OPINION

“Çfarë veglave t’u biem që të na dëgjoni zonja ministre?”

15:10 - 13.02.18 Artan Fuga
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Cfarë këmbanash duhet të tundim që t’i dëgjojë znj. ministre e arsimit ?




Bllokimin e pagave që solli vonesën e tyre për mijëra punonjës të universiteteve publike e kam quajtur fakt total. Vonesa mund të ndodhin në kushte të jashtëzakonshme për pak orë, por këtë radhë ishte një pengesë institucionale. Po të mos kishim ngritur zërin askush nuk do të kujtohej të jepte informacion ose të ndërhynte për zgjidhjen e problemit. Mospagimi në kohë i punonjësve të universiteteve publike nuk ka ndodhur as në vitin 1957 kur u krijuar universiteti publik, as në 1990, madje as në 1997, por ja ndodhi për turp në 2018.

Nuk është as një gjë e rastit, as mund të thuhet se nuk ka gjasa të përsëritet përsëri. Ne me këtë që ndodhi kaluam në një pikë që ka të bëjë me imazhin e shtetit dhe kulturën shtetrore ku shteti pengohet të paguajë të punësuarit e vet, ose të agjencive publike. Dhe më e keqja është se ndodhi tamam në sektorin e dijes universitare.

Një grup profesorësh, që përreth jush i kanë quajtur agallarë, feudalë, padronë, mbledhur përreth Forumit për Liritë Universitare ka kohë që po tund këmbana, zilka, këmborë, po u bie daulleve, për të bërë të dëgjohet zëri i tij, por ministria e arsimit nuk dëshiron të dëgjojë. Paaftësia e administratës shtetore për të paguar në kohën e duhur punën e bërë nuk është çështje harrese, as një rastësi, apo që rrjedh nga ndonjë vullnet i paqenë.

Ne e kemi paralajmëruar që në planin e modelit financiar dhe ekonomik, ligji për arsimin e lartë, i konceptuar nga ministria e arsimit dhe i dërguar prej saj në Kuvend, si edhe praktikat që influencohen nga lobi me konflikt interesi dhe individë karrieristë dhe krejt të paaftë dhe amatorë në administrimin e industrisë të dijes universitare do ta çonte sistemin nga njera katastrofë te tjetra. Ne sot jemi përpara dy pasojave madhore. Ka universitete private që janë në prag të katastrofave financiare aq sa nuk paguajnë punonjësit e tyre, si edhe universitetet publike që nuk funksionojnë në rrafshin menaxherial dhe janë në bllokazh financiar dhe të zhvillimit të fondeve.

E keni gabim zonja ministre, përsëri ju themi, nuk është thjesht çështje e disa akteve nënligjore. Puna është se këtë gjëmë që po afrohet me ciklin tjetër të krizës e ka në gen ligji juaj për arsimin e lartë, më kaotiku, më inkoherenti, më irracionali që kanë njohur universitetet shqiptare në të gjithë kohërat. Nuk e gjen në asnjë vend të Europës.

Cfarë këmbanash duhet të tundim edhe më tepër për t’ju bërë të dëgjoni zërin tonë dhe jo vetëm të disa individëve autistë që ju çojnë ju dhe bashkë me ju edhe të gjithë sistemin në humnerë ?

U çbllokuan pagat ? Ju dhe ne e dimë mirë se me çfarë praktikash të panatyrshme dhe me çfarë operacionesh administrative amatore dhe në kufijtë e logjikës të ligjit u bë e mundur që me urgjencë të paguheshin sot pagat. Asnjë garanci nuk ka që kjo nuk do të përsëritet prapë e prapë. Cdo menaxher e di këtë, por tuajët jo.

Cfarë të tundim që të na dëgjoni ?

Të tregojmë dhe të nisim të llogarisim qindra milionë lekët që kanë humbur universitetet publike sepse ju mbyllët shkollat doktorale dhe nuk e vini ujët në zjarr që ato të hapen si pjesë e ciklit të studimeve në shkollat e larta ?

Kujt t’ia faturojmë këtë humbje ?

Na keni sjellë në bordet administrative të universiteteve individë që janë në punë të tyre, nuk kam gjë personalisht, por që kanë si kriter besueshmërinë politike, konkurrencat e lobive të ndryshme, pa asnjë dëshmi njohurish ose aftësish në menaxhimin e financave universitare, dhe mbi të gjitha pa asnjë lidhje me universitetet. E dini zonja ministre se nga bllokimi i pagave që ndodhi, të vetmit të cilëve nuk iu hyri asnjë gjemb në këmbë ishin pikërisht antarët e bordeve me honoraret e tyre të majme ?

Cfarë veglave t’u biem që të na dëgjoni ?

