AKTUALITET

Licencat e “Balilëve”, Gjykata: 360 punonjës dalin në rrugë, cenohet rendi dhe siguria

15:50 - 09.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Klodiana Lala-Vetëm një muaj përpara se të largohej nga drejtimi i Policisë së Shtetit, Haki Çako vendosi të pezullojë katër licencat në fushën e sigurisë të familjes së Klement Balilit, i cilësuar si “Eksobari i Ballkanit” e që jeton prej muajsh në arrati.




Rrufeshëm Gjykata Administrative urdhëroi pezullimin e vendimit të ish-kryepolicit, duke argumentuar se 360 persona të punësuar nga Balilët, rrezikojnë të përfundojnë në rrugë, pa të ardhura për të siguruar jetesën, shoqëritë do të falimentonin, ndërsa do të cënohej rëndë siguria publike, pasi institucione shtetërore dhe kompani private do të mbeteshin ruajtje.

Më poshtë argumentet kryesore të gjykatës:
Në vendim thuhet se: “Gjykata çmon se nga privat shkresore të paraqitura nga pala paditëse, ekziston mundësi e ardhjes së një dënim të madh dhe të pariparueshëm… Pala paditëse provoi nëpërmjet provave të paraqitura se ushtrojnë aktivitetin ekonomik në fushën e ruajtjes dhe sigurisë fizike që në vitin 2003. Po ashtu rezultoi e provuar, se pala paditëse ka në proces ofrimin e shërbimit të sigurimit dhe ruajtjes fizike me shumë institucione shtetërore, nëpërmjet kontratave administrative të lidhura rregullisht. Rezulton se pala paditëse, ka të punësuar më shumë se 360 punonjës të cilat janë deklaruar rregullisht pranë organeve tatimore, kjo sipas deklaratave të listë-pagesave të kontributeve për Sigurimet Shoqërore e Shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat për punonjësit. Gjithashtu rezulton e provuar se pala paditëse ka marrë kredi bankare, pagesave e kësteve të së cilës është e lidhur me fitimin e realizuar nga shoqëritë, nëpërmjet veprimtarisë ekonomike”.

Nisur nga këto fakte, thuhet në vendim, gjykata vlerëson se zbatimi i vendimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, do t’i shkaktonin dëm të rëndë palës paditëse (familjes Balili), duke i çuar ato drejt falimentimit. Kjo pasi me heqjen e licencave palët kontraktuese do të jenë të detyruara të zgjidhin kontratat për marrjen e shërbimit.

Në këto kushte, ndërprerja e kontratave të shërbimit do të shkaktonte edhe pamundësinë e palës paditëse për të mbajtur në punë dhe paguar 360 punonjësit që ato kanë punësuar, gjithashtu do ta pamundësonte palën paditëse për shlyerjen e kësteve të kredisë.

Në përfundim gjykata thekson se marrja e masës për pezullimin e urdjhtrave të Haki Çakos, jo vetëm që nuk do të cënonte rëndë interesin publik, por përkundrazi do të shmangte cënimin e rëndë të interesit të 360 punonjësve dhe të familjeve të tyre, të cilët do të mbeteshin pa punë dhe pa të ardhura për të siguruar jetesën nga mbyllja e aktivitetit.

Në vijim gjykata thekson se zbatimi i urdhrave, do të shkaktonte zgjidhjen e kontratave të shërbimit publik, që pala paditëse ka me institucione të ndryshme shtetërore dhe subjekte private dhe ky fakt do të shkaktonte cënimin e rëndë të interesit publik, pasi institucionet shtetëror nuk mund të përfitojnë shërbimin e ruajtjes dhe sigurisë së tyre.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.