Fol me Psikologen

“Gruaja ime është e përkushtuar, por ka filluar të më duket kot fare”

14:13 - 10.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Gruaja ime është e përkushtuar, por jeta me të më ka mërzitur, ka filluar të më duket kot fare. Jam përpjekur të dalim e të kthehemi prapë me njëri-tjetrin, por pa rezultat. Nuk e mendoj ta lë, se fëmijët do e vuanin shumë.




-Përshëndetje! Si fillim të falënderoj që më ke shkruar. Nga ajo që ke thënë kuptoj shumë qartë shqetësimin i cili të mundon dhe “luftën” që zhvillohet brenda teje. Me lejo të të them se familja kërkon padiskutim angazhim, kujdes, sakrificë, përkushtim e shumë të tjera si këto, por ama mbi të gjitha që të kryejë qëllimin e vetë kërkon dashuri. Në krijojmë familje në mënyrë që të përmbushë nevojat tona për të qënë të sigurt, të mbrojtur, të lumtur. Fëmijët mund të jenë të shëndetshëm dhe të rriten të lumtur vetëm në të tillë atmosferë.
Frustrimi që përjetojnë prindërit, mungesa e lumturisë së tyre apo mohimi i vetvetes i cili shihet si sakrificë për fëmijët e çon familjen gjithmonë aty ku s’duhet. Ti thua se gruaja të është përkushtuar, jeni përpjekur të dilni me njëri tjetrin dhe të riktheheni sërish bashkë ashtu siç keni qënë, por kjo ka rezultuar e pasuksesshme. Je rikthyer me të dhe ju mban bashkë jo dashuria që keni për njëri tjetrin, por frika se nëse ndaheni fëmijët tuaj do të vuajnë. Thua se je i mërzitur dhe bashkëshortja të duket kot fare, mjafton kaq për të kuptuar se ky raport nuk funksionon më. Në një situatë të tillë më duhet të pranoj se është pak e vështirë të besosh se nuk ka konflikte, grindje, ngritje zëri… Të gjitha këto vijnë si pasojë e asaj që ju të dy përjetoni.
Kjo krizë në çift nuk ka si të mos përcillet tek fëmijët. Shpesh ne mendojmë se duke qënë të vegjël ata nuk arrijnë dot të kuptojnë atë që po ndodh, por në fakt është krejt e kundërta. Fëmijët kanë aftësi të perceptojnë gjithçka i rrethon dhe më beso receptorët e tyre janë aq shumë të fuqishëm sa të ndjejnë çdo dhimbje apo ankth tuajin. Nëse mendon se raporti me gruan e ka një mundësi, lufto dhe tento sërish për ta shpëtuar, flisni me njëri tjetrin, fëmijët janë sigurisht motivi më i fortë që ju mban bashkë. Gjithsesi ju mund t’iu falni atyre mirëqenie psikologjike vetëm nëse edhe vetë jeni të lumtur. Divorci dhemb shumë, por mungesa e dashurisë e cila demonstrohet çdo ditë përpara syve të tyre mund të jetë edhe më i dhimbshëm.

Fol me psikologen Ervisa Lula për historinë tuaj në adresën [email protected]


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.