Intervista

Arben Pëllumbi: PS, fitore spektakolare në 2019 edhe pse do i ketë të gjithë kundër

12:15 - 12.02.18 Darina Tanushi
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Deputeti socialist, Arben Pëllumbi vlerëson se kjo qeveri e ka rrëzuar mitin e krijuar se qeveritë në mandatin e tyre të dytë nuk punojnë siç duhet. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ai shprehet se nuk është penduar që i ka hyrë rrugës së politikës, edhe pse njohjet me të, për shkak të prejardhjes i ka të hershme. Por, ai mbetet kritik me mënyrën e si po e ushtron detyrën e saj opozita.




“Në një shoqëri me demokraci të vërtetë funksionale palët kërkojnë konsensus kur është e mundur, por në asnjë mënyrë minoranca nuk mund t’i imponohet maxhorancës e ca më pak ta bëjë këtë nga pozitat e dhunës e forcës”,-u shpreh Pëllumbi. Ai shprehet se PS do të ketë një fitore spektakolare në zgjedhjet vendore të 2019-tës, pavarësisht se këtë herë do t’i ketë të gjithë kundër.

Z.Pëllumbi, meqenëse u bënë muaj që jeni pjesë e Kuvendit të Shqipërisë, si i shihni zhvillimet brenda tij, veçanërisht gjatë seancave të ditëve të enjte?
Legjislatura e IX e Kuvendit të Shqipërisë është tashmë në sesionin e dytë dhe gjatë kësaj periudhe ka pasur zhvillime të ndryshme si pozitive dhe negative. Sigurisht publiku njihet me këto zhvillime gjatë seancave të të enjtes, por puna e vërtetë është ajo që bëhet në komisionet e përhershme parlamentare, të cilët përgatisin materialet që do të diskutohen e votohen. E për sa i përket seancave plenare do të veçoja si shumë pozitiv impenjimin e kryetarit të Kuvendit, z.Ruci, por edhe të tjerëve, për të kthyer në binaret e rregullores punimet e seancës dhe veçanërisht zbatimin me përpikmëri të orarit të fillimit, kohës në dispozicion por edhe qëllimit për të cilën kërkohet fjala.

Jo pak herë ky qëndrim korrekt është shfrytëzuar me arrogancë nga opozita për të realizuar skenarë imponues, nganjëherë dhe të turpshëm. Megjithatë, maxhoranca, në ushtrim të detyrimeve të saj kushtetuese ka vijuar aprovimin e projektligjeve, (në rastin e marrëveshjeve ndërkombëtare ka pasur dhe konsensus), duke siguruar një vijim normal të punimeve të Kuvendit. Dua të theksoj këtu që seanca e fundit përmbylli edhe pse pa konsensus, detyrimin kushtetues të Kuvendit në lidhje me organet e reja të drejtësisë. Uroj që seanca të shëmtuara si ajo e 18 dhjetorit me tymuese, çizme e çdo gjë tjetër që fluturonte në ajër, të ngelen një kujtim i largët. Në një shoqëri me demokraci të vërtetë funksionale palët kërkojnë konsensus kur është e mundur, por në asnjë mënyrë minoranca nuk mund t’i imponohet maxhorancës e ca më pak ta bëjë këtë nga pozitat e dhunës e forcës. Gjithsesi bëj pjesë tek ata që besojnë me optimizëm tek një legjislaturë brenda normales.

A jeni penduar që jeni bërë pjesë e politikës?
Unë vërtetë vij nga fusha e biznesit, por nuk është se nuk e dija çfarë përfaqëson dhe çfarë problematikash ka politika jonë sot. Edhe për shkak të prejardhjes familjare kam pasur dhe kam njohje personale pothuaj me të gjithë aktorët e rëndësishëm në jetën politike të vendit dhe më gjerë. Për këto arsye, nuk kam pasur surpriza, prandaj JO, nuk jam penduar edhe sepse qëllimi për të cilin jam sot pjesë e politikës, siç është pastrimi, civilizimi dhe vënia e interesit kombëtar mbi atë partiak e personal tashmë ka filluar.
A mundet të na bëni një analizë të shkurtër si po qeveris në këtë mandat të dytë qeveria “RAMA”?
Në përgjithësi dhe veçanërisht në Shqipëri, mandatet e dyta nuk rezultojnë shumë pozitivë. Por unë jam i prirë të shikoj një ndryshim të madh tek qeveria “RAMA 2”, prirje që mbështetet tek vizioni reformator dhe energjitë e shumta që Kryeministri i jep drejtimit qeverisës. Dua të kujtoj që, në mandatin e parë u bënë një sërë reformash ku do të veçoja atë territoriale, në arsim e atë në sektorin e energjisë, duke kulmuar me reformën në sistemin e drejtësisë.

