BLUETOOTH

Einxhel Shkira: Ja cila është dashuria më e madhe e jetës sime

12:11 - 03.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pamela Aliaj – E kemi parë shpesh të tronditë mediat rozë me deklaratat e saj apo edhe me daljet në media ku paraqet stilin e saj unik dhe të veçantë alla “Don’t care”(Nuk më intereson!).




Sot ajo vjen për një intervistë ekskluzive për “Bluetooth” të “Gazeta Shqiptare” duke folur prapaskenat e të qenit “Einxhel” e të pasurit fokus në jetën e saj lirinë, të qenin vetvetja dhe të shijuarin e gjithë kënaqësive që të sjell jeta.

Ajo, gjithashtu, na ka rrëfyer se si do të parapëlqente të ishte mashkulli i saj perfekt: “Vështirë të ekzistojë dikush për të përmbushur pikat e listës time ku kriteri kryesor është…”

Për më tepër në intervistën e mëposhtme.

Jeni një nga moderatoret unike në stil dhe në sjellje që dallon shumë nga të tjerat. Kur do ta shohim sërish Einxhel nën drejtimin e ndonjë emisioni?

Mendoj se kisha nevojë për këtë pauzën që po bëj për të qenë e bindur në një rikthim, në kohën e duhur për projektin e duhur. Dua të jem e bindur që po bëj atë që dua dhe të ndjej kënaqësi prej saj profesionalisht dhe financiarisht, d.m.th. në çdo aspekt të jem e lumtur me punën time. Ndoshta jam drejt rrugës së duhur së shpejti!

Keni pasur propozime për ndonjë projekt në veçanti përveçse në televizion? Cili ka qenë propozimi më joshës?

Propozime të ndryshme pune më vijnë vazhdimisht në botën e medias, modës madje dhe të administrimit etj. Por për momentin s’ka asgjë më joshëse sesa vetë biznesi im që po drejtoj e po kujdesem për të duke vënë në punë të gjitha këto fusha për të cilat mendoj se kam prirje!”Fashion By Elisabeth” është projekti dhe puna, e cila për momentin ka marr 100% fokusin tim!

Çfarë lloj emisioni do të preferonit të moderonit që do të përfaqësonte 100% Einxhelin?

Jam një karakter që më pëlqen show, më pëlqen spontaniteti dhe kapërcimi i kufijve të asaj çka deri sot jemi mësuar të shohim e dëgjojmë. Nuk dua të bëj më emisione korrekte, siç njerëzit duan të jenë apo duan të perceptojnë si të tilla. Unë jam reale, spontane dhe shumë dinamike. Nëse diçka që të më përfaqësonte mua do ekzistonte, atëherë e sigurt që unë do isha në moderimin e saj.

Einxhel vjen lozonjare dhe provokuese në daljet tuaja. A ka pasur ndonjë ngacmim që keni reaguar shumë ashpër? Cili ka qenë?

Gjithmonë ka komente pozitive, por dhe negative. Unë hyj tek ato personazhe që e kam shumë problem të më ofendojnë, pasi publiku ende mesa duket se bën dot diferencën mes këshillës dhe ofendimit. Mendoj se ekspozimi im si person publik i jep të drejtën të thonë çfarë të duan, por unë s’e shikoj kështu, prandaj shpesh herë kthehem duke replikuar ashpër derisa arrijnë të arsyetojnë e të më kërkojnë ndjesë. Askush s’mund të vijë në hapësirën time e të më ofendojë e këtë s’do e lejoj kurrë! Nëse e marrin si mospranim “këshillash” atëherë problemi i tyre sesi konceptojnë cenimin e moralit të jetës së një personi tjetër, që as e njohin nga afër mbi të gjitha!

Kemi parë që bëni shpesh fotoshooting. Modelingu është pasion i juaji apo thjesht për qejf?

Modelingu ka qenë një hap i vogël në fillimet e mija që asnjëherë s’më ka tërhequr as për pasion apo hobi, thjesht fotografia më pëlqen dhe e përdor deri diku fotozheninë time në funksion të punëve të mija apo marketingut të dyqanit tim tashmë. Pra, pak për qejf e pak për punë, le të themi.

Cili është pengu i jetës për Einxhel?

