Kryesore

Si i përgjigjemi ne shqiptarët kritikave për Skënderbeun!

10:05 - 18.02.18 Kristo Frashëri
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Pasi doli nga shtypi monografia me titull “Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Jeta dhe vepra”, Tiranë, 2002, ajo u prit me vlerësime pozitive nga opinioni publik shqiptar. Shumica e kritikave të shfaqura më parë rreth veprimtarisë së Gjergj Kastrioti Skënderbeut nuk u përsëritën më.




Megjithatë, në opinionin publik shqiptar nuk munguan qëndrime të ashpra kritike mbi vlerësimin gjoja të tepruar që përmbante edhe këtë radhë monografia rreth rëndësisë historike të epopesë që shqiptarët zhvilluan gjatë shekullit XV. Për ndonjë opinionist shqiptar, nuk justifikohej vlerësimi thellësisht pozitiv që kishte mbajtur historiografia shqiptare e periudhës së regjimit komunist ndaj veprimtarisë së Gjergj Kastrioti Skënderbeut. Kjo për arsye se vlerësimi pozitiv i veprimtarisë historike të Skënderbeut mbështetej mbi ideologjinë nacional-komuniste që kishte përqafuar Enver Hoxha gjatë regjimit të tij komunist.

Zëdhënësi kryesor i kësaj kritike ndër shqiptarët u bë publicisti i viteve të kthesës demokratike, Fatos Lubonja. Sipas tij, lufta që zhvilluan shqiptarët nën udhëheqjen e Skënderbeut nuk qe një epope, por një luftë e zakonshme e malësorëve shqiptarë kundër dhunës perandorake të sulltanëve osmanë. Si e tillë, ajo nuk qe një luftë nacionale për formimin e shtetit të bashkuar shqiptar. Fatos Lubonja mendon se karakterin nacional të rezistencës shqiptare të shekullit XV ia bashkangjiti Enver Hoxha, diktatori shqiptar i shekullit XX, i cili frymëzohej nga parimet e nacional-komunizmit. Për këtë arsye, përfundon Fatos Lubonja, edhe vlerësimi historik i rezistencës së shekullit XV, si lëvizje kombëtare, nuk qëndron. Madje, sipas tij, edhe vlerësimi i periudhës së lëvizjes së Rilindjes Kombëtare Shqiptare të shekullit XIX duhet korrigjuar (Më hollësisht shih: Kr. Frashëri, Skënderbeu i shpërfytyruar nga një historian zvicerian dhe nga disa analistë shqiptarë. Vështrim kritik. Tiranë, 2009).

Në botimin e saj të parë, monografia mbi Gjergj Kastrioti Skënderbeun nuk arriti të vlerësohej nga historianët e huaj për shkak të gjuhës shqipe të panjohur prej tyre. Shpresat për një përkthim të monografisë në një nga gjuhët kryesore të Europës (anglisht, gjermanisht ose frëngjisht), nuk u realizuan.

Megjithatë, në nëntorin e vitit 2008 u promovua në Tiranë një monografi prej 573 faqesh me titull “Skënderbeu”, hartuar nga historiani i ri zviceran, Oliver Jens Schmitt, i punësuar në institutin e historisë së Evropës Juglindore, në Vjenë, përkthyer shqip nga Ardian Klosi (O. J. Schmitt, Skënderbeu. Tiranë, 2008). Historiani zviceran kishte botuar kohët e fundit, para punimit mbi Skënderbeun, edhe një tjetër trajtesë mbi historinë e Shqipërisë mesjetare. Edhe kjo trajtesë, botuar në Tiranë më 2007, e cila mban titullin “Arbëria Venedike. 1392-1479”, prej 668 faqesh, ishte përkthyer në shqip gjithashtu nga A. Klosi. Ndryshe nga punimi “Arbëria Venedike”, i cili nuk pati jehonë në publikun tonë, monografia mbi Skënderbeun u prit, për arsye që do të thuhen më tej, me reagime më pak pozitive dhe më shumë negative në faqet e shtypit shqiptar.