Keni mbushur sistemin me lloj lloj agjencish, bordesh, e stërbordesh, mbushur sa me militantë dhe sa me individë që marrin paga e honorare dhe të gjitha këto parà merren nga buxhetet për arsimin e lartë ose nga kontributet universitare ? Cfarë kusuri kanë familjet shqiptare që të majmin të gjithë këtë burokraci që me bekimin tuaj u ka hipur në kokë universiteteve private dhe publike dhe po u merr frymën ? Aq sa edhe për të shtuar një kapitull të ri në një lëndë duhet të marrësh leje në të gjithë piramidën që përfundon me ju në majë.

Zonja ministre ne u themi me përgjegjësi që universitetet private janë në vështirësi të mëdha financiare kurse ato publike janë pothuajse në bllokim financiar. Shihni si sillen me pagat dhe shpërblimet dhe kuptoni se sistemi ynë universitar mund të shpërthejë dhe të falimentojë duke shkaktuar një kolaps social si ai i dështimit dhe falimentimit të piramidave financiare që znafilluan me atë të Sudes.

Kujt burive t’i biem që të na dëgjoni ?

Thoni se na keni dhënë pavarësi financiare. Të gjithë në universitetet publike e dinë se kjo është një shaka e madhe me pasoja katastrofike për sistemin dhe menaxhimin e tij. Ku ka fleksibilitet në paga, kush ka mundësi të marri hua bankare, kush ka mundësi të investojë në fusha të përafërta në shërbim të cilësisë, kush ka mundësi të vlerësojë në bursë kapitalet e universiteteve publike dhe të atyre private. E dini ju zonja ministre se çfarë domethënë autonomi dhe pavarësi financiare ? Gjithçka është e bllokuar financiarisht në universitetet publike.

Keni parë ndonjëherë me anë të ndonjë studimi sesi është pauperizuar rinia studentore në universitetet publike ? Ushqehen keq, nuk kanë akses në korpuse librash, nuk blejnë dot libra, kushtet e banimit minimale, as bëhet fjalë për të ndjekur veprimtaritë kulturore. Keni bërë ndonjë studim për të matur se çfarë mundësish ka familja shqiptare për të arsimuar fëmijët e te ?

Ne jemi të stresuar zonja ministre sepse ju nuk doni të dëgjoni që ne japim mësim përpara auditoresh me të papunë të ardhshëm.

Kujt daulleve duhet t’u biem që pa zgjidhur modelin e drejtimit të universiteteve publike si edhe profilin e të gjitha universiteteve shqiptare, papunësia intelektuale do të vijë edhe më shumë në rritje. Sistemi arsimor ka vrarë shpresat dhe energjitë studentore.

Mos kujtoni se dëshpërimi ynë për pagat ishte çështje lekësh. Ato i bisedojmë se edhe ato janë të drejta kontraktuale, pra juridike, pra politike. Por, ne gjetëm rastin për t’ju treguar se sistemi juaj është autist. Ju duhet që ne të bërtasim që të urdhëroni të jepen pagat nga të ardhurat që kemi krijuar vetë ne por që nuk duhet të shkojnë për paga por për rritjen e cilësisë të infrastrukturave universitare.

Mos mendoni se ato kriteret që thoni për cilësi ne nuk e dimë se çfarë fshehin pas kuintave. Nuk ka asnjë vend për të thërritur askund për ekselencë. Ka nevojë për përqasje teknike dhe realiste, dhe jo për retorikë që krijon koherenca fallco.

Kush do të kërkojë ndjesë për të gjitha këto ?

Cfarë korresh duhet të këndojnë të na dëgjoni zonja ministre ?

Duhet ta dini se na dhëmb universiteti publik, por edhe ai privat kur funksionon sipas parimeve të drejta.

I gjithë sistemi është në kolaps financiar dhe ekonomik.

Nuk besoni ? Po titujt akademikë që jepni, keni ndonjë vlerësim sesa kanë kontribuar për të shtuar pasurinë e shqiptarëve, fuqinë e tyre, progresin shoqëror? Keni ndonjë studim? Por për kërkimin shkencor keni prioritete që t’i shërbejnë zbutjes të varfërisë, zhvillimit rural, menaxhimit urbvan, përmirësimit të mjedisit, etj.etj. Nuk kemi parë.

Sa është vlera e një diplome universitare publike ose private në treg, mund të na e thoni?

Ky është menaxhimi që qenka prishur thjesht se një VKM nuk qenka firmosur dhe vulosur a thua se kjo ju lehtëson ndopak barrën përpara detyrës suaj.

Dëgjoni zonja ministre, jo thjesht dhe vetëm ata që ju lexojnë dëshirat në sy dhe adoptohen ndaj tyre, jo ata që prapa fjalëve fshehin interesa egoiste që e çojnë sistemin në kolaps sikur ai ka arritur.

Kemi vite që u biem burive, daulleve, veglave të ndryshme. Ju nuk pranoni të dëgjoni. Po është detyra juaj zonja ministre. Eshtë fati i jetës të rinisë, është kapaciteti i mënçurisë kombëtare që është në teh.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.