Intervista

Ngërçi në Kushtetuese, Gjata: Mund ta shfrytëzojnë për marrëveshjen e detit

13:15 - 16.02.18 Valentina Madani
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Ish-kreu i KQZ-së, juristi Çlirim Gjata, beson se pa mbështetjen e ndërkombëtarëve nuk do të kishte reformim të sistemit të drejtësisë, por ai shpreh shqetësimin se në këtë periudhë as vetë ata nuk dinë se çfarë të bëjnë.




Z.Gjata përmend se u reformua drejtësia pa prekur sistemin politik, që sipas tij, i shtriu ‘kthetrat’ deri tek gjyqësori.

Z.Gjata i referohet zgjedhjes së kryeprokurores së përkohshme, teksa thotë për “Gazeta Shqiptare” se me ardhjen e saj, “kemi parë lirime dhe zbutje, por jo arrestime kundër korrupsionit të lartë, apo krimit të organizuar”.

Lidhur me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese, juristi zbardh arsyet teksa paralajmëron: “Këto kushte mund të shfrytëzohen nga politika qoftë edhe për interesa të momentit, siç është ai për të kaluar pa shumë zhurmë dhe kontroll marrëveshjen e detit me vendin fqinj”.

Z.Gjata si e konsideroni ecurinë e reformës në drejtësi dhe çfarë po e pengon sipas jush zbatimin e saj?
Mendoj se zbatimi i reformës në drejtësi po ecën me hapin e breshkës. Kjo ndodh për shkak të ngutjes dhe metodave që u përdoren për hartimin dhe miratimin e kësaj reforme. Po të kthehemi pas e të shohim edhe një herë vërejtjet që u bënë kur kjo reformë ishte projekt, dhe këtu kam parasysh Komisionin e Venecias (t’i lëmë vërejtjet e juristëve shqiptarë), na rezulton se ishin të drejta dhe nuk u morën parasysh. Së pari, kemi reformuar sistemin e drejtësisë pa prekur atë politik. Pra, kemi luftuar pasojën pa u marrë me shkakun.

Por shkaku mbetet i njëjtë dhe ka mundësi që sëmundja të përsëritet, që është ajo e kapjes së drejtësisë nga politika. Së dyti, siç vërente edhe “Venecia”, kemi ndërtuar një sistem drejtësie tepër të ndërlikuar, më shumë institucione, me kompetenca të ngatërruara dhe kritere deri diku të pazbatueshme. Ne nuk kemi infrastrukturë njerëzore dhe materiale për të përballuar gjithë këtë ngrehinë drejtësisë kaq të ngatërruar sa ç’është bërë. Prandaj dhe reforma mezi po ecën. Ndaj dhe nuk është e thjeshtë që të gjenden në këto kushte kandidatët për KLP dhe KLGJ-në. Atëherë, politika ndërhyn dhe shfrytëzon këto momente për t’i kapur këto institucione, duke emëruar kandidatë deri të eliminuar nga ONM. Kështu po rrëzohet edhe miti i garancisë së ndërkombëtarëve.

Si e shikoni rolin e ndërkombëtarëve për përmbushjen e kësaj reforme dhe pa ndihmën e tyre, a rrezikohet reforma në drejtësi?
Kjo reformë do të kishte qenë një disastër po të mos kishte ndërhyrë Komisioni i Venecias. Apo edhe pranimi në minutën e fundit të pretendimeve të opozitës politike nga ambasadorët në Tiranë për ndryshimet kushtetuese. Pra, do të kishte qenë edhe me keq. Prandaj kjo reformë nuk realizohej dhe nuk ecën pa ndërhyrjen e ndërkombëtarëve. Por mendoj, se edhe vetë ndërkombëtarët nuk janë të qartë në këtë periudhë se çfarë të bëjnë.

