Kryesore

Alarmi, 7 mijë raste të reja me kancer çdo vit

13:16 - 05.02.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kanceri njihet si rritje e pakontrolluar e qelizave, që prodhojnë 1 tumor ose neoplazme dhe shifrat e të prekurve nga kjo sëmundje po pësojnë një rritje të frikshme nga viti në vit.




Në vendin tonë aktualisht kemi mbi 7000 raste të reja të diagnostikuar me kancer në vit. Në një intervistë për suplementin “Life Pages” në “Gazeta Shqiptare”, mjeku i Shërbimit Onkologjik në QSUT, Orges Spahiu tregon se në bazë të një analize 5-vjeçare, është vërejtur një rritje me rreth 60% të personave të prekur nga kanceri. Mjeku më tej bën thirrje që të kryhen të gjitha diagnostikimet e nevojshme në mënyrë që sëmundja mos të kapet në stadin e fundit.

Çfarë simbolizon Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit?
4 shkurti është Dita Botërore e Luftës Kundër Kancerit, një iniciativë ku e gjithë bota bashkohet në luftën kundër kësaj epidemie globale. Dita botërore e luftës kundër kancerit ka si qëllim të parandalojë çdo vit miliona vdekje, duke rritur ndërgjegjësimin dhe edukimin për sëmundjen e kancerit dhe duke nxitur qeveritë dhe individë nëpër botë të veprojnë kundër kësaj sëmundjeje.

Si paraqiten shifrat e të sëmurëve nga viti në vit?
Vitet e fundit sëmundja e kancerit ka treguar një rritje të ndjeshme të incidencës, pra pacientët me kancer po shtohen dita-ditës. Alarmant është fakti se kanceri në dekadat e ardhshme pritet të rritet, duke u dy apo trefishuar. Numri i rasteve të reja të diagnostikuar me kancer në botë pritet të rritet me 70% në dy dekadat e ardhshme, duke vlerësuar se në 2030 numri vjetor global i të diagnostikuarve me kancer do të arrijë në rreth 23.6 milionë njerëz.

Po në Shqipëri si paraqitet situata?
Në vendin tonë aktualisht kemi mbi 7000 raste të reja të diagnostikuar me kancer në vit. Ndërkohë nga një analizë 5-vjeçare është vërejtur një rritje mesatare me rreth 12% në vit, ose një rritje me rreth 60% për 5 vitet. Kjo për arsye tashmë të njohura që variojnë nga ndotja e mjedisit tek stili i jetesës, abuzimi me alkoolin dhe kequshqyerja, jeta sedentare, obeziteti etj. Falë studimeve dhe kërkimeve intensive të vazhdueshme, janë bërë përparime të mëdha në diagnostikimin dhe trajtimin e kancerit.

Cilat janë kategoritë më të predispozuara për t’u prekur nga kanceri?
Vlen të theksoj se më së tepërmi, pra 4 nga 10 raste të diagnostikuara me kancer ndeshen në vende me të ardhura të ulëta ose mesatare, ku bën pjesë edhe Shqipëria. Gjithashtu vlerësohet se rreth 70% e vdekjeve nga kanceri ndodhin në këto vende.

Në cilin stad të sëmundjes paraqiten pacientët te mjeku?
Karakteristikë e të sëmurëve me kancer në vendin tonë është diagnostikimi apo paraqitja tek mjeku në stade të avancuara të sëmundjes. Ky fakt përbën një sfidë shumë të madhe në luftën me këtë sëmundje, duke reduktuar në mënyrë domethënëse shanset e kurimit tek pacientët tanë.

Cilët janë faktorët e diagnostikimit në stade të avancuara të sëmundjes?
Paraqitja tek mjeku në stade të avancuara të sëmundjes ndodh për shkak të një ndërgjegjësimi dhe edukimi të ulët të kujdesit mjekësor tek popullsia jonë. Në këto kushte del si prioritet kombëtar një ndërmarrje gjithëpërfshirëse për ndërgjegjësimin dhe edukimin mjekësor të popullatës mbi rrezikun e kancerit dhe rëndësinë e përfitimet nga diagnostikimi i hershëm i kësaj sëmundjeje. Një rol thelbësor dhe përgjegjësi sociale i mbetet medias, e cila në bashkëpunim me mjekët specialistë të kësaj fushe përbën potencialin më të mirë për ndërgjegjësimin e popullsisë sonë për rrezikun ndaj kancerit. Ndërkohë, gjithsecili që mund të jetë i përfshirë në një mënyrë apo tjetrën në luftën kundër kancerit mund të kontribuojë në këtë kauzë. Të mbijetuarit nga kanceri janë potenciali më i mirë për të ndërgjegjësuar komunitetin mbi parandalimin dhe kontrollin e kësaj sëmundjeje.

