MILOSAO

Vepër e rëndësishme dhe e mirëseardhur

14:00 - 18.02.18 Gjovalin Shkurtaj
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Kjo vepër është me rëndësi për gjuhësinë shqiptare, si një mbërritje e fryt i punës shumëvjeçare e të përkushtuar të autorit, po ajo, me siguri, do të mbetet edhe si një punë madhore, do të thosha: monumentale edhe për të ardhshmen, sepse ajo është edhe pasqyrë e rezultateve më të reja që ka mbërritur disiplina shkencore e etimologjisë; natyrisht, ka pikëmbërritje me shumë rëndësi, shpresojmë se do të jetë, ndërkaq edhe si pikënisje për studime të reja e thellime të mëtejshme të kësaj fushe.




Dëshiroj ta filloj vlerësimin tim, duke iu referuar një thënieje të Dudenit, i cili, në ballinën e Gramatikës së tij të famshme të gjermanishtes, ka shkruar këtë maksimë në latinsht: “Due res longue sunt difficilimae: lexicon scribere et grammataicam” (Dy gjëra përherë janë të vështira: të shkruash fjalor dhe gramatikë). Kolegu dhe akademiku i nderuar Kolec Topalli, jo vetëm ka sprovuar, por edhe ka dëshmuar se i përballon me sukses të plotë edhe këto dy lloj veprash: ai mbasi na kishte dhënë në dorë veprën “Fonetika historike e shqipes” (Shtëpia Botuese “Dituria”, 2007, 712 f.) dhe “Gramatikën historike të shqipes” (Shtëpia Botuese “Kristalina”, Tiranë, 2011, 1737 f.), para së cilës ai kishte botuar edhe vepra të tjera të serisë “gramatikore”, përfundoi e botoi edhe “Fjalorin etimologjik të gjuhës shqipe”. Nuk do të përmend këtu serinë e studimeve dhe librave momografikë të botuar prej tij gjatë këtyre njëzet e pesë vjetve, por, po përsëris me plot gojën atë që kam pohuar kur fola në përurimin e parë të veprës së tij madhore “Gramatikë historike e gjuhës shqipe” (2011) në ditët e Albanologjisë (dhjetor 2011), kur kam pohuar dhe i mbahem vlerësimit se Koleci, kolegu yë i nderuar, na e ka kaluar të gjithëve, si me sasinë e madhe të librave, ashtu edhe me akribinë shkencore dhe me prurjet e shumta që ndejnë studimet e tij, tashmë edhe të ditura, po edhe denjësisht të vlerësuara. Përmendim se ai është nderuar me çmimin e Akademisë “Kult”, kurse më parë vepra e tij shumë e rëndësishme “Fonetika historike e gjuhës shqipe” është nderuar me çmimet “Ekselenca Shqiptare 2007” dhe “Çmimi i Albanologjisë 2008”.

Për autorin e fjalorit, studimet etimologjike vijnë natyrshëm pas një pune të gjatë disa dhjetravjeçare, gjatë së cilës është marrë me historinë e gjuhës shqipe, në veçanti me fonetikën, morfologjinë dhe sintaksën historike, duke botuar për to edhe vepra me karakter përgjithësues, siç janë “Fonetika historike e gjuhës shqipe” dhe “Gramatika historike e gjuhës shqipe”, vepra ku trajtohen edhe shumë etimologji të shqipes.

Fjalori përmban shpjegime për etimologjinë e pjesës më të madhe të fjalëve të shqipes, duke përfshirë fjalët e fondit të trashëguar indoeuropian, huazimet e moçme prej greqishtes së vjetër e latinishtes, huazimet më të reja të periudhës mesjetare prej gjuhëve sllave, italishtes, greqishtes së mesme bizantine e greqishtes së re dhe turqishtes. Një vend të rëndësishëm në fjalor zënë edhe krijimet e brendshme të shqipes, që mund të jenë formime me ndajshtesa (parashtesa e prapashtesa), kompozita, fjalë të përgjitura dhe krijime elementare e onomatopeike.
Burimet nga janë marrë fjalët, janë të shumta e të ndryshme. Janë shfrytëzuar vepra dhe shkrime të autorëve të vjetër e të rinj, materiale folklori, të dhëna dialektore, të mbledhura e të botuara nga gjuhëtarë, mësues dhe intelektualë të tjerë, të apasionuar për gjuhën. Janë shfrytëzuar gjithashtu skedarët leksikorë, gramatikorë e toponomastikë të Institutit të Gjuhësisë e të Letërsisë, ku kanë dalë në dritë e janë shpjeguar shumë fjalë të papërfshira në fjalorët e botuar të gjuhës shqipe. Për materialet dialektore është shfrytëzuar seria “Dialektologjia shqiptare” dhe “Atlasi dialektologjik i gjuhës shqipe”. Lënda e mbledhur dhe e shpjeguar përfshin, përveç të folmeve shqipe brenda kufijve të shtetit shqiptar, edhe të folmet jashtë këtij territori, në radhë të parë Kosovën e pastaj të folmet shqipe në Maqedoni, në Greqi, në Mal të Zi e në Serbi, si edhe të folmet e ngulimeve shqiptare, si arbërishten e Italisë e të Dalmacisë dhe të folmet shqipe të Bullgarisë e të Ukrainës, ku shpeshherë janë ruajtur fjalë të lashta të shqipes ose trajtat e tyre më të vjetra.

