KULTURË

“Edhe muret kanë veshë”, nis mbledhja e rrëfimeve për kujtesë në mur

14:00 - 20.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

Artistja kosovare Alketa Xhafaj po mbledh historitë e atyre që humbën lirinë apo jetën e tyre nëpër burgjet e diktaturës komuniste në një instalacion artistik më 9 maj, në ditën e Europës.




Ka vite që emri i Alketa Xhafa-Mripës, gjendet në media të mëdha si “The Guardian”. Projektet e saj kanë mundur të marrin vëmendje ndërkombëtare. E ‘burgosur’ brenda identitetit shqiptar, brenda kujtimeve të luftës, të grave që u dhunuan e mandej u gjykuan, të atyre që ikin nga vendi nën kamionë, ajo ka sjellë vepra, që në shumë mënyra u kanë dhënë zë të pazëve.

“Nuk kam në dorë ligjin, as vendimin, unë mundem vetëm të veproj. Kam vetëm fjalën, kam vetëm artin pamor. Por përmes këtij vizualiteti mund të bëhet shumëçka. Sot, artistët kanë përgjegjësi për të ndihmuar shoqërinë. Për të bërë shoqërinë bashkëpunuese” tha ajo në një intervistë për Gazeta Shqiptare në dhjetor. Ajo shtonte se “Këdo që kam pyetur për atë kohë, më kanë thënë edhe “muret kishin veshë”. Më mbeti në mendje fraza dhe tani dua që t’u jap mundësinë njerëzve të thjeshtë të flasin e të rrëfejnë. Unë dua që ata që nuk kanë mundur të flasin t’u marr rrëfimet e të nxjerr disa fraza e që do të vendosen në 7-8 qytete të Shqipërisë. Në fund të muajit maj e gjithë Shqipëria do të ndriçohet, vetëm për një natë me thëniet e tyre. Muret do të shërbejnë jo si subjekt i ikjes, por si objekt i rrëfimit”.

Dje në Tiranë, ajo e prezantoi projektin “Edhe muret kanë veshë” për të cilin po bashkëpunon me Autoritetin e Dosjeve.
Po udhëton në gjithë Shqipërinë për të mbledhur rrëfimet e të mbijetuarve nga burgjet dhe kampet e internimit nën diktaturë dhe për t’i bërë bashkë në një instalacion që prezantohet më 9 maj në ditën e Europës. Alketa Xhafa tha dje se “vepra që unë propozoj është një hap drejt shërimit të plagëve shoqërore dhe psiqike”. Simon Mirakaj udhërrëfyesi i Xhafës në këtë udhëtim do donte që ky projekt t’i krijojë hapësirë edhe historive për kampet e pasluftës si Kampi i Tepelenës, aty ku vdekja ishte një realitet i përditshëm.

Për jehonën ndërkombëtare të projektit ka menduar Kristale Ivezaj Rama, e nxitur nga historitë e paraardhësve të saj. “Kemi njerëz me histori të jashtëzakonshme. Ne kemi heronj mes nesh. Kemi në krah zotin Mirakaj që është një hero i gjallë. Këto histori duhet t’i dëgjojnë edhe ata që nuk dinë shqip. Prandaj projekti ynë do të jetë edhe në anglisht që njerëzit kudo në botë të kenë mundësi t’i dëgjojnë”, tha ajo.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.