BLUETOOTH

Flasin “Djemtë e Vjosës”: Ne kemi…

14:54 - 10.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kur flitet për muzikën popullore folklorike dhe qytetare, nuk ka se si të mos të të shkojë menjëherë mendja për një nga grupet më të njohura në vend, “Djemtë e Vjosës”. Ata janë katërshja e pandarë, që edhe pse jemi mësuar shpesh që të na shoqërojnë në evente familjare, me muzikën e tyre të mrekullueshme popullore, kanë ditur të shfaqin vlerat e tyre artistike jo vetëm në këtë lloj zhanri.




Kanë ditur të  na surprizojnë edhe në “Top Fest” me “Serenatë ‘80”, në Koncertet e RTSH-së, “Muzikal Fest”, “Maratona e Këngës Popullore” dhe shumë evente muzikore, që nuk mund të lihet pa u lakuar edhe emri i grupit me emër lumi. Ajo që spikat më tepër kur flitet për këtë grup është edhe imazhi skenik i kuruar dhe tërheqës.

Ata numërojnë 3 albume në treg dhe sapo kanë trokitur me këngën me të re: “Të parin do ta bëjmë djalë”, nga albumi i fundit, që pritet të publikohet së shpejti.  Në pamundësi për t’i intervistuar të gjithë djemtë, zgjodhëm drejtuesin e këtij grupi, z. Alket Zaimi.

 Sa dëgjon për grupin tuaj, e para pyetje që mund të të lindë është pse “Djemtë e Vjosës”?

Emri i lumit të Vjosës është i lidhur ngushtë me origjinën tonë, edhe pse jo i gjithë grupi është nga Tepelena. Do të më duheshin ditë ta bëja të kuptueshme dhe të thosha atë ‘Pse’-në e madhe, pse “Djemtë e Vjosës”. Duke u nisur edhe nga intervistat e shumta, ku pyetja e parë gjithmonë ka qenë pse “Vjosa”, unë jam përpjekur ta sjell edhe në këngën “Vjosa” të grupit tonë, me të cilën kemi konkurruar në “Muzikal Fest” dhe pa dyshim ka pasur shumë sukses. Aty jemi përpjekur që ta kthejmë edhe përgjigjen e kësaj pyetjeje për të gjithë.

Ju në repertorin tuaj numëroni shumë këngë, por a keni një që duhet ta veçoni, ose ta mbani si etalonin e suksesit tuaj?

Si çdo këngëtar, edhe ne jemi aq të familjarizuar me këngët tona sa e vështirëson përgjigjen time për të veçuar një të tillë. Të gjitha këngët kanë ato historitë e tyre nga mënyra se si janë krijuar, nga mënyra se si kanë fituar popullaritet. Të gjitha kanë atë suksesin e tyre, të gjitha kanë lënë atë gjurmën e tyre në jetën tonë artistike, por padyshim ajo që do të ngelet impresionuese është publikimi i parë  “Doli hëna për kusar”. Në aq shumë vende e kam dëgjuar, sa ndonjëherë më dukej sikur nuk e kam bërë unë këtë këngë (qesh). Në pamundësi më duhet të veçoj edhe një këngë, që ka një domethënie shumë të madhe për grupin tonë, është kënga “Nënë Tepelenë moj nënë”, vargjet e së cilës i kam shkruar unë. Kjo këngë është si një lloj detyrimi moral që i kemi vendit ku kemi lindur, vendit që u përpoqëm ta skalitim në këngë dhe në mënyrë të veçantë një dedikim për të gjithë këngëtarët e Tepelenës, që kanë vënë gurin e tyre në muzikën popullore shqiptare, këngë që është më e kërkuara në të gjitha eventet tona muzikore dhe gëzimet familjare.

Pak më lart përmendët që i keni shkruar vetë vargjet e këngës “Nënë Tepelenë moj nënë”, përveçse i këndoni, i shkruani edhe vetë tekstet e këngëve?

Shumicën e rasteve i shkruaj dhe i kompozoj vetë. Por, duhet thënë që nuk mungon edhe ndihma e djemve të tjerë të grupit dhe sidomos të Baçit, siç jemi mësuar që t’i thërrasim këngëtarit tjetër të grupit tonë, Bashkim Deshikut. Bashkimi, ashtu si dhe unë, ka rolin kryesor në grup, pa të cilin nuk do të kishte kuptim grupi. Një nga zërat më të ngrohtë dhe më të spikatur të muzikës popullore. Pa dyshim krahu ku unë mbështetem në krijimet e mia, që na bëjnë të dy bashkautorë. Po jo më pak peshë kanë edhe dy djemtë e tjerë të grupit. Nuk mund të kompozohen dhe këndohen këngët pa dorën e Rino Boçit dhe klarinetën e Maldin Avdulit.

Ju keni tashmë tri albume në treg dhe jeni në pritje të publikimit të albumit tuj të fundit “Të parin do ta bëjmë djalë”, pse zgjodhët ta titullonit kështu?

“Të parin do të bëjmë djalë,

Që të më krenojë shtëpinë,

Nipi mirë ngjan në dajo,

Nga xhaxhai urtësinë”

Besoj se këto vargje, të cilat i kam shkruar për këtë album, e kthejnë më së miri përgjigjen e pyetjes suaj, sepse kjo është përgjigjja e çdo shqiptari.

Ajo që na ka surprizuar më shumë nga grupi juaj është prezantimi në “Top Fest” me këngën “Serenatë ‘80”, një stil krejt ndryshe nga ajo që jemi mësuar të dëgjojmë nga grupi juaj.

Ashtu siç mund të duket edhe nga vidoeklipi, kënga është një retrospektivë e atyre viteve, të cilën ne e sollëm të gjallë në të gjitha detajet, e sidomos tek veshja. Për ata ndjekësit tanë fanatikë të grupit tonë nuk është surprizë, sepse e dinë që ne i këndojmë të gjitha rrymat muzikore, muzikën e lehtë, këngë të Shqipërisë së Mesme dhe të Veriut e deri te serenatat korçare.

Po të hedhesh një vështrim mbi fotot e grupit, ajo që të ngacmon është edhe paraqitja juaj.

Ne jemi nga të parët grupe që kemi dalë me veshje të njëjta dhe këtë nuk e performojmë vetëm nëpër videoklipe, por në të gjitha eventet që ne marrim pjesë. Po zbulojmë se kemi rreth 12 veshje në garderobën e grupit tonë.

Çfarë suksesi presin “Djemtë e Vjosës” nga albumi i fundit?

Dëshira jonë është që këngët tona të këndohen ashtu siç janë kënduar deri tani dhe nuk ka gjë më të bukur për artistin kur këngët i këndohen gjithandej dhe të identifikojnë me emrat e këngës. Si te kënga “Ç’emër t’i vëmë djalit o dajo” dhe mua ende vazhdojnë të më thërrasin “dajo” (qesh). Ky sukses që presim nuk mund të kuptohet pa emrin e produksionit muzikor “Albatrade” dhe padyshim, mbështetjen e të gjithë fansave tanë, pa të cilët nuk mund ta kuptosh suksesin.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.