MILOSAO

Moikom Zeqo, binjaku Makabe Zaharia

08:53 - 12.02.18 Fatmir Minguli
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Nuk e di se cili ishte i pari, Moikom Zeqo apo Makabe Zaharia. Nuk është fjala për njohjen me anë të shkrimeve apo bisedave të tyre kryesisht në Durrës dhe në Tiranë. Ndoshta kanë qenë të lidhur edhe pa u njohur, por kjo është vetëm një hamëndje.




Por në librin e ri të Moikomit, “Letrat për Makabe Zaharinë “ ndoshta kuptojmë diçka mbi realen e këtij bashkëpunimi, do të kuptojmë zanafillën e profecisë që Makabeu i bëri Moikomit për poezinë e së ardhmes, poezi që Moikomi e ka shpalosur në kolanën e dymbëdhjetë “Miscellaneave” dhe në disa libra të tjerë, në dy librat e botuara në Amerikë, të cilat përbëjnë një kolanë të dytë poetike pas asaj të “ Miscellaneave “ por me sharm tjetër.

Një sharm të tillë e shohim dhe e ndjejmë edhe te ky libër për të cilin e bëj këtë vëzhgim letrar. Libri “Letrat për Makabe Zaharinë “ më tepër se një libër poetik është libër i dyshimit ekzistencialist. Makabe Zaharia është njëkohësisht udhëheqësi, është lajmëtari Hermesian, është misteri që bashkon padijen dhe ndan të diturit.

Shumë kush që njeh krijimtarinë e Moikom Zeqos ka përshtypjen se Makabe Zaharia është alter egoja e tij. Bukur do të ishte kështu, se shkrimtarë të mëdhej kanë pasur alter egot e tyre, në mos alter ego, një shpirt binjak. Por Makabe Zaharia, ky ebre i çuditshëm është një domosdoshmëri për Moikomin, për veten dhe për veprën e tij.

***
Në letrat drejtuar Makabe Zaharisë ndihet ajo që e shqetëson poetin. Është ajo që shqetëson krijuesit e mëdhej dhe që quhet “ vetmi”, një vetmi ndryshe nga ajo e njerëzve të zakonshëm. Sa e trishtueshme për poetin është “harresa”, sa e parëndësishme është ajo përkundrejt boshllëkut dhe vetmisë.Harresa për poetin është ardhja e natës që të nesërmen dielli e shaktërron. Kështu e portretizon Moikomi harresën por nuk mbetet me kaq. Poeti Moikom Zeqo nuk është rob i harresës. Ai kujton shumë, ashtu siç sjell lumin e Drinit, në këtë libër, sjell dithirambet për të, aty ku Pjetër Budi vdiq realisht po jo virtualisht. Poezitë për Drinin për mendimin tim, janë Letra e njëmbëdhjetë drejtuar Makabe Zaharisë:” Drini, Krisht i rrjedhshëm, teposhtave, rreshpeve, në rrafshnaltat pagane. Vjeshtat, parajsat e mia të humbura”- ky është përkushtimi poetik që lexojmë në libër.

Ky kapitull për Drinin mund të quhet dhe “ i ndriçuari “. Por nuk është vetëm Drini por e gjithë Shqipëria, e gjitha enigma e saj ndër shekuj, i gjithë arsenali i trashëgimnisë së popullit tonë. Dhe kur shprehjen me modernitetin e poezive moikomiane e ndjen veten krenar për Motet e Mëdhej dhe pezmatohesh me motet e tashmë. Por në këtë libër ndryshe nga librat e tjerë aq të shumtë të Moikomit, ndihen edhe pikëpyetjet e shumta për jetën e vërtetë dhe jetën virtuale. Janë pikëpyetjet që përzgjaten për nga boshllëkut, heshtja, kaosi dhe meditimi universal. Megjithëse pikëpyetjet nuk ndalen ato përqëndrohen në një bosht filozofik, pema e mendimeve .” Kur të vdesim, si ta kuptojmë se qemë të gjallë si iluzion? – E ç’rëndësi kanë frymëmarrjet?”Por janë metaforat, ato gjallesa të species moikomiane, që e shpëtojnë disi nga pikëpyetjet.

