliti betohet që nuk e ka patur kurrë këtë tokë. Eni Çobani ngre pyetjen nëse gjykata ka hetuar sa i vërtetë është ky denoncim sepse ky çift po vuajnë për diçka që nuk e kanë bërë.

Haliti – Ai thotë ma ka marrë para 24 vitesh, por unë nuk kam marrë tokë me firmë. Ai e punon vetë tokën.

Afërdita – Kur u martua ai edhe krevatin tonë na e mori, ne flinim përtokë. Krevatin ma mori, shtëpinë ma mori, vetëm fëmijët i kanë ngelur pa marrë! Të marrë dhe fëmijët dhe unë të rri rehat …

Haliti – Epo mirë, do ta ndihmonim ne se e kisha “byrazer”!

Afërdita  Hyra në kredi, në borxh se s’kisha. Më erdhi Zyra e Përmbarimit me gjithë policinë donin lekë! Mua më ka humbur e drejta e fjalës.

Haliti – Ky problemi jonë është për të tallur e për të qeshur! Kemi ngrënë një gjobë të kotë. Të rrish në punën tënde dhe të të ngarkojë tjetri me tokë.

Po bëj 3 vjet që po vuaj. Më ka hedhur një barrë të kotë!  Më ka marrë 1 milion e 100 mijë lekë (të vjetra) Zyra e Përmbarimit, 400 mijë lekë (të vjetra) m’i mori avokati që s’ më bëri gjë e më shiti. Ne ishim pa punë të gjithë.

Afërdita – 1 vit ka ky me pension. Me pensionin tim të invaliditetit kam mbajtur 12 veta.  Vajta 62 vjeç, unë do shkatërrohem komplet.

Nuk e dua më burrin!

Haliti – Kë s’do ti, mua?

Afërdita – Nuk e dua, aq më ka stresuar.

Haliti – E mirë, rri vetëm unë.

A. Gjebrea – Si mund ta thuash këtë në sy të djalit që është këtu?

Haliti – Rri ti me çunat se unë rri vetëm.

Afërdita – Unë dua dëmshpërblim për shqetësimin që më ka krijuar, për burrin që më ndau dua dëmshpërblim më të madh, se më ndau pas 40 vitesh martesë. Unë dëmshpërblimin e kërkoj nga gjykata se ajo më dënoi!

Vëllai i Halitit, Fetah Koxhai pranoi të jetë pjesë e kësaj seance ndërmjetësimi nëpërmjet një lidhjeje telefonike, për të dhënë edhe ai këndvështrimin e tij mbi këtë çështje.

“Në vitin 1991-1992, kur u ndanë tokat, Komisioni më dha mua 1 dynym e 800 metra tokë. Unë kam qenë në Greqi emigrant kur është bërë matja e dytë. Halit ose Afërdita Koxhai, që i keni aty në studio, kanë qenë prezent dhe kanë thënë që është toka e tyre”.

Por bashkëshortët e refuzojnë këtë gjë, duke e quajtur madje edhe gënjeshtar Fetahun. Ky i fundit thotë se ka dëshmitarë për këtë pretendim dhe tregon se mësoi rreth pronësisë së tokës kur shkoi për ta regjistruar tokën. Ai shprehet se e çoi çështjen në gjyq sepse kërkonte prej Halitit vetëm një deklaratë të shkruar që toka ishte e Fetahut.

Haliti – O zotëri, pse nuk erdhe këtu  të ballafaqohesh me mua? Pse më ke hedhur një akuzë që gjoja unë të kam marrë tokën ty 24 vjet e ta kam punuar? Ti ku ishe?

Po ti më ke qëlluar me gurë mua se thyeva një kallam atje e jo më të punoja unë atje për 24 vjet! Ti do më kishe ngrënë të gjallë mua! Ti ma hodhe tokën mua e merrje përkrahje në Komunë. Unë nuk kam qenë atje kur është regjistruar se kam qenë në punën e shtetit. Ti ke qenë vetë aty që i ke thënë hidhja vëllait se unë do marr përkrahje! Toka rrinte në kurrizin tim, ndërsa ti e punoje.

