Kryesore

“Gjobat për dëmet në monumente deri në 40 milionë, rinisin punimet në Butrint”

17:55 - 22.01.18 Fatmira Nikolli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro ka sqaruar risitë e projektligjit të Trashëgimisë, duke detajuar të gjitha ndryshimet nga ligji që është në funksion.




Sistemi i mbrojtjes së trashëgimisë, si do jetë bashkëpunimi publik-privat, sanksionet për ata që e dëmtojnë, kriteret e dhënies së monumenteve te privati dhe çfarë do bëhet me koleksionet private të padeklaruara- bëhen me dije në një intervistë të ministres së Kulturës Mirela Kumbaro për News 24 teksa ligjin për trashëgimisë pritet të votohet në Parlament.

LIGJI

Është projektligj me 280 nene, e që gati-gati i afrohet Kodi, siç e ka Italia e Franca për trashëgiminë. Përfshin disa aspekte nuk i kishte ligji i parë, siç është për shembull trashëgimia shpirtërore të cilës i kushtohet një kapitull i plotë. Ligji është hartuar duke respektuar konventat e UNESCO-s. Nga ana tjetër, fusim për të parën herë edhe konceptin e peizazhit kulturore, një kapitull i dedikuar për një aspekt mjaft të rëndësishëm. Ne i lidhim trashëgiminë kulturore me peizazhin”,  tha Kumbaro.

E pyetur nëse me ligjin e ri, i jepet fund tanimë shpërfytyrimit të qyteteve përmes ruajtjes së peizazhit historik, ministrja tha se kemi filluar ta zbatojmë de facto, sepse kemi ratifikuar një konventë një vit më parë.

Nëse vjen një projekt për shtylla tensioni në Dhërmi, nuk lejohet. Më herët është shpallur qendra historike e Dhërmiut dhe bukuria e saj, nuk janë vetëm ndërtesat e ngrehinat, por edhe kartolina që i bën ato të kenë një vlerë të caktuar. Nëse investojmë 7 milionë për restaurimin e Vunoit dhe Dhërmiut, duhet ta ruajmë me çdo gjë që ka rreth e rrotull. Këto praktika kthehen në ligj dhe bëhen me rregulla të qarta jo vetëm për ne, por edhe për institucionet e tjera shtetërore që jo domosdoshmërisht, e kanë këtë koncept”, sqaroi Kumbaro.

Nga ana tjetër, ministrja sqaroi që me ligjin e ri, rregullohet tanimë funksionimi i arkeologjisë nënujore, që deri tani ka funksionuar i parregulluar me ligj duke marrë shembull se si ajo funksionon në shtetet përreth nesh.

Projektligji i ri për Trashëgiminë Kulturore dhe për Muzetë hap një epokë të re për ‘ruajtjen, mbrojtjen, vlerësimin, administrimin e Trashëgimise Kulturore’. Pasuri e vlera të reja gjejnë kornizën ligjore të munguar: Peizazhi, Trashëgimia Kulturore Jomateriale, Arkeologjia Nëenujore, Pasuritë kulturore te luajtshme”, theksoi minsitrja gjatë intervistës.

BUROKRATIK APO PROTEKSIONIST?

Ndërsa Kumbaro foli për një ligj tejet proteksionist, ajo u pyet nëse detajimet e bëra në ligj, e bëjnë atë burokratik siç akuzohet.

Është diskutuar për dy të kundërta. Nuk e quaj burokratik, e quaj proteksionist, por të doni edhe konservator. Besoj se biem dakord se pas 25 vitesh me mungesa rregullash, ose mosrespektimi rregullash, jemi prezent të një batërdie që është bërë në tarshëgiminë kulturore. Flasim për kalanë e Lezhës, por çfarë i është bërë kodrës së kalasë se Lezhës? Flasim për monumentet, por është ndërtuar deri në rrëzë të tyre. Flasim për Krujën ku kemi betonime rreth e rrotull, por në mungesë të ligjit, nuk ndërhyn dot. Është koha sot më shumë se kurrë që përmes një ligji të kemi rregulla të qarta dhe edukuese”, tha ajo.

KOLEKSIONET

Vite më parë, një investigim i “Gazeta Shqiptare” ndoqi për ditë të tëra udhëtimin e një ikone të Shpatarakut, që u shit në një ankand. Ikona në fjalë nuk rezultonte e deklaruar në Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, e siç rezultoi në fund, ishte pjesë e një koleksioni privat, e marrë dhuratë nga poseduesi që e çoi në ankand. Për sa më sipër, Kumbaro u pyet se ç’do bëhet me koleksionet private të padeklaruara. Ministrja tha se i kushtohet një kapitull i veçantë trashëgimisë së luajtshme. Duke e quajtur vlerë dhe emancipim, ajo tha se kemi mbërritur në pikën që duhen deklaruar, sepse nga fonde private a publike janë shitur e trafikuar këto pasuri për vite të tëra. “Kemi parashikuar një periudhë 3-vjeçare për vetëdeklarimin e gjithë atyre që disponojnë objekte të marra nga pasuritë publike, ose nga bashkësitë fetare, për të cilat nuk provon dot që e ke të blerë, ka pra një periodë të formalizmit dhe deklarimit të këtyre objekteve, pa penalitete. Ka raste që ne marrim dijeni për një koleksion dhe jemi ne që e kontaktojmë. Por, nëse pas periudhës 3-vjeçare koleksioni nuk është deklaruar dhe nëse gjendet një koleksion i tillë, ka organe ytë tjera që merren me këtë punë, si organet e drejtësisë”.

