Intervista

Greva, Agron Seseri: Keqkuptimi me Pashkon dhe rreziku prej audiokasetës

12:35 - 18.02.18 Valentina Madani
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

27 vite më parë bën hapin e madh. Studentët i shoqëronte tensioni dhe frika. Të pasigurtë për përfundimin…




Por ia dolën në emër të lirisë… Njëri nga ish-grevistët e urisë, ish- student i Inxhinierisë Elektrike,Agron Seseri thotë për “Gazeta Shqiptare” se ishin me dhjetëra arsye për frikë e droje, por asnjëra nuk lidhej me atë se çfarë mund t’i ndodhte personalisht secilit prej tyre.

Ndaj z.Seseri rrëfen me detaje sakrificën e të rinjve përmes grevës së urisë, e cila çoi në rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha në qendër të Tiranës pikërisht me 20 shkurt 1991.

Agron si e kujtoni ditën e fillimit të grevës së urisë në Qytetin Studenti, e cila çoi në rrëzimin e bustit të diktatorit Hoxha?
Kam qenë student i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike, Viti i IV, Dega Industri. Situata ne Qytetin Studenti, por jo vetëm, ishte katastrofike. Të rri e të rendis faktet se çfarë ndodhte dhe se çfarë kishim më duket e tepërt. Por gjithsesi nuk do rri pa perifrazuar thënien e një shoku të kursit (Dritan Shtylla quhej), i cili në takim me ish-kryeministrin e kohës Adil Çarçanin, mori fjalën dhe iu drejtua atij: “Shoku kryeministër në darkë na jepni të hamë vetëm spinaq të zier pa kripë, një lëng të vakët e të zbehtë dhe një copë bukë të zezë e për pasojë tërë natën shohim ëndrra me luftë e me gjermanë”. Të marrë kurajën një i ri në ato vite dhe të shprehet kaq drejtpërdrejtë me kryeministrin është tregues i fatalitetit të kohës. Për më tepër Dritani ishte i biri i një shoqeje sekretare të Komitetit të Partisë së Vlorës.

Si u vendos për hyrjen në greve urie?
Greva e urisë erdhi si rezultat i refuzimit të rektoratit për heqjen e emrit Enver Hoxha Universitetit Shtetëror. Ne si studentë argumentonim se një individ i pashkollë, sikurse ishte Enver Hoxha, kurrsesi nuk mund të emërtonte institucionin më madhor të dijes në vend. Kjo ishte një formë e maskuar për ta goditur politikisht atë, por ishim këshilluar që kërkesat t’i përshkallëzonim me qëllim arritjen e rezultatit final, ndaj e filluam me një kërkesë në dukje jopolitike.

Kush e përmendi i pari futjen në grevë urie?
Nga sa mbaj mend, ideatorët e grevës ishin më shumë se një. Mund të kujtoj Azemin, Arben Imamin, Ylli Vejsiun, në mos gaboj prof. Bardhyl Reso dhe një mori studentësh, të cilëve u kërkoj ndjesë për mos përmendjen për arsye harrese.
Kur u futët në greve urie, puthët flamurin kombëtar, si lindi ideja e flamurit dhe si e gjetët atë?

Eshtë vështirë ta them se ku u mor ai flamur, pasi për ironi të faktit nuk ishte aq e lehtë sikurse sot të gjeje një flamur kombëtar. Pasi i hoqëm yllin komunist padyshim që e puthëm atë pasi ai është vlera sipërore e çdo shqiptari. Ne pikërisht për të ekzaltuar vlerat u ngritëm. Ne e përbuznim internacionalizmin proletar vrastar… Ne ishim krenarë për qenien shqiptarë, ndaj u ngritëm për dhe në emër të atij flamuri të shenjtë.