Ta dish që më ke bërë një … nuk e di ç’të them! Prandaj do mbash përgjegjësi një për një. Thuaj të vërtetën, me kë i bëre dokumentet? Kush të mësoi për të groposur Halitin? Por nuk e gropos dot Halitin ti, ta dish mirë!

Fetahu – Asistencë kam marrë se Haliti ka marrë 10 dynym tokë, ndërsa unë 8.

E. Çobani – Arsyeja që ju nuk vini në publik … se është shumë e çuditshme që vëllai nuk i vjen vëllait, motra nuk i vjen vëllait, motra nuk i vjen motrës … Është një çudi e madhe që po ndodh në Shqipëri!

Mos është arsyeja e vërtetë që ju realisht doni të fshihni një dorë tjetër pas jush, të cilën tanimë nuk e fsheh dot as ti, as Myslymi, as Haliti dhe askush tjetër sepse do të funksionojë ligji në këtë vend përfundimisht?!

Më thuaj të vërtetën e kësaj historie sepse kjo histori tanimë ka marrë përmasa të atilla që askush nuk mund ta ndalojë më!

Fetahu – E vërteta e historisë është që unë e hodha Halitin në gjyq, me vendim gjykate e me ekspertë topograf, toka m’u hodh mua.

E. Çobani – Po Haliti po ta thotë vetë që toka është jotja, ta ka thënë edhe atje!

Fetahu – E ka thënë që tokën e ka Fetahu, po tha dua një cep aty. Ia dhashë atë cepin mbrapa për shtëpi. E di vetë ai historinë!

Afërdita – Pse zotëria ka deklaruar 6 dynym, kur ka 10? Ku i ka 4 dynym? Tatim nuk i paguan, asgjë. Unë desha nga kjo seancë ndërmjetësimi t’i matet toka një për një se ka 8 parcela dhe deklaron vetëm 4 parcela!

Fetahu – Sa kanë ata, kam dhe unë. Këtë punë s’e kam bërë unë, e ka bërë shteti!

Afërdita – Pse nuk dënove shtetin ti, por më dënove mua?

Këtë seancë ndërmjetësimi e ka ndjekur nga publiku i studios i biri i Afërditës dhe Halitit dhe një person, Enver Agalliu, toka e të cilit është në kufi me këtë të Fetahut. Ai thotë se Haliti nuk e ka punuar në asnjë moment këtë tokë, por ka qenë vetë Fetahu.

“Ai të ballafaqohet me mua dhe të ishte sot këtu që t’ia tregoja unë se çfarë ka bërë!”, shprehet Enveri.

Për sa i përket pyetjes se me kë nga motrat ose vëllezërit shkon mirë Haliti, ky i fundit tha se Fetahu ka bërë që të gjithë t’i kthejnë shpinën.

Në këtë seancë ndërmjetësimi, publiku i “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë Afërditës, e cila ankohet që është dënuar duke qenë e pafajshme.

Juristja Eni Çobani këshilloi bashkëshortët t’i drejtohen Prokurorisë së Beratit, ku do të bëjnë një kallëzim penal për dokumentin që provon se toka ka kaluar nga Fetah Koxhai te Halit Koxhai.  Personi që e ka firmosur këtë dokument do të përgjigjet përpara ligjit dhe do të dëmshpërblejë Halitin për të gjithë shpenzimet e gjyqit dhe dëmin moral që i kanë shkaktuar Afërditës, tha Çobani.

Afërdita ankohet: “Haliti nuk ka bërë asnjë përpjekje për mua!”, ndërsa Haliti përgjigjet: “ Afërditën e rregulloj unë”.

Seanca e ndërmjetësimit përfundoi me sukses. Afërdita mësoi se bashkëshorti i saj nuk e ka firmosur atë dokument që ka shkaktuar aq shumë konflikte në familje, ndërsa Haliti do të mund të gjejë një zgjidhje për çështjen me të vëllain në Prokurorinë e Beratit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.