OPINION

Sovraniteti apo integrimi europian

07:35 - 05.02.18 Shaban Murati
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Një burim i mirinformuar diplomatik bën të ditur se Holanda i ka paraqitur një kusht Shqipërisë, që do t’ia japë votën për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE-në, vetëm nëse Shqipëria i akordon asaj pjesëmarrjen e një kompanie holandeze të gazit në procesin e menaxhimit të segmentit shqiptar të gazsjellësit TAP dhe në ndërtimin e rrjetit të gazifikimit të vendit.




Sipas burimit, lëvizja holandeze duhet të ketë ardhur pas efikasitetit të së njëjtës lëvizje kushti, që bëri Greqia me Shqipërinë. Në prag të bisedimeve të raundit të parë midis dy Ministrive të Jashtme shqiptare dhe greke në Kretë, presidenti i Greqisë vjeshtën e kaluar katër herë me radhë parashtroi kushtin grek të përdorimit të vetos për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, nëse Shqipëria nuk lëshon në çështjen e detit, në çështjen e varrezave, në proteksionin grek mbi ortodoksinë shqiptare, në statusin e privilegjuar të minoritetit grek, etj.

Fakti që në datën 28 janar, pra pas raundit të dytë të bisedimeve midis dy Ministrive të Jashtme në Korçë, kryeministri i Greqisë Aleksis Cipras në një mbledhje me krerët e partive politike greke njoftoi vendimin e qeverisë për heqjen e vetos greke për hapjen e bisedimeve të pranimit me BE, të çojnë tek mendimi se Shqipëria mund të ketë ceduar në drejtim të kërkesave greke. Kryeministri grek, i cili si rregull është prononcuar shumë rrallë për marrëdhëniet me Shqipërinë, e quajti të rëndësishëm rezultatin, sa vendosi të njoftojë vetë direkt se: “Ne jemi gati për një marrëveshje strategjike me Shqipërinë.

Një marrëveshje, që do të zgjidhë diferencat kritike dhe do të çojë tek vota jonë për hapjen e bisedimeve të pranimit në BE për vendin fqinj tonin”.

Hapi holandez, që imiton metodën e njohur greke të 25 viteve të postkomunizmit në raportet me Shqipërinë, për të vendosur kushtin e vetos në fazat e integrimit europian të Shqipërisë, ilustron pozitën e Shqipërisë me pozitën e lepurit të fabulës, i detyruar nga rreziku i jetës të futet në ferrë me breshkën, e cila keqpërdoron pozitën e tij dhe lepuri i thotë breshkës fjalinë proverbiale “vazhdo breshkë, se të ka ardhur dita”.

Në planin diplomatik dhe strategjik, kjo situatë breshke para të cilës ndodhet Shqipëria, me rastin holandez dhe sidomos me flagrancën e hapit grek, ngre siparin e një debati të madh, që duhet të zhvillohet në qarqet zyrtare dhe jo zyrtare, politike, diplomatike, ushtarake, akademike, të sigurisë, ekonomisë etj., lidhur me rendin e prioriteteve, që duhet të ndjekë sot Shqipëria midis sovranitetit dhe integrimit europian. Në mënyrë të veçantë, fakti i kushtëzimit aktual të votës greke për hapjen e bisedimeve të pranimit të Shqipërisë në BE me kërkesën greke për cedimin në fusha të sovranitetit shtetëror e kombëtar, shtron sot nevojën e përcaktimit të një qëndrimi të përbashkët strategjik nga shteti, parlamenti dhe partitë kryesore politike. Drejtuesit e Shqipërisë postkomuniste, që i kanë bërë Greqisë cedime të papranueshme në sovranitetin e vendit, vazhdimisht janë përpjekur të justifikojnë lëshimet e tyre me rëndësinë prioritare, që i kanë dhënë ata integrimit europian.

Por, dilema e zgjedhjes midis sovranitetit dhe integrimit europian është një dilemë, që nuk mund të vazhdojë më kështu dhe që duhet zgjidhur dhe përcaktuar qartë në themelin e platformës së politikës së jashtme dhe të diplomacisë së Shqipërisë. Kjo është e domosdoshme për të mos lejuar erozione të reja në sovranitetin e saj shtetëror dhe kombëtar. Çështja shtrohet për një renditje prioritare strategjike midis sovranitetit dhe integrimit europian, kur shtete të ndryshme anëtare të BE, duke keqpërdorur veton, e vendosin Shqipërinë në pozitën e lepurit. Përcaktimi i prioritetit strategjik nuk bie në kundërshtim dhe as i kundërvihet kursit të drejtë të të gjitha qeverive dhe partive politike shqiptare për orientimin drejt integrimit europian dhe kjo është një dinamikë pozitive. Të gjithë jemi dakord për anëtarësimin e Shqipërisë në BE, por nuk mund të jemi dakord që ai të paguhet me çmimin e humbjes së sovranitetit si pagesë për njërin apo tjetrin shtet anëtar të BE. Integrimi europian nuk është ajri i jetës dhe i ekzistencës së shtetit shqiptar.
Sovraniteti ka dhe duhet të ketë përparësinë absolute në prioritetet strategjike, diplomatike dhe kombëtare të vendit, për disa arsye:

Së pari, përmbajtja e procesit të integrimit europian të Shqipërisë është anëtarësimi në BE si organizatë, dhe jo integrim i saj një nga një në të gjitha shtetet anëtare. Shqipëria duhet të plotësoje kushtet e pranimit të BE si organizatë dhe jo kushtet specifike të çdo shteti anëtar, që ka votën e konsensusit. Përderisa kërkesat specifike të marrëdhënieve dypalëshe të çdo shteti anëtar me Shqipërinë nuk kanë statusin e kërkesës direkte të BE si organizatë ndaj Shqipërisë, nuk ka asnjë arsye t’u nënshtrohet kushteve të shteteve të veçanta, që cenojnë sovranitetin e saj.

