Speciale

Një jetë në rrugën e Zotit, presidenti Ilir Meta dekoron Sulejman Rexhepin

09:53 - 02.02.18 Gazeta Shqiptare

Ferdinand Samarxhi, Mjeshtër i Madh –  Në rrugëtimin e jetës, të punës, të një gazetari për gati afro gjysmë shekulli përjetohen dhe përcillen shumë ngjarje, episode, ndodhi që fiksohen në celuloid.



Shumë prej tyre, të prekshme, motivuese, treguese për historinë dhe kohët e tyre.

Në foto: Presidenti i Shqipërisë i dorëzon dekoratën kryetarit të BFI, S.ef Rexhepit 

 

Ishin ditët e para të agut të demokracisë dhe në një ditë të bukur të historisë së tyre do të takoja bariun e urtë të grigjes Don Ernest Troshanin, bariun e dhembshur që edhe pse kishte vuajtur vite të tëra në burgjet e territ, vuante shumë, se e donte shumë grigjën e tij.

Ishin vite kur terri ishte përhapur si një epidemi dhe bariu i varfër e i vuajtur Don Ernest Troshani do të përkëdhelte me dhimbsuri e dashuri çdo anëtar të grigjës. Lumnimi i Jezu Krishtit do t’i shpëtojë të gjithë, grigjën e tij.

E zëri i bariut të urtë në altar u përhap dhe kumboi si një simfoni pa mbarim, si një sakrileq i dashurisë hyjnore për të gjithë njerëzit që e kishin ëndërruar atë. E bariut tonë me grigjën e tij gëzoi ditët e u rrit dhe zëri i tij në altarin e shenjtë tashmë nuk flet dhe nuk thërret më vetëm për grigjën e tij por, për gjithë kombin, për gjithë galidhenë e madhe të kombeve.

Në foto: Sulejman efendi Rexhepi: Një jetë e tërë, një përkushtim për rrugën e Zotit, besimin, integritetin kombëtar, nga një bari i thjeshtë, sot një lider i madh, një kolloz i shpirtit të Zotit dhe i kombit

 

Bariu im që unë e desha dhe e përcolla për çdo ngjarje, për çdo sakrileq të tij tashmë është kardinali ynë, tashmë është edhe më shumë jo vetëm për kombin tonë por për gjithë krishterimin, për gjithë njerëzit e kësaj bote, Princ Botëror i Kishës. E kështu shkruaj historinë çdo ditë me të, tashmë jo me një bari të thjeshtë të vuajtur e të dashur por me Kardinalin tonë, Princin Botëror të Kishës Botërore.

Ende kur liria nuk kishte ardhë, kur të gjithë ëndërronim dhe luteshim për zotin, fshehurazi, në rrugëtimin tim të punës dhe të jetës së një gazetari, do të njihja një njeri, një djalë të ri, që në mendimin dhe vizionin e tij pranonte më mirë ti vendoseshin hekurat ndër duar sesa të mos gëzonte lirinë dhe të luteshe për zotin.
Ky ishte Edmond Brahimaj, djali që vinte nga një familje me rrënjë dhe tradita të forta bektashiane.

Nga familja e tij kleriku bektashian Dede Ahmet Myftari kishte përcjellë te ai frymën dhe dashurinë e thellë për Zotin, për rrugën e tij. E rruga që nisi me plot devocion, përkushtim përcolli tek ai jo vetëm dashurinë për të gjithë njerëzit e vendit të tij por më shumë, për të gjithë besimtarët bektashianë në të gjithë botën ku gjenden si Kryegjysh i tyre. E kështu vazhdoi të shkruaj historinë me të, jo më si një bari i thjeshtë por si një Kryegjysh Botëror, si një lider i madh Shpirtëror…

…Në fillimet e para të rrugëtimit tim edhe pse nuk isha njohur ende me të, prej kushteve politike të mbylljes së Shqipërisë, kisha dëgjuar shumë për një njeri të madh që emri dhe zani i tij fliste dhe përcillte shumë për kombin, për Zotin, për Shqipërinë tonë. E vegimi për të çdo ditë më shtohej kureshtja gjithnjë e më shumë.

