Intervista

Astrit Hado: Kriteret për të përfituar pension pleqërie, si llogaritet masa e përfitimit

12:58 - 14.02.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Brenda vitit 2017-të, janë lidhur rreth 35 mijë pensione të reja, ndër të cilat mbi 28 mijë kanë qenë pensione pleqërie.




Këto të dhëna vijë nga analiza vjetore 2017 e Institutit të Sigurimeve Shoqërore ku është konstatuar se deri në fund të dhjetorit të 2017-ës numri total i personave që përfitojnë pension ka shkuar mbi 621 mijë.

Drejtori i përgjithshëm i Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Astrit Hado, në një intervistë ekskluzive për “Gazeta Shqiptare”, thekson se prej reformës së 2014-ës, nuk ka pasur asnjë ndryshim ligjor në skemën e pensioneve dhe ka listuar të gjitha lehtësitë që po i ofrohen qytetarëve që dëshirojnë të aplikojnë për të përfituar pension apo trajtim të veçantë.

Gjithashtu, Hado tregon të gjitha kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për të përfituar pension pleqërie si dhe mënyrën e përllogaritjes së masës së tyre bazuar në vitet e punës dhe pagën.

Më tej, kreu i ISSH-së bën me dije se edhe numri i gjyqeve ndaj institucionit është ulur, ku në 2017-ën janë zhvilluar 1 mijë procese gjyqësore më pak, krahasuar me vitin paraardhës.

Cilat janë kriteret që duhet të përmbushin kandidatët për të përfituar pension pleqërie?
Pensionet e pleqërisë vazhdojnë të ngelen po njësoj, nuk ka ndryshime. Për të përfituar pension pleqërie kandidati duhet të plotësojë disa kritere. Kështu aplikanti duhet të ketë mbushur moshën që është 65 vjeç për burrat dhe 60 vjeç e 8 muaj për gratë. Si dhe të kenë plotësuar vitet e nevojshme të punës me kontribute, pra mbi 15 vjet.

Si bëhet përllogaritja e masës së pensionit?
Masa e përllogaritjes së pensionit varet nga vitet e punës dhe paga pra me reformën e re kjo është arritur: pensioni është produkt i viteve të sigurimit dhe pagës mbi të cilin janë paguar kontributet. Sa më shumë vite të kesh dhe sa më e lartë të jetë paga, aq më e lartë do të jetë masa e përfitimit, pra ky ka qenë edhe thelbi i reformës. Dua të sqaroj se nuk ka më koncept pension i plotë apo i pjesshëm që prej 2015-ës, pra ka vetëm një pension pleqërie që përllogaritet ashtu siç sipërpërmenda.

A ka ndonjë ndryshim për llojet e tjera të përfitimit?
Pensionet e tjera kanë ngelur po njësoj e nuk kanë asnjë lloj ndryshimi që prej reformës së 2014 që ka hyrë në fuqi në 1 janar, pra janë sërish po të njëjtat kritere që kanë qenë.

Instituti i Sigurimeve Shoqërore ka përfunduar analizën vjetore për 2017-ës. Sa është numri i përfituesve të rinj të pensioneve?
Vitin e kaluar janë lidhur rreth 35 mijë pensione të reja të të gjitha llojeve, ekzaktësisht 34.458 përfitues të rinj. Nga këto, janë rreth 28.200 pensione pleqërie të reja që janë lidhur, rreth 4 mijë pensione invaliditeti dhe 2200 pensione familjare.

Sa është numri total i personave që marrin pensione apo përfitime të llojeve të ndryshme nga ISSH?
Në total numri i personave që përfitojnë pension ka shkuar në 621.184, e verifikuar kjo deri në fund të dhjetorit të vitit 2017-të, ku pjesën kryesore të saj e zënë pensionet e pleqërisë, pasuar nga 69.400 pensione invaliditeti si dhe rreth 51 mijë përfitues të pensioneve familjare. Përveç këtyre, ka dhe disa lloje trajtimesh të veçanta, pensione të parakohshme, apo pensionet suplementare.

Është përfolur shumë herë se ka pasur një ndryshim te skemës së pensioneve. Sa e vërtetë është kjo?
Dua të theksoj se që prej 2014-ës, pra këto 3 vitet e fundit nuk ka asnjë lloj ndryshimi ligjor në skemën e pensioneve, vazhdon të ndiqet po ajo reformë, nëse do kishte ndryshime ISSH nuk do e linte në heshtje.

A ka pasur ndonjë lehtësim procedurash për aplikantët që duan të përfitojnë pension?
Në kuadër të reformës që ka ndërmarrë qeveria, vlen të theksoj se janë rreth 75 dokumente që nuk i kërkohen më qytetarëve ku përfshihen certifikatat, dëshmitë e penalitetit, vërtetime, të cilat i disponon vetë institucioni e ne nuk ia kërkojmë më individëve. Mjafton që këta të fundit të vijnë vetëm të bëjnë deklarimin dhe certifikatat që mundemi i merr ISSH. Ne po përpiqemi që të kalojmë shumë procedura online, por duke marrë parasysh afërsinë që ka kjo moshë me teknologjinë.

Në bazë të analizës vjetore për 2017-ën, si paraqitet numri i kontribuesve?
Nga analiza vjetore për 2017-ën, të ardhurat janë realizuar 102% në total, ose gati 1.7 miliardë lekë më shumë që janë mbledhur. Theksoj se kemi edhe një rritje të numrit të kontribuesve me 6.4% ose e shprehur ndryshe rreth 45 mijë persona, pra nga 718 mijë kontribues në 2016-ën, është arritur në 763 mijë në 2017-ën.

Gjithashtu është përmirësuar edhe raporti kontribues-përfitues, ndërsa për sa i përket shpenzimeve janë harxhuar rreth 117 miliardë lekë të reja, ose 3% më shumë se një vit më parë. Pra, janë rritur edhe të ardhurat, por edhe shpenzimet janë mbajtur nën kontroll dhe kemi ende pak kursime në shpenzime. Nuk kemi pasur ndonjë vështirësi për pagesat dhe fakti që dalim me rezultat pozitiv është diçka e mirë, sepse frenohet deficiti i skemës, e kjo do të thotë që reforma ka filluar të funksionojë. Rritja vjetore e pensioneve është gati 10 mijë pensione shtesë neto e ky është një trend që rritet çdo vit.

A ka pasur ankesa kundrejt ISSH-së nga personat që aplikojnë për të përfituar pension apo trajtim të veçantë?

Instituti i Sigurimeve Shoqërore me të gjitha axhencitë e veta që ka kontakton fizikisht në sportele me rreth 600-800 mijë veta në vit. Por dua të theksoj se ISSH nuk është shkaku, por pasoja, pra nëse një individi i janë djegur vitet e punës në një ndërmarrje ku ka punuar, ne në këto raste nuk mund të lidhim pensione pa pasur dokumentet përkatëse.

Sa është numri i personave që janë në një proces gjyqësor me ISSH-në?
Numri i gjyqeve është reduktuar ndjeshëm, pasi janë 1000 gjyqe më pak të bëra në 2017-ën, krahasuar me vitin paraardhës e kjo dhe për shkak të disa masave administrative që ne kemi marrë dhe kemi arritur ti zgjidhim çështjet pa qenë e nevojshme t’i çojmë njerëzit në gjyq.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.