***
Në poezitë e librit “ Letrat për Makabe Zaharinë “ shpesh feksin semaforët, ku numuri “tre” është i mëshiruar jo vetëm te ngjyrat por dhe te Triniteti i zotit. Metafora e semaforit si një emblemë poetike e Moikom Zeqos, një shenjë totemike urbane të sjell ndërmend lejim- ndalimet e jetës. Por ajo që i pëlqen autorit është pikërisht e verdha e sinjalit të mesit. Është e verdha e mistikës, abstraktes, boshllëkut, as ndalim, as lëvizje. Por pasi ndalon, e verdha e komandon lëvizjen e radhës por për mirë, por është e verdha që komandon ndalimin tjetër, për mirë apo për keq, krejt si një kompjuter midis njeriut të gjallë dhe atij kibernitik.Metafora e semaforit është fakti që lind në poezinë e Moikom Zeqos, e cila i rri bukur kostumit urban modern, e ku semafori shfaqet edhe lart në qiejt e pafundësisë kozmike e herë – herë nën ujrat e thellësive duke rregulluar trafikun e anijeve të nëndetit të Atlantidës. Duke ndërtuar godinën poetike me sharmin e të panjohurës ku misteri është princesha e kësaj godine, Moikom Zeqo i këndon i pafrikësuar Apokalipsit. Apokalipsi është maska e të panjohurit dhe brenda kornizës së boshllëkut ai sheh optimizmin duke shkruar:
“Mirmëngjes i Panjohur! Vdekja është përherë e dikurshme. Çdo vdekje e ardhshme është vetëm e dikurshme!”

***
Vetë Makabe Zaharia është një lojë perfekte brenda disa aeraleve jetësorë të Moikom Zeqos.Poeti Moikom Zeqo si shumë poetë të mëdhej ka nevojë të rrëfehen. Ky rrëfim nuk është i atillë si një rrëfim i rëndomtë, as për të reklamuar apo shpjeguar poezitë e tij. Në asnjë mënyrë. Ai do të gjejë shtigje të pashkelura dhe të depërtojë në hapësira të panjohura. Ndryshe ai kërkon shpalosjen e ideve dhe guximin e vet poetik në një formë tjetër mardhënie me lexuesin dhe rrëfimin ai tashmë nuk e ka për vete por për shembull si për një person që quhet Makabe Zaharia, ndoshta i panjohur për disa por shumë i njohur ndër lexuesit e veprës së Moikom Zeqos.Rrëfimi i Moikom Zeqos me letrat e fundit drejtuar Makabe Zaharisë botuar në librin “Letra Makabe Zaharisë “ herë ngjan me atë që bëri Leopardi me “ Zibaldone”, herë ngjan me Rusonë me “Rrëfimet”.

Moikom Zeqo ka zgjedhur një formë të vetën, një absolute të ideve dhe mendimeve të tij, nëpërmjet letërkëmbimit konstruktiv, që i ka fillimet e veta në librin kompjuterik botuar nga Andrea Llukani në vitin 2010 me titullin “ Letërkëmbim me Makabe Zaharinë- nga dorëshkrimet e humbura”.Ja një shpërthim i Moikomit në një nga letrat drejtuar Makabesë:” Nuk mund të mos them se kam një ndrojtje të pakufishme më tepër ndaj vetes se sa ndaj Teje. Grindem, ngrihem lart, rrëzohen poshtë në mendim, shpalos tërësinë koleksionin e ideve dhe nuk ndjej aspak qetësi dhe prehje të paqme…….O Zot, jam kaq i përkohshëm dhe për fat të mirë i vdekshëm deri në fund në çdo molekulë.”Te kushdo kritik Moikomi kërkon Moikomin dhe jo vetëm te Makabe Zaharia, për të mos thënë se ai kërkon te çdo kritik Makabenë, në mos të plotë, edhe të pjesshëm. Atë e sheh si tempullin e letërsisë ndryshe, dhe jo vetëm për letërsinë. Kohë më parë ai ishte në Tiranë në Klubin që mban emrin e tij dhe gjëra të çuditshme ndodhën atë ditë.
***
Të shkruash për klubin “Makabe Zaharia “ nuk do të nënkuptosh se po shkruan për klube të fshehtë. Në fakt ky klub është nën tokë, dhe është më i veçantë se sa shumë klube mbi tokë. Por ka dhe një të vërtetë tjetër, se në këtë klub mblidhen shumë shkrimtarë pothuaj nga e gjithë Shqipëria, madje edhe nga tokat shqiptare e nga diaspora.Vinë shumë studjues, poetë, skulptorë, koleksionistë të hazdisur të artit, botues e shumë profesionistë të cilët në një farë mënyre merren me artin në përgjithesi, pa harruar muzikën, pikturën.Por që tani, në këto pak rreshta lindin pyetje të ndryshme. Emri i klubit “Makabe Zaharia” është një emër i panjohur, por jo klandestin. Pozicioni i këtij klubi është i pacaktuar, por është në qendrën punktuale të Tiranës. Shkrimtarët që vinë janë autorë të njohur me shumë vepra të botuara, dhe njëkohësisht njerëz të zakonshëm.

