MILOSAO

Gramatika e jetës

14:00 - 18.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kohët e foljeve
i di përmendësh,
e di përmendësh gramatikën
(me të kam ngrënë bukë).
Kohët e jetës m’u përzien,
si kohët e motit
dhe si mendimet.
U gdhiva nën një panjë pranë polit
ku stinët i përzien veriu
tok me thinjët.
Foljet m’u përzien,
e djeshmja me të pardjeshmen
(si gramatikat),
Të tashmen përpiqem ta mësoj
dhe ta ngulit në mendje,
sa për të ardhmen,
s’e vras shumë.
e shkruar është
në një tjetër libër
që dot nuk e lexoj.




QUMËSHTI I
LULEGJARPRIT
Ec dhe bëj hije
mbi këtë tokë me emër
(për mua shemër).
Hijen ma shkelin këmbë
të huaja për mua,
zogjtë ma ndyjnë me glasat e tyre,
panjat me kurorën e gjelbër
përpiqen të ma ngjyejnë
me ngjyrën e pranverës
(sikur të ishte vezë pashke
që lajmëron ngjalljen).
Hijen time të mbetur
mbi kalldrëmin e qytetit tim
si një mozaik antik i gërvishtur
ma shkelin këmbë
që nuk e njohin fare,
vetëm një lulegjarpri ma mëkon
me qumështin e saj të hidhur.

PESHA E VARGJEVE
Molla binte nën mollë
përpara se Njutoni
të zbulonte ligjin e rëndesës,
gjyshi s’ rëndonte fare në mërgim,
guri i varrit në fshatin e tij
ia ktheu gravitetin e humbur,
era e shekullit më fryu
tej detesh,
peshën e rëndesës
ma korrigjoi poezia,
(mohoi përvojën e gjyshit
edhe Njutonit bashkë)
pesha e vargjeve
më mban më këmbë
në dhé tjetër
përballë tsunameve
si statujat e gjigantëve
në Ishullin e Pashkëve.

LARG
ec me hapin e mendimeve
të qeta
(aspak të lodhura)

shkel shtigjet
dhe lëndinat e kujtimeve

lagur
(jo nga lotët)

stërkalat e oqeanit
m’i spërkatin shuajt e këpucëve
kur buzë tij dal

hedh vështrimin larg
andej nga lind dielli,

(nuk jam profet
të ec mbi valët)

ec me këpucët
që s’lagen

të kujtimeve
që shkrijnë fjalët:
“larg” dhe “atdhe”
në të çuditshmin aliazh.

GJARPËR I SHPIRTIT
Nuk e di pse m’ u kujtua gjarpri,
gjarprin e kam urryer tërë jetën
megjithëse s’ më ka kafshuar kurrë,
e kam ndjekur me gurë,
është fshehur në guvë
në gjoks të dheut.

Shpirti im
në trupin tim fshehur
shpesh më mbështjell të gjithin
si gjarpër i vërtetë,
më kafshon në zemër,
në tru,
ku të mundë,
mbyllem në guvë edhe unë,
bëhem gjarpër vetë,
gjarpër pa helm,
gjarpër i shtëpisë
në fund të themelisë.

Mos e vra gjarprin e shpirtit,
lere të qetë
se shëmben muret e vetvetes.

THYEJ PASQYRËN
Shpesh herë
urrej edhe veten time,

thyej pasqyrën
që mos shoh
thinjët,

nuk jam Hamlet,
as fron s’ më kanë grabitur,

jam princ
i jetës që nëpërkëmba,
(shpërfilla profecinë
e shkruar në pëllëmbë),

thyej pasqyrën
dhe e qep
me thinjët e mia.

FLUTUR MBI SUP
Një flutur m’u ul mbi sup
(isha në gjumë a zgjuar
s’mbaj mend),
mbi supin tim një flutur
si brengë e bukur,
nuk ishte flutur,
ishte ylber
lindur nga shiu dhe rrufetë,
nga gjoksegrisurat retë,
ylber e flutur bashkë,
nuk isha mal
mbi sup ta mbaj,
as shkëmb me myshk
jastëk i saj,
një ëndërr e bukur fluturylber
mbi supin tim fle.
IKONA E DASHURISË
Desha të ta thosha dashurinë
vetëm me një fjalë,
fjala m’ u bë farë.