Kjo reformë është edhe në këtë mandat të dytë një target i rëndësishëm që duhet përmbyllur dhe të fillojë të japë frytet e para, të cilat do të ndikojnë në mënyrë të pashmangshme edhe në ekonomi, përparimi i të cilës është në esencë qëllimi final i çdo qeverie. Dhe në vazhdim të këtij mendimi dëshiroj të rikujtoj që viti 2017 edhe pse vit zgjedhor, u mbyll me një rritje ekonomike të rëndësishme që pritet të jetë rreth 4%, me ulje të borxhit publik e papunësisë, e me stabilitet makroekonomik. Thënë këto, qeveria edhe për të ndryshuar historinë e mandateve të dyta, vazhdon të ndërmarrë reforma të reja të guximshme, si p.sh. ajo administrative, duke bërë ndryshime të rëndësishme jo aq në konceptimin ministerial se sa në atë të agjencive dhe inspektorateve me fokus uljen e korrupsionit dhe rritjen e shërbimeve, duke çuar në zvogëlimin e një numri të madh dokumentesh që duhen paraqitur, por dhe printimin online të një numri të madh syresh si dhe zvogëlimin në minimum të lejeve e licencave që duhen për kryerjen e një aktiviteti ekonomik. Në bashkërendim kjo edhe me kohën minimale e vlerën e papërfillshme monetare që duhet për të hapur një aktivitet ekonomik, po e bën Shqipërinë një vend që ofron lehtësim në rritje të të bërit biznes. Sigurisht si në çdo vend edhe tek ne ka biznese që hapen, por ka dhe që mbyllen. E rëndësishme është që numri i bizneseve të reja të jetë dhe është disa herë më i madh.
Gjithashtu, një luftë në rritje do të vazhdojë kundër informalitetit në ekonomi dhe këtu do të ketë një ndikim të ndjeshëm dhe ulja e tavanit në 2 milionë për bizneset që do të deklarojnë TVSh-në, duke qenë të kujdesshëm që kjo të mos sjellë rritje kostosh për bizneset vërtet të vogla.

Një ndihmesë të madhe po jep në këtë drejtim dhe platforma e bashkëqeverisjes si një mjet i drejtpërdrejtë për të shkundur institucionet në respekt të qytetarit. Sigurisht nuk them që çdo gjë po funksionon siç duhet, ka akoma shumë për të bërë. E dimë mjaft mirë që Shqipëria dhe shqiptarët kanë shumë probleme e halle. Vazhdojmë të jemi nga vendet më të varfra në Evropë, sigurisht politika ka gjynahet e veta në këto 27 vite, por dhe mentaliteti i vjetër që shumica presin çdo gjë nga shteti dhe mospërshtatjen me sistemin kapitalist, ia faturojnë për lehtësi qeverisjes, duhet të ndryshojë. Shkatërrojmë e rrënojmë pronën e përbashkët, përpiqemi të zgjidhim hallet tona duke përdorur një mik, një politikan ose më keq akoma me lek në dorë e duke mos kuptuar që shkaku i vërtetë i gjendjes në të cilën ndodhemi jemi vetë ne, jemi ne administrata, jemi ne politika, jemi ne qeveria, askush nuk ka ardhur nga Marsi. Duhet të bindemi njëherë e mirë se këtë vend nuk do ta bëjnë të huajt, por ne. Rruga drejt Europës nuk do të thotë më shumë lekë qyl e pa punuar, kafe e aheng, sidomos brezi i ri, por përkundrazi më shumë mundësi për punë e impenjime ndaj vetes dhe të tjerëve, më shumë iniciativë e bashkëpunim dhe mos harrojmë më shumë dashuri për Atdheun.

Jeni duke u përgatitur për zgjedhjet vendore dhe tashmë puna ka nisur brenda degëve të PS-së. A mendoni se do të përsëritet fitorja e qershorit të 2017?
Ne si Parti Socialiste, në bazë të statutit tone, kemi përmbyllur zgjedhjet e reja në organizata në shkallë vendi duke reflektuar rezultatet e 25 qershorit 2017 dhe sigurisht që objektivi politik i radhës janë zgjedhjet lokale të vitit 2019. Ne besojmë që me punën që po bëhet nga të zgjedhurit tanë lokalë dhe sidomos nga pushteti qendror, siç e theksova dhe më lart, me politikën e tepsisë për skrap, por dhe nga kontaktet personale që kam me njerëzit, dhe jo vetëm në zonat e Farkës, Pezës e Ndroqit që përfaqësoj, por edhe në zona të tjera ku nuk kanë munguar kontaktet, si rezultat i procesit të bashkëqeverisjes edhe pse në këto zgjedhje do të kemi të gjithë kundër PS-së, rezultatet do vazhdojnë të jenë spektakolare për ne. Përpos gjithë zhurmës që bëhet votuesit kanë ditur dhe do të dinë të orientohen drejt, drejt njerëzve të punës dhe rezultateve.