Punimi i O. J. Schmitt-it mbi Skënderbeun u shtohet qindra monografive studimore dhe mijëra artikujve shkencorë kushtuar Heroit kombëtar të shqiptarëve, të botuara gjatë pesë shekujve në gjuhë të huaja gjatë qindra viteve që pasuan vdekjen e tij. Kjo vepër e re pati privilegjin, njësoj si disertacioni i Djevat Korçës mbi Skënderbeun më 1924, që të botohej më parë në përkthimin shqip, kurse në origjinalin gjermanisht nuk e dimë as se kur do të botohet, as se si do të pritet nga opinioni ndërkombëtar. Siç e pohon vetë autori O. J. Schmitt, merita e botimit më parë shqip se në origjinalin gjermanisht i takon përpjekjeve të përkthyesit, Ardian Klosit. Shpenzimet e botimit janë përballuar nga “Fondi i bashkëpunimit Zviceran – Agjencia Zvicerane për zhvillim dhe bashkëpunim”.

Pas vitit 1990 kanë parë dritën e botimit edhe punime të tjera nga autorë të huaj kushtuar Skënderbeut. Por ato nuk patën jehonë të veçantë. Përmbajtja e tyre nuk shkaktoi reagime në opinionin publik shqiptar. Kjo për arsye se autorët e tyre kanë ecur pak a shumë në trasenë e shtruar nga historiografia botërore dhe shqiptare e deritanishme. Secili prej tyre ka vënë në dukje, kush më shumë e kush më pak, vlerën historike të Skënderbeut – si një Hero kombëtar që udhëhoqi në interes të atdheut të vet një luftë çlirimtare kundër invazorëve osmanë; si një strateg gjenial ushtarak që korri me një ushtri të vogël fitore pas fitoresh kundër armatave superiore osmane; si një burrë shteti i cili dora-dorës me luftën çlirimtare krijoi për të parën herë një shtet shqiptar të përqendruar; si një dorë e fortë, i cili për interesat e shtetit të centralizuar nuk u lëkund përballë prirjeve separatiste të feudalëve shqiptarë; si një kapiten i shquar, i cili me luftën që zhvilloi për lirinë e atdheut të vet mbrojti në të njëjtën kohë edhe qytetërimin evropian nga invazioni osman; si një personalitet me përmasa evropiane, i cili me veprimtarinë e tij tërhoqi simpatinë dhe admirimin e elitës humaniste të kontinentit që në shekullin e vet; si një figurë historike, lufta e të cilit u çmua si gjatë kohës kur ishte gjallë ashtu edhe pas vdekjes së tij.
Përkundrazi, historiani zviceran u shkëput në çdo drejtim nga traseja që kanë shtruar deri sot historiografia shqiptare dhe botërore mbi figurën e Skënderbeut duke na dhënë një Skënderbe krejt të ndryshëm. Portretin historik krejt të ndryshëm të Heroit shqiptar historiani zviceran e ka përmbledhur në formë sinteze në shpinë të kopertinës së punimit të tij. Sinteza e tij është shumë e qartë. Sipas O. J. Schmitt-it, “jeta e Skënderbeut nuk ishte një marshim triumfal, por një luftë e vazhdueshme për mbijetesë, e mbushur me disfata, me situata në dukje pa rrugëdalje, por shpesh edhe me kthesa të papritura të fatit”. Pa vullnetin e Skënderbeut, vazhdon ai, ata që i vajtën pas do t’u ishin nënshtruar herët osmanëve. “Mirëpo ishte pikërisht vullneti i Kastriotit për fitore ai që tek e fundit i tërhoqi malësorët drejt rrënimit”. (Vini re: Sipas O. J. Schmitt-it, fshatarët u rrënuan pasi i paskan vajtur pas Skënderbeut jo se ai luftonte për liri, por se synonte lavdinë e vet personale). Sipas autorit, Murati II dhe Mehmeti II iu turrën Shqipërisë me një ashpërsi të panjohur më parë jo për të pushtuar vendin, por për të dënuar si “dezertor” Skënderbeun, i cili u kishte shërbyer si “oficer”, të dy sulltanëve turq. Kështu, nënvizon O. J. Schmitt, “jeta dhe kryengritja e Skënderbeut u bë dhe tragjedia e trevës së tij të prejardhjes, e cila si asnjë rajon tjetër i Ballkanit u shkretua e u shpartallua nga osmanët”. Sipas tij, Skënderbeu e kishte filluar luftën për të marrë hakun e vrasjes së të jatit nga sulltani. Pastaj shton se “është gati emblematike se si Skënderbeu, kundërshtar i dy sulltanëve të mëdhenj të Turqisë, i shpallur nga Papët atleti i Krishtit, i mbiquajtur në kohën e vet Aleksandër-i-Ri – u ndodh i vetëm në fund të jetës mbi rrënojat e veprës së tij”. Autori nënvizon në sintezën e vet se, me vdekjen e Skënderbeut “përreth tij ishte ulur në varr një botë e tërë: papët eRomës dhe sovranët evropianë, të cilët i kishin premtuar dhe dërguar ndihmë, por edhe fqinjët e tij të krishterë në Ballkanin sllav dhe grek, veç kësaj fisnikë të tjerë të Arbërisë, sidomos shpura që atij i vajti pas”.