Ka dhe pyetje të tjera, por seriali i tyre është në fund të fundit një pikëpyetje e kotë për t’ju përgjigjur sepse nuk përbën qëllimin apo objektin e këtij tregimi. Por nuk lejohet as dhe dyshimi për përdorimin e fjalës “nëntokë”, që për gjuhën ruse ka kuptimin e zbulimit të fshehtë, ndërsa për gjuhën angleze është krejtësisht ndryshe. Ajo ka kuptimin e “nënkalimit”, një kalim suplementar në lëvizjen e njerëzve që ecin në nivelin zero të tokës. Muzika e Lui Armstrongut është e pranishme në çdo moment. Fotografitë e të mëdhenjve të këngës bluz, janë në çdo qoshe muri. Maskat e shekujve të kaluar kanë një ndriçim të brendshëm.
Në klubin “Makabe Zaharia “ vijnë vazhdimisht shkrimtarët dhe në tavolina të ndryshme lëvizin libra, dorëshkrime, poezi të printuara, emra botuesish, emra autorësh të huaj…Shumë gjëra dëgjon aty.Ti kujton se ndodhesh në një “Akademi vullnetare të letërsisë virtuale”. Ndokush që e ka parë këtë këmbim letrash mund të jepte krahasime të ndryshme, sipas njohjes së tyre për historinë e letërsisë, si psh klubi hungarez “Petëf”, kafeneja e bulevardit Ramleh në Aleksandri të Egjiptit, grupimin 63 në Itali etj. Por kjo është një kafene nëntokësore ku i jepet rrugë kalimit suplementar të letërsisë, jo në nivelin zero të njohur aty ku gëlojnë me qindra kafene të zhurmëshme.
Midis tavolinave patjetër bie në sy ajo e qoshes, ku Makabe Zaharia, i cili i ka dhënë emrin kësaj kafeneje, flet me një shqipe të trazuar. Trazimi vjen thjeshtë në vendosjen e gabuar të theksit, sepse fjalët i thotë të sakta. I lindur në Durrës në vitin 1949, me 3 qershor, është një nga çifutët që mbijetuan në Shqipëri falë superhumanizmit të njerëzve shqiptarë. Në Durrës u rrit dhe pas adoleshencës u largua së bashku me familjen e tij në Izrael. Por Shqipërine dhe shqiptarët nuk i harron kurrë. Herën e fundit tregonte fletë nga ditari i tij ku binte në sy udhëtimi i 77 –të në Shqipëri. Ai është një shqiptar, ai është një izraelit, por ai është “studjues nëntokësor”.

Çudia më e madhe e tij është se merret me kritikë letrare. Çudia tjetër më e madhe e tij është se e ndjek letersinë shqiptare këmba – këmbës dhe boton herë pas here “online” shkrime kritike shpesh shumë të hidhura, aq të hidhura sa të vjen madje, inat.

