Kryesore

“Burrin dhe vjehrrën i gjeta pa shenja jete, orenditë e dhomës ishin djegur”

11:35 - 23.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

VLORË  – Vrasja dhe më pas djegia e nënë e bir në banesën e tyre ka alarmuar policinë e Vlorës, e cila në bashkëpunim me prokurorinë po hetojnë intensivisht për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë që ka tronditur opinionin publik.




Një ditë pas vrasjes së dyfishtë të ndodhur në lagjen “1 Maji” të qytetit bregdetar janë shoqëruar dhe marrë në pyetje 10 persona, mes të cilëve bashkëshortja e viktimës Olsi Hoxhallari, Hysnija dhe ish-kunata e tij, Afërdita Hoxhallari së bashku me dy vajzat.

Ndërkohë, burime zyrtare nga policia e qytetit bregdetar dje pohuan se është shpallur në kërkim një banor i zonës ku banonin viktimat Salkie Hoxhallari, 73 vjeçe dhe i biri, Olsi 43 vjeç.

Për arsye hetimore, emri i personit të shpallur në kërkim nuk bëhet me dije. Ndërkohë, pohohet se shënjestra e tij ishte 43-vjeçari, i cili dyshohet se mund të jetë goditur me sëpatë në kokë, ndërsa nëna e tij e moshuar është mbytur me tel, ndërsa flinin.

Grupi hetimor ka dyshime se nënë e bir janë vrarë nga një person i afërt në befasi, pasi fqinjët nuk kanë dëgjuar asnjë gjë.

Një prej të dyshuarve për ngjarjen është dhe bashkëshortja e Olsi Hoxhallarit.

Në dëshminë e saj para hetuesve të çështjes, nëna e një djali 3 vjeç, është shprehur se ka qenë me burrin dhe vjehrrën deri pak orë para ngjarjes dhe vetë ata i kanë kërkuar që të shkojë të vërë djalin e vogël për të fjetur.

DËSHMIA E GRUAS SË VIKTIMËS

“Rreth orës 11:30 minuta e lashë tim shoq dhe vjehrrën duke parë televizor dhe kalova në dhomën tjetër për të fjetur. Nuk kam dëgjuar asgjë. Rreth orës 4 të mëngjesit më zgjoi një si zhurmë, shpërthim, pashë tym e flakë dhe thirra menjëherë komshinjtë për ndihmë.

Kur shkova, derën e gjeta të mbyllur nga brenda dhe e hapa me forcë. Kur hyra brenda në dhomë, i gjeta të dy pa shenja jete, ndërsa orenditë ishin djegur thuajse të gjitha”.

 

Kështu është shprehur gjatë marrjes në pyetje Hysnie Hoxhallari, bashkëshortja e 43-vjeçarit Olsi Hoxhallari, i cili u gjet i masakruar mëngjesin e së dielës së bashku me të ëmën, Salkien, ndërsa skenës së krimit i ishte vendosur zjarri për të zhdukur gjurmët. Grupi i hetimit ka një dyshim për dinamikën e masakrës në familjen korçare, e cila prej 15 vitesh kishte ndërtuar jetën në Vlorë.

Për zbardhjen e ngjarjes po hetohet në disa pista. Dyshohet se nën e bir mund të jenë vrarë nga një person i afërt, por po hetohet dhe për ndonjë konflikt të mundshëm që mund të ketë pasur 43-vjeçari Oli Hoxhallari në Greqi. Ndërkaq, dje u zhvillua ceremonia mortore e nënë e bir, në të cilën morën pjesë miq e të afërm si dhe banorë të qytetit të Vlorës nga ky krim i rëndë dhe ende pa autor.

HETIMI

Dyshimi kryesor i hetuesve është se masakra nuk ka ndodhur për grabitje.

Kjo për faktin se është konfirmuar se në të njëjtën dhomë ku u vranë nënë e bir, hajdutët nuk e kanë vjedhur shumën prej 3 mijë eurosh. Burime nga grupi hetimor pohuan se Olsi Hoxhallari kishte ardhur për festat e fundvitit nga Greqia ku edhe ishte emigrant dhe pritej që të largohej sërish, ndërkohë që nusja e tij Hysnia jetonte bashkë me vjehrrën, Salkien.

Dyshimi kryesor i prokurorisë është se vrasësi apo vrasësit jetojnë në lagjen ku ndodhi krimi dhe ky është shkaku që janë pyetur gjatë shoqërimeve në komisariat disa persona. Në listën e të pyeturve në polici ishte edhe Afërdita Hoxhallari së bashku me vajzat. Kjo e fundit ka qenë nusja e djalit të 73-vjeçares së vrarë (dje deklaroi se ishte divorcuar para 7 vitesh). Ish-bashkëshorti i saj gjendet në burg për vjedhjen e një shume prej 12 milionë lekësh të vjetra në banesën e të vëllait, Olsi Hoxhallari.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.