KULTURË

Afrim Koçi/ Përkthyesi si hero i heshtur, shqipërimi i magjishëm i “Pianistes” së Jelinek

17:12 - 05.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro i kushtoi një moment të veçantë në ceremoninë për çeljen e “Klubit të leximit të letërsisë austriake”, veprës së përkthyesit Afrim Koçi.




Duke  u ndalur tek figura e përkthyesit, ministrja  Kumbaro tha se Afrim Koçi ishte modeli perfekt i  përkthyesit-hero të heshtur, i cili i dha zë mbi 90 veprave të rëndësishme të letërsisë botërore në gjuhën shqipe. “Zgjodha të ndalem edhe pse rrallë në shoqërinë shqiptare i është dhënë vendi i merituar figurës së përkthyesit, bashkautorit të fshehur të veprave letrare, lëvruesit dhe pasuruesit të mençur të gjuhës shqipe, urëndërtuesit të paemër që i gëzohet shkëmbimit kulturor pa pretenduar asnjëherë autorësinë e sipërmarrjes munduese. Afrim Koçi përbën modelin më të mirë të kësaj figure”.

Ministrja Kumbaro , e cila kishte zgjedhur për të lexuar  një pjesë nga “Pianistja” e autores Elfride Jelinek,  theksoi se “falë përkthimit të arrirë të Afrim Koçit, gjuha shqipe mundi të përballojë me sukses shtresëzimet e ngërthyera të një mendimi të ngjeshur, të fshehur në shtresat e ligjërimit. Nuk na mbetet vetëm t’i jemi mirënjohës  duke u bërë të vetëdijshëm për ‘dhuratën’ bujare që ai i ka bërë kulturës sonë.
Por në fakt bujaria e tij i kalon caqet e letërsisë austriake në kuptimin territorial dhe përgjatë një jete të tërë njerëzore plot pasion e përkushtim ndaj letërsisë, rrok edhe shumë vepra të tjera botërore”, vijoi më tej Kumbaro.

Ceremonia e çeljes së “Klubit të leximit të letërsisë austriake”, u zhvillua sot në kuadër të Vitit Kulturor të Austrisë në Shqipëri. Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë në bashkëpunim me Ambasadën Austriake në Tiranë dhe katedrat e klasat gjermanofone të qytetit të Tiranës, kanë ndërmarrë nismën kulturore të themelimit të një “Klubi rinor leximi” që këtë vit do t’i kushtohet letërsisë bashkëkohore austriake.

Të shtunën e fundit të çdo muaji, në Sallën Gjermane të Leximit, në mjediset e Ndërtesë së vjetër të BKSH-së, “Klubi i leximit” do të trajtojë një autor austriak përmes një libri të përzgjedhur më parë dhe të dhuruar ose shpërndarë për lexim. Për librat dhe autorët e tyre do të ftohen të flasin përkthyes, njohës të letërsisë bashkëkohore austriake, profesorë të letërsisë dhe shkrimtarë shqiptarë e austriakë, duke nxitur më së shumti leximin dhe njohjen e tekstit letrar si dukuri estetike por edhe si ftesë për të reflektuar mbi jetën, mbi veten dhe botën. Ky projekt synon nxitjen e shijes së leximit dhe njohjen më të thelluar të letërsisë austriake të shekullit XX dhe XXI nga lexuesi i ri shqiptar duke përftuar një lexues të pasionuar e të kultivuar me vlerat e kësaj letërsie, jo vetëm në kontekstin e kulturës austriake por edhe atë evropiane.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.