Në një nga këto shkrime ajrore ai flet për një dukuri, psh te librat e Moikom Zeqos. Veçanarisht për librin “Perendia I “, ai hedh idenë se Zeqo bën një afrim gati të përhershëm midis teologjisë çifute dhe ideologjisë kineze (orientate). Ai thotë se ka një afrim dhe largim elastik, të lidhur dhe të palidhur. Ai gjithashtu konstaton haptazi që këto janë mendime të kundërta të Zeqos dhe jo vetëm një mendim i vetëm i tij.
Guxova një ditë prej ditëve kur ai që ndodhej në klubin nëntokësor, t’i shprehja mendimet e mia për sa trajtonte në atë shkrim ajror. Në fillim u mërzita se duke qenë çifut Makabe- ja do të mbante anën e tij , apo të Biblës së Izraelit, Talmudit. Por kot u mërzita. Makabeu më shpjegoi mua por edhe të tjerëve aty rrotull se Zeqo ka një guxim të madh që bën këtë afrim midis dy ideologjive që kanë lënë gjurmë në mbarë letërsinë botërore dhe sidomos atë moderne.
-Vetëm se – vrojtoi ai, duhet që ky afrim të unifikohet dhe natyrisht është problem për Zeqon- tha duke përfunduar mendimin. Por i pandalur është Makabe Zaharia në pasjen frikë që njerëzit e letërsisë kanë për të bërë autokontratë me veten e tyre, madje edhe për qëndrimin e tyre ndaj legjendave, miteve, vetë Zotit. Pa harruar edhe frikën ndaj simboleve.

Mos vallë Çezari është legjendë, po Aleksandri i Madh, po Eposi i Kreshnikëve të Veriut shqiptar?
Autokontrata duhet të përfshijë në radhë të parë legjendat, dorëshkrimet mbi gurë, përrallat e vendlindjes dhe të vendeve për rreth Shqipërise e duke shkuar larg deri te atlantët, acteket e babilonasit. Makabeu i palodhur si gjithnjë jep shembullin e syzeve të njeriut. Ai po për Moikomin thotë , se ky i fundit ka zbërthyer “efektin e syzeve” , të shprehura te librat e Meduzës. Ky efekt eshte i lidhur edhe me fenomenin e ndërfutjes së dy ideologjive që përmenda më sipër. “Efekti i syzeve” është në fund të fundit shikimi nga plane të ndryshme i çdo aspekti jo vetëm letrar.
Eshtë pra Zaharia që i korigjon disa shtjellime teorike që Moikomi ka qejf t’i shpërthejë në librat e vet. Syzet dhe efekti i tyre letrar teorik nuk shërbejnë për mjekimin e strabizmit, siç mund të pretendojë një poet i njohur. Dikush mund të thotë se hedhja e ideve është problem ajror, jo tokësor, fantastik. Mirëpo Zaharia nuk të le. Ai, përsëri pasi pi dhe kafen e katërt, i pamërzitur, mbijeton me armën e parë , atë të besimit në mitet dhe legjendat.
Duke dëgjuar këtë njeri kozmopolit më shkuan në mëndje shënimet kritike të italianit Lorenzo Renzi që na prek indirekt neve shqiptarëve pikërisht brenda këtij diskutimi:

“Poemat e Homerit duhet të kenë pasur një shoqërim muzikal që e kanë dhe këngët epike serbe të studjuara nga Milman Parry i cili donte të gjente sekretin e epikës homerike. Në studime të tjera “ Eposi i kreshnikëve “ është bazament shqiptar dhe diskutimi vazhdon. Por duke dëgjuar komentet e Zaharisë për subjektet letrare-fantastike të Zeqos , kupton se ata që nuk besojnë mitet dhe legjendat nuk besojnë dhe hulumtimin fantastik.”
Por fantastikja ka disa klasifikime që ndahen sipas forcës revolucionarizuese të tyre, sipas substancës jo konvencionale në principet e ndërtimit teorik. Po kështu është dhe intuita filozofike dhe artistike. Janë tepër të lidhura me njëra tjetrën. A nuk është vallë “Apokalipsi “, libri i fundit i Gjonit, kryeskenar i gjithë turbulencës fantastike në Hollivud! Dhe” Apokalipsi” është pjesë e Biblës dhe ajo është teologjike.
Po më tej? Përgjigjen mendoje vetë!

