Fol me Psikologen

Rrëfimi i babait: Kujdesem për vajzën, por nuk di t’i shpjegojë ndryshimet në pubertet

15:53 - 08.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Jam 45 vjeç. Kam një fëmijë nga martesa që kam patur para 11 vitesh. Tani për vajzën kujdesem unë. Ajo po futet në pubertet dhe nuk paska gjë më të vështirë për babain që t’i shpjegojë vajzës ndryshimet e të merret vesh me të. Ndonjëherë më duket se nuk më dëgjon fare.




Përshëndetje! E kuptoj shumë mirë situatën në të cilën ndodhesh dhe e vlerësoj angazhimin maksimal jo vetëm për rritjen e vajzës, por edhe këtë kujdes që tregon ndaj saj. Në fakt marrëdhënia baba e bijë është një marrëdhënie sa speciale aq edhe delikate dhe kjo për shumë arsye. Raporti mes tyre mund të ndikojë në mënyrë përcaktuese personalitetin, karakterin dhe zgjedhjet e vajzës në të ardhmen. Ajo që duhet të bësh mbi të gjitha është mbështetja e vajzës tënde, gjë të cilën nuk e dyshoj aspak. Sigurisht që vështirësia rritet në fazën e pubertetit pasi për shkak të ndryshimeve të vrullshme që ndodhin tek fëmija, i cili po kapërcen këtë stad dhe po hyn në një tjetër, komunikimi vështirësohet. Në rastin kur je një prind i vetëm dhe të duhet ta luash i vetëm këtë rol situata bëhet pak më e komplikuar, por kurrsesi e pamundur. Nëse jetoni bashkë besoj se keni krijuar afrimitetin e nevojshëm për të ndarë edhe biseda të ndryshme me njëri tjetrin. Mos u përpiq ta bindësh me stilin e babait autoritar që është “kështu si them unë dhe pikë”. Një mënyrë do të ishte ta merrje dhe të shihnit bashkë një film apo dokumentar për shembull i cili flet për adoleshentët apo problematikat e ndryshme që ndodhin në këtë stad. Aty gjej rastin në mënyrë spontane të hapësh biseda të tilla, duke i treguar vajzës frikërat e tua si prind, kujdesin që ajo duhet të tregojë, tregoji se i kupton dëshirat e saj, se ke besim tek ajo dhe ndaj me të edhe copëza historia nga adoleshenca jote. Bëhu i afërt dhe pranues, jepi asaj mundësinë që të flasë dhe të ndjejë mbështetjen tënde. Shpjegoji që ndryshimet fizike janë normale në këtë moshë, vlerësoje paraqitjen e saj fizike, thuaji që e kupton faktin që ka dëshirë të qëndrojë vetëm, por edhe ti ke nevojë për të. Me pak durim jam e bindur që do të arrini të kuptoheni shumë mirë me njëri – tjetrin.

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.