Kryesore

Skenari i opozitës, të gjitha detajet e protestës së 27 janarit

10:07 - 23.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Valentina Madani – Të shtunën në orën 12:00 opozita proteston për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e një qeverie antimafia si e vetmja mundësi, sipas saj, që mund të garantojë zgjedhje të lira dhe të barabarta.




Në Partinë Demokratike është vetë kryetari Lulzim Basha, dy nënkryetarët, Edmond Spaho dhe Edi Paloka, sekretari i përgjithshëm Arben Ristani dhe kreu i FRPD-së Belind Këlliçi, të cilët drejtojnë turin e takimeve në mbarë vendin.

Mësohet se qëllimi i tyre është që të bindin njerëzit për një pjesëmarrje sa më të fuqishme në Tiranë ditën e shtunë, më 27 janar.

Por krahas drejtuesve të lartë të PD-së, janë edhe zyrtarët e tjerë demokratë si dhe grupi parlamentar i shpërndarë në mbarë Shqipërinë për takime të drejtpërdrejta me qytetarët. Ditën e shtunë protestuesit do të mblidhen në selitë përkatëse dhe më pas do të marshojnë nga sheshi “Skënderbej” në drejtim të Bulevardit.

Protesta pritet që të zgjasë, por ende nuk ka një afat të caktuar.

Mësohet se në tribunë do të ngjiten qytetarë të ndryshëm nga mbarë vendi të përzgjedhur nga PD dhe LSI, ndërkohë që fjalimet e vetme politike do të jenë vetëm nga kreu i PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi.

Parullat do të kenë në fokus krimin dhe lidhjet e pushtetarëve me krimin e organizuar. Më 27 janar opozita do të denoncojnë skandalet qeveritare, ndërsa kërkon largimin e Ramës, pasi sipas tyre ka ardhur me vota të vjedhura dhe të blera nga krimi e droga.

Porosia

Kreu i PD-së, Lulzim Basha kërkoi dje nga deputetët të denoncojnë fort në foltoren e Kuvendit krimin dhe korrupsionin në nivelet e larta të shtetit. Grupi parlamentar i Partisë Demokratike gjatë mbledhjes së djeshme kishte në fokus të diskutimeve pikërisht protestën e 27 janarit.

Duke iu referuar burimeve nga mbledhja, mësohet se Basha ka porositur deputetët për seancën parlamentare të së enjtes, duke u kërkuar të përdorin kohën e tyre për të bërë thirrje për pjesëmarrje në protestë. Ky do të jetë edhe qëllimi i deklaratave të deputetëve të PD-së në seancën e së enjtes.

“Në fokus të diskutimeve në parlament duhet të jetë protesta e 27 janarit. Faktet, varfëria, krimi, korrupsioni”, mësohet të jetë shprehur z.Basha.

Burime brenda mbledhjes bëjnë me dije se z.Basha ka kërkuar nga deputetët që përveç aktivitetit parlamentar, të zbresin edhe në bazë duke takuar njerëz e për t’i ftuar ata që t’i bashkohen protestës së 27 janarit. Lëvizjet e opozitës vijnë pas zgjedhjes së kryeprokurores Arta Marku në seancën e 18 dhjetorit 2017, ku sipas PD dhe LSI u shkel rëndë Kushtetuta dhe u minua besimi te drejtësia.

Takimi

Kreu i PD-së ftoi dje shqiptarët të bëhen pjesë e protestës më 27 janar për t’i dhënë fund qeverisjes me dy standarde, që favorizon klientët dhe bandat që e mbajnë në pushtet dhe ngarkon me taksa qytetarët. Z.Basha tha në aktivin e Korçës se pasoja kryesore e blerjes së zgjedhjeve dhe bashkëqeverisjes së Ramës me krimin është varfërimi i shqiptarëve dhe pasiguria për të ardhmen.

Z.Basha theksoi se për shkak të mungesës së llogarisë para qytetarëve, Edi Rama ka vënë pasuritë e shqiptarëve në shërbim të një pakice, nëpërmjet të cilës pasurohet për vete dhe blen pushtetin e tij.

Kreu i PD-së vuri në dukje se prioriteti madhor i Edi Ramës është të vendosë drejtësinë nën kontroll për të garantuar paprekshmërinë e çdokujt me të cilët mban pushtetin apo ia kërcënon atë. “Ne sot kemi një prokuror të emëruar pa veting. Përse? Për t’i kthyer pasaportën Saimir Tahirit, për të prishur gjyqin e Emiljano Shullazit, për të bërë të pakapshëm Klement Balilin, i cili bredh nën hundën e policisë, nga mesi i Tiranës në lokalet e Sarandës”, – tha Basha”, – u shpreh kreu i PD-së.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.