Më tej O. J. Schmitt shton si mbyllje: “Vetëm se bota (evropiane – K.F.) pas vdekjes së tij nuk deshi të dinte për këtë fat tragjik, ajo dëshiroi një hero ngadhnjimtar në luftën për mbijetesë kundër Perandorisë Osmane. Kështu vazhdoi të jetojë Kastrioti i madh si hero vezullues në kujtesën e të krishterëve në Ballkan dhe në Perëndim, ndërkohë që u harrua se ai në të vërtetë ishte figura tragjike e një periudhe kur po ndryshoheshin kohët”.

Këto formulime kristaline dhe tezat e tjera me të cilat historiani zviceran e ka mbushur trajtesën e tij, prezantojnë para syve tanë jo një Skënderbe hero, por një Skënderbe për t’u mëshiruar. Shkurtimisht do të themi se sipas tezave të tij, Skënderbeu nuk paska korrur asnjëherë fitore, por ka pësuar vazhdimisht disfata pas disfatash – pikëpamje kjo e padëgjuar ndonjëherë deri sot. Kthesat e papritura që paska patur Skënderbeu gjatë luftës së tij O. J. Schmitt mendon se, i takojnë fatit të tij, ndryshe nga sa ka pohuar vetë Skënderbeu më 1460 se ato i përkasin virtytit, domethënë, këmbënguljes së shqiptarëve për liri. Shqiptarët i vajtën pas Skënderbeut, thotë Jens Schmitt, jo për hir të interesave të tyre dhe të vendit, por për të ndihmuar Kastriotin që të hakmerrej ndaj sulltanëve për vrasjen e të jatit – shpjegim ky që tregon se autori nuk e njeh strukturën shoqërore që kishte Shqipëria në shek. XV. O. J. Schmitt e ngarkon me përgjegjësi Skënderbeun se i çoi malësorët shqiptarë drejt rrënimit. Ai nuk sheh se me këtë shpjegim i trajton malësorët shqiptarë, të cilët e kanë mbushur historinë e tyre para dhe pas Skënderbeut me lufta kundër sulltanëve, sikur të ishin bagëti që shkojnë verbërisht pas dashit ogiç. “Ashpërsinë e panjohur më parë” me të cilën sulltanët e goditën për njëçerekshekulli Shqipërinë, O. J. Schmitt e shpjegon me urrejtjen që Murati II dhe Mehmeti II kishin ndaj Skënderbeut si “oficer” i tyre dezertor, – faktor ky që lë pa shpjeguar ashpërsinë me të cilën sovranët osmanë goditën Shqipërinë si para ashtu dhe pas Skënderbeut kur nuk kishin përballë tyre ndonjë “dezertor” si Skënderbeu. Historiani zviceran nuk ka arritur ta kuptojë se këmbëngulja njëçerekshekullore e ekspeditave perandorake turke kundër kështjellës shqiptare nuk buronte nga urrejtja personale e dy sulltanëve për hakmarrje ndaj një oficeri të gardës së tyre, por për arsye të thella strategjike. Arsyet strategjike duhen parë te domosdoshmëria që shtrohej para strategëve osmanë për të çmontuar që në themel rezistencën shqiptare, pa çmontimin e së cilës ishte e pamundur të kryhej zbarkimi i ushtrive osmane në Gadishullin Italik. Tri nga “absurditetet” lapidare të mëtejshme të historianit zviceran meritojnë që tani një analizë, qoftë edhe të shkurtër.
