Fol me Psikologen

“Vjehrra po ma heq mendjen, përzihet dhe në marrëdhëniet seksuale me burrin”

17:01 - 31.01.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jam Shyhretja nga Kosova. Kam dy fëmijë të vegjël, 2 dhe 4 vjeç dhe jetoj me njerëzit e burrit. Vjehrra po ma heq mendjen. Me mish e me gjak po i rris ata fëmijë, por ajo përzihet në gjithçka edhe në marrëdhëniet seksuale me burrin. Kur i kam fëmijët sëmurë më thotë merru me fëmijët, lëri punët, pastaj fillon e thotë ç’është kjo erë e keqe që vjen në kuzhinë. Sa filloj të bëj gjellën vjehrra vetëm më kontrollon, hidhi kripën, hidhi këtë e hidhi atë. Për të më ndihmuar as nuk lëviz nga vendi. Flet vetëm me vajzat e saj, sa afrohem unë e ndalojnë muhabetin. Kunatat vetëm më kërkojnë llogari dhe s’më japin fare ndihmë as për punët e shtëpisë dhe as për fëmijët. Më thuaj si t’ia bëj, jam aq e lodhur sa më duket ndonjëherë sikur truri po më shpërthen.




-E dashur Shyhrete, së pari të përshëndes dhe të falënderoj shumë që më ke shkruar. Atmosfera familjare të cilën ti përshkruan ngjan gati një luftë ku të gjithë me në krye vjehrrën të janë vënë kundër. Historia na ka treguar përherë se raporti mes nuseve dhe vjehrrave është i vështirë. Nëna ka qenë personi që zinte gjithë hapësirën personale të të birit për shkak të vetë marrëdhënies nënë –bir, ajo e ka sjellë në jetë, e ka ushqyer, e ka rritur etj, ndërsa tani ti si nuse ke hyrë në këtë hapësirë dhe ke “cënuar” pozicionin e saj. Andaj kjo lloj marrëdhënie priret të dominohet nga xhelozia dhe konfliktualiteti.

Ngarkesa psikoemocionale nga njëra anë dhe ajo fizike nga ana tjetër si nënë e 2 fëmijëve kaq të vegjël, është mëse e kuptueshme, ndaj që kjo situatë të mos agravojë duhet që në familje të vendosen rregulla. Së pari të lind detyra të flasësh me bashkëshortin tënd, mos e lejo që ai të qëndrojë i papërfshirë në këtë histori e të mos prish rehatinë e tij.

Duhet ta diskutoni në çift dhe duhet të jetë ai i pari që të flasë me nënën e tij, pra duhet t’i thotë asaj vendimin tuaj të përbashkët: “Ne kemi vendosur që…”

Të gjitha tentativat për të të urdhëruar, për të të mësuar se si bëhen gjërat duke filluar nga gjella e gjithë të tjerat janë tentativa për të treguar që ajo është sërish zonja e parë. Ajo që më shqetëson është mentaliteti i vjetruar tashmë ku nusja shihet si shërbëtorja e shtëpisë. Me qetësi shpjegoji se ke nevojë për ndihmën e saj, nuk mund të bësh gjithçka e vetme dhe secili prej pjesëtarëve të familjes duhet të japë kontributin e tij që shtëpia të qëndrojë e pastër. Megjithatë duhet kujdes, mos u bëj agresive, përpiqu të vihesh dhe ti në lëkurën e saj për ta kuptuar,  nëse vazhdon e njëjta situate, bëja të qartë kufijtë: “Të respektoj si nënën e bashkëshortit, por nëse do që të kuptohemi e të shkojmë  mirë me njëra -tjetrën, duhet që edhe ti të më respektosh njësoj dhe të mos përzihesh në gjëra që nuk të takojnë”.

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.