Si mund të bëhet parandalimi i kancerit?
Parandalimi dhe diagnostikimi i hershëm është thelbësor për kontrollin e kancerit. Parandalimi ka të bëjë kryesisht me evitimin e faktorëve të rrezikut siç janë duhanpirja, abuzimi me alkoolin, stili i jetesës dhe ekspozimi ndaj ndotësve apo karcinogene ambientale. Diagnostikimi i hershëm është i lidhur ngushtë me ndërgjegjësimin dhe edukimin shëndetësor të popullsisë për t’i kushtuar përpjekjet dhe vëmendjen e nevojshme rrezikut ndaj kancerit duke kryer ekzaminime fizike, kontrolle rutinë – checkups, vetë-ekzaminimin dhe testet diagnostike për të mundësuar zbulimin e hershëm të kancerit.

Si realizohet vetë-ekzaminimi?
Ekzaminoni veten për ndryshime në lëkurën tuaj si dhe kontrolloni pjesën e brendshme të gojës suaj duke u parë në pasqyrë. A vini re ndonjë ndryshim të ngjyrës së mishit të dhëmbëve, gjuhës dhe pjesëve të tjera të gojës? A shihni pllakëza të bardha, ënjtje apo gjakosje? Nëse ndeshni një ose disa shenja të tilla në trupin tuaj, kontaktoni menjëherë mjekun tuaj.

Kur duhet t’i nënshtrohet mamografisë një grua?
Edhe nëse një grua duket e shëndetshme, ajo duhet t’i nënshtrohet mamografisë për të testuar një kancer të mundshëm të gjirit. Mamografia konsiderohet testi ekzaminues më efikas për këtë problem shëndetësor. Ndërkohë, nënshtrojuni ekzaminimeve të rregullta fizike. Mjekët e dinë se cilat pjesë të trupit duhet të kontrollojnë për të evidentuar probleme të mundshme shëndetësore. Më tej ju duhet t’u nënshtroheni kontrolleve rutinë për t’u siguruar që gëzoni një shëndet të mirë dhe për të evidentuar rreziqe të ndryshme ndaj shëndetit tuaj, siç është dhe rreziku nga kanceri. Testet ekzaminuese janë specifike në varësi të llojit të kancerit që ju do të donit të kontrolloheshit apo nga i cili mund të kërcënoheni më shumë.

Si bëhet diagnostikimi i kancerit të prostatës?
Shumë lloje kanceri (si kanceri i prostatës) nuk tregojnë shenja lajmëruese derisa sëmundja përparon. Kanceri i prostatës diagnostikohet herët nëpërmjet testit të antigenit specific (PSA). Probabiliteti që një mashkull të ketë këtë sëmundje rritet në raport të drejtë me nivelin e PSA-së (niveli normal është 4ng/mL).


Shfaq Komentet (2)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Me duket nje rritje alarmante kot. Numri i te prekurve nga kjo semundje do te rritet ne bote, sepse edhe numri i njerezve ne bote do te rritet. Nqs ne bote shtohen 1 miljard njerez deri ne 2030, normal qe perqindja e njerezve te semure do te rritet, sepse jan dy gjera te nderlidhura me njera tjetren.

    Kanceri nuk eshte as ne top 3 arsyet e vdekjeve natyrale ne bote. Dy llojet e atakut kardiak dhe hemoragjia cerebrale jan akoma me problematike sepse e kan perqindshmerin e fatalitetit shume her me te lart. Por cuditshmerisht nuk i jepet kaq shume vemendje. Arsyet pse, po ja u le ju ta vendosni.

    Përgjigju ↓