Nëpërmjet shpjegimeve që jepen në fjalor për fjalët e trashëguara, dëshmohet karakteri i veçantë i shqipes si një gjuhë indoeuropiane pa lidhje të ngushta me asnjërën prej gjuhëve të tjera të kësaj familjeje, e cila, në pajtim me ligjet e brendshme të evolucionit të saj, ka ndjekur një rrugë vetjake zhvillimi. Shpjegimet burimore të fondit autokton dëshmojnë edhe marrëdhëniet më të ngushta që ka pasur shqipja me gjuhë të tjera indoeuropiane në periudha të hershme parahistorike, lidhjet me gjuhët e lashta që janë folur në rajonin e pellgut të Mesdheut, përkimet me gjuhët e Gadishullit Ballkanik nga kontaktet e fqinjësisë gjeografike, si edhe raportet e huazimit me gjuhët e popujve që erdhën si pushtues në trevat e banuara nga shqiptarë. Me shpjegimet e burimit të fjalëve dallohen edhe shtresat e ndryshme të huazimeve historike dhe ndiqen rrugët e hyrjes së tyre në gjuhën shqipe, me një fjalë, shtegtimet e fjalëve, që mund të jenë të drejtpërdrejta ose të tërthorta, nëpërmjet një gjuhe tjetër. Me këtë fjalor mund të analizohet edhe raporti i leksikut vetjak, i trashëguar që nga periudha të stërlashta, ndaj pjesës së huazuar, të marrë në periudhën historike, duke nxjerrë në dritë se shqipja, si një degë e veçantë e familjes gjuhësore indoeuropiane, ka ruajtur bërthamë të qëndrueshme fjalësh të trashëguara, të cilën e ka zhvilluar një më tej me kuptime të reja dhe me krijime rrjedhojash të shumta duke u bërë pjesa më e rëndësishme e gjuhës, tharmi i saj, edhe pse numerikisht nuk është pjesa më e madhe. Kësaj bërthame të trashëguar vjen e i shtohet një shtresë tjetër vendëse, që përbëhet nga krijime elementare dhe onomatopeike, me rrjedhojat e tyre të shumta, që shtojnë peshën specifike të brumit vetjak. Një shtresë tjetër e përbëjnë huazimet e periudhës historike, të cilët, edhe pse numerikisht të shumtë, i janë përshtatur sistemit gramatikor të shqipes, sa nganjëherë është vështirë të dallohen nga fjalët e trashëguara. Në plan të brendshëm, fjalori dëshmon ndarjet dialektore e krahinore të shqipes, që janë rezultat i ndarjeve historike administrative dhe i izolimit të krahinave. Ai gjithashtu dëshmon krijimtarinë gjuhësore të popullit dhe të njerëzve të pendës, si një nevojë e përhershme për pasurimin e gjuhës me fjalë, shprehje e terma të rinj, që i kërkon zhvillimi i jetës, shoqëria njerëzore dhe qytetërimi modern. Duke përfshirë pjesën më të madhe të leksikut, fjalori jep shpjegime për fjalë të fushave të ndryshme të jetës njerëzore, duke dhënë njohuri për mënyrën e jetesës në të shkuarën dhe në të tashmen, botëkuptimin dhe jetën shpirtërore, karakterin e psikologjinë, besimet, mitet, bestytnitë dhe shumë aspekte të tjera të marrëdhënieve njerëzore. Në të gjenden shpjegime për veshjet e kostumet, enët e përdorëset shtëpiake, veglat e punës, armët, bimët, kafshët e egra e shtëpiake, peshqit e shpendët, me një fjalë, gjithçka që lidhet me jetën e njeriut në të tashmen dhe në të kaluarën, duke e bërë atë një enciklopedi të gjuhës shqipe.