Njeriu i madh për të cilin unë kisha dëgjuar do të më emociononte që në takimin e parë. U njohëm dhe u miqësuam si pjesëmarrës në një kongres botëror që mbahej për besimin islam në Washington.

Që nga ajo ditë miqësia gjithnjë e më shumë rritej për të, gjithnjë e më shumë figura e tij rritej para të tjerëve për idealet që përcillte për kombin, për atdheun, për zotin, për islamin, identitetin kombëtar. Ky ishte Reisul Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepi për të cilin unë dua të tregoj në pak rreshta jetën, punën, përkushtimin, dashurinë që ushqen ai, për kombin, për atdheun, për Shqipërinë, për besimin, rrugën e tij, indinjitetin dhe frymën kombëtare të islamit.

Në një ceremoni zyrtare, në presidencën e shtetit shqiptar, njeriu me të cilin unë u njoha, nuk u ndava kurrë, u vlerësua, me dekoratën më të lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” .

Duke punuar dhe mësuar shumë, duke qenë shumë pranë tij, tregimi im për të do të rrjedh si një dashuri e veçantë për njerëzit që unë njoha, u rrita, luftova dhe punova bashkë me to për rrugën e zotit, për dashurinë që lindën dhe ushqyen ata tek të gjithë njerëzit, për dashurinë, bashkëjetesën harmoninë dhe tolerancën fetare që promovuan dhe përçuan ata.

Që në fillim dua të them se arritjet dhe sukseset e Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë janë të lidhura ngushtës me jetën, punën, përkushtim, devocionin e Reisul Ulemasë H. Sulejman ef. Rexhepit.

Jo rastësisht, historia jonë kombëtare ka rezervuar vend të ndritshëm për shumë personalitete nga komuniteti i klerikëve myslimanë, të cilët kanë lënë gjurmë të përhershme në sferën e angazhimeve gjithëkombëtare. Pavarësimi i Maqedonisë më vitin 1991, logjikisht do ta përshpejtojë edhe pavarësimin e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, e cila, që në start do të bëhet një problem i patejkalueshëm për politikat sa diskriminuese aq edhe shoviniste të qeverisë maqedonase e cila, ndonëse tashmë e pavarur, assesi të shkëputej nga ndikimi i politikave serbe antishqiptare.

Bashkësia Islame e Maqedonisë, që në pavarësimin e saj, do të udhëhiqet për herë të parë nga një hoxhë atdhetar shqiptar, i njohur edhe më herët si “shqiptar i papërshtatshëm” për politikat maqedonase. Ky Institucion do të jetë ndër promotorët kryesorë të formimit të partisë së parë shqiptare në Maqedoni (Partisë për Prosperitet Demokratik) si dhe do të jetë iniciues i shumë lëvizjeve të reja kombëtare në Maqedoni.

Në fillimet e pluralizmit në Maqedoni, qarqe të ndryshme shovene po planifikonin ndryshim të historisë dhe përvetësim të ngjarjeve të rëndësishme, me çka, shumica absolute e myslimanëve të vendit, pra shqiptarët, tentohej të paraqiteshin si të ardhur, apo si uzurpatorë të Maqedonisë.

Me iniciativën këmbëngulëse të Kryetarit të BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepit, përkundër shumë kërcënimeve të pushtetit të atëhershëm maqedonas, Bashkësia Islame e Maqedonisë do të jetë organizatore e Simpoziumit Gjithëkombëtar, në të cilin do të tubohen qindra shkencëtarë shqiptarë nga e gjithë bota dhe ku do të debatojnë mbi lashtësinë dhe autoktoninë e shqiptarëve të Maqedonisë.

Natyrisht që ky simpozium do të bëhet mburojë e pathyeshme karshi përpjekjeve dhe strategjive të pseudo-akademikëve maqedonas për ta minimizuar rolin dhe peshën e shqiptarëve myslimanë në këto troje.

