OPINION

Fëmijëve u nevojiten klasat sportive, ekipet zinxhir dhe shumë përkushtim

07:08 - 22.01.18 Ergys Luga
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Të gjithë e dimë se rruga që e çon një fëmijë drejt futbollit të vërtetë është sikur të kalosh një “brez kalitjeje” pa rënë asnjëherë përtokë, por edhe nëse rrëzohet, duhet rinisur përsëri nga e para. Gjë e cila do kohë dhe shumë stërvitje të rikuperohet përsa i përket anës fizike dhe teknike.




Ku po shkon futbollisti i ri shqiptar me këtë stërvitje? Talenti dhe puna, dy elementet thelbësore si në çdo profesion, edhe në futboll kanë një rëndësi të madhe.

Talentet zbulohen në moshat e vogla, por puna dhe përkushtimi e formon futbollistin. Shembujt botërorë dhe në vendin tonë tregojnë pikërisht se yjet e futbollit kanë dalë nga klasat sportive dhe ekipet zinxhir të klubeve.

Prandaj nuk mund të ketë të ardhme pa krijimin dhe mbështetjen e ekipeve të moshave të klubeve. Në këtë rast bëhet fjalë për kushtet më minimale dhe thelbësore, për bazën se si do të rritet futbollisti i ardhshëm shqiptar.

Nëse i futemi kësaj teme, ka jashtëzakonisht shumë për të folur në sektorin e të rinjve dhe fëmijëve të këtij brezi, të cilët ndryshe nga brezi im i futbollistëve që kemi “shijuar” baltën dhe gropat pa mundur të nxirrnim dot një krosim të thjeshtë në fundore. Fëmijët dhe të rinjtë sot po shijojnë ngjyrën jeshile të fushës me tapet mbi beton, pa ditur ende se ç’pasoja mund të ketë për të ardhmen kjo “ngjyrë shprese”.

Shqipëria ka talente pa fund, jemi në rritje të futbollit tonë nga ana tekniko-taktike. Unë përfaqësoj që prej një viti ekipin e grup-moshave të FK “Kamzës”, të rinj të cilët janë ende në bankat e shkollës dhe nga “futbolli popullor” i luajtur në rrugicat e lagjeve.

Dy muajt e parë të stërvitjes më ka bërë përshtypje kuptimi i menjëhershëm i ushtrimeve dhe përdorimi i tyre në ndeshje të caktuara, gjë e cila ka për bazë talentin që ata fëmijë kanë brenda tyre. Jo vetëm ekipi që unë përfaqësoj, por të gjitha ekipet kanë individë që vlejnë për të ardhmen. 90% të futbollit të këtyre grup-moshave stërviten dhe luajnë në fusha kalçetoje, pa pasur idenë se si mund të ketë dëmtime që në fëmijëri, gjë e cila është një problem i madh për të ardhmen e tyre.

Ushtrohemi dhe stërvitemi në fushë kalçetoje dhe kur vjen fundjava, i zhvillojmë ndeshjet në fushë me standarde 11 kundër 11, gjë e cila është një taktikë tjetër loje. Me talentin e tyre, fëmijët shqiptarë kanë arritur të përfaqësojnë ekipet respektive jashtë vendit në shumë turne ndërkombëtare në perëndim, përfshirë këtu edhe rajonin, të cilëve nuk u mungojnë kushtet thelbësore.

Në bisedim me kolegët e mi, ata shfaqen shumë të kënaqur sepse mundi i tyre nuk ka shkuar dëm, kanë arritur që të dërgojnë lojtarë të testohen në perëndim dhe ia kanë dalë mbanë të kalojnë testimet dhe të pranohen si futbollistë në akademitë respektive perëndimore.

Por mbetet ende pa përgjigjen e plotë se ku po e çon kjo situatë futbollin tonë?

Mendoj se ky është një “autogol” për Shqipërinë, ne nuk kemi nevojë për futbollistë të huaj, ne kemi talente pafund “mall vendi” e quajmë gjuhën tonë të trajnerit. Shteti në bashkëpunim me federatën e futbollit islandeze merr “notën 10” për arritjet në futboll vitet e fundit dhe planin e investimit tek fushat e futbollit. Dikur Islanda ishte një “dhuratë” në shortet e Kupës së Botës dhe Europianit, kurse sot askush nuk e dëshiron në grup. Vetëm falë investimeve në sektorin e grup-moshave dhe bashkëpunimit federatë-shtet. Të njëjtën strategji po përdor dhe Luksemburgu me skuadrat dhe ekipin kombëtar, që humbjet më minimale i llogarisnin nën 4 gola për ndeshje, tanimë është kthyer në ekip që vështirë mund t’i rrëmbesh pikë. Janë duke u ndërtuar pak stadiume, por pa anekset përkatëse, flas për Tiranën që ka rreth 3 stadiume dhe asnjëra nuk ka një të tillë ku të zhvillojnë stërvitjet të rinjtë.

Fusha “Ali Demi” është kthyer në park, aneksi i ish- stadiumit “Qemal Stafa” është kthyer në parking privat, aneksi i stadiumit “Selman Stermasi” është i shkatërruar totalisht. Stadiumi i Kamzës nuk ka një aneks të tijin, vetëm një fushë e vogël e ndërtuar nga bashkia kohët e fundit në kodrat e liqenit është me bar natyral, e cila me syrin tim u përshtatet grupeve U-9 dhe aty nuk dihet se cili do të luajë i pari… Ku po shkojmë? Nuk stërviten brezat gjithmonë në kalçeto mbi beton…

Duhet punë dhe bashkëpunim mes FSHF dhe bashkive vendore. Nëse nuk ka një të tillë, atëherë është e kotë të ëndërrojmë Europian dhe Botëror! Nëse nuk investohet tek brezat, ëndrrat tona do mbeten te parealizueshme. Pse mos të jemi edhe ne si Kroacia?! Jam i bindur që nëse dikush do të bënte një udhëtim në relievin bregdetar të saj, përshtypja e parë do të ishin fushat e futbollit. Për më shumë një nga prioritetet e disa qeverive të fundit në Shqipëri ka qenë tërheqja e vëmendjes drejt shkollave profesionale.

Një vendim shumë i drejtë, sepse i jep rinisë shanse punësimi dhe të jetë e përgatitur për tregun global. Por edhe sporti mund të jetë, përtej sportit si argëtim, përtej ushtrimit si një mundësi ruajtje të një jete të shëndetshme, edhe një mundësi e mirëpunësimi madje edhe për tregun global. Aq më tepër që një sportist i mirë luan shpesh edhe rolin e shumë diplomatëve edhe nëpër ato cepa të globit, ku diplomacisë i kushton shumë më shtrenjtë…

* Trajner moshash te FC “Kamza”

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.