Si e priti familja hyrjen në grevën e urisë?
Po, familjen e njoftova për vendimin tim, megjithëse kisha ditë që flija e qëndroja në qytetin Studenti. Edhe pse isha tiranas pothuajse që nga 8 Dhjetori kisha qëndruar në Qytetin Studenti së bashku me shokët dhe shoqet. Kjo ishte një mënyrë për t’u mbrojtur nga burracakëria dhe pa burrnia e instancave të sistemit komunist. Ata sipas traditës majtiste kafshojnë pas shpine dhe kur ti je i vetëm…

Pas hyrjes në grevë uri ua kanë kërcënuar familjarët?
Nuk ka pasur ndonjë kërcënim të hapur kundrejt familjes sime, me përjashtim të disa thirrjeve në komitet të Partisë të tim eti. Ne ato thirrje e “këshillonin” që të shkonte në Qytetin Studenti dhe të më sqaronte se isha në rrugë të “shtrembër”. Im atë (ndjesë pastë) megjithëse i pashkollë u dha një përgjigje lapidare: “Shoku Sekretar, Partia e ka nxënë dhe edukuar tim bir shumë më tepër nga sa jam nxënë e edukuar unë, ndaj nuk kam se çfarë ta këshilloj tim bir! Nuk e mendoja kurrë tim atë të aftë për një ironi të tillë, por si duket edhe atij i kishte sosur durimi edhe pse me mua nuk ishte shprehur kurrë.

Si e kalonit kohën gjatë grevës së urisë dhe cilat ishin kryesisht bisedat që bënit së bashku në kinoklubin e Qytetit Studenti?
Të thuash të drejtën momentet e para të grevës së urisë ishin shumë të tensionuara. Në fillim na u desh të organizohemi pasi ishte një numër shumë i madh studentësh. Problemi kryesor qëndronte tek banjot. Ishin shumë pak për të përballuar fluksin e madh të studenteve. Ditën e parë u bë edhe ndërprerja e furnizimit me ujë, por falë ndërhyrjes së punonjësve të tjerë furnizimi me ujë u rivendos shumë shpejt. Në dy ditët e para kinoklubi i Qytetit Studenti u rrethua nga sa mbaj mend me studente të Akademisë së Rendit (nuk kujtoj se çfarë emërtimi të saktë ka pasur atëherë), por ky rrethim u hoq pasi në shumë raste studentët policë solidarizoheshin me ne. Tensioni për sa i përket asaj çfarë po bënim ishte shumë i madh, ishim të frikësuar për rezultatin, ishim të pasigurtë për përfundimin, për atë se çfarë do të arrinim me këtë greve. Ishin me dhjetëra arsye për frike e ndroje, por asnjëra nuk lidhej me atë se çfarë mund të na ndodhte personalisht. Gjatë grevës së urisë bisedonim për gjera të ndryshme.

Çfarë konkretisht…?
Kryefjala e bisedave ishin informacionet që na sillnin për sa i përket mobilizimit dhe ngritjes së popullit në demonstrata anë e kënd Shqipërisë.

Ndërkohë që ju ishit në grevë, cilat ishin mënyrat e regjimit të asaj kohe për t’ju detyruar që të dilnit nga aty?
Një detaj i turpshëm që më kujtohet ishte se diku pranë varrezave të dëshmorëve regjimi instaloi çadrat e kinse vullnetarëve (punëtorë e fshatarë) nga një rreth i Jugut të Shqipërisë me qëllimin e turpshëm që të realizonin ndasi e përçarje. Sigurisht dështuan me turp si çdo tentativë për të përçarë popullin.
Si e kujtoni Sali Berishën dhe drejtuesit e lëvizjes e dhjetorit gjatë atyre ditëve?
Doktor Berisha ishte një figurë shumë e njohur për ne. Ai ishte bërë i njohur në debatin që pati me ish-sekretarin e parë të PPSH-së në takimin e famshëm me intelektualët. Për hir të së vërtetës nga të gjithë intelektualët nga sa kujtoj foli vetëm ai dhe u mbështet nga I. Kadare. Kjo kishte bërë që Sali Berisha të tërhiqte vëmendjen tonë kohë përpara fillimit të lëvizjes së Dhjetorit e më tej të shkurtit. Kujtoj me nostalgji edhe prof. Gramoz Pashkon, i cili në një moment tensioni duke u përpjekur të ulte pak vrullet tona rinore u keqkuptua dhe akuzave tona iu përgjigj me një buzëqeshje tipike dhe pasi i hodhi dorën në qafë dikujt nga ne tha: As mos e vini në dyshim mirënjohjen dhe mbështetjen time për këtë mrekulli që po bëni. Ju po përpiqeni të çlironi këtë vend nga murtaja komuniste, nga ajo murtajë të cilën edhe njerëz të mi të afërt e kanë mbështetur dhe lartësuar, por unë jam prind dhe përveçse jam mirënjohës kundrejt jush duhet edhe t’ju ruaj. Ata janë të pashpirt. Me besoni”.