Bashkësia Islame e Maqedonisë ngriti zërin kombëtar nëpër qarqe e forume të ndryshme ndërkombëtare kundër shumë padrejtësive që po u bëheshin shqiptarëve në hapësirat e ish-republikave jugosllave. Kësisoj, Bashkësia Islame e Maqedonisë, si në planin e brendshëm ashtu edhe në atë të jashtëm, i kishte dhënë vetes obligim të shpaloste nëpër botë edhe shqetësimet kombëtare të shqiptarëve.

Në këtë periudhë, shumë shërbime e shoqata të ndryshme, nën pretekstet e besimit si dhe të humanizmit, do të përpiqen që ta dëmtojnë kauzën shqiptare në rajon, por, Bashkësia Islame e Maqedonisë, respektivisht, kryetari i saj H. Sulejman ef. Rexhepi, nuk do të lë shtet të Lindjes së Mesme, apo përfaqësues diplomatikë, kongrese, universitete e akademi të shteteve turko-arabe ku nuk do të ngrejë zërin kundër këtyre tentativave antiislame, që mbi të gjitha synonin dëmtimin e kauzës kombëtare të shqiptarëve në Maqedoni, Kosovë, Mal të Zi e në Luginën e Preshevës.

Një nga politikat kryesore të BFI-së ka qenë avancimi i zhvillimit arsimor të shqiptarëve myslimanë nga niveli i mektebeve në shkollim të mesëm dhe të lartë. Kësisoj, në periudhën prej një dekadë e gjysëm, BFI-ja do të bëhet edhe me Medresenë e vet “Isa Beu” por edhe me Fakultetin e Shkencave Islame.

Në këtë projekt strategjik, nuk ishte në plan të parë vetëm kultivimi i kuadrit arsimor e shkencor islam, por, mbi të gjitha, që kuadri shqiptar të dalë nga institucionet shkollore autoktone, ku teologët do të kaliteshin në mesin e një tradite, të një kulture, të një filozofie të të jetuarit dhe të logjikuarit ashtu siç ishin zhvilluar me shekuj në trevat tona autoktone.
Ishte angazhimi permanent i Kryetarit të Bashkësisë Islame, H. Sulejman ef. Rexhepit, për sigurimin e sa më shumë kuotave dhe bursave për të rinjtë tanë nëpër fakultete të ndryshme në qendrat universitare gjithandej Lindjes së Mesme dhe më gjerë.

Në historinë e Universitetit të parë në gjuhën shqipe në Maqedoni, Universitetit të Tetovës, emri i Bashkësisë Islame si dhe i Kryetarit H. Sulejman ef. Rexhepi, do të mbeten të gdhendura në historinë e artë të kombit tonë, pasi kontributi i BFI-së dhe i efendi Rexhepit në hedhjen e hapave të para të Universitetit të Tetovës është i pamohueshëm.

Në foto: Ferdinand Samarxhi: Çaste emocionante me bariun e mirë që e njoha, u përkushtova dhe sot krenari për dekoratën e lartë të jetës e të punës së tij

Emri i efendi Rexhepit është në mesin e nismëtarëve të parë të këtij projekti kombëtar. Ligjëratat e para dhe rektorati i parë i këtij Universiteti do të zhvillohen pikërisht në pronat e Bashkësisë Islame të Maqedonisë, madje në çastet vendimtare kur kundër këtij Universiteti ishte ngritur tërë aparati i dhunës shtetërore maqedonase. “Po të mos ishte Sulejman Rexhepi nuk do të ishte Universiteti i Tetovës, deklaron dhe thekson Prof. Fadil Sulejmani, dekani i parë i UT, në tubimin e mbajtur në Bogovinjë të Tetovës”.

Bashkësia Islame e Maqedonisë, Kryetari i këtij Institucioni, efendi Rexhepi, përveç që do të flasë për pozitën dhe politikat diskriminuese shtetërore kundër myslimanëve (pra, të shqiptarëve) të Maqedonisë, do t’i sensibilizonte opinionin dhe për pasojat e një lufte gjithëballkanike nëse nuk do të realizohej sa më parë pavarësia e Kosovës si dhe një luftë eventuale serbo-shqiptare në Kosovë ku mund të përfshinte edhe Maqedoninë. Atëkohë, zëri artikulues i politikave kombëtare shqiptare në hapësirat e ish-Jugosllavisë ishte LDK-ja e Ibrahim Rugovës. Dhe, efendi Sulejman Rexhepi, jo njëherë ka arritur që të organizojë takime të krerëve të kësaj Partie me burra shteti dhe diplomatë të huaj pikërisht në selinë e Kryetarit të BFI-së.

