DOSSIER

Ekskluzive/ Letra për Enverin: Ja çfarë diskutuan aktorët e Teatrit Popullor për ndikimet moderniste

13:28 - 12.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Dashnor Kaloçi – Ky dokument arkivor që po publikojmë në këtë kapitull të këtij libri i përket muajve janar-shkurt të vitit 1973 dhe bën fjalë mbi dy mbledhje të organizatës bazë të partisë të trupës së Teatri Popullor dhe, gjithashtu, kolektivit të saj, apo siç njihej ndryshe para viteve ’90-të, si “organizata e Bashkimeve Profesionale”.




Këto dy mbledhje konçidojnë me përfundimin e Festivalit të 11 Kombëtar të Këngës në Radio Televizionin Shqiptar, (dhjetor 1972-janar 1973), i cili vetëm pas pak ditëve nga mbarimi i tij, do të bëhej “objekt goditje” nga vetë Enver Hoxha, në fjalën që ai mbajti fillimisht në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së dhe më pas (15-16 Mars 1973), në mbledhjen me aparatin e Presidiumit të Kuvendit Popullor.

Ashtu siç duket dhe nga dokumenti në fjalë, në këtë mbledhje të Teatrit Popullor, që asokohe, por dhe më vonë do të ishte një ndër institucionet qendrore kulturore dhe artistike më me peshë në të gjithë vendin, i deleguar ka qenë, Pipi Mitrojorgji, (asokohe instruktor për Artin e Kulturën në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së), i cili ka përgatitur edhe raport-informacionin në fjalë, “duke nxjerrë në pah problemet” që kanë dalë nga diskutimet e aktorëve të Teatrit Popullor, emra shumë të njohur, mjeshtra të mëdhenj të skenës dhe ekranit, si në atë kohë dhe më pas, si; Pirro Mani, Naim Frashëri, Sulejman Pitarka, Luan Qerimi, Mimika Luca, etj. Dhe ashtu siç duket dhe nga faksimilja përkatëse, ky raport i instruktorit të Komitetit Qendror, Mitrojorgji, i është dërguar për t’u parë personalisht Enver Hoxhës, i cili ka vënë dhe firmën e tij mbi faqen e parë të dokumentit.

Po kështu, duket se pas Enver Hoxhës, dokumenti në fjalë iu është dërguar për ta parë, edhe disa prej anëtarëve të tjerë të Byrosë Politike, si Hysni Kapos dhe Haki Toskës, të cilët kanë dhe firmat aty, apo dhe Petro Dodes, i cili në atë kohë mbulonte sektorin juridik në aparatin e Komitetit Qendror të PPSH-së. Ajo që vihet re në këtë raport-informacion, është se të gjithë personazhet që janë kritikuar aty, ndonëse dy të parët pa ju përmendur emrat, si p.sh. autori i dramës “Viti 1961”, apo siç ka qenë titulli në variantin origjinal i saj. “Shtëpia nr. 1961, Shpëtim Gina, (asokohe vetëm 22 vjeçar), dhe skenografi i saj, Ali Oseku, pak kohë më vonë do të bëheshin objekt sulmesh e goditjesh edhe në raporte të tjera (do i shohim më pas në dokumentet e kapitujt e tjerë në vijim të këtij libri), dhe do të kishin një fat tragjik. Shpëtim Gina do të humbte jetën në rrethana misterioze vetëm shtatë muaj më vonë, duke “u mbytur” në dy pëllëmbë ujë, në një pellg të lumit Drojë, afër Mamurrasit ku e kishin dërguar për të kryer zborin ushtarak.

Ndërsa Ali Oseku që akuzohej “për modernizëm” do të përfundonte në burgjet politike të regjimit komunist për disa vjet me radhë. Po kështu në burgejte regjimit komunist do të përfundonte dhe kritiku i artit dramatik, Miho Gjini. Një gjë tjetër që vihet re në këtë dokument, gjë të cilën do ta ndeshim edhe më pas në mjaft dokumente të tjera në faqet e këtij libri, është dhe shprehja e Fadil Paçramit për Teatrin Kombëtar. “….është bërë si Teatri Bogdani”, gjë e cila do të ishte një nga akuzat që do i bëheshin atij herë pas here në mjaft mbledhje dhe raporte, deri sa u arrestua dhe u dënua me vite të gjata në burgjet politike të regjimit në fuqi. Ashtu siç do të shohim edhe në dokumente të tjera në kapitujt në vijim të këtij libri, këto mbledhje që filluan nga gjysma e dytë e janarit të vitit 1973, (menjëherë pas Festivalit të 11 të Këngës në Radio-Televizionin Shqiptar) shënuan dhe prologun furtunës së madhe që do të ngrinte Enver Hoxha dhe udhëheqja e lartë e PPSH-së ndaj shkrimtarëve dhe artistëve në të gjitha institucionet kulturore e artistike, si n ë Tiranë ashtu dhe në të gjithë vendin. Gjë e cila do të vazhdonte gjatë gjithë atij viti dhe më pas, duke “dhënë rezultatet” me dënimin e të ashtuquajturit “Grupi liberal në Art e Kulturë” me në krye Todi Lubonjën e Fadil Paçramin. Ashtu si pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe ky publikohet i plotë dhe pa asnjë shkurtim.