E para, sipas O. J. Schmitt-it, Skënderbeu ishte në të vërtetë një komit malesh, të cilin Evropa e bëri Hero nga nevoja që kishte për një hero ngadhënjimtar. Megjithatë, shton ai, Skënderbeu mbeti si një “hero vezullues” dhe jo hero i vërtetë. Pra, sipas historianit zviceran, Skënderbeu është një “Hero” i rremë, i fabrikuar nga punishtja politike evropiane.
E dyta, për sa i përket shkretimeve dhe shpopullimeve që pësoi treva shqiptare gjatë luftës njëçerekshekullore të shek. XV, ai sheh si përgjegjës vetë Skënderbeun. Është njësoj sikur të akuzosh Ëinston Cherchill-in përgjegjës për shkretimet me bombardimet ajrore që shkaktuan hitlerianët në Britaninë e Madhe gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nga kjo del se, sipas O. J. Schmitt-it, po të mos e kishte ndërmarrë Skënderbeu epopenë, Shqipëria nuk do të ishte rrënuar. Po të ishte historian, ai duhet ta kishte kuptuar se Skënderbeu zhvilloi një luftë mbrojtëse dhe jo pushtuese, njësoj si Janosh Huniadi. Ai gjithashtu ka harruar se historia nuk njeh lufta mbrojtëse, sidomos kur ato janë lufta për mbijetesë, pa sakrifica njerëzore dhe pa dëme materiale. Veç kësaj, akuza që i bën O. Schmitt-i Skënderbeut sikur ai është përgjegjës për rrënimet e vendit është e padrejtë edhe nga pikëpamja faktologjike, sepse rrënimin e vendit nuk e shkaktoi Skënderbeu, por sulltanët osmanë, të cilët historiani zviceran nuk i ngarkon me përgjegjësi. Me këtë logjikë O. J. Schmitt ligjëron gjithashtu edhe politikën e kolaboracionistëve të Luftës II Botërore, të cilët e justifikonin bashkëpunimin e tyre me okupatorët hitlerianë me argumentin se donin të shpëtonin vendin nga rrënimet e luftës.

Teza e tretë e historianit O. J. Schmitt është se Skënderbeu jetoi në një periudhë kur po ndryshoheshin kohët, pra kur në Europë po lindnin shtetet nacionale. Sipas tij, faktori tragjik që e pengoi Shqipërinë t’i përshtatej ndryshimeve të kohës, pra krijimit të shtetit shqiptar, ishte Skënderbeu dhe jo pushtimi osman. Me fjalë të tjera, nëse Skënderbeu do të bashkëpunonte me sulltanin osman, Shqipëria do të zhvillohej në rrugën që ndërmori Evropa perëndimore.

