Homo Albanicus

Pse do vazhdojë edhe më tej ndarja Shqipëri-Kosovë?!

18:59 - 15.02.18 Ben Andoni
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Mjaftoi debati i egër në Kosovë i heqjes së flamurit kombëtar dhe vendosjes së atij shtetëror të Kosovës në një vend hyrës të Prishtinës për të sjellë në çast debatin e shumëkohësh sa i përket identitetit kombëtar në shtetin e ri shqiptar në Ballkan.




Për arsye që mirëkuptohen, Komuna e Prishtinës (Bashkia në konceptin tonë përtej kufirit) u përpoq t’i rrinte larg debatit, por asesi jo qasjes. Kujtojmë se Komuna drejtohet nga një përfaqësues i Vetëvendosjes dhe ky formacion politik është ithtar i simboleve kombëtare. I gjithë konflikti iu la në derë kryeministrit të vendit, Ramush Haradinaj në prag të shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës, personit publik që mori përsipër urdhrin urban për vendosjen e flamurit shtetëror “Te rrethi”. Justifikimi ishte shumë protokollar dhe i arsyeshëm njëkohësisht. Siç ndodh me të gjithë politikanët, por edhe me të, që i është futur bindshëm Facebook ai pohoi se: Flamuri kombëtar është flamuri i lirisë sonë dhe se me shekuj kanë rrugëtuar me këtë flamur dhe gjithmonë do ta duan dhe do ta respektojnë. Më tej sqarimi ishte më i gjatë: “Vendosja e flamurit të shtetit të Kosovës bëhet në respekt të shtetit të Kosovës dhe shënimit të përvjetorit të dhjetë të shtetit tonë. Me këtë flamur synojmë njohjen ndërkombëtare. Me këtë flamur zhvillojmë Kosovën dhe të ardhmen euro-atlantike. Të dashur qytetarë, Ta ruajmë rrugëtimin, edhe ashtu të vështirë, të shtetit tonë të ri”, shkroi Haradinaj për të davaritur fjalët.

Në fakt largimi i flamurit kombëtar është kundërshtuar shumë nga formacioni Vetëvendosje, që prezantohet shumë e prerë sa i përket qasjeve kombëtare… “në Kosovë secili që është përpjekur të ulë flamurin shqiptar për të ngritur flamuj të tjerë, ka dështuar. Ne shqiptarët jemi shumicë absolute në Kosovë, dhe nuk do të vonojë koha kur do të arrijmë të vendosim vetë për veten tonë, gjithnjë duke i respektuar të drejtat e komuniteteve të ndryshme e minoriteteve që jetojnë mes nesh e me ne”, thuhet ndër të tjera në reagimin e VV-së.

Për hir të së vërtetës, ky incident në dukje i vogël, ka përcjellë edhe njëherë debatin e vjetër sa i përket identitetit shqiptar. Jo atë të dikurshmit mes Rexhep Qoses dhe Ismail Kadaresë, por një tjetër për prezencën apo jo të identitetit mirëfilli shqiptar të Kosovës.

Për fat të keq, gjithnjë e më shumë në Kosovë, paçka se është pak në hije si problem ekziston një përpjekje për krijimin e një identiteti ndryshe. Për të mos u dukur hapur, individë të ndryshëm e përdorin ose e etiketojnë këtë përpjekje si identitet shtetëror, në fakt ajo e tregon dukshëm përballjen për formulimin e një identiteti të ri kombëtar në Kosovë!

“Pavarësisht prej përmbajtjes që i atribuohet, prej qëllimit me të cilin predikohet dhe prej qëndrimit që ndaj tij më në fund do të krijohet, ky i ashtuquajturi identitet mund të ushtroje ndikim të veçante ç’integrues në proceset aq të mezipritura dhe aq premtuese integruese shqiptare dhe ndikim shpërbërës ndaj identitetit historik kombëtar të shqiptareve”, citohet Qosja.

Për shumicën e shqiptarëve, kjo është një gjë që nuk qëndron sepse kategorizimi kosovar është i njëjtë me atë që ka banori i cili vjen nga hapësira e Myzeqesë, Labërisë, Çamërisë etj.

Kategorizimi kosovar ishte ajo që e dallonte dikur ndarjen e Ish-Krahinës Autonome me njësitë e tjera republikane të ish-Federatës. Për të gjithë ata që jetonin me këtë realitet, kategoria: kosovar ishte sinonimi i banorit shqiptar, i cili jetonte e punonte në Kosovë.

Nuk është vendi për të treguar pogromin sllav ndaj termave që lidheshin me kategoritë Shqipëri. Madje kundër irredentizmit shqiptar ata drejtuan të gjithë luftën kundër ish-Krahinës Autonome më 1981 si edhe përpjekjet e stisura prej tyre të formimit të Shqipërisë së Madhe, porse asgjë nuk bënte sens.

