KULTURË

‘Skena e Pavarur Kulturore’: Fondi për projekte, si asistencë sociale

10:18 - 22.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Fatmira Nikolli – Është mbledhur më 17 janar, në Galeri ‘Kalo’, Forumi i Skenës së Pavarur Kulturore. Në takimin konsultativ nisi procesi i ristrukturimit të SPK-së, hartimi i statutit, zgjedhja e Bordit Drejtues dhe Grupit Koordinator.




Ndërkohë deri në ristrukturimin e saj, u ngrit një grup pune me ‘think tanks’, që do të angazhohet për çështje prioritare siç është përfshirja në konsultime publike për Projektligjin për Artin dhe Kulturën që është në proces e sipër, ku sipas ligjit për të drejtën e konsultimit publik, kërkohet përfshirja e shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit.

U nënvizua fakti që ky ligj duhet të jetë nën frymën e Konventës së UNESKO-s dhe ligjeve të Bashkimit Europian për kulturën.

Një ndër pikat e shumë debatuara ishte çështja e rikthimit të QKAK (Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës), që u shfuqizua nga Ministria e Kulturës pa asnjë argumentim ligjor bindës.

Modeli i Qendrës ishte konceptuar në bashkëpunim me ekspertë të Këshillit të Arteve në Britani, i cili mendohet se është një nga modelet më të mira kulturore, pasi e bën të pavarur vlerësimin e krijimtarisë nga ndikimi politik. SPK është një rrjet që përfshin organizata kulturore aktive në fushën e artit dhe kulturës.

SPK është rrjet me karakter dinamik, që vepron në territorin e Republikës së Shqipërisë dhe synon decentralizim të prodhimit kulturor, bashkëpunim të vazhdueshëm midis organizatave kulturore, zhvillim të audiencave në sektorin e pavarur kulturor, advokimi për modele që nxisin transparencën dhe pjesëmarrjen në politikat kulturore dhe përmirësim të politikave kulturore, që nxisnin një zhvillim më të shpejtë kulturor.

PROPOZIME
U hodh edhe ideja e ndërmarrjes së një nisme ligjore për krijimin e një fondacioni për artin shqiptar. Ky fondacion të financohet direkt nga buxheti i Parlamentit, sipas një ligji të posaçëm, njëlloj siç është ligji për krijimin e Agjencisë së Shoqërisë Civile (AMSHC).

“Kjo do të bënte që ky organizëm mos të mos varej nga buxheti i ministrisë, tekat e ministrit të radhës apo ndërrimet e pushtetit”, thuhet në njoftimin e SPK-së.

Mes të tjerash u diskutua edhe për statusi i artistit, të cilin qeveritë e majta apo të djathta nuk e kanë qartësuar, ndonëse cilësohet themeltar për organizimin e skenës artistike të vendit, si edhe për rishikimin e ligjit specifik për investimet në art, (sipas modelit francez).

Sa u takon sponsorizimeve, u diskutua përfshirja në objektivat strategjikë dhe ndryshimi sa më parë i Ligjit për Sponsorizimet, Filantropinë dhe Donacionet, që është shumë kufizues për bizneset që mund të gjeneronin fonde shtesë për financimin e kulturës.

“Përsa u përket sponsorizimeve private, duhet që Ministria e Kulturës të nxisë ligjin e sponsorizimit, në mënyrë që të gjithë kompanitë private jo vetëm ato të lojërave të fatit, të shohin interes në sponsorizimet për artin dhe kulturën.

Aktualisht kompanitë e mëdha i shpenzojnë gati 90% të buxhetit të marketingut të tyre në reklama në media, kryesisht në showbiz, (shuma që kapin vlera në qindra mijëra euro). Sfida e SPK-s është të bëhet katalizator për të korrektuar këtë situatë në favor të artit dhe kulturës elitare”, thotë njoftimi.

Një argument tjetër që u shtrua ishte autonomia e institucioneve kulturore si; Teatri, TKOPAB, Muzeume etj., në mbajtjen e të ardhurave të biletave që sigurohen nga publiku. Aktualisht institucionet mbajnë vetëm 10% e të ardhurave nga biletat, pjesa tjetër (90%) i shkon Ministrisë së Financës, e cila nga ana e saj nuk i kanalizon art dhe në kulturë, por shkojnë në drejtim të paditur për nevojat e saj.

Është gjykuar që fondi për projekte i Ministrisë së Kulturës është një mundësi për organizatat dhe shoqatat kulturore dhe artistët që të realizojnë projektet e tyre. Organizatat e SPK-s që veprojnë në fusha të ndryshme si arte pamore, arte skenike, koncerte muzikore, festivale, industri krijuese etj., shpesh përballen me një mungesë transparence dhe rregulla të paqarta meritokracie.

“Kolegjiumi i projekteve përbëhet në të shumtën e rasteve nga zyrtarë të ministrisë, ose nuk dihet fare kush janë.

Në më të shumtën e rasteve nuk janë ekspertë të fushave përkatëse”, shkruhet në deklaratë, ku shtohet se nuk jepet asnjëherë ‘feedback’-u i projekteve të dorëzuara, arsyet e skualifikimit.

Si e tillë jo vetëm nuk vlerësohet puna dhe koha e përgatitjes së shkrimit të projekteve nga organizatat, por nuk përdorin kritere vlerësimi (sistemin e pikëzimit) që do të bënte që organizatat të përmirësonin punën e tyre në thirrjen e radhës.

Për SPK-në, filozofia e shpërndarjes me pikatore të fondit për projektet e pavarura, sikur të jenë asistencë sociale, nuk krijon qëndrueshmëri të skenës, por e bën skenën akoma më të brishtë dhe të varur. Ata propozojnë metodologjinë e vlerësimit me pikëzim të projekteve sipas modelit të programit CREATIVE EUROPE të BE, që shmang konfliktin e interesit dhe klientelizmin.

Një propozim ishte ulja e TVSH-së për industrinë krijuese, galeritë e artit e të ngjashme si ato, si dhe krijimi i një kategorie që i pajis artistët me numër fiskal. “Kjo kategori nuk ka pse paguan taksë tabele, taksë gjelbërimi, taksë bashkie apo çfarë mund të dalë tjetër, pasi punon dhe shet në mënyrë shumë sporadike: një këngëtar që performon live në një bar, apo një piktor që shet një pikturë nëse duan të lëshojnë një faturë me sistemin aktual të taksave e kanë jetën të vështirë dhe nuk arrijnë të mbijetojnë në tregun e artit”, thuhet në deklaratë.

Pos këtyre, SPK-ja bën me dije se sa i takon mbrojtjes së produktit të trashëgimisë kulturore shqiptare (artizanati, dizajni etj.), duhet nxitur një ligj që takson produktet “kitch”, që vijnë nga Kina e vende të tjera jashtë BE. “Kjo taksë mund t’i shkojë buxhetit të Ministrisë së Kulturës ose bashkive ku ato shiten, taksa të cilat mund të ripërdoren për incentive për Industrinë Krijuese Shqiptare (artizanat, dizajn, produkte multimediale, industria e zbavitjes e lidhur veçanërisht me sektorin e turizmit kulturor, sektori i muzikës etj.”.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.