Intervista

Spaho: Ikën 300 mijë shqiptarë, Rama i detyruar të japë dorëheqjen

12:05 - 22.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Opozita po mobilizon në mbarë vendin shqiptarët për t’iu ku-ndërvënë Edi Ramës dhe qeverisë së tij, sipas saj, të lidhur me krimin dhe bandit. Edmond Spaho, kreu i grupit parlamentar të PD-së, thotë për “Gazeta Shqiptare” se opozita bashkë me aleatët e saj nuk do tërhiqet deri në rrëzimin e Ramës dhe krijimin e një qeverie antimafie, e cila ka si parakusht garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të barabarta.




Funksionari i lartë i PD-së mirë-pret bashkëpunimin me LSI-së, e cila sipas tij, ka të njëjtin qëllim me PD-në, largi-min e Edi Ramës, të cilin e akuzon se po zapton institucionet e shtetit për t’i shpëtuar drejtësisë.

Z.Spaho, çfarë do të ndodhë më 27 janar?  A do të rrëzohet qeveria përmes protestës apo prisni që kryeministri Rama do të detyrohet që të japë dorëheqjen?

27 janari do të jetë dita e shprehjes se zemërimit qytetar ndaj qeverisjes së kalbur, të korruptuar dhe të kriminalizuar të Edi Ramës.

Qytetarët do të shprehin kundërshtimin e tyre për vjedhjen dhe blerjen e zgjedhjeve të 25 qershorit 2017, për gjendjen e vështirë ekonomike, rritjen e taksave, të çmimeve, falimentimin e ARMO-s, korrupsionin e pafund, humbjen e vendeve të punës dhe largimet masive në emigracion.

Sikurse do shprehin kundërshtimin për kriminalizimin dhe kanabizimin e qeverisjes, për moshetimin e Saimir Tahirit, Orest Sotës, kryebashkiakët e Durrësit dhe Elbasanit.

Protestat do synojnë mobilizimin e të gjithë qytetarëve shqiptarë për t’iu kundërvënë krizës së madhe politike, ekonomike dhe morale që ka mbërthyer vendin. Do t’i kundërvihet shkaktarit të kësaj gjendjeje, që është Edi Rama dhe qeverisë së tij, të cilët nuk përfaqësojnë qytetarët shqiptarë, por trafiqet e drogës dhe krimin e organizuar në tërësi. Përditë e më shumë vendi po rrëshqet në destabilitet, për shkak të papërgjegjshmërisë së Edi Ramës.

Sot rreth 300 mijë shqiptarë nuk sigurojnë bukën e gojës, gjysma e tyre nuk janë në gjendje të paguajnë faturat e energjisë elektrike dhe ujit dhe me mijëra largohen nga vendi. Nga ana tjetër, Edi Rama po zapton institucionet njëri pas tjetrit në tentativë për t’i shpëtuar llogaridhënies dhe daljes para drejtësisë. Po ndodh ajo që opozita ka përsëritur pambarimisht. Shkeli Kushtetutën për të kapur institucionet e drejtësisë për të shpëtuar bashkëfajtorët e tij në krim dhe veten.

Nga se do të varet rezultati i protestës?

Rezultati i protestës do të varet nga përgatitjet tona për të dhe ne po bëjmë jo pak për të sensibilizuar opinionin publik për problemet e mëdha që po përballet vendi dhe nevojën e reagimit nga qytetarët.

Turi që ka ndërmarrë nëpër Shqipëri kryetari Basha dhe drejtues të tjerë të Partisë Demokratike synon krijimin e një fronti sa më të madh qytetar për t’iu kundërvënë të keqes dhe larguar Edi Ramën nga qeverisja e vendit.

S’do të ketë një “çadër 2”, por protesta të tjera…?

Do të ketë protesta njëra pas tjetrës deri sa vendi të dalë nga antikushtetutshmëria, delegjitimiteti i institucioneve dhe krijimi i premisave për t’i dhënë fund krizës politike ekonomike dhe morale.

Nuk do të ketë çadër, por kauza e çadrës mbetet aktuale. Objektivi i çadrës në radhë të parë ishin zgjedhjet e lira dhe të ndershme, të cilat sot askush nuk dyshon se u blenë me paratë e krimit dhe drogës.

Raporti i OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e qershorit 2017 ka evidentuar shitblerjen e votës si problemin e dytë më të rëndësishëm dhe ka kërkuar adresimin e këtij fenomeni kaq negativ për të sotmen dhe të ardhmen e vendit.