Hë për hë, të tri këtyre absurditeteve dhe pikëpamjeve të tjera absurde po i përgjigjemi me fjalët e Krishtit: “O Zot, mos ia vër veshin, se ai vetë nuk di çfarë thotë!”
Pasi mbaron së lexuari trajtesën e historianit zviceran bindesh se ai përpiqet, ndonëse pa sukses ta zhveshë Skënderbeun nga vërtetësia historike dhe të na japë me përdhunë jo një hero, por një komit malesh. Me metodën e punës që përdor historiani zviceran, ai përpiqet që vizionin që kemi ne sot për Skënderbeun si Hero kombëtar, ta shpërfytyrojë edhe në një drejtim tjetër – ta paraqesë personalitetin e Skënderbeut, gjoja në emër të shkencës, si një mit.

Pasi bindesh nga burimet e shkruara historike se Skënderbeu, i cili doli fitimtar përballë furisë perandorake osmane dhe përballë intrigave të Republikës së Venedikut, nuk ka arsye përse të lëvizë nga vendi që ka zënë si hero kombëtar në historinë e Shqipërisë dhe si mbrojtës i krishterimit europian në shekullin XV, përballë absurditeteve të një historiani, i cili abuzon në mënyrë mjerane me burimet historike dokumentare.

Sikurse shihet, me rastin e trajtesës së O. J. Schmitt-it, u vunë nga disa “analistë” në qarkullim koncepte dhe perceptime të habitshme ideologjike dhe metodologjike mbi Skënderbeun dhe mbi ngjarje ose procese të historisë së Shqipërisë, të cilat nuk përputhen me konceptet dhe perceptimet që njeh shkenca historiografike e ditëve tona.
Në të vërtetë, deri sot historianët skënderbegianë të Shqipërisë në shumicën e tyre pothuajse kanë heshtur ndaj këtyre koncepteve dhe perceptimeve të përmendura nga historiani gjerman O. J. Schmitt. Vetëm dy “analistë” tanë të medias u entuziazmuan nga këndvështrimi i historianit zviceran – Ardian Klosi, Fatos Lubonja. Duke e konsideruar veprën e O. J. Schmitt-it si një zbulim të ri shkencor, ata kërkuan të hiqet dorë nga vlerësimi që ka shprehur deri tani historiografia shqiptare dhe botërore mbi Skënderbeun. Kjo për arsye se ata e konsideruan historinë e deritanishme të Skënderbeut, në pajtim me O. J. Schmitt-in, një mit, për më tepër një mit të farkëtuar nga Enver Hoxha. Pra, nga vlerësimi i tyre lindi kështu një çështje e parrahur deri sot në historiografi: nëse Skënderbeu, sipas tyre, ashtu siç e ka trajtuar deri sot historiografia shqiptare, afërsisht ashtu siç e ka trajtuar edhe Kr. Frashëri në monografinë e vet, është mit dhe jo histori e vërtetë. Ky vlerësim ka prekur natyrisht jo vetëm historianët shqiptarë që janë ende gjallë, por ka ngacmuar edhe eshtrat e historianëve të vdekur, mbasi tani ata po mësojnë se janë mashtruar nga dokumente historike, të cilat flasin se Skënderbeu i trajtuar prej tyre qenka një mit, pra një përrallë dhe jo një histori e vërtetë.