A është e vërtetë që z.Berisha ishte kundër grevës së urisë?
Nuk është absolutisht e vërtetë që Doktor Berisha ishte kundër grevës së urisë, përkundrazi. Duhet të jesh foshnjarak në mos dashakeq të mendosh e besosh se lëvizja jonë do kishte arritur atë sukses, nëse nuk do kishte mbështetjen e Doktorit, Azemit, Gramoz Pashkos e të tjerë. E vetmja veçori e grevës ishte se ne me qëllim që të mblidhnim rreth vetes sa më shumë simpatizantë, ramë dakord që greva të bëhej nga studentët prandaj figurat politike, të cilët ishin të gjithë profesorët tanë nuk u dukën shume. Mos të harrojmë se Partia Demokratike sapo ishte formuar ato ditë, ndaj për të mos u akuzuar greva si një lëvizje politike liderët tanë qëndruan në hije, por sigurisht në kontakt dhe suport të plotë me ne. Nga sa kujtoj ishte një drejtues aktual dhe “repete” i Bashkisë Tiranë, i cili fillimisht ishte kundër grevës dhe më tej kur na u bë një propozim se “Ju dilni nga greva dhe ne do ta ndajmë Universitetin në katër pjesë për pasojë automatikish bie emri i Enver Hoxhës” filloi të trumbetonte idenë e daljes nga greva pasi sipas tij qëllimi ishte arritur. Por ne nuk pranuam, mbaj mend se personalisht iu drejtova me fjalët:” Ore ti, ne nuk kemi qëllim vetëm heqjen e emrit të diktatorit nga universiteti, por mbi të gjitha rrëzimin e simbologjisë se të keqes komuniste, ndaj heqja e emrit duhet bërë demonstrative dhe simbolike. Pikërisht ajo simbolike do t’i japë të kuptojë njerëzve se koha e krimit shtetëror komunist ka mbaruar”. Padyshim reminishencat e krimit dhe krimineleve vazhdojnë sot e kësaj dite, por jo me egërsinë dhe monstruozitetin e kohës kur ata mbretëronin me gjak e terror.

Si e kujtoni Azem Hajdarin gjatë atyre ditëve?
Të flasësh për Azem Hajdarin në ato ditë nuk është e lehtë. Nuk është e lehtë, sepse për të është folur shumë, është lartësuar shumë, është hedhur baltë shumë. Eshtë vlerësuar apo sharë dhe me keqardhje e them se janë më të shumta rastet kur padrejtësia, inatet dhe gënjeshtrat mbizotërojnë ndaj të drejtës dhe së vërtetës. Azemi në ato ditë ishte shpirti i lëvizjes. Ai u rrit nga dita në ditë së bashku me lëvizjen. Statura e tij merrte përmasat e lëvizjes, rritej e madhërohej me të. Sa më shumë që njerëzit e përqafonin lëvizjen aq më shumë Azemi bëhej flamurtar i saj. Të gjithë ishim pjesë e lëvizjes, asnjëri nga ne nuk ishte i tepërt në të. Madje edhe njerëzit, të cilët qëndronin paksa larg ishin, gjithashtu, faktorë dhe jetësorë për lëvizjen. Por Azemi ishte thjeshtë fryma e Lëvizjes se Dhjetorit. Here pas here ne si studente vendosnim të shtonim ndonjë kërkesë dhe si përherë zëdhënës i yni automatikisht bëhej Azemi. Tani që jam prind e kuptoj se sa trim e burrë ka qenë. Ai ish prind asokohe dhe barte mbi shpinë edhe fatin e fëmijëve të tij, por me sa duket fati i Shqipërisë i interesonte me shumë. Jo me kot ish-lideri ynë i lindur, i paemeruar e i pazgjedhur. Ai ishte thjeshte AZEMI.