Raport-informacioni i Pipi Mitrojorgjit për Enver Hoxhën NE TEATRIN POPULLOR
Nga mbledhja e organizatës bazë të partisë më 24.I.1973 dhe kolektivit më 24.II.1973 me rastin e punimit të fjalimeve të shokut Enver kundër ndikimeve të ideologjisë, kulturës, artit të huaj, dualën këto çështje:
Edhe këtu, megjithëse në një masë më të vogël se sa në muzikë e në ndonjë fushë tjetër, janë çfaqur ndikime të huaja moderniste. Edhe këtu ka ekzistuar mendimi se duhet futur “e reja”, duhet “ecur me kohën”. Ndikimet moderniste janë çfaqur në këto fusha:
1. Në mënyrën e interpretimit skenik në pjesët teatrale.

Në vënd të një interpretimi realist ku gërshetohen mendimet dhe ndjenjat, aktorëve iu kërkohet një interpertim racjonalist, pa ndjenjë dhe pa emocione, një lojë e ftohtë dhe racionale. Kjo kërkohet nën atë që të evidentohej mendimi, të luftohet sentimenatalizmi, deklamacjoni, teatralizmi etj. Por në të vërtetë aktorit i kërkohej që të zhvishej nga interpretimi ideo-emocjonal i rolit të vet. Hyri kështu në disa pjesë teatrale një temperament i huaj, nordik, që nuk përputhej me temperamentin e popullit tonë dhe në traditën realiste në teatrin tonë. Naim Frashëri në diskutimin e tij tha: “Tek ne është kërkuar interpretimi i natyrshëm. Në parim, është një kërkesë e drejtë. Por në fakt aktorit i kërkohej që të frenonte emocjonet, ndjenjat. Kjo vinte në kundërshtim me karakterin e popullit tonë, me veçoritë kombëtare, mbi të cilat krijohet edhe fytyra e teatrit shqiptar. Edhe pjesët e huaja ne duhet që t’i trajtojmë në terrenin shqiptar, të dallohet vënia e jonë në skenë, nga ajo e vëndeve të tjera”.

Një aktor tjetër, Luan Qerimi tha se: “Duke luftuar pompozitetin, dekllamacionet etj, flasim ftohtë pa emocjone. S’kemi qenë vigjëlentë ndaj thjeshtëzimeve moderniste. Këto janë quajtur si hap përpatra”. Sulejman Pitarka, tha: “Në mënyrën e vënies në skenë ka shumë kopjime të huaja. Të gjithë aktorët vihen në mënyrë të ngurtë në pyetje nga spektatori pa lëvizur fare duke recituar pjesën ose duke lëshuar batuta”. Kjo tendencë racionaliste justifikohej edhe me teoritë e Brehtit, të cilat u kundërvihen teorive të Stanisllavskit. (Për të dy këta nuk ka ende analiza kritike mbi teoritë teatrale, mbi atë çka duhet pohuar e mohuar prej tyre. Pirro Mani ngriti në diskutimin e tij çështjen se “nuk duhet të jemi robër të kultit të Brehtit apo Stanisllavskit, por të marrim prej tyre atë që na shërben”.
(Siç duket në Teatrin Popullor por edhe në Institutin e Arteve e në ndonjë teatër tjetër, ka partizanë të njërit apo tjetrit teorisjen ose ide konfuze e sempletiste për të dy që në praktikën krijuese regjizorjale e aktoreske krijojnë konflikte).
Nuk duhet përjashtura fakti që tendenca racjonaliste e interpretimit të të pjesëve është ushqyer edhe nga ato drama të huaja ose tonat që kanë pasur prirtje racjonaliste. Mund të ketë edhe burime të tjera siç mund të jetë “teoritë” moderniste mbi teatrin që lulëzojnë në perëndim. Sidoqoftë kjo është çështje që duhet parë më thellë.