Së dyti, në planin historik sovraniteti është i përhershëm dhe i përjetshëm, kurse integrimi europian është i përkohshëm. Sovraniteti i Shqipërisë është mijëravjeçar, kurse integrimi europian është proces i ri politik, i cili sipas ligjeve të historisë nuk vazhdon pafundësisht, pavarësisht se mund të zgjasë 100, 200 apo më shumë vjet. Shqipëria në historinë e saj ka kaluar përmes disa lloj integrimesh, si integrimi romak, integrimi bizantin, integrimi osman, integrimi serb, integrimi grek, integrimi jugosllav, integrimi sovjetik, integrimi kinez. Në të gjitha integrimet paraardhëse, që kanë qenë produkt pushtimesh, ka humbur tërësisht edhe sovranitetin. Ndryshimi është se integrimi europian, ndryshe nga integrimet e mëparshme në histori, bëhet me vullnetin e lirë dhe me pjesëmarrjen e vullnetshme të shtetit, të institucioneve, të partive politike dhe të vetë popullit, që dëshiron të anëtarësohet në BE. Natyrisht, siç edhe është konstatuar nga përvoja e gjitha shteteve anëtare të BE, ata kanë pranuar vullnetarisht të humbasin një pjesë të sovranitetit kombëtar, në favor të BE si organizatë dhe jo në favor të njërit apo tjetrit shtet anëtar. Kurse Shqipërisë, shtete anëtare të BE si Greqia po i kërkojnë të humbasë sovranitet përpara se të hyjë në BE dhe ta humbasë në favor të këtij shteti në marrëdhënie dypalëshe, gjë që është e papërputhshme me Kushtetutën e Shqipërisë.

Së treti, sovraniteti përbën subjektivitetin ndërkombëtar të Shqipërisë, ndërsa integrimi europian nuk lidhet me këtë subjektivitet ndërkombëtar. Është sovraniteti që e bën Shqipërinë anëtare me të drejta të plota në sistemin ndërkombëtar të shteteve dhe në organizatat ndërkombëtare dhe jo anëtarësimi në BE.

Së katërti, sovraniteti përputhet plotësisht me interesin e përhershëm kombëtar të Shqipërisë, kurse integrimi europian nuk e ka këtë përputhshmëri, sepse anëtarësimi i Shqipërisë në BE nuk i bën shtetet e tjera anëtare të kenë të njëjtat interesa kombëtare me Shqipërinë. Fakti që pesë shtete të BE, ndër ta edhe Greqia, nuk e njohin Kosovën, është kundërvënie e tyre ndaj interesit tonë kombëtar. Madje ka ndodhur dhe ndodhin vazhdimisht përplasje interesash kombëtare midis shteteve anëtare të BE.

Së pesti, sovraniteti është identitet kombëtar i një shteti dhe i një populli, gjë që nuk mund ta thuash për integrimin europian. Një shtet mund të jetojë pa integrimin europian, por nuk mund të jetojë pa sovranitetin e tij mbi territorin, mbi popullin, mbi pasuritë dhe të drejtat kombëtare.

Shqipëria pati fatin e madh historik që, falë planifikimit strategjik të SHBA, iu hap dera e anëtarësimit në NATO. Duhet thënë se për shtete si Shqipëria, e cila gjatë historisë së ekzistencës së vet vetëm është rrudhur gjatë shekujve, duke u ceduar territore dhe popullsi lakmive të shteteve fqinje, integrimi në NATO është më jetik se sa integrimi europian. Kjo është një rrethanë e rëndësishme strategjike dhe gjeopolitike, e cila për fat të keq nuk është kuptuar sa duhet nga udhëheqësit shqiptarë. Një Shqipëri anëtare e NATO-s ka pozita të tjera biseduese në tratativat me shtetet e tjera për integrimin europian, ndryshe nga një Shqipëri, që nuk ishte në NATO. Kjo do të thotë se nuk ka asnjë arsye të cedojë në sovranitet ndaj kushteve specifike të njërit apo tjetrit shtet anëtar. Maqedonia ka qysh në vitin 2005 që ka marrë statusin e shtetit kandidat në BE dhe nuk i ka hapur akoma bisedimet e pranimit nga veto e Greqisë. Kur Maqedonia, pa qenë anëtare e NATO-s, i reziston 13 vjet vetos së Greqisë, pse duhet të cedojë Shqipëria që ka pozitën e fortë të anëtarit të Aleancës Atlantike.

Parashtrimi ynë ka të bëjë me fenomenin e dëmshëm, që konstatohet në politikën shqiptare të periudhës postkomuniste, ku në emër apo nën pretekstin e avancimit të integrimit europian, janë bërë lëshime të papranueshme në sovranitetin shtetëror. Shqipëria duhet të ecë në rrugën e integrimit europian, por pa ceduar në sovranitet ndaj shtetit fqinj. Ka një parim të madh dhe të parevokueshëm, që sovraniteti është më i rëndësishëm se integrimi europian. Ndaj është gabuar të ketë një dilemë shqiptare, sepse zgjedhja nuk mund të jetë tjetër veçse në favor të sovranitetit, që do të thotë integrim europian, duke ruajtur sovranitetin shtetëror dhe kombëtar të Shqipërisë.


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. Fjala është, që integrohet Shqipëria, SIÇ është, e jo me disa “copëza” mangut. Kryesisht ,me dinjitet kombëtar, e jo….”pak e menderosur, por shumë krenare”…

    Përgjigju ↓