AKTUALITET

Flet infermierja: Dy vajzat i gjeta të shtrira në tokë, babai i tyre ishte bërë dysh në makinë

12:05 - 21.02.18 Gazeta Shqiptare
GSH APP Download on Apple Store Get it on Google Play

“Ajo që ndodhi në Velipojë i kalon kufijtë. Pashë tmerr me sy. Dy vajzat e familjes Preka i gjeta të shtrira në tokë. Babai i tyre ishte bërë dysh brenda në makinë. Ai kishte ndërruar jetë në vend së bashku me djalin e tij 6 muajsh”.




Kështu u shpreh dje për “Gazeta Shqiptare”, infermierja e qendrës shëndetësore të Velipojës, Vjollca Pacaj. “Unë jam infermierja Vjollca Pacaj dhe banoj në fshatin Sektor të njësisë Velipojë.

Ka qenë ora 17:40 kur më ka marrë në telefon nipi i shtëpisë time. Ai më tha eja shpejt se ka ndodhur një aksident. Menjëherë mora në telefon Elvis Ramën, shoferin e ambulancës, sepse shoferi tjetër ishte me pushime. Megjithatë, pas tij mora edhe Rifatin duke llogaritur se është shofer i vjetër. Nipi më mori sërish në telefon teksa isha duke dalë nga shtëpia dhe më tha eja se është dhe një fëmijë i vogël.

Ne foto: Vjollca Pacaj

Me shapka siç isha në shtëpi mora një mjet bashkë me urgjencën që kemi ne dhe me drita ndezur shkuam shumë shpejt në vendin ku kishte ndodhur aksidenti. Nuk kishin kaluar as 10 minuta, pasi kishte ndodhur ngjarja. Sapo ndaluam makinën, pamë nënën që bërtiste ku janë fëmijët. Hapa ambulancën dhe i kam bërë një adrenalinë se nuk dija çfarë t’i bëja tjetër në atë moment, pasi ishte e larë në gjak. Kur ktheva kokën, pashë dy vajzat njëra pas tjetër, përmbys në tokë. Aty kishte shumë banorë të zonës, mbi 50 vetë. Bërtita me të madhe: Aman ejani dhe më ndihmoni të marr fëmijët. Erdhi një djalë i ri që më ndihmoi të marr njërën nga vajzat, të cilës i vendosa qaforen në qafë. Aty gjeta Rifatin me ambulancë.

Ai kishte shkuar për 5 minuta, më shpejt se unë. Dy vajzat i vendosëm në ambulancë, në barelë. Ndërsa, djalin e vogël, i cili kishte ndërruar jetë, e mora unë. Edhe vajza 5 vjeçe që u nda nga jeta ishte shumë rëndë. Shkuam me ambulancën tonë deri në fshatin Trush. Aty vajzës 5 vjeçe që mendonim se ishte më mirë i vumë oksigjen dhe më pas shkuam në spital.

Mjekët e spitalit të Shkodrës bërë të pamundurën, por plagët e rënda i morën jetën 5-vjeçares. Edmondi, babai i fëmijëve ka qenë i vdekur që në momentet e para kur i kam bërë adrenalinën bashkëshortes së tij”, – tha infermierja Vjollca Pacaj.

Ndërkaq ajo u bëri apel të gjithë institucioneve deri tek kryeministri për të mundësuar një ambulancë tjetër për Velipojën, sepse ajo që kanë është e amortizuar ndërsa u mungon edhe oksigjeni për aksidente të tilla të rënda.


Shfaq Komentet (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.