Duke qenë në rrjedha dhe i informuar nga qarqet kombëtare e ndërkombëtare për çastet e vështira që mund të imponohen si pasojë e politikave shoviniste e raciste të Serbisë millosheviçjane, Bashkësia Islame e Maqedonisë me kohë kish marrë të gjitha masat që në rast nevoje të jetë në krye të detyrës konform organizimit të saj. Prandaj, në një afat rekord i sistemoi mbi 20 mijë boshnjakë të ikur nga agresioni serb në Bosnjë-Hercegovinë. Të gjithë këta myslimanë i sistemoi nëpër shtëpitë shqiptare në Maqedoni, duke i mbajtur pa kurrfarë problemi me muaj të tërë.

Në foto: Islami është besim kombëtar me integritet dhe dinjitet

 

Natyrisht, duke pasur teologët e vet të përfshirë edhe në strukturat e celulave të para të armatosura të shqiptarëve të Kosovës, e priste ditën kur Kosova do të gjendej nën një presion të tmerrshëm të pastrimit etnik. H. Sulejman Rexhepi bashkë me teologët e vendit, tashmë e kishin sensibilizuar tërë opinionin shqiptar të Maqedonisë që, të gjitha shtëpitë, dhe, nëse e do nevoja edhe të gjitha xhamitë e vendit, të hapnin dyert si dhe të përgatiteshin për një valë të madhe të refugjatëve nga Kosova.

Kështu dhe ndodhi, BFI-ja arriti që të strehojë dhe të përkujdeset për qindra mijëra shqiptarë që u dëbuan nga Kosova, ndërsa, pa dyshim që, selia e saj u bë edhe stacion pritje e ushtarëve të plagosur të UÇK-së që i përcillte për në qendrat spitalore turke për rehabilitim të mëtejmë.

Synim gjithëkombëtar pa dyshim ishte avancimi i statusit politik të shqiptarëve të Maqedonisë. Jo njëherë faktori politik shqiptar por edhe BFI-ja kishte tërhequr vërejtjen se nëse nuk do të ketë reflektim nga ana e qeveritarëve maqedonas, një avancim i tillë mund të shoqërohej përmes ndonjë konflikti të armatosur. Ndodhi edhe konflikti i vitit 2001 në mes të shqiptarëve dhe maqedonasve në Maqedoni dhe, krejt kjo përfundoi me arritjen e një marrëveshje që tashmë njihet si “Marrëveshja e Ohrit”, e cila ndikoi drejtpërdrejt në ndryshime Kushtetuese të vendit. Me këtë rast, u sendërtua edhe kërkesa e kahershme e BFI-së që ky Institucion të ngrihet në kategori kushtetuese dhe Maqedonia mos të njohë vetëm Kishën Ortodokse Maqedonase si Institucion fetar por edhe Bashkësinë Islame, si qytetarë të barabartë të jenë edhe pjesëtarët e besimit islam në vend.

Këto janë vetëm disa nga një mori faktesh të cilët do të nxisin tek qarqet e caktuara maqedonase që të kenë një qëndrim antishqiptar dhe anti-BFI, duke e konkretizuar me lloj-lloj projektesh e lojërash të fshehta, me të vetmin qëllim që ta shkatërrojnë çështjen kombëtare shqiptare duke përdorur “mina fetare” në terrenin e BFI-së! Fatmirësisht, kujdesi i skajshëm si dhe largpamësia e kryetarit të BFI-së, H. Sulejman ef. Rexhepit, bënë që në mënyrë shumë të urtë të tejkalohen të gjitha ato pengesa e peripeci kurse BFI-ja dhe shqiptarët e Maqedonisë, si shumicë e pjesëtarëve të besimit islam në vend, të gëzonin autoritet dhe respekt në shumë kongrese, simpoziume, organizata e qarqe të ndryshme në shtet.