Nuk jam njeri që e jetoj jetën me pengje pasi asnjëherë se kam frenuar veten time të bëj atë që dua apo që pëlqej. E shijoj jetën dhe guxoj, e nëse ndonjë prej këtyre s’ka pasur rezultatin e duhur atëherë s’jam penduar, por thjesht e kam marrë si mësim. Ndoshta duhet të kisha bërë akoma më shumë çmenduri e të gaboja më shumë që kur të plakem mos të kem fare pengje.

Cila është dashuria më e madhe juaja?

Nuk është as fizike as frymore as e prekshme. Ajo çka dua më së shumti në jetën time është liria dhe pavarësia ime! S’do ta zëvendësoja apo të bëja asnjë kompromis në këmbim të saj.

Si do të ishte mashkulli perfekt për Einxhel?

Mashkulli perfekt për mua me sa kam kuptuar nuk ekziston. Vështirë të ekzistojë dikush për të përmbushur pikat e listës time ku kriteri kryesor është liria ime. Që mesa duket shumë meshkuj shqiptarë e kanë ende të vështirë ta perceptojnë një femër të dashuruar, por të lirë në zgjedhjet e saj.

Këshilla që do t’i jepnit çdo vajze të re që ka pasion ekranin si ju?

Do e këshilloja ta mendonte dhe njëherë mirë e të pyeste shumë rreth e rrotull para se t’i hynte kësaj pune. (qesh).

Rasti që ju përmendët lidhur me ngacmimet seksuale bëri bujë në media. Nëse do të ktheheshit pas në kohë, çfarë do të ndryshonte Einxhel?

Asgjë s’do të ndryshonte pasi unë dhe atëherë kam reaguar shumë saktë dhe kam vepruar në mënyrën më të zgjuar të mundshme duke u larguar nga situata dhe rreziku që të shkaktojnë njerëz të tillë. Sot do kisha dashur të bëja shumë gjera ndryshe, për të ndihmuar vajza të tjera të vogla si të mos bien viktima të të tilla situatave që në fund të lënë shenjat e tyre gjithmonë, sado i vogël qoftë ngacmimi apo dëmi psikologjik.

Pse thatë që kur të jeni “më e fuqishme” do t’ia përmendnit emrin asaj femre? Pse jo tani?

Sepse, në fakt, ajo tani është askushi dhe jeta i dha atë që meritonte, i mori shkëlqimin dhe prestigjin. Ta përmendja, thjesht do e riktheja në treg duke i bërë reklamë dhe pse do ishte reklama më e shëmtuar në botë për të, e do të lëndoheshin familjarët e saj, sepse ajo s’besoj se ka atë ndërgjegje që mund ta lëndojnë të tilla gjëra. Nëse do e kishte si fillim s’do i kishte aplikuar këto praktika “fitimprurëse”.

A është dikush i rëndësishëm në jetën e Einxhel?

Përveç familjes dhe vetes time, asnjë!

Çfarë ka më tepër vlerë për ju: privatësia apo fama?

Sigurisht që më shumë rëndësi për mua ka privatësia, por mendoj se ajo ajo cenohet në momentin që zgjedh të bëhesh person publik. Një faturë për ta paguar kjo që vjen bashkë me famën.

Çfarë ruan me fanatizëm Einxhel?

Me fanatizëm ruaj familjen time, qetësinë dhe lumturinë e tyre.

Cili është kulmi që do arrinit të bënit për të arritur famën?

Për të qenë e suksesshme në punën time mund të bëja shumë sakrifica, por për famë nuk do bëja asgjë. Nuk e ndjej si diçka të domosdoshme në jetë!

Plastike apo natyrale? Cila ka më tepër sukses në televizionet shqiptare sipas jush?

Natyrale sigurisht është perfektja, por nëse dikush ka komplekse me pamjen e saj, atëherë kush jemi ne ta ndalojmë të jetë e lumtur me veten??!! Në televizion s’po kuptohet më asgjë kush po ka sukses dhe pse po ka. Mendoj se jemi në një periudhë tranzitore mediatike kur po preferohet çka i ofrohet dhe s’po pyet më njeri natyrale apo jo.

Einxhel është një emër i veçantë. Besoj se prindërit kishin edhe ndonjë opsion tjetër. Cili ka qenë, nëse po?

Einxhel është vendosur momentin që linda pasi babai im ka marrë lajmin e lumtur dhe po atë natë në ëndërr i kishte ardhur vizioni i një engjëlli femër dhe aty vendosi që vajza që sapo lindi ishte një ANGEL.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.