Kjo ishte dhe mbyllja e tërë këtij diskutimi me Makabe Zaharinë.
Ai foli shumë për Moikomin edhe për faktin se janë rritur së bashku në një lagje në Durrës. Por ai ka folur dhe flet për shumë autorë shqiptarë. Herën tjetër kur të vijë më 3 qershor do të na flasë prap ,por asaj radhe do të na servirë idenë se Drakula ka jetuar me të vërtetë, një njeri prej mishi dhe prej kocke me emrin Vlad Tepes (shqiptohet Teh- pesh ), Princ i Valakisë që zotëroi në Transilvani në vitet 1448- 1476. Ishte shumë mizor, nuk ishte vampir, dmth jo i vdekshëm. Por pikërisht mizoria e tij e ka futur në mitologji. Janë të dhëna që vinë nga enciklopeditë.
Makabe Zaharia është i pakënaqur me këto informacione të internetit. Ai ,ndoshta jo pa qëllim dikur e ngacmoi studjuesin e ri Azem Qazimi i cili sapo kish përfunduar “Fjalorin e ri demonologjik shqiptar”. Ai i tha me një lloj trishtimi Azemit se duhej t’a shihte mirë faktin se kur u ndërtua kështjella e Vlad Tepes qarkullon akoma nëpër botë një legjendë pothuaj e njejtë me atë që tregohet për Kalanë e Rozafës në Shkodër.
-Shikoje mirë – i tha izraeliti studjuesit të ri, se në librin e John Ë. Polidorit ( 1795- 1821 ) “ Vampiri “ , vajza Jante, protagonistja e romanit, është greke (apo shqiptare)?- dhe mos harro – ngulmonte ai se John Polidori ishte mjek dhe sekretari i poetit Xhorxh Bajron. Romani i tij inspiroi Gëten dhe Bodlerin. Mbas këtij romani nuk shkruajti më dhe në Angli njihet si i ati i vampirit, por është harruar në dokumentat zyrtare të letërsisë angleze.
Gëtja shkroi balladën “ Nusja e Korintit “, pra me subjekt grek. Bodleri bëri poezinë “ Vampiri “ tek “Lulet e së keqes” duke portretizuar një grua si vampir.
Këto do t’i tregonte mirë e mirë Makabeu kur të vinte sërish në klubin nëntokësor.Ai edhe mund të ketë ndonjë inat me Moikomin dhe flitej se ai do t’i thonte diçka të tillë si psh që ky klub “Underground “ në mes të Tiranës, i pëlqente dhe do t’i fliste me ngazëllim duke recituar pjesë nga romani “ Nëntokësit “ të Jack Kerouak ( 1922- 1960).

Klubi i tij nëntokë ndodhej në San Françisko, klub ku mblidheshin grupet “ beat generation”. Por Makabeu kish deklaruar me kohë se klubi i Tiranës i dukej më interesant apo si më i këndshëm. Shumë shpejt u kuptua se kjo histori që unë shkruajta për klubin “ Underground” kishte të bënte me mundësinë e një drejtimi të letërsisë ndryshe, domethënë asaj të nëntokës dhe jo të normales. Klubi që ju paraqita nuk është gjë tjetër veçse dekori por edhe skena e zhvillimit të ngjarjeve që në të ardhmen edhe mund të kujtohen. Rëndësi ka që klubi nuk është klandestin, përkundrazi është në mes të kryeqyteti shqiptar, aty ku marrin udhëtim rrugët kryesore për të zbuluar letërsinë e vërtetë. Letërsia nëntokësore është duke u rritur dhe dikur do shpërthejë filizat e saj të parë sigurisht mbi tokë.
***