Etimologjia e fjalëve është vështruar në mënyrë të gjithanshme duke u nisur prej kuptimit të tyre dhe formave fonetike nëpër dialekte. Shpjegimet janë dhënë për aq sa duhen në një fjalor të tillë, pa hyrë në historinë e studimit të fjalës dhe në hipotezat e shumta që kanë dhënë gjuhëtarët në kohë të ndryshme. Ndërmjet tezave të shumta të studiuesve të kësaj fushe për burimin e fjalëve të veçanta, është zgjedhur ajo që është më e argumentuar dhe më e mbështetur në të dhënat e gjuhës shqipe. Kësisoj, fjalori ka karakter shpjegues e informativ duke u shërbyer jo vetëm gjuhëtarëve albanologë, ballkanistëve e indoeuropianistëve, por edhe intelektualëve të fushave të ndryshme, si mësues, studentë, historianë, gjeografë, mjekë, inxhinierë, juristë etj.
Struktura e fjalorit është e tillë që mundëson, krahas analizës etimologjike, edhe analizën e të dhënave me karakter semantik, fonetik, gramatikor e fjalëformues, që janë të domosdoshme për të arritur te burimi i fjalës, duke dhënë kuptimet e saj, trajtat e ndryshme fonetike nëpër dialekte e të folme të shqipes, format gramatikore dhe formimet e prejardhura e të përbëra që janë krijuar nga rrënja e fjalës. Në këto hulumtime është shqyrtuar edhe gjeografia e historia e fjalëve, domethënë përhapja dhe shtrirja e tyre në hapësirë e në kohë, duke vënë në dukje nëse fjala ka shtrirje në mbarë gjuhën, apo ka karakter dialektor, krahinor a fare vendor.
Duke tërhequr sadopak edhe nga mjeshtëria ime si dialektolog, mund të pohoj se në veprën madhore “Fjalor etimologjik i gjuhës shqipe”, ashtu si në të gjitha veprat e tij të mëparshme e të lartpërmendura, autori u është referuar me përparësi edhe të dhënave të dialekteve të shqipes, si dhe ka përfillur relativisht gjerë edhe studimet dialektologjike si për të folmet brenda trojeve kompakte ballkanike, ashtu edhe ato kushtuar ligjërimeve të diasporave historike arvanite dhe arbëreshe.
Fjalori na mëson se etimologjia është e lidhur ngusht me dialektologjinë. Etimologu duhet të njohë mirë jo vetëm pasurinë leksikore të të folmeve krahinore, por edhe ligjet e veçanta të zhvillimit të tyre. Ndonjë shembull konkret mund të hedhë dritë më shumë në këtë proces. Për arsye konkretësie, po përmendim, ndër të tjera, sasinë e konsiderueshme të fjalëve dhe formave të fjalëve dialektore nga të folmet e Malësisë së Madhe, të cilat autori i ka përdorur si “çelësa” për të zhdavaritur e gjetur etimologjinë e një vargu fjalësh, si:
Emrin adra “fjalë kote, pallavra, dokrra, gjepura”, që përdoret në shumës, e ka gegërishtja veriperëndimore. Është formim i brendshëm dialektor me burim prej emrit andërr, me zhvillimin e grupit -nd- në -d- në të folmet e Mbishkodrës.

Emrin ajdës “dru i pyjeve malore me lule të verdha në vile, lënda e të cilit përdoret për të bërë orendi e sende zbukurimi” është fjjalë krahinore e së folmes së Matit dhe shpjegohet nga idhës, me diftongimin e zanores i- në aj-, karakteristk për të folmen ku gjendet fjala; si edhe me kthimin e bashkëtingëllores ndërdhëmbore në dhëmbore, që mund të jetë kryer në trajtën e shquar, si në rastin badhër e badër.

Emri boenë “vërshim ujërash jashtë shtratit të lumit; përmbytje” shpjegohet nga b-u-e-në, duke u lidhur rrënja e fjalës me emrin u-j-ë, me kthimin dialektor të zanores -u- në -o-; ndërsa b-ja është parashtesë, kurse -e dhe -në janë formante shumësi, si te brienë, syenë etj.
Emri delme (nga e folmja e Hotit dhe e të folmeve të tjera të Malësisë së Madhe), të cilën e vë në funksion të etimologjisë së emrave delmer “bari dhensh”; emrin puçik,-u “gropëz e vogël që u formohet njerëzve në faqe”, të cilën e lidh me italishten pus + prapashtesën -ik; fjalën kripçë, të së folmes së Hotit e të krejt malësisë ai e lidh me format e reja krishë, grifshë,krefshë dhe, krejt këtë çerdhe fjalësh, e nxjerr me prejardhje nga fjala krip,-i “flokë”, që edhe ajo del në Malësi me formën kryp,-i. Me të dhëna të së folmes së Hotit autori shpjegon edhe pjesëzat niç e diç, prej në ditsh “nëse e di”. Dhe shumë të tjera,që autori i kishte përmendur edhe në kumtesën e tij “Thesare gjuhësore të së folmes së Hotit në një fjalor etimologjik”, mbajtur në Simpoziumin shkencor” Hoti në rrjedhat e shekujve” (në Rochester Hills, Michigan, 23-24 nëntor 2013).

Për të gjitha këto, mendojmë se kjo vepër do të mirëpritet nga gjuëtarët dhe albanologët kudo që gjenden, po edhe nga të gjithë ata që interesohen për etimologjinë e fjalëve të ndryshme të shqipes.
Përgëzime autorit për këtë sukses tjetër të tij në vargun e gjatë e të monografive dhe teksteve akademike që ka shkruar gjatë një jete të tërë të përkushtuar fonetikës historike dhe zhvillimeve të strukturës gramatikore të gjuhës shqipe.
Tiranë, 8 shkurt 2018


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.