Në ç’kuptim nuk janë të qartë?
Po të lexojmë deklaratat e tyre, apo edhe heshtjen e tyre, duket kontradiksioni dhe pasiguria. Sepse nuk është e thjesht të bësh një Kushtetutë, nuk është politikë, diplomaci apo edhe dëshirë e vullnet. Është shkencë dhe shkenca më e vështirë e jurisprudencës. Si shembull mund të marrim emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm të përkohshëm të përkrahur nga ndërkombëtarët. E gjithë reforma në drejtësi u bë që politika të mos kishte kurrfarë ndikimi në drejtësi, pra t’i kishte duart sa më larg drejtësisë. Ky ishte qëllimi i madh i kësaj reforme.

… Dhe çfarë ndodh në këtë rast?
Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me 69 vota, pra vetëm nga njëri krah i politikës. Ndërkohë që nuk duhej të zgjidhej fare nga politika. Apo dhe deklarata e “peshqve të mëdhenj”. Ku janë? Çfarë po bëhet? Me ardhjen e prokurores së re kemi parë lirime dhe zbutje, por jo arrestime kundër korrupsionit të lartë, apo krimit të organizuar.

Pse ka ngërç në Gjykatën Kushtetuese dhe a ka të drejtë deputeti i PD-së, Oerd Bylykbashi, kur thotë se ky ngërç vjen si pasojë e marrëveshjes detare mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke dhe mund të shfrytëzohet nga qeveria pikërisht për këtë qëllim?
Edhe ky ngërç është pasojë e mënyrës tepër të ndërlikuar të emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Kjo e fundit ka mundësi të mbetet pa korum, sepse deri tani ka 4 anëtarë mangët. Dhe nuk është e qartë se kush nga të katër do të zgjidhet nga Presidenti dhe cili nga Parlamenti. Ndërkohë që propozimet bëhen nga KED, një institucion tjetër kushtetues, që ka hapur edhe ky i fundit një debat për mënyrën e funksionimit të tij. Këto kushte mund të shfrytëzohen nga politika, qoftë edhe për interesa të momentit siç është ai për të kaluar pa shumë zhurmë dhe kontroll marrëveshjen e detit me vendin fqinj. Ajo që ndodhi në Gjykatën Kushtetuese me marrëveshjen e parë mund të kthehet në bumerang sot. Sepse herën e parë Gjykata Kushtetuese u tregua tepër “patriote”, atëherë si do ia bëjë tani? Duke mos pasur një Gjykatë Kushtetuese me korumin e nevojshëm për të marrë vendim, çështja mund të kalohet thjeshtë proceduralisht. Kësaj i thonë t’ia hedhësh Kushtetutës.

Si ish-kryetar i KQZ-së, cili është sugjerimi juaj për reformën e re zgjedhore?
Për t’i rënë shkurt, do të mbështetesha në disa pika. Së pari, futja e teknologjisë zgjedhore, votimi dhe numërimi elektronik. Së dyti, kontroll i rreptë mbi financimin e partive politike në fushata zgjedhore. Së treti, shkurtim dhe depolitizim i administratës zgjedhore dhe së fundi, masa të rrepta mbi kontrollin e fenomenit të shitblerjes së votës.

Si mund të arrihet një gjë e tillë?
Kjo arrihet nëpërmjet ndryshimit të sistemit zgjedhor, ku të jenë qytetarët ata që do zgjedhin nëpërmjet alternativash dhe jo t’i jepen lista të gatshme si deri sot. Të gjitha këto të shoqërohen penalitete të rënda dhe mundësisht shitblerja e votës të konsiderohet krim i rëndë dhe barazohet me korrupsionin e të hetohet nga Krimet e Rënda (SPAK). Ka edhe një faktor tjetër, që mund të luajë një rol shumë të rëndësishëm. Ky është faktori ndërkombëtar që monitoron zgjedhjet në Shqipëri. Ky faktor duhet të ngrihet mbi nivelin mediokër të deritashëm dhe duhet të vërë gishtin në plagë. Ata duhet të jenë të qartë, që nëse ka fenomen të shitblerjes se votës, të mos njohin zgjedhjet. Përndryshe e keqja do të vazhdojë.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.