Cilët ishin pedagogët që ju takonin më shpesh?
Sikurse thashë me lart me qëllim që të mos etiketohej si lëvizje politike, por si lëvizje studentore profesorët tanë, të cilët tashme ishin drejtues të Partisë Demokratike vinin kryesisht në orët e vona. Mbaj mend Prof. Ylli Vejsiun (ndjesë paste), një profesorin tonë të matematikës Alfred Kosta quhej, i cili ish-disident dhe me te cilin kishim muaj që guxonim të flisnim hapur. Vinte edhe Prof. Gramoz Pashko me të cilin dëgjonim një audiokasetë të realizuar nga studentët e Arteve. Ishte një audiokasetë në të cilën tallej diktatori. Një student i arteve (nuk e mësova dot kurrë se kush ishte) imitonte zërin e diktatorit dhe thënieve të tij më të njohura u shtonte ndonjë batutë, e cila vinte në lojë atë. Ishte jashtëzakonisht e rrezikshme një gjë e tillë. Dhe profesor Gramozi na e vinte në dukje! Padyshim që ka pasur edhe të tjerë profesorë, por koha e gjatë dhe mbi të gjitha një histori zyrtare e munguar ka bërë që disa gjera periferike të filloj e t’i harroj.

Si e mbani mend momentin e rrëzimit të bustit të diktatorit? Si e morët lajmin…?
Lajmësi nuk më kujtohet se kush ishte sinqerisht. Me qëllim që të evitonim ndonjë keqkuptim të dytë, pasi një i tillë ndodhi kur sistemi propozoi ndarjen e universitetit dhe heqjen e kamufluar të emrit E. Hoxha nga Universiteti ynë, kontaktet mbaheshin nga një komitet studentesh nëpërmjet te cilit komunikohej me jashtë. Mbaj mend se në momentin që qytetarët shqiptarë sollën zvarrë bustin poshtë dritareve te kinoklubit entuziazmi dhe pritshmëritë për sa i përket suksesit të grevës kishin arritur në maksimum. Personalisht në mos gaboj, lajmin përveçse e morëm nga tamtamet (pra nga një valë që shpërndahej si në një stadium) na e konfirmoi edhe Prof. Eduart Selami dhe pak më vonë edhe Azemi. Por të jap ndonjë gjë më të saktë nuk jam në gjendje. Thjeshte pasi na u konfirmua lajmi, u mblodhëm gjithsesi me qindra nga ne rrotull dhomës së televizorit dhe pasi në lajmet e orës 20.00 u tha se Universitetit Shtetëror i hiqej emri Enver Hoxha filluam të bëheshim gati të dilnim nga kinoklubi.

Eshtë e vërtetë qe mes jush kishte edhe te infiltruar nga ish-Sigurimi i Shtetit?
Të them të vërteten qarkullonin zëra se kishte studente të infiltruar. Nuk kam ndonjë provë bindëse për sa i përket kësaj, por duke e njohur sistemin dhe duke jetuar ne të them se do ish e pamundur që Sigurimi i Shtetit të mos kish infiltruar veglat e tij në lëvizjen tonë. Mbaj mend që e vetmja mënyrë mbrojtje ishte që të kompaktësonim radhët tona, pra të qëndronim në grupe me njerëz, të cilët i njihnim personalisht si edhe të mos pranonim propozime që vinin nga njerëz të cilët nuk i njihnim. Sigurisht që lëvizje masive si lëvizja e dhjetorit dhe greva e urisë për vetë natyrën e tyre spontane krijojnë lehtësi për tentativa manipulimi, por ato tentativa nuk mendoj se kanë bërë gjë tjetër përveçse të shtonin bindjen në drejtësinë dhe domosdoshmërinë e atyre lëvizjeve.

Cili ishte veprimi i parë i studentëve sapo dolën nga greva e urisë?
Ehhh, është e vështirë ta shpjegoj atë çast. Pikë se pari nga sa mbaj mend ajri ishte ndryshe. Edhe pse ishte Shkurt dhe ora ish rreth 22.00 kujtoj se nuk bënte ftohte. Familjarët e gjithkujt nga ne kishin ardhur të na prisnin, të na përqafonin dhe përgëzonin. Mbaj mend se kushdo që të dilte përpara të hidhej në qafe, nuk kish rëndësi se ish vajze apo djalë, grua apo burrë, plak apo i ri… Ishte padyshim një bashkëvuajtës, i cili në ato çaste po festonte fillimin e mbarimit te vuajtjes dhe mjerimit. Ish e pabesueshme ajo çfarë po ndodhte. Kudo shiheshin grupe studentesh të cilët bisedonin, përqafoheshin, qeshnin dhe gëzonin në mënyrë të zhurmshme. Jam i bindur se për këdo nga ne që ka jetuar ato çaste është e pamundur t’i harrojë ato, është e pamundur qe ato momente te mos na shoqërojnë deri në çastin tonë të fundit. Pasi kaluan momentet e para dhe pasi përcaktuam një linjë komunikimi për gjithçka (mos harroni se atëherë telefonat ishin mjaft të rrallë dhe nën kontrollin absolut të sistemit), sidomos për të komunikuar në rast të ndonjë veprimi të policisë apo sigurimit filluam të ndahemi dhe ne studentet tiranas të shkojmë në shtëpitë tona. Ne pallatin tim po më prisnin të gjithë. Frika ishte vrarë dhe njerëzit filluan të manifestojnë haptazi kundërshtinë për diktaturën dhe instrumentet e saj. Dukej me tepër si një feste familjare, dhe të gjithë komshinjtë vinin dhe me përgëzonin…! Kujtoj se atë natë nuk kam fjetur, qëndroja shtrirë dhe prisja me padurim ardhjen e mëngjesit. Fitorja e asaj beteje na kish shtuar etjen për beteja dhe fitore të tjera.