H. Sulejman efendi Rexhepi, si Kryetar i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, u bë dhe u vlerësua si një lidership i gjallë, një model lideri që inspiron udhëheqje të përkryer drejt zgjidhjes së shumë problemeve, qofshin ato fetare apo kombëtare. Pa dyshim që, në Maqedoninë plurale për momentin është lideri më jetëgjatë që ka qëndruar stoik dhe në detyrë, lideri që ka arritur më shumë suksese, lideri që ka zënë vend në faqet e historisë kombëtare.

Sulejman Rexhepi zyrtarizoi gjuhën shqipe në institucionin e Bashkësisë Fetare Islame në RM si dhe krahas flamurit mysliman ngre dhe flamurin shqiptar të valëvitet në të gjitha institucionet e BFI-së;

Sulejman Rexhepi do të njihet për rolin dhe kontributin e tij të veçantë në menaxhimin e krizës humanitare të shkaktuar nga refugjatët e Bosnjës;
Sulejman Rexhepi do të njihet si nismëtar i parë për themelimin e Universitetit të Tetovës, për themelimin e këshillit koordinativ mes Bashkësive Islame Shqipëri-Kosovë-Maqedoni;

Por BFI-ja nën drejtimin e tij, OH El Hilal do të bëhet një zëdhënës dhe organizata më e zëshme deri në Kombet e Bashkuara.
Puna e Sulejman Rexhepit nuk spikat vetëm në drejtimin e BFI-së me dinjitet dhe integritet kombëtar por ai do të jetë një promotor i gjallë për propagandimin e drejtë të luftës së UÇk-së në botën arabe përmes BBC-së së Londrës.

Duke qenë se terrorizmi nuk ka asgjë të përbashkët me Islamin si një besim i paqes dhe i dashurisë, Sulejman Efendi Rexhepi do të jetë një mbrojtës i paepur i BFI nga radikalizimi, ekstremizmi dhe terrorizmi. Ai do t Mbrojtës i paepur i BFI nga radikalizimi, ekstremizmi dhe terrorizmi themelojë dhe do të jetë ideator i Projektit “Stop RadTerr”, projekt innovator në parandalimin e terrorizmit dhe radikalizimit në Maqedoni;

Duke u udhëhequr nga vizioni se “Pa Atdhe nuk ka Fe” ai jo vetëm që do të jetë një nga organizatorët e simpoziumit me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar “Kontributi i ulemave në ngritjen e vetëdijes kombëtare”, por do të jetë gjatë gjithë kohës një Ithtar i zhvillimit dhe kultivimit të një Islami tradicional dhe autokton, të atij Islami të trashëguar nga të parët tanë dhe do të jetë nismëtar për themelimin e Medresesë së vajzave Tetovë, Medresesë së djemve Shkup, Medresesë së vajzave Shkup, Gostivar, Ideator për themelimin e Shoqatës Standard Hallall, Konferencës mbarëkombëtare “Medhhebi Hanefi, prioritetet dhe sfidat”, Mexhlisit për fetva në Maqedoni. Revistës “Hana e Re” që botohet në tri gjuhë, Themelues i OH El Hilal (sot HILAL) – organizatë humanitare me synimin e mbështetjes të shtresave të varfëra të shoqërisë, insistues i flaktë për shkollimin e femrës myslimane deri në shkollat e larta arsimore, Pjesëmarrës në hedhjen e gurit themeltar dhe inaugurues i mbi 100 xhamive të reja anekënd territorit, etj.

H. Sulejman ef. Rexhepi, si personalitet i veçuar dhe i respektuar, zgjidhet anëtar i rregullt i një numri të madh organizatash botërore, evropiane dhe ballkanike me karakter islam. Do të zgjidhet anëtar i rregullt i Kuvendit të lartë për çështje islame me seli në Kajro, anëtar i rregullt i Kongresit botëror Islam me seli në Tripoli, anëtar i rregullt i Unionit Islamik për Evropë, zëvendës i sekretarit gjeneral të Kuvendit të Këshillit për Evropën Lindore me seli në Stamboll, anëtar i Forumit të Shkencëtarëve Islam me seli në Rabat, pjesëmarrës i Ligjëratave të Ramazanit që organizoheshin në Pallatin Mbretërorë të Hasanit të Dytë dhe themelues dhe zëvendës kryetarë i Shpurës Euro Aziatike me seli në Ankara etj.

