OPINION

Protesta e 27 janarit, një shans apo ngërç i ri politik

07:40 - 23.01.18 Rovena Hoxha
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ditë e javë të tëra po dëgjojmë thirrjet e shumta të liderëve të partive ndryshme opozitare për pjesëmarrje të të gjithë popullit anembanë vendit në protestën e këtij fund janari 2018-të.




Por, kujt i shërben kjo protestë që po vjen këtë dimër me kaq vrull?

“Protestat do të nisin në 27 janar dhe nuk do të përfundojmë pa largimin e kryeministrit Rama nga qeverisja; – kështu u shpreh sekretari i përgjithshëm i PD-së, A. Ristani duke shtuar se, zgjidhje politike me Edi Ramën nuk mund të ketë.

Qëllimi saj është të rrëzojë qeverinë e drogës dhe të kanabisit, ndërsa mjeti për ta arritur këtë është gjithë populli, i cili mendon se duhet të bashkohet për një qëllim?! Rreth kujt? Për ku, deri kur do shpresojë ky popull?

Me kë të bashkohet ky popull i zhgënjyer në vite e vite me radhë?

E ndërsa protagonistë të ndryshëm të organizimit të protestës flasin për keqqeverisjen e vendit, rritjen e taksave, korrupsionin galopant që e kanë ngritur po vetë, populli është i hutuar e skeptik, dhe nuk beson më tek askush prej tyre. Kjo do të thotë se opozita mikse dhe e bashkuar është e paaftë për t’i kthyer shpresën e vrarë të shqiptarëve.

Ajo i ka duart e ndotura, ndaj nuk ka patos e shpirt frymëzues për ta ringritur këtë popull. Ju kujtohet thënia e mençur e tij “njeriu e di mirë, se ku pikon çatia….!”, megjithëse protesta do të zhvillohet para kryeministrisë, forca e saj nuk mund të qëndrojë aty.

Nuk e bën kjo masive protestën, por vizioni i saj, idealet e popullit, vlerat e vërteta njerëzore e integriteti moral. Fjalë të bukura e premtime të bujshme po na vijnë gjer në fyt! Këta që na thërrasin për të shkuar në protestë, na duan kaq shumë?! Vërtet kujt i shërben kjo protestë? A duhet të besojmë e të bashkohemi për të protestuar për të drejtat tona?

Populli vazhdon agoninë e tij 27-vjeçare i drobitur nga varfëria totale….

Dëgjon, hap sy e vesh e nuk kupton më asgjë, nuk i beson më askujt. Ka punuar, dhe nuk është paguar; ka vuajtur, dhe nuk është shpërblyer; ka reaguar, dhe nuk ka fituar; ka protestuar, dhe sot ndodhet në buzë gremine.

Opozita e bashkuar, “në një bashkim të natyrshëm të forcave pa dallim feje, krahine edhe ideje” i shtrin dorën për revoltë: “të rrëzojmë qeverinë e krimit e të drogës” dhe pastaj “në pushtet të vij unë!”. Po unë, L.Basha, përse jo?!

Vetëm slogani i protestës, qenka frymëzuar nga një këngë e hershme e John Lennon, kënga i përket vitit 1971. Protesta mbështetet nga populli, kur ai frymëzohet nga kauza të mëdha, të cilat populli i ndjen vetë e shpërthen me forcë e kurajë. Kjo protestë nuk ka bosht dhe as kaos, ndaj populli , ndonëse po vuan gjer në palcë nuk e gjen zgjidhjen e vet aty, sepse e di mirë tashmë prej një çerek shekulli, se pushteti është në shërbim të pushtetarëve, të cilët po i vjedhin e mashtrojnë pafund.

Populli shqiptar tani i njeh kokë me kokë “liderët” e tij, dhe nuk shpreson më tek asnjëri prej tyre, pasi u dha besimin, u dha votën, u dha rininë, u dha shpresën për të ardhmen, sot nuk mund t’u japë edhe jetën e bijve të vet. Jeta e tyre shkoi dëm gjithë këtë çerekshekulli! Dhe ato vite po bëhen 30-te, tani bijtë e tyre i kanë sytë nga Europa me diplomat e kyçura në dollapët e vet.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.