SHËNDET

Fruthi, vaksinimi e vetmja mënyrë parandalimi. Ja komplikacionet nga sëmundja

11:00 - 22.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Sëmundja e fruthit është rishfaqur sërish në vendin tonë, ku brenda pak ditësh janë konfirmuar plot 20 raste.




Në një situatë të tillë, Instituti i Shëndetit Publik në vend u bën thirrje të gjithë prindërve që të vaksinojnë sa më shpejt fëmijët e tyre, si dhe apelon që brezi i lindur në vitet 1980-1990 të rivaksinohet.

Çfarë është fruthi

Fruthi është një infeksion viral i sistemit respirator, një sëmundje shumë ngjitëse, që përhapet nga kontakti me pështymën e infektuar.

Një person i infektuar mund të përhapë viruset në ajër nëpërmjet kollës apo teshtimave.

Virusi i fruthit mund të jetojë në sipërfaqe për disa orë, kështu që mund të futet në rrugët e frymëmarrjes nëpërmjet ajrit, duke infektuar edhe persona të tjerë.

Kontaktoni menjëherë mjekun tuaj nëse dyshoni të keni disa shenja të fruthit, apo nëse nuk jeni të vaksinuar ndaj fruthit dhe keni rënë në kontakt me një person të sëmurë. Në këtë rast ju duhet të bëni vaksinën e fruthit brenda 72 orëve, për të parandaluar infeksionin.

Këshillohuni me mjekun tuaj për këtë.
Shenjat e përgjithshme të këtij infeksioni përfshijnë:

Kollë
Temperaturë
Skuqje të syve
Dhimbje muskulore
Dhimbje fyti
Disa njolla të bardha në gojë
Rrufë

Ndër shenjat më karakteristike të kësaj sëmundje është një skuqje (rash) e lëkurës, që përhapet në të gjithë trupin. Kjo skuqje shfaqet që në ditët e para të infeksionit, fillimisht në fytyrë dhe kokë e më pas përhapet edhe në trup.

Më të rrezikuarit

Numri i të sëmurëve me fruth ka pasur rënie në dekadat e fundit, por sëmundja nuk është eliminuar plotësisht, për shkak të hendeqeve të krijuara nga mosvaksinimi. Fruthi prek kryesisht fëmijët e pavaksinuar.

Disa prindër kanë zgjedhur të mos i vaksinojnë fëmijët e tyre, apo të shtyjnë vaksinimin nga frika e efekteve anësore. Studimet e shumta tregojnë që vaksinat janë shumë të sigurta dhe shumica e fëmijëve dhe të rriturve të vaksinuar nuk kanë shfaqur efekte anësore.

Ndërlikimet

Fruthi mund të bëhet një sëmundje serioze për të gjithë grupmoshat. Megjithatë, fëmijët më të vegjël se 5 vjeç dhe të rriturit mbi 20 vjeç mund të shfaqin ndërlikime më të rënda të kësaj sëmundjeje. Ndërlikim i zakonshëm i fruthit është infeksioni i veshit.

Ky ndërlikim prek 1 në 10 fëmijë me fruth dhe mund të shkaktojë humbje të përhershme të dëgjimit.

Disa persona mund të shfaqin ndërlikime të rënda të fruthit si: pneumonia (infeksion i mushkërisë) apo encefaliti (infeksioni i trurit). Këto ndërlikime kërkojnë trajtim të specializuar në spital dhe mund të shkaktojnë vdekjen, pavarësisht trajtimit intensiv.

Statistika
1 në 20 fëmijë me fruth shfaq pneumoni dhe ky është shkaku më i shpeshtë i vdekjes nga fruthi te fëmijët.
1 në 1000 fëmijë zhvillon encefalit, që mund të shkaktojë konvulsione dhe mund të çojë në vdekje apo paaftësi intelektuale të mëvonshme.
Ndodhin 1-2 vdekje, për çdo 1000 të sëmurë me fruth.

Fruthi tek gratë shtatzëna shkakton lindje para kohe, bebe me peshë të vogël në lindje apo defekte të lindura të fetusit.

Parandalimi
Vaksinimi është mënyra e vetme për të parandaluar shpërthimin e fruthit. Vaksina MMR (Fruth-Rubeole-Parotit) është një vaksinë që e mbron fëmijën tuaj nga tri sëmundje njëherësh. Fëmijët e marrin vaksinën e parë të fruthit në moshën 1 vjeç dhe dozën e dytë të saj në moshën 5 vjeç.

Të rriturit të cilët nuk janë vaksinuar asnjëherë ndaj fruthit, apo kanë marrë vetëm një dozë vaksinë gjatë jetës, mund ta bëjnë këtë vaksinë pranë qendrave shëndetësore përkatëse.

Këshilla
Të evitohen përqendrimet në urgjencën pediatrike të QSUT. Jemi në sezon virozash dhe çdo ekspozim i panevojshëm rrit mundësinë edhe për t’u infektuar nga fruthi. Për çdo shqetësim drejtohuni në qendrat shëndetësore pranë zonës suaj dhe kontaktoni mjekun pediatër, ose mjekun tuaj të familjes.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.