E mbolla farën
dhe më mbiu një shegë,
skuqën dy zemra në një degë.

Desha ta derdhja dashurinë
në një varg,
m’ u bë vargu im lastar.

Mbolla lastarin dhe ishte prill,
në çdo degë
të këndoi ty një bilbil.

E mbolla dashurinë
në timen poezi,
m’ u bë ikonë
dhe shenjtorja ishe ti.

KËMBANA E MBRËMJES
Harruam, vallë, të themi
mirëmëngjes,
harruam kodin e dashurisë
lënë diku në një mëngjes
me vesë të rinisë.

Harruam,vallë, të themi
natën e mirë
në një mbrëmje me hënë
gjysmë të ngrënë,
gjysmë mbuluar në errësirë.

Harruam, vallë,
apo këmbana e dashurisë
atje nën brinjë
lodhur nga kremtet,
harroi vetveten,
po bisedon me Perëndinë.

LUFTRAT E MIA
Bëra zbore
atdheun ta mbroja
por luftë s’bëra,
vrava armikun imagjinar
në një tabelë kompesatoje
(më në fund e kuptova),
të shpëtonte
prej vetes
atdheu rropatej.

Një jetë
ditë e natë bëra luftë
pleqërinë ta shtyj
mos më qasej e mira
(e kuptova më në fund),
për qasjen e saj
paskam bërë tërë luftrat e mia.

Pres të firmos paqen e shkruar
në pergamenin e lëkurës sime
paqen me veten,
me vendlindjen,
që e braktisa,
paqen me këtë tokë mikpritse,
me lumturinë që
si çekun fals e grisa.

KOMEDI HYJNORE
Nuk është komedia e Dantes,
as Virgjili nuk është udhërrëfyesi im,
ashensori më zbret dhe më ngjit ditë e natë.
Ky pallat është pallat emigrantësh,
(parajsë dhe ferr bashkë),
i njoh gëzimet e tij flakë kashte
dhe dhimbjet që s’nxjerrin tym,
buzëqeshja-maskë vihet çdo mëngjes,
hiqet, pas pune vihet prapë,
lodhja vetëm buzëqesh.
Purgatori është përjashta,
makina çdo ditë na çon atje,
lahemi me djersën e athët,
lëkurën argasim për krizë të gjatë.
Korridoreve të heshtura
çdo derë ka numër metalik,
në syrin magjik përgjon
mos po vjen lumturia
dhe si ëndrrat,
pa ndjerë, na ik.

USHTARËT
PA HELMETË
Luftrat botërore i kujtojmë,
flamurët, lapidarët e mermertë,
të bronxtat monumente
mburrim,
lavdërojmë,
luftën tonë të përditshme
e harrojmë
ne ushtarët pa helmetë
të heshtur, kokëulur
mbi mundin e përditshëm të përkulur,
aleat e armik kemi vetveten
e heshtjen tonë memece,
na ndjek nga pas hija jonë
(konja e urtë e besnike),
herë ironike,
herë e mërzitur
kronikën tonë duke shkaravitur
mbi një gjethe të ndryshkur vjeshte.

KUJTESË BIBLIKE
Bota nuk sheh veten
si rritet dhe plaket,
ngjitet çdo ditë më lart
t’i fshehë thinjët në retë,
përzien me yjet
ëndrrat e saj të çmendura,
ngjitet qiellit
me arin e diellit të lahet,
metaliket tona në xhep
mbeten të bronxta,
gjethet e drurëve
bien të ndryshkura përdhe,
të tjerë hanë mollët e arta,
të tjerë zbohen nga parajsa.

MURET
sot mure nuk ka
buldozeri internet
(s’i rrëzoi)
të kotë i bëri,

bota hyn në dhomë
herë akullnajë
herë lumë drite
tymnajë e turbullt
a llavë përvëluese,

çudi
s’jemi bërë mumje Pompeu
arinj të bardhë
as zogj parajse

ikonoklastë u bëmë

ikonat e prindërve
s’kemi ku t’i varim
as kujtimet intime,

harta e botës
me meridianë të shqyer
(si derë hani)
u bë totemi ynë,

hyjmë e dalim nëpër muret
si zombit,

ku ta gjej një gozhdë guri
dhe një faqe muri

të var portretin
e stërgjyshit majmun.

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.