AKTUALITET

Nis fushata mbi pagesat e prapambetura të ujit të pijshëm

11:41 - 23.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Voltiza Duro – Ka nisur fushata e ndërgjegjësimit të qytetarëve mbi pagesën e faturave të prapambetura të ujit të pijshëm si dhe lidhjen e kontratave të reja. Bashkia e Tiranës po merr të gjitha masat e duhura në mënyrë që konsumatorët debitorë të kryejnë pagesat.




Ndërkaq, pas përfundimit të fushatës ndërgjegjësuese, së bashku me Policinë e Shtetit do të verifikohen abuzuesit, duke nisur nga bizneset e prej 1 shkurtit të gjitha bashkitë në vend do të kontrollojnë nëse janë kryer pagesat e faturave nga vetë punonjësit.

Këta të fundit duhet të nënshkruajnë një deklaratë e të paraqesin edhe një kopje të librezës që vërteton se pagesat e ujit janë kryer.

Ndërkohë, Bashkia e kryeqytetit bën me dije se do të bëjë të gjitha investimet e nevojshme për rehabilitimin e rrjetit të ujësjellës-kanalizimeve në Tiranë.

Gjithashtu, ditën e djeshme ka pasur një defekt në rrjetin e ujit të pijshëm në rrugën “Ibrahim Rugova”, problematikë e raportuar nga vetë banorët e zonës. Por Bashkia ka ndërhyrë duke i dhënë një zgjidhje të shpejtë situatës e brenda pak orëve rifilloi furnizimi normal.

Në mbledhjen e organizuar tre ditë më parë nga Shoqata për Autonominë Vendore, u theksua se nga muaji shkurt, grupet e taks-forcës do të jenë në terren për t’i dhënë fund vjedhjes së ujit të pijshëm.

Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi para 45 homologëve nga mbarë vendi se duhet t’i jepet fund situatës së shpërdorimit të ujit të pijshëm, si dhe do të merren masa për rritjen e pagesave, me qëllim realizimin e investimeve dhe përmirësimin e shërbimit për qytetarët.

Kështu deri në fund të janarit të këtij viti, qytetarët në mënyrë vullnetare mund të lidhin akt-marrëveshjet me Ujësjellësin nëse janë debitorë; apo të vënë matësit, nëse nuk i kanë pasur më parë.

Gjithashtu, ata duhet të shlyejnë detyrimet, duke parandaluar kështu vjedhjen apo shpërdorimin e ujit të pijshëm. Për të pasur një zgjidhje konsensuale me qytetarët, gjatë këtyre dy javëve të fundit të janarit, po mbahet një fushatë lokale për informimin e sensibilizimin e popullatës lidhur me këtë çështje.

Ndërkohë, brenda janarit, secila prej bashkive do të lidhë një marrëveshje me Agjencinë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, e cila do të ofrojë asistencë për projektet dhe investimet e reja në ujësjellës. Objektivi kryesor është që 90% e konsumatorëve të pajisen me matësa uji, të cilët bëjnë një faturim të drejtë, brenda një kohe të shkurtër.

Kryebashkiaku nënvizoi se pikërisht eficienca e arritur me miradministrimin e ndërmarrjes së UKT-së dhe shëndoshja e financave, ka sjellë edhe afrimin e donatorëve, të cilët janë të gatshëm që të mbështesin rritjen e mëtejshme të investimeve në rrjetin e furnizimit me ujë të pijshëm të konsumatorëve në kryeqytet.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.