Do të vinte lufta e madhe e viteve ‘98-‘99 që Kosova të pavarësohej dhe tashmë që nga sirtarët e fshehur termi kosovarizëm u përshfaq kudo. Me këtë përpjekje u bë një zhvillim për të prekur gjithçka madje deri gjuhën standarte dhe krijuar variantin kosovar, përmes konflikteve të paqenë. Vazhdoi me prekje të arteve dhe letërsisë etj. Profesor Qosja shkoi dhe më tej kur u përpoq të ndajë konceptet kosovarizëm me atë kosovarizim. Kjo e dyta, sipas tij kish lidhje direkte për një ndarje realisht separatiste.

Duhet sqaruar se i gjithë ky debat ka një vërtetësi, sepse duhet të ketë realisht disa qarqe që janë të interesuara për këtë ndarje. Shqipëria dhe Kosova, paçka rezultateve të mira në marrëdhëniet mes dy vendeve tona, janë gjithnjë e më larg shpirtërisht me njëra-tjetrën. Ka gjithnjë e më shumë kërcitje mes dy vendeve tona që shkojnë nga problemet ekonomike, në ato arsimore dhe më shumë. Ka një lloj qesëndie të dyanshme, për të mos thënë që dy vendet duket sikur tashmë ia përplasin njëri-tjetrit, pa asnjë shkas, qoftë edhe për problemin më të vogël. Anipse edhe sikur ajo që të mos ngjajë mes dy vendeve është një komponente e madhe që i bashkon të dyja vendet tona dhe ai është komponenti evropian. Kadare në esenë e tij “Identiteti evropian” do të shkruajë se “Nuk mund të ketë identitet shqiptar të përgjysmuar, të gjymtuar ose të modifikuar për shkak të një robërie të gjatë.Ekziston një teori, e keqe do të thosha unë, që pretendon nga këto aksidente të rënda historike (njëra 5 shekuj e tjera më shumë se gjysmë shekulli) se identiteti shqiptar është modifikuar, është ndryshuar. Të thuash këtë gjë për një popull është t’i bësh fyerjen më të madhe. Një popull që i ndryshohet identiteti prej robërisë është mjeran, është thellësisht fatkeq dhe ka mungesa në dinjitetin e tij. Përse popujt e tjerë të Ballkanit nuk e ndryshuan identitetin dhe përse i paska rënë popullit shqiptar kjo fatkeqësi dhe ky cenim i rëndë? Pra, nuk është e vërtetë. Identiteti shqiptar, pavarësisht nga të gjitha ndikimet që kanë pasur të gjitha vendet e Ballkanit nga robëria e gjatë otomane, kanë mbetur ata që janë të pamodifikuar”.

Identiteti është i palëvizshëm, po pse atëherë kosovarët (ose qarqe) duan të largohen gjithnjë e më shumë nga identiteti shqiptar? Për këtë fillon një debat tjetër, kurse ai i identitetit, merr udhë nën themele, për t’u shfaqur mbase në të ardhmen atëherë kur asnjë prej nesh nuk do ta dëshirojë. Kosova duket se do të vijojë të ketë tendencë ndarje në disa qarqe nga Shqipëria sepse e konsideron atë më shumë si një shtet paralel shqiptarësh sesa shtetin Amë. Ndaj tregtinë më të madhe e zhvillon me Serbinë dhe orientimin nuk e ka fare afër Shqipërisë. Të paktën, këtë tregojnë ditët e fundit komunikimet e politikanëve të dy krahëve si edhe indiferenca e natyrshme që shoqëron prej kohësh marrëdhënien zyrtare Tiranë-Prishtinë. /Homo Albanicus – Gazeta Shqiptare*


Shfaq Komentet (1)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

  1. E gjitha kjo ndodh nga propaganda serbe per ”shqiperine e Madhe” qe e ve edhe BE ne rolin e arbitrit dhe uljes se gjakrave ne rajon.Europa e beri gabimin e madh ne 1913 dhe tani qe shqiptaret i derdhen andej ketej eshte te hapesh kutine e Pandores ti mbledhesh.Mbi te gjitha Kosova eshte se Serbia ka tentakulat qe nuk jane prere plotesisht.Edhe sikur ta njohi KOSOVEN si shtet te pamvarur ,Serbia nuk do ti ndahet kurre asaj.Nje ”bashkejetese” 100 vjecare si shtet i perbashket ndoshta dhe tek kosovaret ka krijuar nje shtresim afersie.Prandaj dhe bejne tregeti me shume me Serbine.Lidhjet ekonomike jane ato ku mbeshteten pastaj edhe ”idete e identitetit kossovar”’!!!!!!! sadoqe kjo eshte asimilim identitetit shqiptar.

    Përgjigju ↓