Si çdo punim që trajton një temë historike, ashtu dhe punimi i O. J. Schmitt-it mbi Skënderbeun mund të gjykohet paraprakisht nga faktologjia dhe nga metodologjia, pra nga burimet historike dhe nga analiza shkencore që autori ka përdorur si lëndë të parë për trajtesën. Në Pasqyrën e Bibliografisë të punimit të O. J. Schmitt-it, ne shohim se nuk ka të shënuara tituj burimesh të panjohura. Në punimin e tij mbi Skënderbeun, historiani O. J. Schmitt mburret se ka shfrytëzuar një mori njohurish dokumentare të panjohura të kohës së Skënderbeut. Ne nuk hetuam dot as gjatë leximit të tekstit se cilat janë këto dokumente të panjohura me përjashtim të një tufe letrash të hulumtuara në Archivio di Stato di Milano (Archivio visconteo-sforzesco), që e paskan ndihmuar autorin të përmbysë këndvështrimin e deritanishëm të historiografisë skënderbegiane. Nëse e ka fjalën për aktet kancelareske të zbuluara në arkivin e Milanit, ato u përkasin vetëm dy viteve të fundit të jetës së Skënderbeut. Ato fillojnë nga 17 mars 1466 dhe marrin fund më 31 dhjetor 1467. Në pjesën e tyre dërrmuese ato janë relacione të përfaqësuesit të dukatit të Milanit në Venedik, Gerardo de Collis, në një pjesë më të vogël të përfaqësuesit të dukatit të Milanit në Romë, Augustino de Rubeis, së bashku me disa kopje letrash të kancelarisë së Napolit drejtuar Bianca Maria Sforza-s, pjesërisht dhe Galeazzo Sforza-s në kryeqendrën lombarde, në të cilat jepen lajme mbi ngjarjet që ndodhnin në Shqipëri. Letrat e dy ambasadorëve (gjithsej 56 letra) bëjnë pjesë në fondet e kancelarisë sforceske, nga të cilat 65 letra janë botuar së bashku me komente dhe me njoftime të pasura nga historiani rumun Francisk Pall, më 1964. Botimi i tyre nga O. J. Schmitt-i është një nismë për t’u përgëzuar. Por pretendimi i tij se ato i paskan dhënë mundësi të zbulojë një Skënderbe të ndryshëm, këtu me siguri që ai e tepron. E tepron sepse ato hedhin dritë, madje një farë drite, vetëm për dy vitet e fundit të jetës së Heroit. Aq më tepër që ato flasin për një situatë krejtësisht të njohur – për dramaticitetin e situatës politike, ekonomike dhe shoqërore në të cilën ndodhej Skënderbeu në vitet e fundit të epopesë. Nuk është mirë për një historian të urtë që të spekullojë me gjoja “zbulime” dokumentesh historike.
Për më tepër, pavarësisht se në Pasqyrën e Bibliografisë janë renditur dhe dy historianët e huaj – J. Radoniç dhe G. Valentini – të cilët kanë botuar materiale të pasura arkivore për Skënderbeun; ndër më të rëndësishmit e atyre që ne sot njohim – nuk shohim që O. J. Schmitt-i t’i ketë shfrytëzuar në trajtesën e vet. Për më tepër, edhe pse kritikat kryesore në trajtesë O. Schmitt-i ia drejton historiografisë shqiptare, sikurse do të shihet, në Pasqyrën e Bibliografisë mungojnë disa nga autorët më të rëndësishëm shqiptarë që janë marrë me Skënderbeun.
Vazhdojmë më tej. Nëse historiani zviceran mburret me zbulimin e letrave të dy ambasadorëve milanezë, ne kemi të drejtë po të mbështetemi në Pasqyrën e Bibliografisë të vëmë në dukje se ai nuk ka shfrytëzuar të dhënat që japin burime historike të tjera tepër të rëndësishme të kohës së Skënderbeut, shumë më të rëndësishme se letrat e arkivit të Sforzës, të botuara prej tij, madje burime që kanë lëndë të dorës së parë për shqiptarët në përgjithësi dhe për Skënderbeun në veçanti.