Me dinjitet do ta prezantojë BFI-në si dhe mbarë popullatën myslimane në shumë konferenca botërore ku do të paraqitet edhe me kumtesa, si në: Takimet e rregullta të Shpurës Euroaziatike, në Konferencën e Këshillit të Lartë për Çështje Islame, në Kajro; në Konferencën botërore për dialog ndërfetar dhe ndërcivilizues, në Ohër; në Kongresin ndërkombëtar i civilizimit islam në Ballkan, në Shkup; në Kongresin mbarë islamik për ripërtëritjen e mendimit islam, në Kajro; në Konferenca Botërore Islame për dialog, në Mekke; në Kongresin e organizuar nga Universiteti “Ali Bejt”, në Jordan; në Konferencën e parë ndërkombëtare për Ballkanin, në Stamboll; në Konferencën VI të Kuvendit të përgjithshëm për çështje islame, në Aleksandri të Egjiptit; në Kongresin e intelektualëve të botës islame, me rastin e haxhit 1992, në Medinë, etj.

Tërë ky potencial intelektual e politik do të ndikojnë që mos të jetë indiferent as edhe në rastet kur qarqe të ndryshme në disa shtete perëndimore, duke qenë nën ndikimin e politikave okupatore të Serbisë aktuale, kanë tentuar që të hedhin njollë mbi shenjtërinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke burgosur e duke i nxjerrë para Tribunalit të Hagës “legjendat e gjalla” të kësaj lufte shqiptare. Së fundmi, ka qenë reagim i ashpër i BFI-së deri te qeveria franceze kundër “burgosjes” së njërit nga komandantët e UÇK-së dhe sot Kryeministër i Kosovës, z. Ramush Haradinaj.

Moton brilante të poetit të popullit, Ali Podrima, i cili thotë se “Kosova është gjaku im që as nuk falet dhe as nuk shitet”, H. Sulejman ef. Rexhepi gjithnjë e më shumë e mbështet me konstatimin e tij po aq brilant se “Luftëtarët e UÇK-së janë kodi gjenetik i kombit që nuk guxon të preket nga askush”!
Opinionet e tij, pikëpamjet e tij, qasjet e tij në zgjidhjen e problemeve fetare e kombëtare, pa dyshim që kanë lënë gjurmë të pashlyeshme gjatë kësaj kohe dhe gjatë tërë historisë kombëtare. I cituar e i respektuar jo vetëm në botën shqiptare, por edhe më gjerë, H. Sulejman ef. Rexhepi do të bëhet model i mendimtarit origjinal dhe vizionar.

Filozofia fetare e efendi Rexhepit është ta ruajmë dhe ta kultivojmë Islamin burimor shqiptar, ndërsa filozofia politike e tij është që “pa fe nuk ka atdhe”; dy filozofi këto që pa dyshim përbëjnë shkollën që bart emrin e Sulejman Rexhepit. Këto dy filozofi tashmë kanë kornizat e veta, kanë kopertinat e veta, që do të thotë se janë përmbledhur dhe përfshirë në gjashtë vëllime në kompletin e tij me titull “Për fe dhe atdhe”!

Natyrisht, këto dy filozofi në mënyrë permanente kanë edhe “syrin kujdestar” i cili përpiqet pa rreshtur që t’i ruaj nga synimet ndryshme antishqiptare. Megjithatë, fuqia e synimeve kombëtare dhe fetare, është e fuqishme para çdo projekti dashakeq që synon shkatërrimin e BFI-së dhe fraksionimin e trungut fetar dhe kombëtar të shqiptarëve të Maqedonisë.

