KULTURË

Si u përjashtuan fenomenet meteorologjike nga Kopshti poetik i Realizmit Socialist

17:03 - 20.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

E premtja e fundit e muajit shkurt na mbledh përsëri në Bibliotekën Kombëtare, në sallën Auditorium. Në takimin e radhës të seminarit të përhershëm të Departamentit të Etnologjisë (IAKSA, ASA) kemi kënaqësinë të kemi të ftuar studiuesin, shkrimtarin dhe botuesin e mirënjohur, Dr. Arian Leka, i cili do të ndajë me ne tezat qendrore të punës së tij kërkimore ndër vite.




Autorët shqiptarë të realizmit socialist vunë në shërbim të metodës krijuese, jo vetëm Kohën, por edhe Hapësirën e Re poetike, thënë ndryshe, peizazhin dhe entitetet e tij – florën dhe faunën poetike. Hapësira e Re poetike/heterotopike nuk mund të ishte natyrë thjesht e pastër, jashtë dobisë dhe qëllimeve dhe për këtë u desh reformimi i mjeteve shprehëse dhe stilistikës, që nuk mund të ishte e njëjtë me atë të paraardhësve letrarë.

Një vështrim i tillë do të transformonte tërësisht peizazhin poetik, duke mbitheksuar përmes tij, rëndësinë e simboleve mbi jetën e përditshme dhe komunikimim përmes gjuhës së simboleve. Mes të tjerave, fauna dhe flora u përzgjodhën të luanin rolin e tyre në rikrijimin e identitetit të ri kulturor. Ky seleksionim jo natyror bëri që flora dhe fauna lirike, ekzotike dhe idilike të ndëshkoheshin si sentimentale, romantike dhe jorevolucionare. Vendin e tyre në poezi e zunë flora ceremoniale dhe dekorative, lulëkuqet, trëndelina, pemët me gjelbërim të përjetshëm, si dafinat dhe ullinjtë apo drurë me cilësi të dukshme simbolike, si lisi dhe rrapi, të cilave bashkë me emërtesat e përgjithshme e të pacilësuara, si “lule”, “kurorë”, “buqetë”, iu dha një funksion etik, duke i çertifikuar ato si pjesë e gjelbërimit të miratuar zyrtar, shfaqur dhe mbivlerësuar dukshëm në poezinë shqiptare mes viteve 1950-1960.

Ajo pjesë e florës që ruante kujtesën kulturore të së kaluarës, si krizantema për shembull, u demonizuan apo dolën nga qarkullimi, si të demode. Peizazhi në poezitë e natyrës apo të dashurisë u pushtua nga lulet që përcillnin imazhet triumfuese të lavdishme dhe që përfaqësonin kulturën optimiste të fitores, ekzaltimit dhe suksesit. E gjitha kjo vuri në dukje nevojën e krijimit të një çelësi simbolik në klasifikim, brenda konceptit të kulturës politike. Lulet, kafshët, përfshi edhe fenomenet afmosferikë të motit, të shfaqura në poezinë dhe poemën e asaj periudhe u përfshinë në repertorin politik dhe u bënë pjesë e projektit që krijoi mitin e qytet-shtetit-industrial dhe njëkohësisht kopështit të lulëzuar socialist.

Arian Leka mban gradën shkencore Doktor në Shkencat Albanologjike, me tezën “Realizmi socialist – adventus dhe adventurus mes realizmit dhe i/realizmit” dhe punon aktualisht pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike, në Institutin e Gjuhësisë dhe Letërsisë, në Tiranë. Prej vitesh ka mbajtur leksione pranë Fakultetin e dramaturgjisë (UART).

Tematika e trajtuar nga ky autor në artikuj, ese, në prozë letrare dhe poezi ka të bëjë kryesisht me trashëgiminë e socializmit dhe realizmit socialist në arte (letërsi, film, filateli, lëvizje kulturore europiane). Në shumë tekste të punës së tij krijuese, ai ka përdorur teknikat e fact-fiction, ku ndërthur historinë e tij vetjake me historinë e Shqipërisë, veçanërisht në ato të së kaluarës dhe tranzicionit shqiptar pas rënies së Murit të Berlinit.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.