Të enjten ju miratuat në Kuvend anëtarët e dy prej institucioneve më të rëndësishme të drejtësisë, KLP e KLGJ, por pa votën e opozitës. A e dëmton kjo këtë proces që në fakt kërkon një konsensus të gjerë?
Po, ashtu është, Kuvendi përmbylli para disa ditësh detyrimin e tij kushtetues për plotësimin e organeve të reja të drejtësisë, një proces ky që i jepte mundësinë edhe opozitës të kontribuonte, por që tashmë e dinë të gjithë, ajo refuzon bashkëpunimin me qëllimin e vetëm bllokimin e reformës në drejtësi, reformë që u inicua prej nesh, u mbështet fuqimisht po prej nesh, por dhe pse u votua me konsensus të gjerë, nuk duhet të harrojmë se si u detyruan gjithë të tjerët, nga një ndërhyrje e fortë ndërkombëtare, të ngrenë kartonin lart e kokën poshtë. Mirë do të ishte të kishte konsensus, por kushtetuta e ka përcaktuar qartë dhe ka sanksionuar procedurat zhbllokuese, sepse në fund të fundit, reformat dhe zhvillimi i vendit nuk mund dhe nuk duhet të jenë tekë e askujt, sado i rëndësishëm të jetë apo të ketë qenë.

Opozita ka lajmëruar protesta të tjera si ajo e datës 27 janar. A prishin stabilitetin në vend protestat dhe sa dëmtojnë imazhin e Shqipërisë që pret hapjen e negociatave me BE në muajt në vijim?
Më lejoni fillimisht të bëj një analizë të shkurtër në vazhdim të pyetjes suaj. Në 27 janar opozita organizoi një tubim politik ,jo një protestë, sepse si rregull protestat nuk organizohen nga partitë politike, ato mund t’ju bashkëngjiten atyre. Në këtë kuptim që një segment i caktuar i shoqërisë të mund të protestojë duhet të ketë arsye të forta, që qeveria nuk po i dëgjon. Mua nuk më rezulton që qeveria të ketë lënë pas dore ndonjë problem të tillë, pavarësisht se jo gjithmonë është e mundur gjetja e zgjidhjes. Prandaj nuk shikoj bazë reale për protesta. Sigurisht mund të kemi tubime të tjera opozitare, por kemi vetëm pak muaj nga zgjedhjet politike dhe elektorati foli qartë. Justifikimet për vjedhje vote kur opozita kishte 6 ministra dhe kontroll të të gjitha ndërmarrjeve të rëndësishme në vend, kishte kreun e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, komisionerë e vëzhgues kudo, e nuk dokumentoi një shkelje të vetme apo kontestoi një rezultat, mbeten justifikime foshnjarake. Tubimet opozitare që si qëllim të fshehur apo të dukshëm kishin bllokimin e reformës në drejtësi, tani nuk vlejnë, sepse nuk mund ta ndalin dot më atë. Edhe krijimi i një opinioni që në Shqipëri situata politike nuk është e qëndrueshme, për të penguar hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian, pas publikimit të strategjisë së re të zgjerimit, nuk prodhon më asgjë. Gjithashtu, nuk duhet të harrojmë dhe problemet e brendshme të lidershipit të Partisë Demokratike, probleme që sipas meje do të thellohen. Nuk përjashtoj as mundësinë që të kërkohet një lider apo lidere e re që mund të përfaqësojë më mirë “trashëgiminë” e z.Berisha në PD. Thënë të gjitha këto personalisht nuk besoj që rruga e tubimeve do të ishte një zgjedhje e mençur për opozitën. Gjithsesi, protestat dhe tubimet si një mjet demokratik për të shprehur kundërshtime, kur organizohen brenda kuadrit ligjor, nuk besoj se sjellin prishje të imazhit të vendit e, gjithashtu, kanë filluar të ndikojnë gjithmonë e më pak në ekonomi. Për ta mbyllur bindja ime është që Shqipëria do t’i hapë negociatat me BE-në dhe viti 2018 do të jetë një vit përgjithësisht pozitiv për të gjithë ne.
Faleminderit


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.