Prandaj libri i fundit i Moikom Zeqos “ Letrat për Makabe Zaharinë “ quhet nga vetë autori si përshtatshmëri e tij, si kur ajo formë poetike apo stil është për të na dhënë poezinë ndryshe. Ky libër është sa real aq dhe virtual, sa tokësor aq dhe hyjnor, ku tharmi i krijimit është vetë poezia mbi mendimin, poezia mbi jetën e sotme që instiktivisht sheh në jetët që do të vinë. Një miqësi e vjetér me Makabe Zaharinë që ripërtrihet vazhdimisht, ku dialogjet dhe epistolaret, meditimet Moikom Zeqo- Makabe Zaharia i shërbejnë poetit të zbërthejë veten e tij, çka përbën një veprim tepër intrasigjent dhe që e çon në klasifikimet renditëse midis shkrimtarëve dhe shkencëtarëve njëkohshëm.
A nuk është Moikom Zeqo, ky autor që po zbaton në Shqipërinë tonë të vogël, teorinë e lindur së fundmi në botën e letërsisë?
A nuk është ky autor që nëpër mjet Makabe Zaharisë, arrin të japë zgjidhje në garën që shkenca i ka hapur letërsisë, në mos shkenca e mirfilltë, ajo teknologjike po se po. Ajo që bëri Dan Braun me risjelljen e shkencave në letërsi, Moikomi e ka sjellë shumë me herët me librin “ Kështu foli Mona Liza”, shumë vite më parë.
Në një nga letrat drejtuar Makabe Zaharisë, ai shkruan:
“Por në se ti shkruan librin për Gjon Buzukun, që shekuj më parë artikuloi emrin “ gluhë” dhe “ klaj “, çuditërisht krijohet një ndërlidhje midis tij dhe Jugut të Shqipërisë dhe Çamërisë epiriotase, trevave malore, ku akoma dhe sot me një këmbëngulje titanike para dhe pasbuzukiane, dëgjohet fjalët e pashkatërrueshme në amëshim “ gli” dhe “klaj”, “ Të klash në Glu-hë.”….”
Ja shkenca, ja letërsia, ja Moikom!
***
Ky poet kërkon mitet, por jo diktaturën e mitit në letërsi. Miti diktatorial i një autori në letërsi, nuk është gjë tjetër veçse dëshira e vetmuar e një autori, që …vetëm ai të lexohet. Po kështu bien poshtë eksperiencat natyrale dhe ekzistencialiste, ashtu siç e trajton gjërësisht, përkthyesi dhe kritiku gjerman Hans Joachim Lanksch.
Të shkruash për veten, nuk është një lloj sikur bën Curiculum Vitae, por është njësoj sikur të shkruash për atë apo për ata me të cilët ndan të njejta mendime. E në se nuk është Curiculum Vitae, nuk është as Apologji, që u trashëgua nga Autobiografia dhe nga Rrëfimet, siç bënë Shën Agostini dhe Rusoi. Shkrimi qoftë në prozë, qoftë në poezi, ka një destinacion edhe kur e shkruan për vete. Ai është shkrim jo shumë publik, por për një komunitetet që atij i takon, për shembull athinasit për Sokratin, të krishterët për Shën Agostinin, shpirtrat “sentimentalë” të modernitetit për Rusonë.
Por në rastin e “ Letrave për Makabe Zaharinë” do të kemi komunikimin ndryshe, komunikimin me lexuesin kërkues, me lexuesin për të cilin metaforat fluide të Moikomit i sheh si elementë konstrukti të një stili të ri.

Pikërisht për këtë ai në Letrën e tetë shkruan:
“ A ka humbur vallë artshkrimi si një mjellmë negre, mbas këngët së fundit?”
Stilet klasikë kur bien në dorë të Mokiomit vishen me pelegrina magjike që i transformon ato stile në forma të reja, por jo të fundjetës. Vetë krijesa Makabe Zaharia është pré e kësaj magjie. Me emër e mbiemër njeriu ai transformohet në një nga personazhet më inteligjentë në letërsinë moderne shqiptare dhe më tej. Prandaj Makabe Zaharia nuk është thjeshtë mit, ai është matricë, shembëlltyrë reflektuese, metaforë e gjallë, njeri. Profecia poetike e Makabe Zaharisë vazhdon, libra të tjerë të kohshëm e të pakohshëm lindin nga Moikom Zeqo.

*Durrës, Dhjetor 2017- 2 janar 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.