Po fillojmë me kronistët osmanë, të cilët nuk janë përmendur nga O. J. Schmitt-i si burime historike për veprimtarinë e Skënderbeut, por që janë shfrytëzuar gjerësisht në monografinë e Kristo Frashërit. Nuk janë një apo dy sa ka përmendur historiani zviceran, por janë mbi 14 kronistë osmanë, shumë nga të cilët kanë jetuar në shekullin e Skënderbeut – si Ahmediu, Shukrullahu, Enveriu, Oruç ben Adili, Ashik Pashë-zadeja, Tursuni, Këvami, Idris Bitlisi, kurse të tjerët edhe pse kanë jetuar në shek. XVI dhe XVII, si Kemal Pashë-zadeja, Koxha Sadeddini, Sollak-zadeja, Myne Xhimbashi dhe kronistët anonimë – janë mbështetur në kronistë osmanë të shekullit XV. Dihet se të dhënat e tyre mbi jetën dhe veprimtarinë e Skënderbeut janë të varfra, gjë që shpjegohet me urrejtjen e tyre ndaj armikut kokëfortë të shtetit osman. Është pikërisht kjo urrejtje që u jep fuqi bindëse njoftimeve të tyre tepër të rëndësishme kur ata thonë se, me gjithë fushatat e mbarë armatave perandorake kundër Skënderbeut as sulltan Murati II, as sulltan Mehmeti II nuk arritën ta pushtonin Krujën. Për një historian, vetëm disfatat që pësuan tri herë me radhë fushatat perandorake osmane nën muret e Krujës tregon se Skënderbeu nuk pësonte disfata pas disfatash, siç pretendon historiani zviceran, por fitore pas fitoresh. Do të shkonte gjatë të merreshim këtu me burimet dokumentare autentike të viteve të Skënderbeut, të cilat historiani zviceran i ka anashkaluar – anashkaluar si duket mbasi të dhënat e tyre nuk rakordojnë me këndvështrimin e tij historik. Disa prej tyre janë përmendur në vendin e duhur gjatë trajtesës sonë.
Ka edhe raste kur dokumentet e njohura i shet sikur ai vetë, O. J. Schmitt, i ka zbuluar. Këtu do të përmendim, sa për shembull dy njoftime dokumentare, të cilat ai kujton se kanë rëndësi të veçantë, meqenëse i përmend edhe në intervistën që ai ka dhënë kohët e fundit në shtypin shqiptar. Në intervistën që O. Schmitt-i u dha në Vjenë dy emrave të panjohur deri sot mburret se në veprën e tij paska sjellë dy dokumente të panjohura, të cilat “pasqyrojnë pikërisht figurën njerëzore të Skënderbeut. Kjo figurë, thekson ai, del shumë më madhështore sesa në paraqitjet klasike të komunizmit” (!).

Njëra prej tyre, sipas tij, qenka mikpritja që pati Skënderbeu në Romë më 1466, mikpritje kjo që është thënë e stërthënë disa herë, pra nuk është një njoftim i panjohur. Në lidhje me këtë pritje “mbretërore”, siç e quan ai, thotë se ajo ishte njëkohësisht tragjike, sepse Skënderbeut nuk iu dha ndihma për të cilën kishte nevojë. Ku qëndron atëherë rëndësia madhështore e pritjes mbretërore? O. J. Schmitt-i përgjigjet: “te pritja madhështore theksohet rëndësia evropiane e figurës së Skënderbeut”. Këtë vlerësim historiani zviceran e konsideron si një kontribut të madh që ai sjell në historinë e Skënderbeut. Është e çuditshme sesi ai, edhe pse, siç thotë A. Klosi, është marrë tërë jetën “me historinë e Skënderbeut, nuk e ditka se këtë pritje madhështore (!) e kanë thënë të tjerët para tij. Si duket nuk e ditka as fjalimin që thuhet se Skënderbeu mbajti në Concistori-n roman, kur mori vesh se papa po i jepte si ndihmë disa thërrime. “Këto pak dukate – tha Skënderbeu – mbajini për vete dhe jepuani të varfërve të Romës, se unë edhe pa to do të korr fitore mbi turqit”. Ja ky është qëndrimi dinjitoz i Skënderbeut dhe jo pritja madhështore e kardinalëve me lugë të zbrazët.

*Titulli është i redaksisë

 


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.