PARTNERITETI PUBLIK PRIVAT

Sa i takon kësaj pjese, më e debatuara e ligjit pasi perceptimi dhe shembujt ndër vite i “dhënies me qira” të monumenteve lë shumë për të dëshiruar, Kumbaro tha se nevoja për forma të reja, menaxhimi e administrimi është më urgjente se kurrë.

Kërkohet sipas Kumbaros, tanimë me ligjin e ri, ndërthurje mes pushtetit vendor me pushtetin qendror, të biznesit, shoqatave dhe bashkësive fetare të cilave u bëhen rregulla shumë të qarta se në ç ‘forma mund të futen në bashkadministrim të trashëgimisë kulturore.

Ajo tha se flasim për administrim të drejtpërdrejtë, të tërthortë dhe sjellim fondacionet për trashëgiminë Kulturore, përmes të cilave u ofrojmë mundësinë donatorëve e partnerëve privatë që të bëhen pjesë të këtyre fondacioneve ku ofrojmë lehtësira fiskale e proceduriale, me qëllim që ata të jenë të interesuar edhe ekonomikisht.

E pyetur për sanksionet për dëmet në trashëgimi Kumbaro tha: “se ligji aktual është shumë i butë e ndonëse mund të akuzohem si represive mund të them se gjobat aktuale janë qesharake ndaj janë joefikase. Ne kemi një kapitull me sanksionet e kundravajtjet. Gjobat variojnë nga 5 milionë lekë të vjetra deri në 40 milionë lekë të vjetra”. Ministrja Kumbaro tha se nuk ka një listë objektesh me të cilat nis bashkëpunimi shtet-privat.

BUTRINTI DHE VELIERA

E pyetur specifikisht, për dy prej çështjeve më të debatuara gjatë vitit të kaluar, që kanë qenë projekti i “Velierës” në Durrës dhe ai i një pike shërbimi në Butrint, Ministrja e Kultuirës Mirela Kumbaro Furxhi, u ndal edhe tek këto dy pika. Teksa bëri me dije se me ligjin e ri identifikojmë sitet publike ku kemi nevojë për ndërhyrje të mëdha, ajo foli edhe për Butrintin.

Një i tillë është Butrinti. Ka rëndësi të madhe e për të cilin kemi donatorë të fuqishëm e që janë të gatshëm të futen në bashkëpunim me ne por duhen rregulla shumë të qarta. Dhe në fakt bashkëpunimi me Fondacionin Shqiptaro-amerikan për të bërë ligjin është pararojë për të shkuar drejt një bashkëpunimi për krijimin e një fondacioni i cili do të bëjë të mundur një menaxhim të sitit të Butrintit, në interes të Butrintit, jo për të bërë biznes”, tha Kumbaro.

Ministrja tha se nuk është e rëndësishme se për sa vite jepet një objekt në menaxhim, por janë kushtet dhe kriteret që përcaktohen qartë e saktë në kontratat për secilin objekt monumente kulture, që janë më të rëndësishme dhe shtoi se secili sit ka specifikat e veta, për çka mohoi të ketë një kontratë tip. Sa i takon kritereve për ndërhyrje në monument, ajo përmendi se strukturat(nëse do të ketë) duhet: “Të jenë të lëvizshme, të jenë materiale të lehta, të mos hapin themele, janë kritere teknike se sa kohëzgjatja”, tha ministrja në përgjigje të pyetjes për kriteret e bashkëpunimit shtet-privat.

Për çështjen “Veliera” ministrja tha se ka zbulime nga gërmimet e bëra dhe se çdo gjë është dokumentuar. Kumbaro bëri me dije se muret mesjetare do të mbeten të zbuluara për çka është kërkuar ndryshim në projekt, që të jenë të vizitueshe. Ndërsa për Butrintin ajo tha “se u mor koha e duhur për të sqaruar çdo detaj përfshirë konsultimet me UNESCO-n. Rekomandimet e tyre përputhen me  projektin tonë, ku nuk ka ndërtim, ku ka rehabilitim të godinës ekszistuese dhe pasi mbaroi ky proces, kanë nisur punimet dhe është në mbarim reahbilitimi i kësaj pike, për ta bërë gati për sezonin që vjen”


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.