2. Në skenografi, e cila kaloj në konvencionalizëm jashtë mase deri në absurditet. Shumë skena e dekore në vënd që të lehtësojnë, pengojnë lojën e aktorit, në vënd që të qartësojnë idenë e çfaqjes, e errësojnë atë. Podiume e shkallë pa kriter e pa funksjon janë përdorur në shumë pjesë aq sa u shëndrua në një mani regjisoriale. Si shëmbull më i freskët u soll skenografia e pjesës “Viti 1961”, në të cilën as merret vesh as vëndi, as koha se ku e kur zhvillohen ngjarjet, kur zhvillohen ato në Shqipëri e kur në perëndim. Pirro Mani tha se mendonin se “skenografia s’ka nevojë të shprehë ambjentin, atë e krijon njeriu, prandaj ajo mund të ishte dosido”. Mirpo ka një kufi edhe në konvencjonalizmëm e aq më tepër të jetë i huaj siç ka pas në vënd në disa çfaqje. Por kur janë kritikuar dekoret e kësaj natyre, janë mbrojtur duke duke i cilësuar si krijime “modern të talentuara” dhe kritikuesit si injorantë.

3. Ndikime të huaja janë manifestuar edhe në përdorimin e efketeve të të ndryshme skenike regjizorjale jashtë çdo uniteti me brendinë e pjesës, të cilat kanë çuar në errësimin e personazheve, të figurave artistike (drita pistoletash, errësime skenash), muzikë e tepruar e në disa raste muzikë konkrete, si një akt të pjesës, “Viti 1961”), etj. Të gjitha këto janë quajtur si gjëra të reja, moderniste.
Sulejman Pitarka tha se: “Ndaj këtyre çfaqjeve të huaja jemi stepur sepse kishim frikë mos na quanin të vjetëruar. Ndërsa Mimika Luca tha se ata që çfaqnin dyshime, quheshin “pa kulturë”.

Veç këtyre u ngritën dhe këto problem të tjera:

1. Dramat historike e ato mbi luftën Nacional-Çlirimtare, praktikisht janë hequr nga repertori mbasi nuk çfaqen më duke u justifikuar me arsye të ndryshme.
2. Ndaj disa aktorëve të moshuar nuk ka respekt dhe quhen të skaduar. Naim Frashëri tha: “Për të denigruar një grup shokësh aktorë të vjetër, pa hapur mirë gojën u është vënë epiteti “Konservator”. Pothuajse të gjithë aktorët e Teatrit Popullor që jepnin mësim në Institutin e Arteve, janë hequr për të mos “infektuar” studentët me dobësitë e tyre. Miho Gjini (inspektor teatri në Ministrinë e Arsim-Kulturës), i ka cilësuar disa aktorë të vjetër si “limona të shtrydhur që duhen hedhur në kosh”. Shoku Fadil Paçrami e ka cilësuar në një diskutim të Teatrin Popullor si “Teatri Bogdani”, për të treguar kështu, shkallën e prapambetjes së tij.
3. Pjesa e fundit, “Orfeu zbret në ferr”, e një dramaturgu amerikan nuk është zgjedhur me kujdes dhe ka mendime pro e kundra çfaqjes së saj. Ajo është pezulluar nga Komiteti Partisë së rrethit. Por justifikimi që u dha nga shoku Fadil nuk u quajt i drejtë. Ai tha se: “nuk është opurtune të çfaqet tani”. Me të drejtë u kërkua të organizohet një diskutim krijues në kolektiv dhe të vendoset në se ka apo s’ka dobësi ideologjike, vlen apo nuk vlen të çfaqet.


Disa nga shokët e aparatit tonë që e panë çfaqjen, janë të mëndimit se ajo nuk meriton të çfaqet në publik për idetë e saj filozofike të pa pranueshme.
Lidhur me pjesët e huaja në të gjithë aktorët ndihej shqetësimi se mos tani do të ndalohen vënia e tyre në skenë. Më 1968-ën, u hoqën me urdhër, me listë, pa diskutim e sqarim. S’kanë bindje. Edhe një herë u sqaruar se Partia ndryshon qëndrimin dhe orientimet që ka dhënë në këtë drejtim.
4. Kur flitet për sukseset e dramaturgjisë e të teatrit shpesh thuhet se vetëm pas viteve ’60-të ka suksese të vërteta dhe errësohet puna e zhvilluar para 1960. Nuk shikohen vitet ’60-të si një etapë e lartë e cila ka bazën e vet të kaluarën.
5. Marrëdhëniet e Teatrit Popullor me Ministrinë e Arsim-Kulturës nuk janë të mira. U ankuan me të madhe për mungesë ndihme e konsiderate. Thanë se nuk vinë as për të parë çfaqjet, pa le të zgjidhin problemet krijuese.
6. Puna politike dhe ideologjike-estetike është jashtëzakonisht e dobët. Nuk bëhen në rregull as mbledhjet e formës së edukimit dhe as zhvillohen tema, biseda, debate e diskutime për çështje të ndryshme ideo-estetike. Në këtë kolektiv vazhdojnë thash e themet servilizmat, qëndrimet oportuniste, indifernetizmi, simpathitë, antipathitë në formë grupesh, egozimat etj.
Pipi Mitrojorgji
28.II.1973


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.