Intervista

Pedagogu: Të japin dorëheqjen rektori e dekanët, “shpëtimi” i vetëm për UT-në

12:45 - 19.02.18 Voltiza Duro
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Situata e tensionuar, përplasjet mes dekanëve e rektorit të Universitetit të Tiranës kanë shkaktuar reagime të shumta në radhët e pedagogëve. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Arlind Qori, pedagog në UT, por njëkohësisht edhe pjesë e lëvizjes “Për Universitetin” tregon se drejtuesit e këtij universiteti janë arrogantë e abuzivë me pedagogët e studentët e më tej thekson se as rektori, as dekanët nuk po luftojnë për parime e për të mirën e universitetit.




Gjithashtu, pedagogu i Fakultetit të Shkencave Sociale shprehet se nëpërmjet ligjit të arsimit të lartë, pesha e votës së studentëve u ul për zgjedhjet universitare të 2016-ës, çka sipas tij solli degradim. Ndërkaq, Qori thotë se mënyra e vetme që Universiteti i Tiranës të dalë nga kjo situatë është dorëheqja e rektorit, dekanëve, anëtarëve të Bordit të Administrimit si dhe të gjithë senatorëve të UT, duke mos lejuar rikandidimin e ushtruesve aktualë të këtyre pozicioneve.

Cilat janë disa nga kërkesat e pedagogëve?
Ne, si aktivistë të lëvizjen “Për Universitetin” nuk i ndajmë problemet e pedagogëve nga të studentëve. Flasim për universitarët si një trupë bashkëkushtetuese e universitetit, ku studentët dhe pedagogët duhet të kenë të drejta të barabarta. Sigurisht që ditët e fundit ka ardhur në vëmendjen publike problemi i vonesës së rrogave të pedagogëve. Për ne kjo çështje nuk ka rëndësi në vetvete. Jo se mosmarrja e rrogave nga pedagogët është e parëndësishme, por sepse ajo dhe të tjera probleme janë efekte të ligjit të arsimit të lartë, të cilin nuk jemi lodhur së kundërshtuari.

Sa po zbatohet ligji i arsimit të lartë e çfarë ndryshimesh kërkoni që të bëhen në këtë ligj?
Ligji i arsimit të lartë ka hyrë në fuqi që në shtatorin e vitit 2015. Për shembull, në zgjedhjet universitare të vitit 2016, pesha e votës studentore u ul nga 20% që kishte qenë në ligjin e mëparshëm në 10%, çka solli në degradim të mëtejshëm të zgjedhjeve si riprodhim tarafesh. Më në tërësi, ne kemi kërkuar gjithmonë shfuqizimin e plotë të ligjit në fuqi. Ai bazohet në një konceptim pervers të universitetit, duke u orvatur ta shndërrojë atë në qendër biznesi. Ky ligj i shtyn universitetet publike që të rrisin tarifat studentore, duke e shndërruar ndjekjen e studimeve nga një e drejtë që gëzohet sipas meritës, në privilegj që sigurohet prej parave që ke në xhep. Për këto e shumë arsye të tjera ne kemi disa vjet që punojmë për ta rrëzuar këtë ligj.

Cilat janë disa nga aktet nënligjore, që ende nuk kanë dalë?
Mosdalja e akteve nënligjore nuk është ndonjë problem i madh. Fundja ato thjesht do të saktësojnë procedurat e çmontimit të universiteteve publike. Mund të duket paradoksale, por fakti që aktet nënligjore janë zvarritur deri më tani u ka dhënë universiteteve publike pak kohë për të marrë frymë. Për shembull, skema famëkeqe financiare nuk ka hyrë akoma në fuqi.
A mendoni se universitetet publike janë në kolaps?
Universitetet publike janë të sulmuara! E para është qeveria, e cila me tentativën e saj komercializuese dhe cenimin e autonomisë universitare po bën ç’është e mundur që t’i tjetërsojë universitetet publike. Por jo më pak të dëmshëm janë edhe drejtuesit e vetë universiteteve publike. Ata janë një kastë burokratike e zhytur në tarafe e korrupsion, të paaftë për të drejtuar universitetin dhe për t’i bërë rezistencë qeverisë. Megjithatë, universitetet publike mbeten pasuria më e madhe intelektuale e Shqipërisë.