Çfarë ka mbetur nga greva studentore dhe kujtimet e saj?
Përgjithësisht jam tip pozitiv dhe gjithmonë shoh anën pozitive të çështjes. Greva e urisë është lëvizja me e dlirë dhe e kthjellet që një grup studentesh prodhuan në ndihme të vetvetes dhe popullit te tyre. Padyshim mosha e re atëherë na shtynte të besonim se gjerat do të ndryshonin menjëherë, mjaftonte qëllimi i mirë apo entuziazmi ynë për të dekretuar dhe realizuar ndryshimin dhe mbrothësinë për kombin tonë. Lëvizja mbartte në brendinë e saj shumë aspirata, shumë opinione, shumë orientime dhe shumë këndvështrime, por ajo çka e ngjizi dhe i dha vlerën absolute për kombin tonë ishte se ajo mbartte një aspiratë të vetme, aspiratën e çlirimit nga marrëzia dhe idiotësia e konceptit të shtrembër komunisto-diktatorial. Sot ka një polifoni zhurmash, zërash, komentesh për sa i përket grevës së urisë. Nganjëherë këto zëra vijnë edhe nga brendia e saj, nga faktorët e grevës së urisë, të cilët jodetyrimisht duhet të ndajnë ide dhe opinione të njëjta, por kjo gjë për mua veçse e lartëson grevën e urisë dhe lëvizjen e dhjetorit. Po në fund të fundit a nuk u ngritëm ne pikërisht për këtë gjë? A nuk rrezikuam jetët tona për këtë gjë?

A nuk hodhëm tej friken pikërisht për këtë gjë?
A nuk kërkuam ne nëpërmjet grevës se urisë dhe lëvizjes se dhjetorit të flasim të lirë, të shprehim opinionet tona, t’i trumbetojmë ato qoftë edhe atëherë kur gabojmë? Orë në fund të fundit ne rrezikuam për fjalën e lirë, qoftë ajo e mirë apo e keqe, e drejtë apo e shtrembër, dashamire apo dashakeqe? Ne u ngritëm që gjithkush të ketë mundësinë të shprehet i lirë! E me tej eshte ne opinionin e lire dhe moralin e njerëzve të besojnë dhe vlerësojnë atë çka është e drejtë dhe e mirë! E pra sot të gjitha këto ndodhin, e pra sot ka shumë zëra që përpiqen të paragjykojnë lëvizjen e dhjetorit dhe grevën e urisë, nganjëherë këto zëra për pak çaste mbysin me rrapëllimën e tyre edhe të drejtën dhe të moralshmen. Kjo nuk ka rëndësi. Proceset janë të gjata, por të pakthyeshme, rruga drejt të moralshmes dhe të së drejtës është e vështire, por e pandalshme. Edhe pse ndonjëherë pikëllohem dhe pezmatohem kur shoh se çfarë po ndodh e çfarë po thuhet, gjithsesi nuk mund të mos shoh me plot krenari e kënaqësi se greva dhe lëvizja kane funksionuar me se miri. Këtë e vërteton fakti se edhe dashakeqët e tyre sot mund të gëzojnë vlerat e lirisë që sollën pikërisht ato lëvizje studentore. Edhe kjo është pjesë e lirisë u takon njerëzve të zgjedhin për me tej!


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.