Natyrisht që, Bashkësia Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë, si Institucion serioz dhe i orientuar fuqimisht drejt promovimit të vlerave fetare por edhe të vlerës unike të shqiptarëve në kultivimin dhe në bashkëjetesën me fetë e tjera, është respektuar me shumë mirënjohje ndërkombëtare, kurse drejtuesi i këtij Institucioni, H. Sulejman ef. Rexhepi, po ashtu është nderuar me mirënjohje e dekorata të ndryshme, si Çmimi “Imazhi shqiptar i harmonisë fetare” nga Forumi Imazh dhe Media, në Akademinë e Shkencave dhe Arteve në Tiranë, Çmimin “Best Spiritual Leader” nga Instituti Evropian për Menaxhim, drejtësi dhe diplomaci, Mirënjohje nga OVL UÇK për kontributin e BFI-së në çlirimin e Kosovës, “Çmimin për arritjet jetësore” dakorduar nga Presidenti Amerikan, z. Donald Tramp, dhe së fundmi nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, shkëlqesia e tij Z.Ilir Meta me dekoratën e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” .
Në ceremoninë e dekorimit ishin të pranishëm klerikë edhe drejtues të lartë të bashkësive fetare shqiptare në Shqipëri, Kosovë, Mal të Zi, Kardinali Ernest Simoni (Troshani), Ambasadori i Maqedonisë Stojan Karajanov, i Ngarkuari me Punë i Republikës së Kosovës Sylë Ukshini, deputetë të Kuvendit, Kryetarja e Komitetit Shtetëror të Kulteve Loreta Aliko, intelektualë dhe personalitete të ndryshme, etj.

Në fjalën e Tij Presidenti Meta theksoi se Ky titull i veçantë me emrin e famshëm të Gjergj Kastriot Skënderbeut, Sulejman Rexhepit i jepet për meritat e tij në promovimin e vlerave të paqes, dashurisë, humanizmit, harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare. Duke mbrojtur interesat dhe jetën fetare islame mes shqiptarëve, ai është kujdesur veçanërisht për cilësinë e shkollimit, ruajtjes së frymës kombëtare në institucionet fetare si dhe është përpjekur për mundësimin e urave lidhëse mes mendimit tradicional islam dhe mendimit bashkëkohor e intelektual shqiptar.

Sulejman Rexhepi është zgjedhur për të tretën herë Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame në Republikën e Maqedonisë.
Ai përcjell dhe përhap, nëpërmjet islamit, vlerat e larta të paqes, dashurisë, harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, jo vetëm gjatë aktivitetit fetar në Republikën e Maqedonisë.

Sulejmani, me guxim, pjekuri, e vendosmëri e ka orientuar zhvillimin dhe fuqizimin e jetës fetare islame duke i dhënë rëndësi profilizimit të saj me identitet burimor shqiptar duke u bërë jo vetëm një frymëzues shpirtëror i besimit por edhe një patriot shqiptar i vërtetë.
Në vitin 1991 Sulejmani zyrtarizoi gjuhën shqipe në Institucionet e Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni dhe një vit më vonë ai ishte një nga nënshkruesit e Grupit nismëtar për themelimin e Universitetit të Tetovës.
Organizata që ai drejtonte u kthye në strehën kryesore të pritjes dhe kujdesit të refugjatëve të krizës humanitare të viteve 1998-1999 nga Kosova.
Veçoj, gjatë aktivitetit të tij, qëndrimin e palëkundur dhe të paepur në përballimin me sukses të sfidave që vijnë nga radikalizmi, ekstremizmi dhe terrorizmi duke u bërë, në vitin 2012 ideator i Projektit Stop RedTer, një projekt bashkëkohor për parandalimin e terrorizmit dhe radikalizmit në Maqedoni, duke shmangur ndikimet çoroditëse, interpretimet ekstremiste, gjuhën konfliktuale, fenomene me pasoja ekzistenciale për të gjithë besimtarët e islamit e veçanërisht për atë mbarëshqiptar.
Sulejman Rexhepi, është një teolog i vërtetë dhe si njohës i librit të shenjtë të Kuranit, ka ditur ta mbrojë mesazhin filozofik të vërtetë të këtij udhërrëfyesi të madh të njeriut në shërbim të qasjes sociale dhe asaj të bashkëjetesës mes besimeve dhe mes njerëzve.
Bashkëjetesa mes besimeve fetare të shqiptarëve është një thesar, një pasuri dhe një vlerë e jashtëzakonshme. Ky realitet, ashtu siç na përket të gjithëve, edhe kërkon nga ne që ta ruajmë si sytë e ballit e ta mbrojmë me fanatizëm ndaj çdo fanatizmi fetar, ekstremizmi apo dogme të huaj e përpjekjeje për ta shkëputur nga brendia e saj kombëtare dhe përbashkuese.