Cili është opinioni juaj mbi fjalët e kryeministrit Rama ndaj senatit të Universitetit të Tiranës?
Sikur të mos e njihja burokracinë e Universitetit të Tiranës, do të skandalizohesha si shumë të tjerë. Do të thosha me vete: “Si e lejuan t’u fliste me tonin e një pronari të dehur fasonerie?!”. Mirëpo unë dhe kolegët e mi e dimë mirë se ç’burokratë kemi, arrogantë e abuzivë me pedagogët dhe studentët që kanë poshtë vetes dhe kokulur e servilë me më të fortët. Sikur të mos mjaftonte kjo, pjesa më e madhe e folësve në atë takim në vend që të flisnin në emër të kolegëve të tyre, e shtronin bisedën në mënyrë meskine, duke kërkuar ndihmën e kryeministrit për të larë hesapet midis tyre. Nuk u vinte turp as të vetëdemaskoheshin kur tregonin se si e kishin trajtuar trupën pedagogjike si tufë delesh, për të prodhuar vota plebishitare për njëri-tjetrin gjatë zgjedhjeve të shkuara. Kështu që kur e rimendoj atë takim, nuk di se kush duhet të na turpërojë më shumë: një kryeministër fodull dhe shkatërrimtar i arsimit publik apo rektorë e dekanë, që e përdorin fjalën vetëm për të “lidhur ushkurin” e interesave të tyre të ngushta.

Si e vlerësoni përplasjen mes rektorit e dekanëve?
Është përplasja midis dy klaneve të burokracisë së Universitetit të Tiranës. Asnjëra palë nuk lufton për parime dhe për të mirën e universitetit. Luftojnë vetëm që të kenë në duar “thelën” më të madhe të tenderave dhe emërimeve. Kështu që të zgjedhësh midis tyre është si të kesh përpara dy të zeza.

Cila është zgjidhja që Universiteti i Tiranës të dalë nga kjo situatë?
Zgjidhja e mirëfilltë është e thjeshtë në letër, por e vështirë në realizim. Unë e ndaj në pesë pika: të japin dorëheqjen rektori, dekanët, anëtarët e Bordit të Administrimit dhe të gjithë senatorët e UT. Të shpallen zgjedhje të reja për të gjitha pozicionet, ku së paku për postet e rektorit dhe të dekanëve të mos u lejohet rikandidimi ushtruesve aktualë të këtyre detyrave; në zgjedhjet e reja vota studentore të llogaritet si 50% e totalit të votave për dekanë dhe rektor, si dhe përfaqësuesit e studentëve të përbëjnë gjysmën e senatit të UT. Të themelohet një sindikatë, qëllim i së cilës nuk do të ishte vetëm mbrojtja e të drejtave të punonjësve universitarë, por edhe presioni ndaj burokratëve të UT dhe qeverisë për realizimin e pikave të mësipërme, si dhe të shpallen sa më parë zgjedhjet për këshillat studentore, ku t’u hiqet mundësia e kandidimit anëtarëve të forumeve rinore partiake. Që të realizohen këto, duhet një organizim shumë më i gjerë dhe intensiv i universitarëve. Degradimi i situatës e ka një të mirë, e shtron me urgjencë nevojën e zgjidhjeve radikale. Nëse ne si pedagogë e studentë nuk ia dalim, shumë shpejt ndërtesa ku punojmë e studiojmë do të na bjerë mbi kokë dhe jo vetëm në kuptimin metaforik.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.