Një anketim i kryer nga një organizatë e huaj dhe financuar nga Bashkimi Europian ka konkluduar se 20 për qind të shqiptarëve u janë ofruar para në këmbim të votës. Me nivele të tilla të ndërhyrjes së parave me origjinë krimin përmbyset çdo rezultat zgjedhor.

Pavarësisht se çadra nuk do të jetë fizikisht, zgjedhjet e lira dhe të ndershme janë parakusht për një qeverisje sipas vullnetit të votuesve dhe institucione demokratike dhe ne do të vazhdojmë të luftojmë për to.

Opozita kërkon krijimin e një qeverie antimafie, por si duhet të funksionojë kjo qeveri? A ka nisur PD një diskutim të brendshëm lidhur me krijimin e qeverisë antimafie dhe se si mund të shkohet drejt saj?

Çfarëdo emri që të ketë qeveria, ajo duhet që të jetë e përgjegjshme për të adresuar krizën e thellë politike, ekonomike dhe morale që ka përfshirë vendin, të luftojë pa kompromis krimin e organizuar dhe korrupsionin dhe lidhjet e tij me politikën si dhe të realizoje pa vonesë reformën zgjedhore dhe zgjedhje të lira e të ndershme, ku qytetarët të votojnë për qeverinë që duan.

Bashkëpunimi aktual me LSI a do të shndërrohet në një aleance të mëvonshme PD-LSI? Nesër në pushtet a do të bashkëqeverisni sërish me LSI-në?

Ne jemi në një aleancë të partive të djathta dhe u qëndrojmë të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kjo aleancë. Sot imperative për vendin është rrëzimi i qeverisë së Edi Ramës. LSI është në opozitë dhe e gatshme të kontribuojë për të arritur këtë qëllim.

Ajo është pjese e frontit opozitar për të rrëzuar Edi Ramën dhe klikën e tij dhe ne mirëpresim këdo që do i bashkohet këtij qëllimi të partive opozitare dhe qytetarëve shqiptarë.

A i qetësoi PD-ja aleatët e saj pas pakënaqësive të shfaqura për faktorizimin e LSI-së, ndërkohë që ata janë aleatët tradicionalë?

Koalicioni që kemi me partitë e djathta është koalicion vlerash, ndryshe nga bashkëpunimi me pjesën tjetër të opozitës, LSI, e cila ka qenë në qeverisje me PS-në, por edhe me PD-në në të shkuarën.

Do ishte jonormale për PD-në që të mos shfrytëzojë kapacitetet për t’iu kundërvënë qeverisë së Edi Ramës. Sa kohë LSI ka vullnetin për t’iu bashkuar protestave për rrëzimin e Edi Ramës, do ishte pa shkak t’i thoshim “jo” LSI-së për ndarjet ideologjike.

Mund të ketë ndonjë të pakënaqur, por objektivi kryesor është rrëzimi i qeverisë së Edi Ramës për gjërat negative që po i shkakton vendit.

Edhe sa kohë do të vazhdojë marrëdhënia e kushtëzuar me Kuvendin?
Nuk mund të sillemi sikur nuk ka ndodhur gjë. Shqipëria po rrëshqet, u blenë zgjedhjet e 25 qershorit, po rrënohet reforma në drejtësi, po rrënohet pakti i korrikut 2016, si dhe zhvillimet tejet negative për lidhjet e qeverisë me grupet kriminale.

Ju e dini dosjen e Saimir Tahirit, i dini akuzat për kryebashkiakun e Durrësit dhe Elbasanit, kapjen e sistemit të drejtësisë dhe emërimin me dhunë të kryeprokurorit të përkohshëm.

Nuk bëhet fjalë për përkohshmëri, por për ndërhyrje në sistemin e drejtësisë. Pas emërimit iu lirua pasaporta Saimir Tahirit, u lirua Orest Sota, që u kap me 863 mijë euro dhe dy pasaporta të Tahirit, u lirua edhe një i arrestuar për “Xibrakën”. Kjo vërteton atë që përmes lëvizjeve në prokurori, mazhoranca synon të mbrojë Edi Ramën dhe bashkëpunëtorët e tij, të cilët drejtësia po synonte t’i vendoste përpara përgjegjësisë.

Ne do të përgjigjemi, do reagojmë, marrëdhënie e kushtetëzuar ka të bëjë me kthimin e legjitimitetit të institucioneve. Sa kohë mazhoranca do shkelë Kushtetutën, ne s’mund të sillemi sikur jemi në kushte normale.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.