Figura e heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu është simboli i përbashkimit të shqiptarëve dhe frymëzim i dashurisë për atdheun për gjeneratat e mëvonshme që luftuan dhe arritën të mbanin gjallë, në kohë shumë të vështira, kombin dhe simbolet e tij. Për këtë arsye shërbesa shpirtërore ndaj çdo besimi dhe besimtari është e vërtetë kur ajo ka në themel dashurinë për atdheun.

Dhe është kjo veçori, është kjo lidhje fe atdhe që i ka dhënë historisë Shqiptare figura të pandashme si Hafiz Ibrahim Dalliu dhe Gjergj Fishta, si Hafiz Mahmud Dashi dhe Ndre Mjeda, si Haxhi Vebi Dibra dhe Hafez Ali Korça si Papa Kristo Negovani, Hafiz Ali Kraja, Fan Noli e të tjerë pafund.

Duke ju dhënë Titullin “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” ju uroj njëkohësisht suksese në misionin tuaj të rëndësishëm edhe në të ardhmen!
Duke falënderuar Presidentin shqiptar për këtë vlerësim, Reisul Ulema i Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë, Haxhi Sulejman efendi Rexhepi u shpreh se kjo dekoratë e lartë është e lakmueshme për çdo shqiptar kudo ku gjendet e jeton në botë.

“Për të gjithë ata që i thonë nënës ‘nënë’, bukës ‘bukë’, ujit ‘ujë’, nga foshnjëria e tij e deri në frymën e fundit të jetës së kësaj bote. Është nder dhe kënaqësi e çdo shqiptari të tillë të dekorohet me një dekoratë të tillë. Njerëzit e ndritur të historisë së Kombit tonë, që na shërojnë shpirtin, janë Ata që na japin shpresën, kurajën, guximin dhe trimërinë.

Në historinë tonë të lavdishme kombëtare, heronjtë e Atdheut tonë të përbashkët janë të shumtë, sa yjet në qiell, por Ylli i Karvanit Legjendar, të një figure të çmueshme kombëtare, figura e të madhit Skënderbe është e pazëvendësueshme. Prandaj, kur Ai përmendet, na kujton se ne kudo që të jemi, çfarëdo që të jemi, nga detyrat, funksionet, jemi shqiptarë.

Ky, Hero i Atdheut tonë të dashur, është simbol i bashkimit për të gjithë ne, është epiqendër e kulturimi dhe e edukimit për brezat dhe ndjenjën e detyrës ndaj Atdheut. Qoftë e bekuar Shqipëria, qendra e të gjithë shqiptarëve në botë, e njëherit qoftë i bekuar populli shqiptar kudo që gjendet dhe ata që e duan paqen, mirëqenien, tolerancën, mirëkuptimin, bashkëjetesën dhe sigurinë absolute të jetojnë si vëllezër në jetën e kësaj bote”, tha mes tjerash Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoni, Haxhi Sulejman Efendi Rexhepi.

Treguam kështu, rrugëtimin e njërit prej tre barinjve të thjeshtë, të mirë që njoha në kohë e bashkë me kohën u rritën dhe sot janë lider të mëdhenj shpirtëror, kollos të mëdhenj të shpirtit të zotit, të kombit që ndriçojnë dhe rrezatojnë sot shkëlqim dhe lavdi të gjenezës shqiptare në të gjithë galidhen e madhe të kombeve, të prirur nga kardinali ynë, Princ Botëror i Kishës Katolike, Emineca e tij e Lartë Ernest Troshani, pasuar nga Reisul Ulema H. Sulejman ef. Rexhepit dhe Kryegjyshi Botëror Shenjtëria e tij, Haxhi Dede Edmond Brahimaj.

Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

* *